Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: At Zef Pllumi - Krenaria e Shkrelit dhe Nderi i Kombit
E enjte, 29.08.2019, 03:49 PM
AT ZEF PLLUMI: KRENARIA E SHKRELIT DHE NDERI I KOMBIT
Të Punojmë për Progresin Kombëtar - Në
95-vjetorin e lindjes
Nga Frank
Shkreli
Në këtë përkujtim të shkurtër dhe modest për At Zef
Pllumin – siç është quajtur “i fundit i françeskanjëve të mëdhej shqiptarë” i
lindur në një familje me origjinë nga fisi i Shkrelit i Malësisë së Madhe, siç
thuhet edhe në librin e tij autobiografik, “Saga e fëmijnisë: un që jetova shumë shekuj” – nuk dua të kujtoj as vuajtjet e tija nën regjimin
diktatorial të Enver Hoxhës as veprat e tija dhe as biografinë e tij. Si dihet biografia e tij është kryesisht një
jetë vuajtjesh e mundimesh. Ishin të
mëdha vuajtjet e tija, por edhe veprat që ka lënë pas janë të një vlere të
madhe historike për Kombin shqiptar, sidomos vepra madhështore, “Rrno për me
tregue”.
Sa profetike për superiorin e tij At Marin Sirdani, i
cili sikur ta dinte se çfarë reshë të zeza po i kërcënoheshin qiellit shqiptar
me ardhjen e komunizmit – e këshillon At Zefin e ri, se “Na kemi nevojë për ty
që të jetosh” dhe e porositë: “Ik, rrno! Vetëm për me tregue”. Në faqen 253
të librit “Rrno për me tregue” At Zef Pllumi kujton fjalët e superiorit
të tij kështu: “Superiori Át Marin Sirdani më thirri në odë të vet për dy
fjalë. Ndigjo, more djalë,- më tha,-
unë e çmoj vendosmëninë tande, por çdo gjâ ka masë: çka del jashtë mase asht
budallallek. E kupton? Ti ke ardhë këtu
në kohën mâ t'keqe që ka pasë Katolicizmi ndonjiherë e sidomos na
(françeskanët). Ktheu në katund, aty ku
ishe, struku, mos fol, as mos i beso as këmishës sate. Na kemi nevojë për ty që të jetojsh e jo me
dekë. Na pleqtë, edhe na ardhtë puna me
dekë, e kemi kositë livadhin, por ju të rijt duhet të jetoni. Zoti asht i Madh. I kjoshim falë atij të lumit që ka krijue
vdekjen, se përndryshej njerzit do t'kishin me kenë gjithmonë skllav të
tiranëve. Edhe kta do t'desin nji ditë
e ti duhet të jetojsh vetëm sa me tregue.
Kurrgjâ në mos kjosh i zoti me bâ, rrno vetëm për me tregue. A e kupton çka due me t'thanë? Mbaruen të tjerët, mbarojmë na, mbaron edhe
ti: të gjithë shkojmë si qeni në rrush po nuk kje dikush me kallxue se si kje
puna. Kush të teprojë (të mbesë gjallë) le të kallxojë! Nuk asht fjala që po mbarojmë sot. E dijmë këtë. (Por) Nuk duhet të mbarojmë për nesër e për
shekujt e ardhshëm. E kupton këtë? Fra Zef, unë jam sot për sot Superjor: po
të jap urdhën: ik, rrno! Vetëm për me tregue!
- E unë rrnova... e mora si detyrim...nuk e di a ia kam
mrritë!,- ka rrëfyer më vonë, Át Zef Pllumi.
E përmend këtë, jo për tu përqëndruar në të kaluarën e
vuajtjeve të At Zef Pllumit dhe shumë e shumë shqiptarëve të tjerë, – një e
kaluar e cila u duhet kujtuar brezave dhe duhet dënuar njëherë e mirë për të
mos u harruar kurrë, nëqoftse dëshirojmë që të mos përsëritet më. Është kjo një thirrje që At Zef Pllumi e
bënte vazhdimisht sa ishte gjallë dhe një mesazh që ai ka thekësuar pothuaj në
të gjitha veprat, shkrimet, deklaratat dhe intervistat ç’prej lirimit të tij
nga burgjet dhe kampet e regjimit komunist të Enver Hoxhës. Është ky një mesazh që ai e ka thekësuar
shpesh duke treguar të kaluarën por duke shikuar nga e ardhmja e Kombit
shqiptar -- që ai u ka bërë, sidomos, intelektualëve shqiptarë -- që pas natës
së gjatë e të errët të komunizmit, të bashkojnë, më në fund, “Jo vetëm fuqitë e
veta mendore , por edhe zemrat për atë idealin e përbashkët, që sot për sot
ashtë vetëm Progresi i Kombit”.
