Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Pjetër Bogdani në Nju Jork - 30 vjetori i një seminari
E hene, 07.10.2019, 09:20 PM
PJETËR BOGDANI NË NJU JORK: 30-VJETORI I NJË SEMINARI
Ky është Pjetër Bogdani i Gurit të Hasit!
(Me
rastin e 330-vjetorit të vdekjes)
Nga Frank
Shkreli
330-vjet më parë, në fund të vitit 1689 ka ndërruar jetë,
në Prishtinë, ipeshkvi imzot Pjetër Bogdani.
30-vjetë më parë, me rastin e 300-vjetorit të vdekjes së tij, me 7
tetor, 1989 është mbajtur në Nju Jork një seminar madhështor për të kujtuar
Imzot Pjetër Bogdanin, figurën e shquar të letërsisë së vjetër shqipe,
kultivuesin dhe ndriçuesin e ndërgjegjes dhe të identitetit kombëtar të
shqiptarëve. Përveç kontributit të tij
fetar, Pjetër Bogdani ishte edhe atdhetar i madh, i cili ka dhënë kontribute të
rëndësishme në përpjekjet e popullit shqiptar për çlirim nga zgjedha osmane.
Ishin pikërisht këto kontribute të Pjetër Bogdanit të
cilat u diskutuan në seminarin e organizuar 30-vjet më parë – në fillim të
tetorit, 1989-- nga Kisha katolike shqiptare, “Zoja e Këshillit të Mirë”, sot
“Zoja e Shkodrës” në Nju Jork. Në atë
seminar ishin të ftuar folës të zgjedhur dhe personalitete të njohura shqiptare
në fushën e kulturës, të fesë dhe politikës shqiptare të asaj periudhe. Dalloheshin Profesor Arshi Pipa, At Danjel
Gjeçaj, Prof. Dr. Ibrahim Rugova dhe Profesor Dr. Engjëll Sedaj (të ardhur nga
Kosova), si dhe Profesor Martin Camaj.
Personalitetet e shquara hodhën dritë mbi jetën dhe në përgjithësi mbi veprimtarinë fetare dhe atdhetare të Pjetër Bogdanit. Në kumtesat e tyre ata kanë thekësuar, ndër të tjera, edhe rolin që ai ka luajtur në formimin e ndërgjegjes kombëtare të shqiptarëve, si udhëheqës i kryengritjes çlirimtare të vitit 1689, dhe pasqyrimin e historisë së shqiptarëve në kryeveprën e tij teologjike, “Cuneus Prophetarum”, “Çeta e Profetëve", për të cilën kanë folur më hollësisht Dr. Martin Camaj dhe Dr. Ibrahim Rugova. Për fatin e mirë, të gjitha kumtesat nga pjesëmarrësit e dalluar si dhe historiku i organizimit të seminarit, janë botuar – si një testament i përherëshëm historik -- në librin me titull, “Imzot Pjetër Bogdani në New York”. Libri është botuar nga Z. Tonin Mirakaj, ish-kryetari i Këshillit të Kishës Katolike, “Zoja e Këshillit të Mirë, në Nju Jork, publicist dhe aktivist i dalluar i komunitetit shqiptaro-amerikan – njëheri edhe drejtuesi i komisionit që organizoi seminarin për 300-vjetorin e vdekjes së Imzot Pjetër Bogdanit, tetorin e vitit 1989.
Folësit me atë rast thekësuan se krahas aktivitetit
shpirtëror dhe fetar, imzot Pjetër Bogdani, veproi edhe në zgjimin e
identetitetit kombëtar, duke u marrë aktivisht me organizimin e shqiptarëve në
rezistencë kundër pushtuesve osmanë ndërsa vizitonte të gjitha kishat dhe
krahinat nën mbikqyrjen e tij si kryeipeshkëv, i atyre anëve. “E pra, kur lufta anadollake kishte
shpërthye me ma të madhin hov, kur turku kishte këthye Shkodrën në kasaphane
priftënsh e fretënsh, kur vet banorët e këtyre anave mshefeshin nepër shpella e
galushtra të maleve…kundra këshillit të shi atyne që sot më padisin, unë mora
në dorë këtë kishë të Shkodërs.
