E marte, 08.10.2024, 09:21 AM (GMT+1)

Editorial » Shkreli

Frank Shkreli: Në pellgun e turpshëm të politikës barbare shqiptare

E marte, 13.08.2019, 09:00 PM


NË PELLGUN E TURPSHËM TË POLITIKËS BARBARE SHQIPTARE

Nga Frank Shkreli

Kur mendonim se absurditetet e klasës aktuale politike shqiptare – më shkon goja të them, “klikës politike” shqiptare, ishin shterrur tanimë, ja shënohet absurditeti i radhës, ose më mirë të themi turpi i radhës.   Zëri i Amerikës në gjuhën shqipe njofton se nja tre javë më parë është vendosur në Parkun e Liqenit në Tiranë, një memorial kushtuar viktimave të grushtit të dështuar të shtetit në Turqi, tre vjet më parë, më 15 korrik të vitit 2016.   Si lajm, dukej absolutisht i pa besueshëm!   Si është e mundur, pyesnin njerëzit?   Çfarë i duhet Tiranës dhe Shqipërisë një monument me emra të huaj, krejtësisht të panjohur për botën shqiptare, për një grup njerësish të renë në vendin tyre, qindra killometra larg Shqipërisë.   Cili është kontributi i tyre për Shqipërinë?   Kush e aprovoi atë projekt dhe pse autoritetet më të larta shqiptare vazhdojnë të heshtin megjithse publiku shqiptar kërkon shpjegim.

Ndonëse media të ndryshme në Tiranë ishin lajmëruar nga Ambasada e Turqisë për të marrë pjesë në inaugurim tri javë më parë, ekzistenca e monumetit nuk është “zbuluar” deri pak ditë më parë.   Ambasada e Turqisë në Tiranë kishte bërë punën e vet, kishte njoftuar të gjithë për këtë ngjarje.   Ambasada turke nuk e bëri aspak tinëzisht, ata shikojnë interesat e vendit të tyre, megjithëse është e pa parë dhe pa dëgjuar që një seli diplomatike, një ambasadë, të organizojë një paradë të tillë publike rrugëve të Tiranës.   Por autoritetet shqiptare, Kryeministria dhe Bashkia e Tiranës, që duhet të kenë dhënë patjetër miratimin e një projekti të tillë, madje as opozita e cila ka marrë pjesë me përfaqsuesit e vet në këtë ceremoni – për arsyet e veta që vetëm ata i dijnë -- nuk kanë thënë asgjë për këtë ngjarje deri më tani.  Një heshtje kjo e territ të një nate shqiptare!

Si është e mundur që për tri javë nuk e pa askush këtë memorial të ngritur pranë liqenit dhe as kush nuk foli.   Ku ishte media shqiptare?   Si është e mundur që ky projekt, që siç duket është i vetmi projekt ku pozita dhe opozita shqiptare na paskan rënë dakord për miratimin e tij, sepse për asgjë tjetër këta dakord nuk bien, sidomos kur është fjala për mbrojtjen e interesave madhore të Kombit shqiptar.   Një gjë e pabesueshme kur të merren parasyshë grindjet aktuale politike midis Partisë Socialiste dhe asaj Demokrate, që po e çojnë vendin drejt greminës.   Çka fshihet pas këtij bashkpunimi pozitë-opozitë dhe heshtja e tyre për ngritjen e këtij monumenti?   Një tjetër marrëveshje sekrete?  Në minimumin, shqiptarët duhet të kërkojnë një shpjegim nga qeveria qendrore dhe nga Bashkia e Tiranës se si the tek u realizua ky projekt dhe të mbajnë përgjegjës aktorët kryesorë, përfshirë opozitën e cila deri në këtë moment nuk ka bërë asnjë koment.   Toka shqiptare u përket shqiptarëve!

