Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Në kujtim të Mons. Zef Oroshit
E marte, 06.08.2019, 08:03 PM
NË KUJTIM TË MONSINJOR ZEF OROSHIT
ISH-NXËNËS
I DOM NDRE MJEDËS DHE AT GJERGJ FISHTËS*
Nga
Frank Shkreli
Ishte viti 1970,
kur për herë të parë e takova Mons Dr. Zef Oroshin, në lagjen Bronks të Nju
Jorkut. Gjatë qëndrimit tim si refugjat
në Itali, (1969-1970), për Dom Zefin dhe për aktivitetin e tij fetar dhe
atdhetar në komunitetin shqiptaro-amerikan në Nju Jork, më kishte folur miku im
në Romë, Dom Prenkë Ndrevashaj. Por
edhe në dy tre takime që kisha pasur me Ernest Koliqin në Romë, më kishte
këshilluar që kur të arrija në Amerikë të takohesha menjëherë me Dom Zef Oroshin
dhe t’i rrija afër, pasi mund të më ndihmonte në vazhdimin e studimeve në
Amerikë, duke marrë parasyshë moshën time të re.
Ashtu edhe u
bë! Më të ardhur në Nju Jork, në fund
të vitit 1970, kushëriri i nënës time Ndoc Vulaj, mik i ngushtë i Dom Zefit, më
prezantoi tek Monsinjori të dielën e parë pas arrijtjes time në Amerikë -- tek
Kisha e parë Katolike Shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e themeluar
prej tij në Bronks të Nju Jorkut. Ishte
një takim, pas meshës, me Dom Zefin dhe me Ndoc Vulajn në qëndrën e kishës,
sipër ndërtesës ku zhvillohej ceremonitë fetare. Pyetja e parë që më bëri Monsinjor Oroshi,
pasi u përshëndetëm ishte: si je me anglishten? Unë ju përgjigja se kisha filluar ta mësoj
anglishten gjatë qendrimit tim si refugjat në Romë, por jam i vetdijshëm, i
thashë, se do të më duhet kohë që ta përvehtësojë si duhet. Pa asnjë vonesë, madje edhe pa më pyetur
fare, Dr. Oroshi merr telefonin dhe i telefonon dikujt. Flet me të në anglisht për nja 5-6 minuta.
Merrja vesh ndonjë
fjalë aty këtu, por thelbin e bisedës nuk e kuptova fare. Sidoqoftë, Dom Zefi i kishte telefonuar një
prifti jezuit që e njihte, në Universitetin e njohur Fordham në Nju Jork, i
cili administrohet nga Kuvendi Jezuit.
Pas bisedës me të, Dr Oroshi më shpjegon se e kishte njoftuar profesorin
amerikan se në zyrën e tij kishte një
djalosh të ri shqiptar refugjat i posa ardhur nga Evropa dhe se i kishte
kërkuar atij të bënte çmos që të më mundësonte me çdo kusht dhe sa më
parë,regjistrimin në Universitetin Fordham për kurse anglisht –për të mësuar
anglishten sa më mirë dhe sa më shpejt, me objektivin për të vazhduar studimet
që i kisha ndërpre, si përfundim i arratisjes.
“Nëqoftse dëshiron të përparosh në këtë vend”, më këshilloi Dom Zefi në
takimin e parë me të, “Duhet të mësosh gjuhën e vendit, sepse pa gjuhën
anglishte ke me mbetë mbrapa”, mu drejtua ai me një fytyrë serioze.
Monsinjor Oroshi
ishte në dijeni se unë kisha kryer 5-vjet në një seminar katolik në Kroaci dhe
natyrisht ia dinte vlerën gjimnazit klasik dhe donte që të mos habitesha duke
gjetur çfardo pune në Amerikë, si të gjithë të rinjë shqiptarë të moshës time
në atë kohë, sepse ashtu ishin rrethanat – shumë të vështira për imigrantët e
rinj. Dom Zefi më porositi të mos
ndërprisja shkollën, por të vazhdoja studimet me çdo mënyrë.
