Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Robert Elsie - Fiset e Shqipërisë
E merkure, 25.09.2019, 09:44 PM
ROBERT ELSIE: FISET E SHQIPËRISË
Nga Frank Shkreli
Me 2 tetor mbushen dy vjet që është ndarë nga kjo jetë
Dr. Robert Elsie, shkrimtari, përkëthyesi, albanologu, interpretuesi dhe
specialist i njohur, ndërkombëtarisht, i studimeve mbi Shqipërinë dhe shqiptarët. Ai ka shkruar mbi 70-libra, ku trajtohen
subjekte nga kultura, gjuha dhe historia e shqiptarëve, përfshirë librin “Fiset
e Shqipërisë --Historia, Shoqëria dhe Kultura”, një libër ky që më ra në dorë
kohët e fundit. Libri me titullin
anglisht “The Tribes of Albania –History, Society and Culture”, është botuar
fillimisht në vitin 2015, por kopja që kam në dorë, është ribotuar sivjet,
njëkohësisht, në Londër, Nju Jork, Oksford, Nju Delhi dhe Sidnej, nga shtëpia
botuese I.B. Tauris.
Libri, Fiset ose Bajraqet Shqiptare, cilindo përkthim të
preferoni, është një përmbledhje që u kushtohet rreth 70-fiseve të Shqipërisë
së Veriut, jetës dhe zakoneve, traditës, fesë dhe kulturës së tyre. Pa dyshim se si një libër unik i kësaj
natyre, libri i të ndjerit Robert Elsie, botuar pas vdekjes së tij, ashtu si
edhe shumë vepra të tija, do të shërbejë si trashëgimi e tij për Shqipërinë dhe
shqiptarët, por edhe për historianë, akademikë dhe studentë të interesuar në
këtë fushë, jo vetëm mbi Shqipërinë dhe shqiptarët në veçanti, por edhe për
studimin nga të huajt, të historisë, etnografisë dhe antropologjisë së trojeve
shqiptare dhe më gjërë, gjatë shekujve.
Sipas vet autorit, “ky vëllim synon të zhdukë mungesën e të dhënave dhe
të jape sa më shumë informacione mbi të gjitha fiset kryesore të Shqipërisë, të
pakën aq informacion që ekziston e që mund të gjëndet dhe që mund të mblidhej
ende nga kujtesa kolektive e banorëve të këtyre krahinave.”
Përveç të dhënave të hollësishme mbi fiset e ndryshme, në
këtë libër lexuesi gjenë gjithashtu të dokumentuara edhe përshtypjet e
personaliteteve të huaja të njohura që kanë vizituar trojet shqiptare në
shekullin 19 dhe fillim shekullin e 20-tët, si Edith Durham dhe Johann George
von Hahn. Si plotësim i të dhënave,
Robert Elsie ka sjellur edhe biografi të shkurtëra të figurave të njohura në të
kaluarën të fiseve të ndryshme. Mendohet
se libri i albanologut Robert Elsie mund të jetë i vetmi studim i këtij lloji
ku përmblidhen të dhëna mbi fiset dhe bajraqet kryesore të Malësisë së Madhe
dhe të krahinave të tjera të Shqipërisë së veriut, fise këto që shtrihen edhe
në Kosovë e Mal të Zi dhe zona të tjera të trojeve shqiptare. Robert Elsie ka bërë një punë të
mrekullueshme duke lënë pas këtë vepër akademike mbi shoqërinë fisnore, në të
cilën – bazuar në informacionin që kishte në dispozicion -- ai u hedh një
vështrim të hollësishëm fiseve më të njohura shqiptare, duke përfshirë të dhëna
historike mbi vendin ku kanë jetuar dhe vepruar banorët e këtyre fiseve,
hollësi mbi përkatësinë fetare, mbi strukturat shoqërore, statistika mbi
popullësinë, mbi folklorin, legjendat dhe mbi historinë e këtyre 69 fiseve të
Shqipërisë.
