Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Dita e Besës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit
E merkure, 12.06.2019, 08:29 PM
8 QERSHORI – DITA E BESËS SË LIDHJES SHQIPTARE TË PRIZRENIT
Nga
Frank Shkreli
Ishte
10 Qershori i vitit 1878 kur është mbajtur Kuvendi Kombëtar në Prizren, ku u
përfaqësuan të gjitha krahinat e Atdheut, me qëllim, sipas fjalëve të Abdyl
Frashërit, “Që t’u presim hovin armiqëve të pashpirt, duke lidhur besën
shqiptare dhe duke u betuar që t’i mbrojmë me gjak trojet që na kanë lënë
gjyshërit dhe stërgjyshërit tanë”, ka thënë ndër të tjera, Abdyl Frashëri.
Aty
u vendos njëzëri themelimi i “Lidhjes Shqiptare”, si organizata e vetme
kombëtare Shqiptare, objektivi i të cilës do të ishte bashkimi i të gjithë
shqiptarëve në luftën për të mbrojtur territoret autoktone shqiptare dhe për të
siguruar të drejtat kombëtare të gjithë Shqiptarëve. Një Komitet Qendror u
krijua për të drejtuar Lidhjen e Prizrenit, ndërkohë që u morën vendime me
rëndësi historike për Kombin dhe i cili do të ushtronte kontroll mbi të gjitha
degët e tija. Ky Komitet, si enti përfqsues më i lartë i Lidhjes së Prizrenit,
kishte një përfaqësi mbarëkombëtare prej 47 antarësh nga të gjitha trevat
shqiptare.
Qershori
i vitit 1878 ishte muaji i Lidhjes së Prizrenit, por edhe i memorandumeve,
peticioneve që hartuan shqiptarët në mbrojtje të të drejtave të tyre kombëtare
dhe të terësisë tokësore, por edhe i protestave të organizuara anë e mbanë
trojeve shqiptare. Në një memorandum të
datës 13 qershor, 1878, shkodranët i shkruajnë, ndër të tjera, kryeministrit britanik të asaj kohe, Lordit
Beaconsfield: “...Ashtu si nuk jemi dhe nuk duam të jemi turq, po ashtu e
kundërshtojmë me të gjitha forcat tona cilindo që do të dëshironte të na bënte
sllavë,ose austriakë ose grekë... Ky karakter kombëtar që nuk është
përgnjeshtruar kurrë dhe që ka luftuar ngadhnjimisht kundër egërsisë osmane për
më shumë se katër shekuj, nuk mund dhe nuk duhet të zhduket tani në këtë
shekull qytetërimi nga dora e aeropagut evropian...”.
Nga
protesta e 16 qershorit, 1878 në Shkodër, në një memorandum të nënshkruar nga
320 përfaqsues të popullësisë së rretheve të Tiranës, Durrësit, Krujës, Lezhës,
Shkodrës, Ulqinit, Tivarit, Podgoricës e tjera, ndër të tjera thuhet: “Ne të
nënshkruarit, në emër të të gjithë populit, kemi nderin të shpallim se kombi
shqiptar, qoftë mysliman, qoftë katolik, që ndryshon prej sllavëve... është
njëzëri i vendosur të mbrojë Atdheun e vet kundër ndarjes së terrritorit që
është projektuar, si një veprim që është në kundërshtim me historinë e tij, me
interesat e tij dhe me dëshirat e tij...”
Ndërsa
në memorandumin drejtuar ministrave të jashtëm të Fuqive të Mëdha, disa personalitete shqiptare që ndodheshin në
Stamboll, shkruajnë: “Duke i parashtruar Kongresit dëshirat e veta dhe duke iu
lutur që t’i marrë ato parasysh, populli shqiptar proteston përball Evropës
kundër aneksimit të cilësdo pjesë më të
vogël të truallit të tij nga një komb tjetër dhe shpall se është gati të bëjë
fli të gjitha fuqitë e veta jetësore dhe ushtarake për ta mbajtur këtë vendim
suprem, të cilin e konsideron si një detyrë të shenjtë të diktuar nga e drejta
e tij dhe nderi kombëtar...”
