Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Kur viktimat rrëfejnë historitë e tyre, stresohen shkaktarët e krimeve
E enjte, 09.05.2019, 07:27 PM
KUR
VIKTIMAT RRËFEJNË HISTORITË E TYRE, STRESOHEN SHKAKTARËT E KRIMEVE
Nga
Frank Shkreli
Kur
viktimat rrëfejnë historitë e tyre stresohen shkaktarët e krimeve, ka thënë
disa ditë më parë, Dr. Jörg Lüer drejtor i Komisionit Gjerman “Justitia et Pax”
– “Drejtësi dhe Paqe”, si edhe zëvendësdrejtor i Fondacionit gjerman
“Maximilian Kolbe”, në një intervistë për radion gjermane Deutsche Welle. Dr.
Lüer flet në intervistën e tij mbi mungesën e ndjekjeve penale për krimet e
komunizmit në Shqipëri, ndërkohë që Shqipëria është përfshirë me një valë
debatesh dhe një gjuhë denigruese mbi të shkuarën komuniste dhe me
(mos)përballimin e shoqërisë shqiptare me atë të kaluar, 30-vjet pas shembjes
së komunizmit zyrtar. “Duhet të kuptojmë”, është shprehur Dr. Jörg Lüer, “se ka
viktima, ka fajtorë, kundrues, ka deformime të shumëllojta të personave e të
personaliteteve për shkak të përvojës së dhunës. Shkaktarët përpiqen, si
rregull nga ana politike në pozicion më të mirë, siç mund ta shohim shpesh, të
hedhin pas historinë e të mos ballafaqohen me të. Viktimat sigurisht janë të
lidhura me këtë histori, ajo është një prerje jashtëzakonisht e thellë në jetën
e tyre. E kur viktimat fillojnë të artikulojnë historinë që u ka ndodhur, e
dimë se kjo u sjell stres autorëve të krimeve e familjeve të tyre”, ka thënë
ai.
Shqipëria
është plot e përplot me autorë krimesh të periudhës së komunizmit, disa madje
ende shërbejnë në detyra të larta shtetërore, përfhsir parlamentin. Shumë janë
larguar nga vendi dhe ashtu të pa penduar vazhdojnë luftën ende kundër
viktimave të tyre. Përveç gazetarëve dhe opinionistëve, në këtë debat dallohen
edhe profesorë dhe historianë enveristë, madje edhe anëtarë të Kuvendit të
Shqipërisë – apologjetët e një regjimi kriminal — të cilët ende mbrojnë
regjimin komunist. Nga pozitat e tyre gjithnjë të larta në shoqëri, me rroga
nga taksapaguesit shqiptarë, përfshirë ish- të përndjekurit e regjimit
komunist, arsyetojnë krimet e atij regjimi, nepërmjet shkrimeve dhe deklaratave
të tyre publike. Kjo është e drejtë e tyre në një shoqëri demokratike që lejon
ushtrimin e fjalës së lirë – ndryshe nga regjimi komunist që ata gjithnjë
mbrojnë me çdo mjet në arsenalin e tyre të pa moralshëm. Ajo që nuk i falet
politikës dhe shoqërisë shqiptare – një vendi anëtar i NATO-s dhe që aspiron
antarësimin në Bashkimin Evropian, është fakti se këta mbështetës të diktaturës
komuniste, sot japin mësim nepër universitete duke edukuar, ose më mirë të
themi, duke helmuar brezin e ri post-komunist të shqiptarëve në këtë frymë dhe
ideologji komuniste. Ndërkohë që apologjetët e komunizmit, njëherazi edhe
anëtarë të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, vazhdojnë edhe në “demokraci”,
të bëjnë ende ligjet e vendit.