Ndonëse Kryeministria dhe Bashkia – me një arrogancë të pa parë dhe me pa-papërgjegjësinë më të madhe ndaj shqiptarëve -- refuzojnë të japin ndonjë shpjegim të besueshëm se si dhe pse u vendos dhe si u miratua një monument i tillë, atëherë duhet të flitet me emra dhe të kërkohet llogari politike, publikisht.   Pse vendosi kjo klikë (pozitë dhe opozitë) e Tiranës të sjellë në trojet shqiptare grindjet politike midis partive të ndryshme turke në vendin e tyre?  Çfarë ka të bëjë grushteti në Turqi më Shqipërinë dhe me shqiptarët dhe të tjera pyetje.   I vetmi koment sipas Zërit të Amerikës erdhi në një prononcim pardje nga Kryetari i Bashkisë së Tiranës.  Z.  Veliaj, i cili në takime me perendimorët e shet veten si pro-perëndimor dhe si një politikan i ri i edukuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me vlera perëndimore, nuk shpjegoi psehen e këtij projekti por sulmoi me një denigrim kritikët e këtij monumenti të vendosur në zonën më të pëlqyer të Tiranës.   Z. Veliaj i cilësoi kritikët e monumentit, si “të lodhur nga vapa” e verës, sipas tij duke thënë: “Ndaj, për të gjithë ata që vapa e gushtit i kapi në ngut për fletërrufe, s’ka ndodhur asnjë hata, le më tradhti apo ndonjë shkelje e kësaj natyre”.   Tirana sipas tij, “është zemër madhe dhe ka vend për të gjithë.”   Vetëm për shqiptarë jo, Z. Veliaj, për ta nuk ka vend në Tiranë.   Ja një sugjerim i nderuar Z. Kryetar:  për shqiptarë si At Gjergj Fishta, për shembull, për të cilin nuk është gjëndur vend as në Tiranë as në ndonjë cep të territorit shqiptar.   Edhe dy sugjerime të tjera për krerët e Tiranës vijnë nga prokurori shqiptaro-amerikan, Z. Gjon Junçaj i cili thotë se në Shqipëri mungojnë memoriale për të vrarët në Kosovë apo shqiptarët e vrarë në Mal të Zi.   Ai shkruan se në “Në vitet 1998-1999, mijëra burra, gra dhe fëmijë shqiptarë u vranë në tërë Kosovën.  Emrat e tyre nuk janë renditur në parkun publik në Tiranë.  Jam i sigurt që mijëra vizitorë kosovarë në Shqipëri çdo vit do ta vlerësonin këtë shenjë respekti.” Shkruan ai.   Ndërsa sugjerimi tjetër i Ish-Këshilltari Ligjor kundër Korrupsionit në Ambasadën Amerikane në Tiranë, dhe ekspert i OPDAT, Gjon Juncaj, i bën thirrje politikës shqiptare se para se të vendoste këtë memorial turk në kryeqytetin e shqiptarëve duhet të ndërtonte një memorial për shqiptarët e vrarë.i tij i dytë ka të bëjë në masakrat e shqiptarëve në Mal të Zi nga Mbretëria Serbo-malazeze, ndërsa shkruan se, “Në vitin 1919, 74 burra shqiptarë u morën nga shtëpitë e tyre malore në Hot dhe u ekzekutuan së bashku nga ushtria e Mbretërisë së Serbisë dhe Malit të Zi. Ata u hodhën së bashku në një varr masiv, ku mbeten edhe sot e kësaj dite, 100 vjet më vonë.  Një nga ata burra është gjyshi im i madh.   Unë dhe anëtarët e tjerë të familjes shqiptare dëshirojnë të shohin emrat e tyre edhe në park.   Ne do t’i donim këto përmendore në parkun e Tiranës sepse ne nuk besojmë se ato i përkasin një parku në Stamboll”, thekson Junçaj duke përfunduar se edhe turqit do të pajtoheshin me ne për këtë, dhe shprehet se, “Ne nuk kemi lekë, euro, lira turke, apo ndikim politik për të paguar.  Vetëm derdhja e gjakut shqiptar.   Shpresojmë që kjo është një monedhë që do të pranoni gjithashtu”, shkruan ai në një thirrje që ua drejton me fjalët, “Të dashur politikanë të Tiranës” dhe botuar në median shqiptare.