Ishte nja 25 vjetë më parë, maji i vitit 1993, kur u
promovua numri i parë i revistës së famshme të françeskanëve shqiptarë, “Hylli
i Dritës” -- një shekull pasi ishte ndaluar së botuari -- në një ceremoni në
Kuvendin Françeskan ku merrnin pjesë një numër i madh bashkpuntorësh, të rinjë
e të vjetër, të kësaj reviste të famëshme, përshfir studiues të kulturës,
artistë, gazetarë, intelektualë të fushave të ndryshme, botues dhe të tjerë. Aty ishte edhe At Zef Pllumi i cili
përshëndeti fillimin e ribotimit të revistës së famshme shqiptare, me të cilin
rast, duke shikuar nga e adhmja e Shqipërisë dhe shqiptarëve, në traditën
patriotike dhe atdhetare të dashurisë për Kombin dhe kulturën shqiptare, iu
drejtua intelektualëve shqiptarë me disa fjalë porosie që tingëllojnë edhe sot
aktuale, madje edhe pas një gjysëm shekulli që ai i shqiptoi ato. Duke përshëndetur rifillimin e “Hyllit të
Dritës”, At Zef Pllumi i ka bërë këtë porosi klasës intelektuale shqiptare, e
cila fatkeqsisht mbetet edhe sot e kësaj dite pa u realizuar.
“Miqë të nderuem, falë mëshirës së Zotit ia mbërritem kësaj dite. Nata që kaluem qe e gjatë dhe e vështirë. Liria që u fitue duhet të bije edhe dritën” filloi At Zef Pllumi fjalën drejtuar intelektualëve shqiptarë të mbledhur aty dhe vazhdoi: “Sot po jepet rasti , pësëri mbas sa viteh që bashkëpuntorët e “Hyllit të Dritës” të japin kontributin e vet në kulturën shqiptare me aq dritë sa mund të lëshojë nji yllë. Por ndërkaq urojmë që kultura shqiptaree nesër të ndrisë si diell”, ka shtuar ai, duke nëmnvijuar optimizmin e tij për të ardhmen. “ E ky diell jo vetëm do të ndrisë,por edhe do të ngrohë të gjithë popullin, nëqoftse intelektualët shqiptzarë kanë me i bashkue , jo veëtm fuqitë e veta mendore, por edhe zemërat për atë ideal të përbashkët, që sot për sot ashtë vetëm, “Progresi i Kombit” është shprehur frati i Malësisë dhe i gjithë Shqipërisë. “Ky progress duhet të jetë i gjithanshëm, jo vetëm ekonomik – po ma tepër mendor, shoqënor dhe kulturor”, ndërkohë që At Zefi thekësoi se, “Mendoj se duhet t’u kujtoj intelektualëve shqiptarë se said shkencë që të kenë, sado dije dhe erudicion që të përhapin , kurrë nuk do të mbërijmë në atë nivel kulturor që na duhet – po nuk patëm dashninë për njani tjetrin. Në rast se mungon dashunia”, ka thekësuar At Zefi. “Në atë rast, duhet të kemi mirëkuptim. Dhe nëqoftse edhe ky do të mungojë, atëherë do ti referohemi virtytit të tolerancës. Po mungoi edhe ky virtyt, atëherë jemi xhahilë. Xhahillëku ashtë shkatërrimi i Kombit. Nëqoftse nuk respektohen mendimet e njani tjetrit, don me thanë se nuk respektohet njeriu. Po nuk u repektua njeriu, e drejta dhe liria e mendimit – praktikisht mbërrijmë në përfundimin se nuk duem as Kombin as Atdheun”, është shprehur At Zef Pllumi. Ai ka përfunduar fjalën e tij të shkurtër me atë rast duke u bërë thirrje intelektualëve shqiptarë -- që nga tubimi në Kuvendin e Françeskanëve në maj të vitit 1993, një Kuvend që sipas tij përfaqëson shumë rryma të mendimit të lirë shqiptar të -- “Marrin shembull konkret për atë bashkpunim të inteligjencës shqiptare, që duhet t’i prijë këtij populli fatkeq, për me ecë përpara me ngulm në rrugën e vërtetë të Progresit Kombëtar”.
Është kjo një thirrje dhe një mesazh aq aktual edhe sot
në këtë 95-vjetor të lindjes së At Zef Pllumit dhe 30-vjet pas shembjes së
komunizmit, kur jo vetëm klasa politike shqiptare është e ndarë dhe e përçarë,
por fatkeqsisht as klasa intelektuale shqiptare sot nuk është e bashkuar me
mendje e zemër rreth idealit të përbashkët të “Progresit të Kombit”, siç do ta
dëshironte At Zef Pllumi – Krenaria e Shkrelit dhe Nderi i Kombit -- edhe në
këtë ditë të lindjes së tij, duke na bërë thrrje që, sipas mundësisë, secili
prej nesh, të lëshojmë aq dritë sa mund të lëshojë edhe një hyll, në rrugën e
vështirë e të gjatë të progresit kombëtar.