Në të vërtetë,
ashtu edhe ndodhi. Me rekomandimin e
Mons Zef Oroshit u regjistrova në Universitetin Fordham për kurse fillestare
për gjuhën anglisht dhe mbrenda 6 muajsh e përvehtësova anglishten në nivelin e
duhur, sa që u regjistrova si student i rregullt në Kolegjin shtetëror Lehman,
në Bronks, pasi Univresiteti Fordham, si universitet privat, ishte shumë i
shtrenjtë dhe nuk i kisha mundësitë financiare për tu regjistruar aty.
Në këtë ndërkohë,
si në shenjë falënderimi dhe mirënjohjeje për mbështetjen që Mons. Oroshi
tregoi ndaj meje -- në atë kohë kritike për mua në një vend të huaj -- unë bëja
çmos që t’i gjëndesha pranë kishës, për të ndihmuar me çfardo mundësie që kisha
në dispozicion, atë dhe aktivitetet e qendrës së parë katolike shpiptare në
Shtetet e Bashkuara. Unë kisha filluar
të tregoja shënja interesimi për gazetari, pasi edhe në Lehman College kisha
marrë disa kurse në këtë degë dhe madje kisha filluar të shkruaja edhe artikuj
modest, në anglisht, për gazetën studentore të kolegjit Lehman.
Mbështetjen e Mons
Oroshit për mua, gjatë atyre viteve fillestare kritike për çdo immigrant në një
vend të huaj, sidomos për një të ri si unë në atë kohë -- e ruaj si një kujtim
të pashlyeshëm dhe si një ndihmë të pazëvendsueshme për të ardhmen time, të
cilën e kam vlerësuar gjithmonë si një besim të tij në mua personalisht, por
edhe në breznitë e ardhëshme të shqiptarëve në këtë vend dhe në cilësitë dhe
aftësitë e tyre pozitive për të ndërtuar një jetë të re dhe më të mirë në një
vend të lirë e demokratik, siç janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku kishim
gjetur strehim e mbështetje nga ky vend.
Autori me Mons. Zef Oroshin në demonstratë kundër regjimit komunist të
Enver Hoxhës -- për të protestuar vrasjen barbare të Dom Shtjefën Kurtit nga
regjimi komunist në vitin 1973 -- para Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe
përball Misionit të Shqipërisë Komuniste në OKB.
Kisha Katolike
Shqiptare dhe Lidhja Katolike botonin në atë kohë – revistën, “Jeta Katolike
Shqiptare”, revistë e cila vazhdon të botohet edhe sot. Monsinjor Oroshi, ndërkaq,më kërkonte
ndihmën time në përgatitjen e shkrimeve nga autorë të ndryshëm që dërgonin
artikujt e tyre për botim në revistën e Lidhjes Katolike – siç e kuptova më
vonë, më shumë për të ndihmuar zhvillimin tim në këtë fushë, se sa i ndihmojshe
unë atij, por në të vërtetë, qëllimi i tij përfundimtar ishte që të merrja
përvojën e duhur në përgatitjen e revistës, ndërsa njëkohësisht më inkurajonte
të shkruaja edhe artikuj me subjekte që preferoja unë. Kështuqë, me ndihmën e Mons. Oroshit, unë
hodha hapat e para drejtë gazetarisë, duke shkruar edhe artikuj në gjuhën
shqipe për një organ, siç ishte revista Jeta Katolike e Nju Jorkut. Kjo nismë, për një 20-vjeçar, më dukej mua
një arritje e madhe duke marrë parasyshë se përveç shkollës 8-vjeçare unë nuk
kisha përdorur gjuhën shqipe në shkollë ndërkohë që shqipja ime linte shumë për
tu dëshiruar. Me hapa të ngadalshëm por
të sigurtë, nën mbikqyrjen e Mons Oroshit, revista filloi të botonte aty këtu
ndonjë shkrim timin dhe eventualisht, falë edhe interesimit tim për këtë fushë
veprimtarie, arrijta të bëhem edhe anëtar i redaksisë. Kështuqë, jepja kontributin tim modest në
përgattijen e secilit numër të Jetës Katolike, për atë kohë që isha pranë
Kishës Katolike Shqiptare dhe nën mbikqyrjen e Drejtorit Përgjegjës, Mons Zef
Oroshit. Kjo situatë vazhdoi deri në
vitin 1974, kur u largova për në Washington për të filluar punën pranë Zërit të
Amerikës, në gjuhën shqipe.