S’shiqova komoditet as pushim: pa mbulojë, pa shtrojë, pa pullaz mbi
krye, në rrezik nga turku, nga shkjetë, nga çifutënt, vizitova Kelmendin,
Kuçin, Hotin, Kastratin, Shkrelin, Plavën, Rrjollin e vende të tjera”. (Nga
libri “Imzot Pjetër Bogdani në New York”)
Në kuadër të veprimtarisë së tij atdhetare, Pjetër
Bogdani, në vitin 1688-1689 udhëheqë kryengritjen anti-osmane, me 6000
shqiptarë, në koalicion me ushtrinë austriake, thekësuan studiuesit e jetës dhe
të veprimtarisë së Pjetër Bogdanit. Fatkeqësisht, kryengritja e tij kundër
osmanlinjve nuk pati sukses dhe pas një sëmundjeje të rëndë vdes në Prishtinë
në vitin 1689. Me vdekjen e Bogdanit,
vdiq ideja dhe organizimi i kryengritjes së armatosur kundër pushtuesve turq,
ka shënuar Gaspër Gjini në librin e tij, “Ipeshkvia Shkup-Prizren nepër
shekuj”.
Duke u hedhë një sy kumtesave të ekspertëve të
lartëpërmendur në seminarin e mbajtur në Universitetin Fordham në Nju Jork, në
Tetor 1989 -- në 300-vjetorin e vdekjes së Pjetër Bogdanit dhe të botuara nga
Tonin Mirakaj në librin kushtuar këtij përvjetori -- lexuesi mëson hollësi të
shumta për jetën, veprat dhe vlerat patriotike dhe fetare të Bogdanit, nga disa
personalitete prej më të dalluarve eskspertë të kulturës dhe gjuhës
shqipe. Folësit kanë venë në dukje,
ndër të tjera, dashurinë e madhe të Bogdanit për gjuhën shqipe, për Atdheun e
tij dhe për gjendjen e mjeruar të popullit shqiptar, në kohën që ai jetonte, si
dhe qëndrimet e tija kundër pushtuesve osmanë.
Për vetdijen e tij kombëtare, sipas Dr. Ibrahim Rugovës, në veprat e
tija, Pjetër Bogdani “Jep një kontinuitet historik të popullit tonë që nga
kohërat e herëshme e deri në kohën e tij.”
Organizimi i seminarit nga Kisha Katolike Shqiptare në
Nju Jork në Tetor 1989, me rastin e 30-vjetorit të vdekjes së Pjetër Bogdanit,
mund të konsiderohet si një ndër aktivitetet më të madhërishme dhe më të
rëndësishme të komunitetit shqiptaro-amerikan gjatë viteve. Ishte i tillë për nga pjesëmarrja e madhe e
shqiptaro-amerikanëve dhe seminari dallohej edhe për nga personalitetet
shqiptare që paraqitën kumtesat e tyre për jetën dhe veprimtarinë e Bogdanit. Për më tepër, rëndësia e këtij seminari
30-vjet më parë, sipas disa ekspertëve, nga këndveshtrimi i sotëm, ishte
pikërisht paraqitja e Dr Ibrahim Rugovës në këtë tubim me 7 Tetor të vitit 1989
-- që njëkohësisht ishte edhe vizita e tij e parë në Amerikë – që në të
vërtetë, ndryshoi jo vetëm jetën e tij, por edhe fatin eventual të Kosovës, si
dhe politikën dhe marrëdhëniet e shqiptarëve me Shtetet e Bashkuara në
përgjithësi, “Në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, siç
kihste deklaruar ai ç’prej fillimit.