Albanologu i njohur Robert Elsie profilizon fiset dhe
bajraqet më të njohura të Malësisë së Madhe si, Hoti, Katrati, Shkreli,
Kelmendi, Gruda, Trieshi, e të tjera, por pa përjashtuar fiset e bajraqet e
krahinave të tjera, si fiset e Dukagjinit, Malësisë sëe Gjakovës, Malësisë së
Lezhës, krahinës së Pukës, Malësisë së Krujës, krahinës së Mirditës, zonës së
Matit, e të tjera. Ai i cilëson këto
fise të Shqipërisë së veriut dhe të Shqipërisë veri-lindore si tepër të veçanta
në Evropë dhe ndoshta në botë, të cilat sipas tij, janë i “Vetmi shembull i
vërtetë i një shoqërie fisnore, e mbijetuar në Evropë deri në mesin e shekullit
të 20-të”. Megjithëse këto krahina,
mbeten edhe sot më pak të zhvilluara, jo vetëm në krahasim me pjesën tjetër të
Shqipërisë, por edhe në krahasim me botën tjetër për rreth saj, Sir Noel
Malcolm, eksperti britanik për çështjet e Ballkanit, ka shkruar në një
parathënie në librin “Fiset e Shqipërisë”, se “Ishin këto fise -- të cilat
megjithëse territori i tyre, me qindra vite ishte nën pushtimin Osman, por
pothuaj kurrë nën kotrollin otoman -- përbënin bazën për identitet shoqëror,
për drejtësi vendore dhe veprimtari ushtarake”.
Robert Elsie-t nuk ia zë kush vendin në radhët e më të
njohurve albanologë. Ai ka lenë pas një
mori veprash -- gjithsejt rreth 70 libra të botuara sa ishte gjallë, mbi
kulturën, gjuhën dhe letërsinë shqipe, të gjitha këto me vlera të përjetshme
dhe të pazëvendsueshme për kulturën, gjuhën dhe historinë shqiptare. Noel Malcolm ka vlerësuar librin e Robert
Elsie-t mbi fiset shqiptare duke thënë se, ndonëse “Në botë mund të kenë
ekzistuar shumë pak njerëz të aftë që të shkruanin një libër të tillë,
absolutisht asnjë person nuk do të kishte mundur të shkruante një vepër të
tillë, më mirë se Robert Elsie, i cili në këtë fushë ka një njohuri të
pakrahasueshme me me këdo tjetër.”
Por, sipas disa specialistëve, ndoshta vepra më ambicioze
për shkrimtarin Robert Elsie duhet të ketë qenë përkthimi në anglisht, në
bashkëpunim me Janice Mathie-Heck, i Lahutës së Malëcisë, të madhit të letrave
shqip At Gjergj Fishtës: The Highland Lute:The Albanian National Epic, botuar
në Londër, në vitin 2005. Si përfundim
dhe falë punës së palodhur të Robert Elsie-t, Lahuta e Malëcisë së Gjergj
Fishtës i këndon sot heroizmit dhe trimërisë së këtyre fiseve arbërore të
Malëcisë së Madhe edhe në gjuhën anglisht.
Ka mundësi që Robert Elsie të jetë frymëzuar të shkruante librin e
botuar kohët e fundit, “Fiset e Shqipërisë” nga Lahuta e Malëcisë e At Gjergj
Fishtës, të cilën ai e ka vlerësuar me këto fjalë: “Lahuta e Malëcís është një
kryevepër, e cila zë vend në radhën e eposeve të mëdha botërore. S’ka lexues që të mos e pëlqejë. E kemi fjalën për lexues, që kanë durim të
shfletojnë një libër me 15, 613 vargje… Natyrisht, po ta kesh parasysh
historinë politike të Lahutës dhe të Fishtës, dmth., heshtjen më se 50 vjeçare
dhe zhdukjen e eposit kombëtar nga historia shqiptare, për një periudhë gjysëm
shekullore, për rininë e sotme, nuk është e lehtë të lexohet, aq më pak, të
interpretohet. Por, “kush asht trim”, do
ta lexojë me një frymë, do ta shijojë e do të mahnitet nga bukuria e verbit të
Poetit. Sot ky monument kulturor merr
një rëndësi të veçantë jo vetëm për Veriun, por për tërë Shqipërinë. Ajo bëhet shumë më tepër se një vepër
letrare”, ka shkruar ai. Robert Elsie e
ka quajtur Lahutën e Malëcisë të Gjergj Fishtës si, “Vepra e parë letrare
shqiptare që i përket botës…dhe e cila nuk do të jetë kurrë jashtë kohe”.