Kanë kaluar pra
pothuaj 50-vjet ç’prej asja kohe kur Dom Zefi më ndihmoi të hidhja hapat e parë
drejtë gazetarisë – një fushë veprimi kjo, që eventualisht u bë profesioni im i
jetës për më shumë se 30-vjetë, për një ent ndërkombëtar lajmesh dhe
informacioni, me fame botërore, siç ishte Zëri i Amerikës. – duke më hapur
kështu rrugën e punësimit në Zërin e Amerikës.
Ishte Dom Zef Oroshi ai që më dha mundësitë e para për të zhvilluar
mëtej interesimin tim në fushën e gazetarisë, duke më bërë pjesë të redaksisë
së revistës, “Jeta Katolike”, të cilën ai me disa bashkpuntorë të tij e kishte
themeluar disa vite më parë. Mund e
them pa asnjë dyshim, se përvoja ime fillestare në gazetari -- me mbështetjen
dhe durimin e Monsinjor Oroshin -- në revistën Jeta Katolike, më ka hapur
përspektiva të pa imagjinueshme në jetën dhe në karierën time prej më shumë se
30-vitesh në Zërin e Amerikës, ku kam ushtruar detyra të ndryshme në fushën
gazetareske, si korrrespondent, si redaktor, producent, shef i Shërbimit shqip
të VOA-s dhe detyra të tjera më të larta, përfshirë, ndër të to, edhe Drejtor i
Divizionit Evropian dhe zëvëndës Drejtor për ish-Bashkimin Sovjetik, gjatë
periudhës ndoshta më interesante të historisë së shekullit të kaluar, atë
Luftës së Ftoftë dhe më vonë, pas pensionimit nga qeveria federale, si autor e
publicist modest, që falë të Madhit Zot, vazhdoj edhe sot, sipas mundësive.
Nuk jam i sigurt
se cila do të kishte qenë kariera ime dhe çfarë drejtimi do të kishte marrë
jeta ime në përgjithësi, po të mos kisha pasur ndihmën dhe këshillat e Mons.
Zef Oroshit dhe bashkpuntorëve të tij në atë kohë. Për këtë ndihmë dhe mbështetje fillestare,
Monsinjor Oroshit i mbetem mirënjohës për gjithmonë. Ai ishte burrë, fetar dhe patriot, ashtu siç
ishin shumë burra të brezit të tij të pas Luftës së dytë Botërore-- në kuptimin
e vërtetë të fjalës -- mësimet e të cilit për gazetari dhe këshillat e tija për
jetën dhe dashurinë për Atdheun, në përgjithësi, për një refugjat 20-vjeçar në
atë kohë, ishin të pazëvendësueshme.
Por mbi të gjitha, atdhedashuria e tij dhe veprimtaria e tij fetare dhe
patriotike, pa asnjë interes personal -- ishin dhe mbeten një mësim tjetër
jetësor për mua – një përvojë që më ka ndjekur gjithë jetën dhe karierën time.
