Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Prof. Dr. Thanas Gjika – shembull atdhetarizmi
E shtune, 13.07.2019, 06:27 PM
PROF.
DR. THANAS GJIKA – SHEMBULL ATDHETARIZMI
(ME
RASTIN E 75-VJETORIT TË LINDJES)*
Nga Frank Shkreli
Përshëndetje
i dashur Thanas – urimet më të përzemërta prej meje dhe bashkëshortes sime Viki - me rastin e 75-vjetorit të
lindjes suaj. Uroj t'ia kaloni sa më mirë te 'Fruit Land Restorant'
Harvard MA mes familjarëve e miqve tuaj, që jeni mbledhur për të festuar dhe
për të celebruar jetën dhe veprimtarinë tuaj të larmishme, në shërbim të
familjes dhe të Atdheut.
Të
dashur pjesëmarrës, dua dhe unë të them disa fjalë për të nderuar jetën dhe
veprimtarinë e atdhetarit të spikatur të komunitetit tonë këtu në Shtetet e
Bashkuara, Profesorit Thanas L. Gjika.
Unë
me Thanasin jam njohur vetëm pak vjet më parë, kemi zhvilluar një miqësi dhe
bashkpunim të ngushtë duke qarë hallet e Shqipërisë e të shqiptarëve si në
trojet stëgjyshore ashtu edhe këtu në SHBA. Nga njohja me Profesorin e nderuar
kam përfituar shumë dhe kam zbuluar se ndajmë mendime të përbashkëta në lidhje
me të kaluarën komuniste në Shqipëri dhe që të punohet për krijimin e një Shqipërie të Vërtetë, me një strategji mbarëkombëtare,
për integrimin e Shqipërisë dhe të shqiptarëve në orgnaizmat euroatlantike dhe
në miqësi të përhershme të Kombit Shqiptar me ShBA-të.
E
kam vlerësuar punën dhe veprimtarinë e tij si dhe veprat e tija të cilat kam
patur nderin ti lexoj, e të cilat janë shkruar me sy gjithmonë të qartë, me
mendje të mprehtë dhe me profesionalizmin e një shkencëtari të mirëfilltë e të
shquar të botës shqiptare. Është për t’u adhuruar fakti se në veprat e Profesor
Thanas Gjikës çështjet trajtohen, jo prej një këndveshtrimi krahinor ose një
përcaktimi të ngusht personal, por nga një pikëpamje mbarëkombëtare, në të
gjitha fushat të cilat ai prek, siç është, ndër të tjera edhe libri i fundit i
tijNJË
LETËRSI KOMBËTARE, NJË ATDHE I VETËM.
Përveç veprave shkencore dhe letrare, për publikun sot, mund të thuhet se
ndoshta studiuesi Gjika njihet më së miri nga publistika e tij aktuale – e
pasqyruar në artikujt, kumtesat, portretet dhe kujtimet kushtuar shumë
personaliteteve të fushave të ndryshme në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Veriut
dhe në Shtetet e Bashkuara.
Me
këtë rast dëshiroj të falënderoj Profesorin e nderuar për portretin e gjatë që
shkroi për mua e që u botua në shumë media. Në veçanti, i jam mirënjohës dhe
për organizimin e promovimit të suksesshëm dhe të parë të librit tim DEMOKRACIA
NUK PRET në prill 2018 në Worcester MA, ku morrën pjesë me gjithë
bashkëshortet një numër jo i vogë Shqiptaro-Amerikanësh, të cilët gjithashtu i
falënderoj për respektin që treguan ndaj meje me pjesëmarrjen dhe vlerësimet e
tyre. Po ashtu e falënderoj nga zemra
Profesor Thanas Gjikën për dashamirsinë dhe përkrahjen që më ka dhënë mua dhe
komunitetit tonë në fushën e kulturës dhe të publicistikës, duke më inkurajuar
shpesh me komunikime elektronike plot kuptim e ndjenja miqësore, që të
vazhdojmë pa u lodhur, pavarrësisht nga mosha, me aq sa kemi mundësi të mbajmë
lart, këtu në mërgim, frymën e shëndosh të traditave tona më të çmueshme dhe të
ndriçojmë me aq sa mundemi, të vërtetën mbi vuajtjet e shqiptarëve nën regjimin
komunist të Enver Hoxhës dhe padrejtësitë që i bëhen ende sot.
I
nderuar Profesor, edhe njëherë faleminderit për miqësinë dhe respektin që keni
treguar ndaj meje, gjatë kohës që jemi njohur me njëri tjetrin. Si një
ish-seminarist, më pëlqen që në raste të tilla, siç është ditëlindja juaj, të
përshëndes me frazën latine: Ad Multos Annos!, një shprehje kjo e
vullnetit të mirë dhe të urimit për një jetë të gjatë plot shëndet dhe lumturi!
New York, NY, 13
Korrik 2019
*Kjo
përshëndetje është lexuar në drekën festive në qytetin Worcester të shtetit Masaçusets
– kushtuar 75-vjetorit të Prof. Asc. Dr. Thanas Ligor Gjikës, krahas vlerësimeve
të miqve të tjerë.