Në
letrën protestë kundër të popullësisë së
sanxhakut të Prishtinës drejtuar Kongresit të Berlinit më 25 qershor, 1878
kundër mizorive të kryera mbi popullësinë shqiptare prej ushtrive serbe, ruse,
malazeze dhe bullgare, shkruhet: “..Po qe se do të ndodhte flijimi i kombit
tonë dhe ky do bëhej viktimë e padrejtësive të lartëpërmendura...ne do të
vdesim me dner deri tek njeriu i fundit, që të mos jemi aspak viktima e këtij
nënshtrimi...”.
Ndërsa
në letrën e dalur nga protesta kundër mizorive të kryera prej ushtrive ruse e
bullgare, drejtuar Kongresit të Berlinit me 26 qershor, 1878 nga popullësitë e
rretheve të Dibrës, Matit, Gjakovës Tetovës, Shkupit, Prishtinës, Pejës,
Manastirit, Kërçovës, Vuçiternit, Gjilanit, Mitrovicës, Senicës, Gucisë,Lumës,
Prizrenit, e tjera, thuhet: “...askush nga ne nuk mund të nënshtrohet pa
derdhur gjakun deri te njeriu i fundit...”.
Dhe
në vendimin që mori Lidhja Shqiptare për Jugun në mbledhjen që u bë në Janinë
me 24 korrik, 1878 për ti kërkuar qeverisë osmane bashkimin e torjeve shqiotare
në një vilajet të vetëm për të mbrojtur tokat shqiptare nga copëtimi,
thekësohet se, “Shqiptarët, të udhëhequr nga ndjenjat e natyrshme patriotike, e
gjithë Toskëria dhe Gegëria, u betuan dhe lidhën besën me shkrim për të
mbrojtur ttokën e shenjtë të vendlindjes...”. (Citimet e mësipërme marrë nga
libri “Lidhja Shqiptare e Prizrenit, 1878-1881”, Kristo Frashëri).
Në
parathënien e librit të Krsito Frashërit, “Lidhja Shqiptare e Prizrenit”,
thuhet se, “Sipas traditës së lashtë shqiptare, sa herë që vendin e kërcënonte
armiku i huaj, çdo krahinë mblidhte kuvendin e saj popullor dhe aty merrej
vendimi për të rrëmbyer armët kundër agresorit të jashtëm. Pastaj njëri prej
tyre ftonte të gjitha krahinat e kërcënuara në një kuvend të jashtëzakonshëm
ndërkrahinor. Secila krahinë dërgonte në këtë kuvend të madh përfaqsuesit e
vet, të cilët, pasi pelqëronin çështjen që shqetësonte vendin dhe pasi
miratonin vendimin për një rezistencë të përbashkët, formonin një besëlidhje
ndërkrahinore dhe zgjidhnin një kryesi për drejtimin e saj...Zotimi që merrnin
pjesëmarrësit e besëlidhjes konsakrohej me besën tradicionale shqiptare. Kush e
shkelte besën poshtërohej përball shoqërisë dhe si i tillë dënohej
moralisht...”.
Ja
ku jemi sot! Është qershori i vitit
2019, çereku i parë i shekullit 21. Shqipëria as Kombi shqiptar nuk përballenme
ndonjë kërcënim të jashtëm serioz, por fatkeqsisht përballenme atë që At Gjergj
Fishta e ka cilësuar dikur si rrezikun e përbrendshëm. Burrat e Lidhjes së
Prizrenit ishin më të përparuar dhe më patriotë se përfaqsuesit e sotëm të
klasës politike shqiptare, megjithse kushtet politike, ekonomike dhe shoqërore
ishin shumë më të vështira për ta, në krahasim me gjëndjen e sotëme të
shqiptarëve. Besëlidhja e tyre kundër armikut dhe sfidave të përbashkëta
konsakrohej me besën shqiptare!