Si
njëri që ka shërbyer në moshë të re, si Sekretar i Lidhjes Katolike
Shqiptaro-Amerikane (LKSHA) dhe si anëtar i Këshillit Redaktues të organit Jeta
Katolike të LKSHA, në fillim të 1970-ave – pra, si një bashkpuntor i ngusht i
Mons Oroshit në botimin e revistes Jeta Katolike Shqiptare -- e ndjejë veten të
nderuar dhe të privilegjuar me ftesën që më bëri autori Tomë Mrijaj për të
kujtuar me pak fjalë Mons Zef Oroshin, në librin e tij të posa botuar, në këtë
50-vjetor jubilar historik – veprimtaria e të cilit mbetet trashëgimi e
pashlyeshme jo vetëm për Kishën Katolike Shqiptare në mërgim, por edhe për
Kishën e shumë vuajtur në Shqipëri dhe në të gjitha trevat shqiptare. Dom Zef Oroshi, me rastin e themelimit të
Lidhjes Katolike Shqiptaro-Amerikane, (LKSHA) më 16 Qershor, 1962, në një kohë
kur Kisha Katolike Shqiptare po martirizohej nga regjimi komunist i Enver
Hoxhës – ish-udhëheqsi i komunitetit katolik shqiptaro-amerikan, me fjalë
optimiste dhe profetike, ishte shprehur se me themelimin e kësaj qendre:“Jemi
nji shkëndi e vogël, që me ndihmë të Zotit do të bahemi dritë e madhe, me
shëndritë dhe votrat e errësueme në Atdhe.” Në të vërtetë ashtu edhe ndodhi. Ishte Mons. Rrok Mirdita, të cilin Mons
Oroshi e kishte sjellur nga trojet shqiptare nën Malin e Zi për të punuar me të në Nju Jork–ai i cili pas
shembjes së komunizmit u caktua nga Vatikani për tu këthyer në Shqipëri për të
ngritur Kishën Katolike në Shqipëri, të shkatërruar nga komunizmi.
Profecia e tij u
vërtetua. Veprimtaria fetare dhe
atdhetare e Monsinjor Zef Oroshit ishte vendimtare, jo
vetëm për mbajtjen gjallë të traditës dhe historisë së Kishës Katolike
Shqiptare në mërgim, por edhe për Kishën e shumë vuajtur në Shqipëri dhe në të
gjitha trevat shqiptare. Themelimi i
Lidhjes Katolike Shqiptare në vitin 1962 dhe themelimi më vonë i Kishës së parë
Katolike Shqiptare në Amerikë, nga Mons. Oroshi me ndihmën e At Andre Nargaj,
me shumë bashkpuntorët e tyre, i parapriu, jo vetëm, asaj që sot është famullia
e parë katolike shqiptare në Amerikë, “Famullia e Zojës së Shkodrës” në
Hartsdale të Nju Yorkut, që sot është
një qëndër veprimtarie të larmishme fetare, kombëtare, gjuhësore e kulturore
për komunitetin shqiptaro-amerikan në pëgjithësi dhe pa dallime fetare as krahinore
– por edhe simbol i ringjalljes së Kishës Katolike Shqiptare në Amerikë, në
Shqipëri dhe anë e mbanë trojeve shqiptare, pas pothuaj 50-vuajtjesh e
persekutimesh komuniste -- ndër më të egërat në ish-vendet komuniste.
Rëndësinë
fetare, kulturore dhe kombëtare të përurimit të Kishës së parë Katolike
Shqiptare në Nju Jork, e ka shprehur, ndoshta, më së miri në atë kohë, Ernest
Koliqi, i cili në revistën “Shëjzat” ka shkruar me atë rast, se përveç dobisë
shpirtërore, kisha e re do të shërbente edhe si qëndër veprimtarishë kombëtare:
“Na tue u nisë nga pikëpamja shqiptare, dëshirojmë të theksojmë këtu vlerën e
një organizimi i cili, në flakë e në dritë të fesë – nevojë urdhënore e
njerëzve sidomos kur mjerohen nga goditjet e fatit si janë të mërguemit – synon
të mbajë gjallë zakone e doke, thjeshtë kombëtare, dmth. të ruaj në vend të
huaj pasuninë ethnike të trashigueme nga të parët, pasuni që na lejon m’u
quejtë Shqiptarë në botë.’’
Nuk kam asnjë
dyshim se përveç nevojave shpirtërore të besimtarëve katolikë shqiptarë,
themelimi i Kishës dhe Qendrës Katolike Shqiptare në Nju Jork, në mendjen dhe
zemrën e Mons. Zef Oroshit, kishte për objektiv gjithashtu edhe ruajtjen e
trashëgimisë fetare dhe të traditës kombëtare, përfshir gjuhën dhe kulturën
shqiptare. Një prej kontributeve të
Mons. Oroshit në fushën e gjuhës dhe letërsisë shqipe – është edhe botimi i
Katër Ungjijve, sipas Matheut, Markut, Lukës e Gjonit, si edhe Punët e
Apostujve – një përkthim ky që Martin
Camaj e kishte cilësuar si një “ngjarje kulturore”, në të cilin shton ai, Mons
Oroshi ka ndjekur mjeshtrin e vet, Dom Ndre Mjedën, të cilit Oroshi edhe ia ka
kushtuar atij ketë vepër fetaro-kulturore.
