Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Lidhje të ngushta ushtarake midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara
E shtune, 20.04.2019, 09:23 AM
LIDHJE TË NGUSHTA USHTARAKE MIDIS SHQIPËRISË DHE SHTETEVE TË BASHKUARA
Nga Frank Shkreli
Në portalin e Pentagonit njoftohet se mbrëmjen e ditës së ënjtë u takuan në Pentagon Ministrat e Mbrojtjes të Republikës së Shqipërisë dhe të Shteteve të Bashkuara. Nën titullin “Ministrat e Mbrojtjes të Shqipërisë dhe të Shteteve të Bashkuara ritheksojnë rëndësinë e marrëdhënieve” dypalëshe – dhe me foto nga pritja e Ministres së Mbrojtjes të Shqipërisë, Olta Xhacka në Pentagon nga Sekretari Amerikan i Mbrojtjes në detyrë, Patrick Shanahan – jepet lajmi se dy ministrat bidseduan mbi marrëdhëniet dypalëshe, midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë në fushën e mbrojtjes.
Sipas burimit të Pentagonit, dy zyrtarët e lartë të mbrojtjes diskutuan mbi një sërë çështjesh në fushën e mbrojtjes, përfshirë kontributet e rëndësishme të Shqipërisë në operacionet e Shteteve të Bashkuara dhe të NATO-s në rajon, si dhe rolin e vazhdueshëm udhëheqës të Shqipërisë kundër aktiviteteve qëllim-këqia të Rusisë në rajonin e Ballkanit, u shprehen zyrtarët e Pentagonit.
Dy zyrtarët e lartë amerikan e shqiptar të mbrojtjes ranë dakord gjithashtu mbi rëndësinë e ndarjes së përgjegjësive dhe obligimeve ndaj Aleancës ushtarake perëndimore, ndërsa Sekretari Amerikan i Mbrojtjes lavdëroi përpjekjet e Shqipërisë për të arritur objektivin e shpenzimeve ushtarake prej të pakën 2 për qind të produktit të saj të mbrendshëm, në përputhje me marrveshjen e vendeve anëtare të NATO-s në mbledhjen e Aleancës së Atlantikut në Wales, në vitin 2014.
Sipas korrespondentes së Zërit të Amerikës, Menada Zaimi e cila ndoqi takimin zyrtar në Pentagon takimi midis Ministres së Mbrotjes së Shqipërisë Olta Xhaçka Sekretarit të Mbrojtjes në detyrë Patrick Shanahan, nxori në pah shqetësimin rreth ndikimit rus në rajon. Si përgjigje ndaj pyetjes së Zërit të Amerikës, sekretari Shanahan tha se rreziku që paraqet Rusia në Ballkan është një nga arsyet kryesore të zhvillimit të këtij takimi. “Kjo është një nga arsyet kryesore pse po takohemi sot. Është rrezik dhe ndaj jemi partnerë të fortë”, tha zoti Shanahan për Zërin e Amerikës. Ky është një rast i miri që të bisedojmë mbi mënyrat për të përmirësuar mundësitë dhe aftësitë tona ndaj disa kërc[nimeve dhe të punojmë së bashku për të sisguruar një të ardhme të fortë sigurie, është shprehur për median, zyrtari i lartë i mbrojtjes së Shteteve të Bashkuara.
Ndërsa Ministrja shqiptare e mbrojtjes, Olta Xhaçka gjatë vizitës së saj të dytë gjatë këtij viti në Washington foli, ndër të tjera, edhe për bazën e re të NATO-s në Kuçovë, duke e cilësuar si një një zhvillim shumë tërëndësishëm për rajoninin, që sipas saj, në vitet e fundit është bërë një pikë e nxehtë e rivaliteteve gjeopolitike dhe dëshmitar i një përpjekjeje shumë të bashkërenduar për të minuar sigurinë dhe stabilitetin, raporton Zëri i Amerikës.
Ky vit shënon 10-vjetorin e antarësimit të Shqipërisë në NATO, por Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria kanë një histori më të vjetër marrëdhëniesh ushtarake, në periudhën post komuniste të Shqipërisë. Ishte Tetori i vitit 1993 kur Washingtoni nënshkroi një marrëveshje ushtarake me Shqipërinë, vendi i parë ish-komunist me të cilin Shtetet e Bashkuara kishin nënshkruar një marrëveshje të tillë deri më atëherë. Si diçka e jashtëzakonshme, duke marrë parasysh marrëdhëniet ose mos ekzistencën e marrëdhënieve deri atëherë midis Tiranës dhe Washingtonit — në atë kohë, ky lajm bëri bujë duke u pasqyruar në organet më të njohura të shtypit amerikan, si Nju Jork Tajms dhe Washington Post. “Marrëveshja e parë e këtij lloji e Shteteve të Bashkuara me një shtet ish-komunist”, shkruante David Binder në gazetën Nju Jork Tajms, “Është nënshkruar më 8 Tetor nga Sekretari Amerikan i Mbrojtjes, Les Aspin në Washington dhe më 14 Tetor në Tiranë, është nënshkruar nga Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Safet Zhulali”, njoftonte gazeta e njohur amerikane. Në marrëveshjen ushtarake midis dy vendeve shprehej, “Gatishmëria e të dy palëve për të zgjeruar marrëdhëniet mbrojtëse dhe ushtarake midis dy vendeve.” Ndërsa pak më vonë, gazeta e kryeqytetit amerikan, Washington Post i kishte cilësuar marrëdhëniet ushtarake shqiptaro-amerikane – midis ushtrisë më të pasur dhe më të fuqishme në botë dhe një ushtrie të vogël e të varfër – si një “lidhje dashurie ushtarake”, (a military love affair), ndërkohë që citonte një oficer ushtarak amerikan, që ishte pyetur për zhvillimin e shpejt të lidhjeve ushtarake me një vend ish-komunist, të ketë thënë se “Jemi prekur thellë nga ‘sindroma shqiptare’ – nga një dëshirë e madhe për t’i ndihmuar këta njerëz”, është shprehur oficeri i lartë amerikan. Washington Post theksonte gatishmërinë e Shqipërisë për këto marrëdhënie duke shkruar se Presidenti i Shqipërisë, Sali Berisha u kishte venë në dispozicion Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s, përdorimin e të gjitha bazave ushtarake të Shqipërisë, duke thënë se, “Ne i mirëpresim Amerikanët. Ata janë çelësi i sigurimit tonë”, citonte gazeta e kryeqytetit amerikan, ish-Presidentin e Shqipërisë, Z. Sali Berisha.
Pa marrë parasyshë se cila parti ose kush e udhëheqës Shqipërinë në kohë të caktuara dhe megjithë baticat dhe zbaticat në marrëdhëniet politiko-diplomatike midis dy vendeve gjatë dekadave të fundit, vizita e Ministres së Mbrojtjes e Shqipërisë të ënjten mbrëma në Pentagon, tregon se marrëdhëniet ushtarake midis Tiranës dhe Washingtonit sa vinë e forcohen midis dy vendeve dhe popujve miq. Vizita e Zonjës Xhaçka është një shenjë tjetër se vazhdon ajo (“Military Love affair”) lidhja e dashurisë ushtarake midis dy vendeve dhe në kuadër të Aleancës së NATO-s, si një shenjë e miqësisë së përhershme midis Kombit amerikan dhe Kombit shqiptar.
Frank Shkreli
IL 18, 2019
Fotot nga Pentagoni