Mjafton
t’i hedhësh një sy medias shqiptare kudo, për të parë se ku e ka katandisur
Kombin sot, kjo klasë politike. Ku janë sot burrat e besëlidhjes dhe të besës
shqiptare? Përball këtij rreziku të
mbrendshëm, udhëheqsit shqiptarë, në vend që të lidhin besëlidhje në emër të
interesave madhore të Kombit për zgjidhjen e sfidave dhe të kundërshtimeve
politike, i shkruajnë njëri tjetrit letra nga larg dhe trokasin dyerve të
kancelarive evropiane -- jo për të mbrojtur intresat kombëtare kundër synimeve
armiqësore të të huajve -- por për tu ankuar kundër njëri tjetrit, para
autoriteteve të jashtme.
Nëqoftse
qershori i vitit 1878 ishte muaji i shpresave për Kombin Shqiptar, i
besëslidhjes dhe i besës për të shpëtuar Kombin nga kërcënimet e armiqëve të jashtëm, qershori i vitit 2019 --ndonëse Kombi
shqiptar nuk kërcënohet nga ndonjë armik i jashtëm --pa dyshim është muaji dhe
viti i zhgënjimeve politike e shoqërore, mos më keq, pasi rreziku është i
mbrendshëm dhe i shkaktuar nga vet klasa politike aktuale e shqiptarëve, vetëm
e vetëm për hir të interesave të tyre personale e partiake.Zëri i burrave të
Lidhjes Shqiptare të Prizrenit u bën sot jehonë, në këtë 141-vjetor të
saj. U bën thirrje, në emër të
karakterit kombëtar, që të dilni ngadhnjimtarë nga ky kaos dhe egërsi politike
në të cilën e kini hedhur vendin. Ashtu
si në kohën e Lidhjes së Prizrenit, të “udhëhequr nga ndjenjat e natyrshme
patriotike” të shqiptarëve dhe jo“në kundërshtim me historinë e tij, me interesat
e tij dhe me dëshirat e tij...”. Besoj se duhet të jeni të vetdijshëm se,
nëqoftse me të vërtetë reflektoni mbiveprimet tuaja politike sot, ato janë në
kundërshtim të plotë me historinë e Kombit shqiptar, me interesat e tij dhe me
dëshirat e tij kombëtare dhe politike.Në këtë përvjetor, burrat e Lidhjes
Shqiptare të Prizrenit u bëjnë thirrje ju – klasës aktuale politike të
shqiptarëve, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë -- që të vendosni interesat e
Kombit mbi të gjitha, të zgjidhni problemet tuaja politike bazuar në një
besëlidhje të konsakruar me besën tradicionale shqiptare, ashtu siç bënë ata në
kohën e tyre, me qëllim sipas Abdyl Frashërit,“Që t’u presim hovin armiqëve të
pashpirt, duke lidhur besën shqiptare dhe duke u betuar që t’i mbrojmë me gjak
trojet që na kanë lënë gjyshërit dhe stërgjyshërit tanë” –“si një detyrë të
shenjtë të diktuar nga e drejta e tij dhe nderi kombëtar...”
Për
ndryshe, jeni në udhën e gabuar dhe në kundërshtim të plotë me historinë e
shqiptarëve, në përgjithësi, përfshirë angazhimet dhe zotimet e burrave të
Lidhjes së Prizrenit, 141 vit më parë. Si të tillë, nëqoftse vazhdoni në këtë
rrugë, do të poshtëroheni politikisht dhe do të dënoheni moralisht –si
politikanë individë dhe si grup politikanësh -- nga ky brez dhe nga brezat e
ardhëshëm të shqiptarëve.