Veprimtaria e
përgjithëshme prej dekadash e Mons. Zef Oroshit duhet të shikohet nga
kënd-veshtrimi i punës së tij me moton e Lidhjes Katolike Shqiptare, për
objektivin e rëndësishëm për të ardhëmen -- “Për Fe e Atdhe” -- të lidhura e të
bashkuara ngusht me unazën, “Përparim”, trashëguar nga para-ardhësit e tij
kishtarë dhe atdhetarë shqiptarë, edukatorët e tij, si Dom Ndre Mjeda dhe At
Gjergj Fishta. I frymëzuar nga mësuesit
e tij, Fishta e Mjeda, Dom Zefi ishte një vijues i denjë i traditave të mira
Kombëtare, të gërshetuara me kulturën e shëndoshë perëndimore-amerikane. Ky pra
ishte Monsinjor Oroshi që kam njohur unë dhe të cilin e kujtoj gjithmonë me
nderim dhe respekt, i cili ka patur një influencë jashtzakonisht të madhe në
jetën, karierën dhe veprimtarinë time në përgjithësi.
I lavdishëm qoftë
sot dhe gjithmonë kujtimi i Mons Dr. Zef Oroshit dhe i të gjithë atyre burrave
dhe burrneshave të asaj gjenerate – të cilët u detyruan të largoheshin nga
regjimi komunist enverist prej Atdheut të tyre, të cilin e donin pa asnjë
kusht., e për të cilin nuk pushuaan kurrë së punuari për t’ia ruajtur nderin
dhe emrin e mirë në botë – burra këta që sot i mungojnë kombit dhe që,
fatkeqësisht, nuk jam i sigurt nëse vinë më në trojet tona.
Frank Shkreli*
*Këto kujtime janë pjesë e librit, “Mons Dr. Zef Oroshi-Në Jubileun e
50-Vjetorit të meshës së parë shqip në Shtetet e Bashkuara”,të autorit, Tom
Mrijaj, botuar këtë fund jave në Shkodër, e të cilin e falënderoj që më dha
mundësinë të bëhem pjesë e kësaj nisme, për të nderuar, Mons. Dr. Zef Oroshin.
Përfaqësia
e Kishës Katolike Shqiptare me në krye Monsinjor Dr. Zef Oroshin, në paradën
kushtuar Ditës së Bronksit, 1972
Darkë e
shtruar nga Këshilli i Kishës Katolike Shqiptare në Bronx me në krye Monsinjor
Dr. Zef Oroshin në shenjë mirënjohjeje dhe falënderimi për Sekretarin e Lidhjes
Katolike Shqiptare, Frank Shkreli me rastin e largimit të tij nga Nju Jorku për
në Washington, për të filluar punën në Zërin e Amerikës, Qershor, 1974
Frank
Shkreli falënderon me këtë rast, Monsinjor Dr. Zef Oroshin për ndihmat dhe
këshillat e tija dhe njëkohësisht edhe Këshillin e Kishës Katolike Shqiptare
për bashkpunimin dhe ndihëmesën e tyre gjatë periudhës që kishte shërbyer si
Sekretar i Lidhjes Katolike, të themeluar nga Monsinjor Dr. Zef Oroshi.
*Këto kujtime janë pjesë e librit, “Mons Dr. Zef Oroshi-Në Jubileun e
50-Vjetorit të meshës së parë shqip në Shtetet e Bashkuara” e autorit, Tom
Mrijaj botuar këtë fund jave në Shkodër “
Frank Shkreli duke mbajtur fjalimin e rastit në demonstratën -- kundër
regjimit komunist të Enver Hoxhës –protestë e udhëhequr nga Mons. Dr. Zef
Oroshi ---- para Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe përball Misionit të
Shqipërisë Komuniste në OKB, për të protestuar vrasjen barbare të Dom Shtjefën
Kurtit nga regjimi komunist shqiptar në vitin 1973.