Ndonëse, fiseve dhe bajraqeve u ka kaluar koha në
Shqipëri dhe kudo tjetër, vepra Robert Elsie-t mbi Fiset dhe Bajraqet e
Shqipërisë, sipas disa ekspertëve, është një kontribut i rëndësishëm dhe i nevojshëm
në fushën e studimeve etnike në përgjithësi dhe të studimeve albanologjike, në
veçanti. Libri, “Fiset e Shqipërisë”,
megjithëse siç shprehet edhe vet autori mund të mos jetë një histori e
prëgjithshme e fiseve shqiptare, por është një kontribut i madh për të
plotësuar nevojën e madhe që ekziston për të dhëna dhe njohuri të tilla rreth
historisë së fiseve shqiptare.
Megjithëse, siç shënon edhe autori, vitet e fundit, Shqipëria ka pësuar
ndryshime të mëdha demografike dhe shumica e krahinave fisnore në veri të
vendit janë zbrazur. Historikisht,
jetesa për malësorët ishte gjithmonë e vështirë dhe pa standarde, sidomos gjatë
diktaturës komuniste, me të cilën ata nuk u pajtuan kurrë. Shëmbja e komunizmit solli edhe shpërndarjen
e këtyre fiseve në zona më të volitshme jetese në Shkodrë, Tiranë e Durrës, por
edhe jashtë vendit, në mergim në Evropëën perendimore, në Australi e deri në
Amerikë.
Vdekja e parakohshme, dy vjet më parë, këtë tetor e
albanalogut dhe shkrimtarit Robert Elsie ka krijuar një zbrazëti të madhe në
fushën e studimeve albanologjike, e cila nuk mund të plotësohet aq kollaj në
vitet dhe dekadat e ardhëshme, madje as nga albanalogët vendas, sidomos kur të
merret parasyshë njohuria e përsosur e gjuhës shqipe nga Robert Elsie, është
shprehur Casper ten Dam i universitetit Leiden të Holandës. Ndërsa historiani Jason Tomes, autor i një
punimi mbi Mbretin Zog, ka vlerësuar veprën e Robert Elsie-t, “The Tribes of
Albania”, (Fiset Shqiptare), si një kontribut të rëndësishëm në përpjekjet e
vazhdueshme edhe për demistifikimin e Shqipërisë dhe të shqiptarëve, në
përgjithësi.
Robert Elsie, duket se është kujdesur që puna e tij
kushtuar Shqipërisë dhe shqiptarëve të vazhdojë edhe pas vdekjes së tij, pasi
thuhet se ka lenë pas një mori shkrimesh të pa botuara, disa prej të cilave
gjënden në portalin e tij të internetit, me shpresën se ashtu si edhe libri
“Fiset e Shqipërisë”, të nxisin një interesim të mëtejshëm për këtë shoqëri
unike dhe të veçantë evropiane. Ndërkaq,
njoftohet se para se të ndërronte jetë papritmas, dy vjetë më parë më 2 tetor,
2017, Robert Elsie kishte përfunduar së shkruari dy libra të tjerë,
“Bektashinjtë e Shqipërisë” dhe “Libri mbi Kosovën”,që pritet të botohen në një të ardhme të afërt
nga shtëpia botuese Taris Verlag në Londër – duke vazhduar kështu kontributin e
tij edhe pas vdekjes, ndaj historisë dhe kulturës së shqiptarëve anë e mbanë
trojeve të tyre në Ballkanin Perëndimor.