Ndonëse 30-vjet më parë, seminari tërhoqi vëmendje dhe
interesim të madh në komunitetin shqiptaro-amerikan dhe në diasporën shqiptare
në terësi, në Shqipërinë komuniste dhe në Kosovën e pushtuar, mbretëronte një
heshtje mbytëse mbi pjesëmarrësit, mbi punimet dhe kumtesat e eskpertëve më të
njohur shqiptarë, mbrenda dhe jashtë trojeve shqiptare-- mbi jetën dhe
veprimtarinë e Pjetër Bogdanit, mbajtur në Nju Jork. Arsyen e interesimit të madh për këtë seminar
nga komuniteti shqiptaro-amerikan, në atë kohë, e shpjegoi ndoshta më së miri
gazeta “Zëri i Atdheut”, e botuar dikurë në Nju Jork. Në kryeartikullin “Madhështia e një
Seminari”, ndër të tjera ajo gazetë shkruante:
“Nji tjetër arsye, që e zgjoi kërshërinë e
mërgimtarëve shqiptarë për këtë eveniment historik, kombëtar, fetar e kulturor,
ishte ajo, që Kisha katholike shqiptare i ftoi me marrë pjesë në ketë seminar
dy shkollarë shqiptarë nga Kosova, përndryshe studijues të rrastë të Pjetër
Bogdanit dhe veprës së tij gjeniale: Prof. dr. Ibrahim Rugova, Kryetar i
Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës – njëni ndër përfaqsuesit ma eminent të
kulturës shqiptare, jo vetëm të Kosovës dhe kolegu i tij Prof. dr. Engjëll
Sedaj – që të dy profesorë në Universitetin e Kosovës në Prishtinë. Pjesëmarrja me aqë shumicë dhe rangu aq i
naltë akademik i ligjëruesve të rastit, të lejshin me kuptue, pamvarsisht, se
gjindeshim në njenën nga dy qendrat kryesore të kulturës shqiptare – në Tiranë
ase në Prishtinë.”
Në Nju Jork, si sot e 30-vjet më parë, 7 tetor, 1989,
Kisha Katolike Shqiptare “Zoja e Këshillit të Mirë” organizoi pra seminarin në
kujtim të 300-vjetorit të vdekjes Pjetër Bogdanit -- në vitin 1689 në
Prishtinën dardane. Atëherë dhe sot
kujtojmë Pjetër Bogdanin dhe vdekjen e tij, kur, “U vesh në zi Shqipëria,
vajtoi Kisha, mbet pa Bari grigja e Kosovës shqiptare…U shkretuan Shkupi,
Prishtina, Prizreni, Gjakova, Peja…Sot mbas tre shekujsh historia kërkon varrin
e pa rrasë, pa emër, të pa kryq (të Pjetër Bogdanit) dhe se aty në Prishtinë të
përgjakur si sot treqind vjet, vdiq dhe u nxuer prej dheut më i përmenduri
Ipeshkëv arbënuer i kohës, më i denji pinjuell i Kosovës hasjane, më i squeti
shkrimtar e lavrues i gjuhës neoilire, më i zellshmi Apostull dhe më i
palodhshmi mbrojtës i Fesë dhe i Kombësisë”. (At Danjel Gjeçaj në kumtesën
e tij në seminarin kushtuar 300-vjetorit të vdekjes së Pjetër Bogdanit, Nju
jork, 7 Tetor, 1989)
Ky ishte Pjetër Bogdani i Gurit të Hasit, sot e 330-vjet
më parë!
Fotografitë mbi punimet e seminarit janë marrë nga libri
Imzot Pjetër Bogdani në New York” me botues, Tonin Mirakaj
Pas seminarit në Nju Jork, Profesorët Ibrahim Rugova dhe
Engjëll Sedaj, udhëtuan për në Washington D.C., të shoqëruar nga antari i
komisionit përgatitës z. Simon Simonlacaj, ku kaluan dy ditë të këndshme. Atje i priti Frank Shkreli, ish-Drejtori i
Zërit të Amerikës për Evropën.
Dr. Ibrahim Rugova, Frank Shkreli dhe Dr. Engjëll Sedaj
në Kongresin e Shteteve të Bashkuara në Washington, Tetor 1989. Ishte kjo vizita e parë e tij dhe takimi im i
parë me Presidentin e ardhshëm të Republikës së Kosovës -- por jo e fundit—në
kryeqytetin e Shteteve të Bashkuara.