Oh, tani mu kujtua Z. Veliaj, se në Turqi ka pasur disa grushtshtete gjatë dekadave të kaluara.   Në mendimin tim, viktimat e atyre grusht-shteteve nuk meritojnë asgjë më pak se viktimat e grushtetit të fundit në Turqi.   Pasi Tirana, sipas teje, është zemër gjërë për të gjithë, duhen konsideruar edhe ngritja e memorialeve të tjera edhe për ato viktima turke, por kam drojë se kështu u hapë derën ndërtimit të memorialeve për viktimat e grusht-shteteve anë embanë botës.   Të tilla gtrusht-shtete ndodhin shpesh diku në botë.

Ishte një kohë që me optimizmin tim të natyrshëm kisha shpresë në brezin e ri të politikanëve shqiptarë, të atyre që nuk ishin njollosur nga komunizmi, se me githë vështirsitë, me kalimin e kohës do t’ia dalin të bënin shtet, një shtet të lirë e demokratik bazuar në vlerat evropiane, siç e kërkuan shumë Shqipërinë si e gjithë Evropa, pas shembjes së komunizmit, 30-vjet më parë.   Fatkeqësisht, shoh se dita ditës po dështon edhe teoria ime se një brez i ri politikanësh shqiptarë siç janë Zotërinjt Rama, Basha, Veliaj e të tjerë – do ta bëjnë shtetin.   Këta përbëjnë, mendoja unë gabimisht, klasën e re politike shqiptare të sofistikuar, madje edhe të edukuar ose që kanë shërbyer në perëndim dhe të cilët shpesh na i hedhin në fytyrë “vlerat perëndimore”, si bazë e personit dhe veprimtarive të tyre politike.   Çfarë hipokrizie!

Jo se bota perëndimore është e përsosur, sepse nuk është dhe as nuk pretendon të jetë e tillë, por përpiqet dita ditës, të përsosi vlerat e një shoqërie të lirë siç janë, demokracia, barazia, shteti ligjor, lufta kundër tiranisë dhe korrupsionit, pavarësia, të drejtat dhe liritë e përgjithshme universale të njeriut, e tjera.   Se si këto vlera universale përfaqësohen në veprimaritë e kësaj klase politike siç është në ky memorial, vetëm këta që e kanë aprovuar ngritjen e tij, mund ta dinë?   Arroganca zyrtare në lidhje me këtë memorial dhe shkelja flagrante e këtyre vlerave në miratimin e këtoj proejkti nga zyrtarët shqiptarë, më solli ndër mend fjalët e ish-Presidentit amerikan Ronald Reagan, cili kishte thënë me një rast në lidhje me diktaturën në përgjithësi dhe diktatorët në veçanti, se:  Unë di të merrem me diktatorët, por duhet të ruhemi nga ata që me këmisha të bardha e me krevata bredhin zyrave të ndryshme të burokracisë duke marrë vendime prej diktatori, në favor të kauzave diktatoriale – atyre duhet tu ruhemi, ka thënë Reagan, se me vet diktatorët merrem unë.

