Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: 'Sot heshtja mbaron – Serbia të kërkojë falje'
E diele, 15.12.2019, 05:20 PM
INAUGUROHET MEMORIALI KUSHTUAR VIKTIMAVE TË MASAKRËS SERBO-MALAZEZE NË HOT TË MALËSISË SË MADHE NË VITIN 1919
“Sot
heshtja mbaron” – “Serbia të kërkojë falje”
Nga
Frank Shkreli
Ndërkohë
që presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq u angazhua, paturpësisht, ditët e
fundit – me rastin e 19-vjetorit të Masakrës së Reçakut -- se “çdo ditë do të
përsëris së masakra e mbi 40 shqiptarëve civilë të pafajshëm të Kosovës, ishte
një mashtrim dhe një krim i fabrikuar” -- në Hot të Malësisë së Madhe, ditën e
shtunë u zbulua Memoriali kushtuar viktimave të Masakrës së Hotit, të vitit
1919. Pikërisht, ashtu siç ka për qëllim
Vuçiqi që të harrohet masakra e Reçakut – ashtu edhe Masakra e Hotit e vitit
1919 e mbi 70-burrave malësorë, nga forcat serbo-malazeze të asaj kohe, kishte
mbetur në heshtje deri më sot. Ata ishin vrarë, pabesisht, Ditën e
Krishtlindjeve të atij viti.
Në
Memorial shënohet se ishte 25 dhjetori i vitit 1919 kur forcat ushtarake dhe
civile serbo-malazeze hynë tradhëtisht në Hot dhe në familjet hotjane duke
marrë peng dhjetra kryefamiljarë dhe djem të rinjë, të cilët u ekzekutuan në
qytezën e Hotit me 25 Dhjetor, 1919.
Lavdi këtyre Hotjanëve dhe të gjithë brezave të Hotit që kurrë nuk iu
nënshtruan asnjë armiku të Kombit shqiptar.
Zbulimit
të Memorialit i parapriu ceremonia fetare me një meshë në kishën katolike të
Hotit, gjatë të cilës prifti i Hotit, Dom Ardian Arra u tha të pranishëmve se
Zbulimi i Memorialit kushtuar burrave të pafajshëm, të ekzekutuar të Hotit, nga
forcat serbo-malazeze dhe përkujtimi i tyre në këtë 100-vjetor, nuk po bëhet
për qëllim hakmarrjeje, por me për të nderuar martirët dhe për të mos i harruar
ata kurrë më, në heshtje. Njëri prej
nismëtarëve të këtij projekti, Z. Lukë Junçaj u shpreh se me zbulimin e
Memorialit, më në fund, “kemi bërë diçka për të afërmit tonë të masakruar,
pabesisht, kemi vënë emrin e tyre këtu, për të mos i harruar kurrë, se i kemi
pasur familjarët tanë”.
Memoriali
është një kujtim i përhershëm i kësaj masakre dhe si rrjedhim, masakra e Hotit
e vitit 1919 nuk do të jetë më në heshtje, deklaruan fund javën që kaloi
pasardhësit e malësorëve të ekzekutuar 100-vjetë më parë!
“Sot
heshtja mbaron! Sot gjyshi im dhe këta
burrat e Malësisë të marrin respektin dhe nderimin që meritojnë”, deklaroi
prokurori shqiptaro-amerikan, Gjon Junçaj gjatë ceremonisë së zbulimit të
Memorialit Kushtuar Masakrës së Hotit të vitit 1919 – me rastin e 100-vjetorit
të saj. Megjitëse i lindur në Shtetet e
Bashkuara të Amerikës, ai nuk e ka harruar origjinën e tij prej malësori. “Jam një pasardhës i një prej atyre që ne
jemi sot këtu për t’i nderuar. 100 vite
më parë dhjetra burra nga Hoti u ekzekutuan në një mal këtu afër Kushës. Këta burra nuk ishin ushtarë në kohë e lufte,
por ishin thjeshtë djemtë e nënave, baballarët e fëmijëve, malësorë
shqiptarë. Nuk kishte asnjë proces
ligjor ose drejtësi përpara se të merrnin frymën e tyre të fundit. Siç ishte për gjyshin tim, vëllezërit dhe
motrat e tij, nuk kishte përqafim të fundit për fëmijët e tyre. Nuk kishte as varrosje që ata e meritonin.
Për 100 vjet, kishte vetëm heshtje.
Heshtje dhe vuajtje për familjet e tyre.
Sot, heshtja mbaron, sot gjyshi im dhe këta burra të Malësisë e marrin
respektin e fundit që meritojnë. Edhe
pse ata u zhdukën fizikisht, emrat dhe kujtesa e tyre do të jetojnë
përgjithmonë”, u shpreh prokurori shqiptaro-amerikan, Gjon Junçaj, i cili për
publikun shqiptar është i njohur si i dërguar i SHBA-ve në Ambasadën Amerikane
në Tiranë, si njëri ndër pjesëmarrësit në procesin e reformës në drejtësi, në
Republikën e Shqipërisë.
Sipas
disa mediave vendore, nga të dy anët e kufirit shqiptaro-shqiptar, në
ceremoninë në Kushe të Hotit, për Zbulimin e Memorialit Kushtuar Masakrës së
Hotit, të Vitit 1919, morën pjesë shqiptarë dhe personalitete nga mbarë trojet
shqiptare, përfshirë edhe zyrtarë përfaqsues të pushtetit vendas, si Kryetari i
Bashkisë Malësi e Madhe, Z, Tonin Marinaj dhe Nikollë Camaj, përfaqsues i
Komunës së re të Tuzit. Z. Camaj u tha
të pranishëmve se Shqiptarët dinë të jenë së bashku në fatkeqësi. Kjo u pa edhe në ngjarjet e fundit që
tronditën Shqipërinë. Por, Shqiptarët
nganjëherë harrojnë t’i bashkojë e mira, për të cilën kemi aq nevojë”, theksoi
Z. Camaj. “Neve sot jemi të gjithë së
bashku për të kujtuar sakrificat e mëdha, por në të njëjtën kohë edhe për të
venë në dijeni për sakrificat dhe padrejtësitë, se viktimat që na i kanë
shkaktuar të tjerët në të kaluarën, po kalojnë pa pasoja (për ata që i kanë
kryer këto krime). Nuk mund të flitet
për marrëdhënie të shëndosha me pasardhësit e atyre që na kanë shkaktuar dëme e
dhimbje aq të mëdha, që na kanë shkaktuar serbo-malazezët. Prandaj nga ky vend, nga kjo foltore, nga kjo
ditë që është tepër e rendësishme për këtë anë, dua të përcjellë mesazhin e
nevojës që edhe sot në proceset e integrimeve të Ballkanit, përfaqsuesit tonë
të kërkojnë nga përfaqsuesit serbo-malazezë, se ata kanë nevojë dhe obligim
njerëzor, si fqinjë që jemi, se që të vazhdojmë jetën së bashku në fqinjësi të
mirë, që së paku njëherë t’i këthejmë sytë nga e kaluara dhe të turpërohen para
krimeve që na kanë shkaktuar, e na i kanë bërë”, shtoi Z. Nikoll Camaj. Përfaqsuesi i Komunës shqiptare të Tuzit, Z.
Nikoll Camaj, me këtë rast u bëri thirrje serbo-malazezëve që të kërkojnë falje
për këtë masakër dhe për të tjera, megjithëse u shpreh pesimist se një gjë e
tillë do të bëhej nga ata. “Vështirë se
mund të presim nga serbët dhe malazezët një gjë të tillë, por ama nuk do t’i
kursejmë (me thirrjet tona) në këtë drejtim”, deklaroi përfaqësuesi i Komunës
së Tuzit, Z. Nikoll Camaj.
Ndërsa
Kryetari i Bashkisë Malësi e Madhe, Z. Tonin Marinaj pati fjalë të mira për
pasardhësit dhe familjarët e malësorëve të masakruar, pabesisht, nga forcat
serbo malazeze 100-vjetë më parë, duke thënë se megjithse ata, “Jetojnë larg në
diasporë nuk janë kursyer për të nderuar gjakun dhe sakrificën e të parëve të
tyre, duke nderuar kështu Hotin dhe gjithë Malësinë e Madhe”, u shpreh
Kryebashkiaku i Malësisë së Madhe, Z. Tonin Marinaj, duke thekësuar kontributin
e mërgimtarëve malësorë për trojet nga e kanë origjinën.
Sot,
me zbulimin e këtij monumenti, kujtojmë të gjithë ata që u masakruan dhe ata që
vazhdojnë të vuajnë padrejtësi nën regjime autoritare. Ky Memorial kushtuar malësorëve të masakruar
nga serbo-malazezët në vitin 1919 na kujton se fryma e lirisë mbizotëron në
zemrën e secilit prej nesh dhe se drita e lirisë nuk mund të shuhet as nga
regjimet totalitare dhe as nga pushtuesit brutal. Liria është një dhuratë nga Perëndia! Ky Memorial është një monument për kauzën e
lirisë dhe për luftën e malësorëve në mbrojtje të identitetit të tyre
arbëror. Burrat e ekzektuar të Malësisë, të cilëve u kushtohet ky
Memorial, pushofshin në paqë dhe shqiptarët anë e mbanë trojeve të tyre – përfshir
edhe malësorët -- të cilët vazhdojnë ende të vuajnë nga padrejtësitë dhe nga
mungesa e lirisë së vërtetë, të gëzojnë më në fund liritë dhe të drejtat bazë
të njeriut, liri dhe të drejta kombëtare, për të cilat u masakruan 71 malësorët
e Hotit në vitin 1919, nag forcat serbo-malazeze.
Lavdi
këtyre Hotjanëve dhe të gjithë brezave të Hotit që, në trojet e veta
shekullore, kurrë nuk iu nënshtruan asnjë armiku të Kombit shqiptar. Urime edhe bijve, nipave e mbesave të tyre
këtu në Shtetet e Bashkuara, të cilët nuk i harrojnë, por e kujtojnë sakrificën
e të parëve të tyre, në mbrojtje të Atdheut dhe të identitetit kombëtar të
malësorit dhe të shqiptarëve në përgjithësi!