Ndërkohë
që në Shqipëri zhvillohet ky debat i pabesueshëm dhe i pakuptueshëm në çerekun
e parë të shekullit 21 – në të vërtetë është më shumë një kacafytje — në një
vend që aspiron antarësimin në Bashkimin Evropian, ndërkohë që autorët e
krimeve të komunizmit ose mbështetsit e tyre, u vërsulen sot viktimave të tyre
të pafajshme, 30-vjet pas shembjes së komunizmit zyrtar. Është kjo një dukuri e
pa parë në ndonjë vend tjetër ish-komunist të Evropës. Kjo ndodhë vetëm në
botën shqiptare!
Në
të vërtetë, në Evropën normale post-komuniste, anëtare të Bashkimit Evropian –
ndryshe nga Shqipëria abnormale që nuk kujton zyrtarisht data të tilla as
krimet e komunizmit – organet dhe entet zyrtare dhe jo zyrtare evropiane –
shënuan, javën e kaluar, 10-vjetorin e miratimit nga ana e Parlamentit
Evropian, të rezolutës së miratuar (me 2 prill 2009) mbi, “Ndërgjegjen
Evropiane dhe Totalitarizmin” (The anniversary of the European Parliament resolution
on “European Conscience and Totalitarianism”).
Në
njoftimin për media me rastin e 10-vjetorit të rezolutës mbi “Ndërgjegjen
Evropiane dhe Totalitarizmin”, botuar me 2 Prill, 2019, në portalin më sipër,
thuhet se në atë rezolutë bëhet thirrje për themelimin e një Platforme të
Memorjes dhe Ndërgjegjes Evropiane, në mbështetje të lidhjeve dhe bashkpunimit
midis institucioneve të ndryshme kombëtare, të specializuara në historinë e
totalitarizmit, si dhe për krijimin e një qendre pan-evropiane dokumentacioni
për viktimat e të gjitha regjimeve totalitare.
“Detyra
jonë ndaj viktimave është që të vazhdojmë punën për të kujtuar e dokumentuar
krimet e të gjitha regjimeve totalitare dhe të nderojmë të gjithë ata që i kanë
kundërshtuar ato regjime. Këto përpjekje janë të përqëndruara në të kaluarën,
por janë jetike, si për të tashmen ashtu edhe për të ardhmen. Nëqoftse
dështojmë të ruajmë dhe të kujtojmë këtë trashëgimi të dhëmbëshme evropiane,
atëherë ne rrezikojmë që të përballemi përsëri me barbarizma të tilla”, është
shprehur Dr. Lukasz Kaminski, Presidenti i Platformës së Memorjes dhe
Ndërgjegjes Evropiane, në njoftimin për media, botuar javën që kaloi.
Sa
për dijeni të atyre që mendojnë se në emër të tyre personal ose të partisë që
ata përfaqësojnë duan të na paraqesin si “zyrtar” versionin e tyre të historisë
së komunizmit, si të vetmen të vërtetë historike të regjimit komunist të Enver
Hoxhës, sikur ata kanë monopol mbi të vërtetën e kësaj historie, Evropa thotë
se askush nuk monopol mbi të vërtetat historike të asaj periudhe tragjike për
Evropën. Ndërsa apologjettë shqiptarë të regjimit enverist, vazhdojnë të
mbrojnë tezat e tyre: O me ne ose kundër nesh!
Ndoshta
ia vlenë, që në këtë 10-vjetor të kësaj rezolute evropiane të kujtojmë disa nga
pikat kyryesore, për të cilat janë angazhuar vendet që kanë nënshkruar këtë
rezolutë. Platforma e Memorjes dhe Ndërgjegjes Evropiane, thotë se, “Asnjë ent
ose parti politike nuk ka monopol mbi interpretimin e historisë, sepse ente ose
parti të tilla nuk mund të pretendojnë të jenë objektive”. Për më tepër,
vazhdon rezoluta, “Interpretimet zyrtare politike të fakteve historike nuk mund
të imponohen nga vendimet e një shumice në parliament”. Sipas rezolutës,
“Objektivi themelor i procesit të integrimit evropian është për të siguruar
respektin për të drejtat bazë të njeriut dhe për rendin ligjor në të ardhmen”,
anë e mbanë kontinentit evropian, ndërsa i konsideron, “Keq-interpretimet e
historisë si shkaktare të politikave përçarëse, të cilat, si rrjedhim nxitin
urrejtje dhe racizëm”, thuhet në rezolutën evropiane të vitit 2009.
Rezoluta
e Platformës së Memorjes dhe Ndërgjegjes Evropiane bën thrirje, “Për të kujtuar
të shkuarën tragjike evropiane, me qëllim që të nderohen viktimat, të dënohen
autorët e krimeve, ashtuqë të bëhen përgatitjet e nevojshme për një pajtim,
bazuar në të vërtetën dhe në kujtesën.” Rezoluta thekson gjithashtu se, “Është
e rëndësishme që të kujtojmë të gjithë ata që aktivisht kundërshtuan regjimet
totalitare, e të cilët duhet të zenë vendin e tyre në kujtesën dhe ndërgjegjen
evropiane, si heronjë të periudhës totalitare, për dedikimin, besimin, nderin,
guximin dhe idealet e tyre”. Në rezolutë shprehet bindja se, “Objektivi
përfundimtar i hapjes së dosjeve dhe i pranimit të krimeve të kryera nga
regjimet totalitare komuniste është pajtimi, i cili mund të arrihet duke
pranuar përgjegjësinë, duke kërkuar falje (nga shkaktarët e krimeve) dhe duke
rivendosur një rend të ri moral”, thekson ndër të tjera, rezoluta e Platformës
së Memorjes dhe Ndërgjegjes Evropiane.
Unë
kam shprehur vazhdimisht mendimin tim se nuk do të ketë integrim të Shqipërisë
në Bashkimin Evropian, nëqoftse shqiptarët nuk ndajnë të njëjtat vlera të
historisë së vet me evropianët, pikërisht siç është vlerësimi i paanshëm dhe
objektiv i krimeve të komunizmit dhe përballimi me të shkuarën komuniste, ashtu
siç kanë bërë shumica e vendeve ish-komuniste të Evropës Lindore. Siç ka thënë
edhe poetja e njohur amerikane, Maja Angjellu: “Historia, pavarësisht plagëve
të dhëmbshme, nuk mund të zhbëhet. Por, nëse përballet me guxim, nuk ka nevojë
të përsëritet më”.
Për
më tepër, ashtu siç jam shprehur shpeshëherë më përpara, sidomos duke marrë
parasyshë debatet e fundit në Shqipëri mbi këtë çështje – fatkeqësisht sot jam
më i bindur se kurrë, se nuk do të ketë as paqë dhe as bashkim midis
shqiptarëve, nëqoftse në radhët e tyre nuk ka një përballim të sinqert me të
shkuarën komuniste. Sidomos — për derisa midis tyre nuk ekziston një pikëpamje
e përbashkët, ose të pakën një përafrim pikëpamjesh rreth të shkuarës komuniste
si një trashëgimi e të gjithëve, gjë që nevojitë dhe meriton, jo kacafytje, por
një debat të hapur, jo nga ideologë të partisë, por nga njerëz kompetentë dhe
objektiv e të paanshëm — midis shqiptarëve nuk do të ketë as pajtim kombëtar.
Por, “Para pajtimit duhet të flitet më parë për mospajtimin dhe lëndimet”, ka
thënë para disa ditësh në intervistën me Deutsche Welle, Dr. Jörg Lüer, drejtor
i Komisionit Gjerman “Justitia et Pax” – “Drejtësi dhe Paqe”, si edhe
zëvendësdrejtor i Fondacionit gjerman “Maximilian Kolbe”.
Kjo,
fatkeqësisht, nuk ka ndodhur ende në Shqipëri. Nga ky këndveshtrim, Shqipëria
është shumë larg Evropës dhe në nuk përfill rezolutat evropiane në kujtim të
viktimave të komunizmit dhe totalitarizmit në përgjithësi. Megjithkëtë, të gjithëve,
Gëzuar 9 Maji, Dita e Evropës!