Në të vërtetë, ndonëse i jashtzakonshëm për nga natyra --inaugurimin e këtij monumenti turk në Tiranë duhet ta shikojmë edhe nga pikëpamja ndërkombëtare, nga ajo e diplomacisë, influencave të huaja në trojet shqiptare dhe në këndveshtrimin e marrëdhënieve Turqi-Shqipëri.   Unë kam paralajmëruar shpesh për influencat ruse dhe turke në Ballkanin perëndimor, por që këto dy shtete autokrate do të gjenin bashkpuntorë të zellëshëm në nivelet më të larta shtetëtore në Ballkan, për t’i thelluar këto influenca në dëm të interesave dhe vlerave perëndimore në atë pjesë të botës, nuk ma merrte mendja.   Por ja ku jemi sot, Serbia nga një anë kërcënon Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara me lidhje më të forta me Rusinë putiniste, madje edhe në fushën ushtarake siç u pa kohët e fundit me dërgimin e armëve ruse në Serbi.   Kryeministri shqiptar, Z. Edi Rama kërcënon Bashkimin Evropian dhe paralëmoron për influenca të huaja në Shqipëri dhe në Ballkan, por në realitet ka në mend lidhjet e ngushta personale që ai gëzon veçanërisht me udhëheqsin e Turqisë, Z. Erdogan, ndërkohë që po afrohet tetori.   E gjithë kjo po ndodhë, në një kohë kur lidhjet midis autokratëve Putin-Erdogan dhe vendeve të tyre, po forcohen në shumë fusha -- sidomos në fushën ushtarake -- ndërkohë që marrëdhëniet e Moskës dhe Ankarasë me Shtetet e Bashkuaraa dhe me Bashkimin Evropian, mund të konsiderohet se janë në nivelin më të ulët në këto 30-vjetët e fundit.   Ndonëse nuk pritet një përgjigje pozitive nga Bashkimi Evropian për hapjen e negociatave në tetor, Shqipëria – pa marrë parsyshë retorikën e Tiranës zyrtare në lidhje me këte çështje -- duket se është përcaktuar qartë për rrugën që dëshiron të ndjekë në të ardhmen.

Por, t’i lemë mënjanë ndërlikimet që vijnë nga influencat e huaja dhe ti shikojmë gjërat nga këndveshtrimi i historisë, i interesave dhe vlerave të Kombit Shqiptar.   Rënja pre nën influenca të huaja politike dhe kulturore, është një rast tjetër që ndihmon në zverdhjen e identitetit dhe dinjitetit kombëtar.   Përballë këtyre ngjarjeve, kam drojë se shqiptarëve nuk u ka mbetur më gjë nga historia dhe as nga mësimet dhe amanetet fisnike të stërgjyshërve tanë.   Ata, të cilët me burrërinë e tyre shekullore dhe me lirinë kreshnike, mbrojtën nderin dhe identitetin e shqiptarit kudo dhe kurdoherë.   Dy gisht nderi në shteg të ballit, shqiptari i ka pasur gjithmonë!

Mund të them se, bazuar në një dyzinë bisedash me shqiptaro-amerikanë që kanë lexuar për vendosjen e këtij monumenti në Tiranë – unë u bashkohem atyre duke shprehur dëshprimin dhe zhgënjimin e thellë ndaj kësaj ngjarjeje si dhe për mungesën e sinqeritetit dhe të transparencës nga ana e qeverisë shqiptare dhe Bashkisë së Tiranës për t’u thënë shqiptarëve të vërtetën në lidhje me këtë episod, në vargun e shumë ngjarjeve dramatike të atmosferës politike në Tiranë këto vitet e fundit.   Sjellje të tilla, nga ana e qeverisë dhe e klasës politike shqiptare në përgjithësi, vetëm forcojnë bindjen e skeptikëve kudo, se në Shqipëri asgjë nuk ndryshon për më mirë, vetëm ndryshojnë ngjyrë gjërat dhe pushtetarët, gjithmonë në dëm të interesave kombëtare dhe të mirëqenjes së shqiptarëve në përgjithësi.   Në pritje të daljes nga ky pellg shpesh i turpëshëm i kësaj politike barbare, e cila është në kundërshtim të plotë me vlerat për të cilat Kombi shqiptar është përcaktuar me kohë!

Foto nga VOA-shqip



(Vota: 7 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora