Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: At Gjergj Fishta, arkitekti i marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Amerikës
E merkure, 23.10.2019, 09:11 PM
AT GJERGJ FISHTA, ARKITEKTI I MARRËDHËNIEVE DIPLOMATIKE MIDIS SHQIPËRISË DHE SHTETEVE TË BASHKUARA
Nga
Frank Shkreli
Komuniteti
shqiptaro-amerikan me të drejtë njihet si mbrojtës historik i kauzave kombëtare
shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke filluar nga veprimtaritë e
diasporës më të vjetër shqiptare në Amerikë.
Këto veprimtari, në mbrojtje të drejtave të shqiptarëve në trojet e tyre
në Ballkanin Perëndimor dhe kudo në botë, e që në fjalorin e sotëm politik
njihen si “veprimtari lobingu”, për shqiptarët kanë filluar me takimin e Fan
Nolit me Presidentin amerikan Woodrow Wilson, kur Presidenti i atëherëshëm
amerikan Wilson, sipas Nolit, i kishte premtuar se “një zë do të kishte në
Konferencën e Paqës në Paris dhe atë zë do ta përdorte në mbështetje të
Shqipërisë”. Shumë është shkruar në
mediat shqiptare dhe shumë flitet për këtë rast si dhe për veprimtaritë lobiste
moderne të komunitetit shqiptaro-amerikan, sidomos gjatë 40-viteve të fundit,
në mbrojtje të drejtave dhe interesave kombëtare të shqiptarëve anë e mbanë të
trojeve të tyre, sidomos në mbështetje të çlirimit dhe të pavarësisë së
Kosovës, në mbarim të shekullit të kaluar dhe në fillim të këtij shekulli.
Por falë
urrejtjes, harresës dhe anashkalimit zyrtar të personit dhe veprës së At Gjergj
Fishtës, për pothuaj një shekull nga bashkatdhetarët e tij gjatë komunizmit –
përfshir 30-vjet-post-komunizëm -- qoftë nga media ashtu edhe nga
historiografia shqiptare e influencuar nga periudha komuniste -- pak njerëz
mund ta dinë se përveç kontributeve të shumta në fushë të ndryshme si letërsi,
gjuhë, kulturë dhe politikë shqiptare, Gjergj Fishta ka dhënë një kontribut të
çmueshëm edhe në atë që sot e quajmë “lobing”, në mbrojtje të interesave
kombëtare, në konferenca dhe takime ndërkombëtare. Jo vetëm në Konferencën e Paqës në Paris dhe
në konferenca të tjera ndërkombëtare në Evropë, ku dhe kur flitej për
Shqipërinë dhe për të drejtat e Shqiptarëve.
Me rastin e
ditëlindjes së tij (23 Tetor,1871), e shoh të arsyeshme që të kujtojmë vizitën
e At Gjergj Fishtës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe përpjekjet e
tija lobuese në fillim të shekullit të kaluar, në mbështetje të interesave të
Shqiptarëve, përfshirë edhe lobimin e tij gjatë vizitës së tij të parë në
Washington, me zyrtarë të lartë amerikanë, për njohjen diplomatike të
Shqipërisë si shtet i pavarur nga Shtetet e Bashkuara. Këto shënime janë bazuar në disa të dhëna
dhe korrespondenca në librin përkujtimor, “At Gjergj Fishta 1871-1940”, botuar
nën kujdesin e At Benedikt Dema, me rastin e vdekjes së At Gjergj Fishtës me
30-dhjetor, 1940.
Sipas korrespondencës -- të pasqyruar në këtë botim të veçant përkujtimor
për At Gjergj Fishtën -- midis Fishtës dhe At Justin Rrota dhe At Pal Dodaj,
Gjergj Fishta njofton Kuvendin françeskan se, “Me 8 të këtij muaji (Mars, 1922)
në ora 2:30 mbasdite vuna kambën në Amerikë, në New York”.
Vizita e Fishtës në Amerikë kishte dy objektiva: një, të “kujdesej për
interesat e Shqipërisë”, sipas porosisë së Imzot Luigj Bumçit, Kryetar i
delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqës në Paris dhe objektivi i dytë
ishte që Fishta të takohej me personalitetet më të dalluara të diasporës
shqiptare në Amerikë. Sipas të gjitha
gjasave takimi me komunitetin shqiptaro-amerikan kishte shkuar shumë mirë për
Fishtën, sa që në një letër që i kishte dërguar atij Faik Konica nga Bostoni, i
drejtohet Fishtës, pasi ishte këthyer në Shqipëri, me përshëndetjen: “I
Shkëlqyer mik, Ju falem nderit për letrën e bukur që më dërguat. Kini lënë ndër shqiptarët e këtushëm një
kujtim lartësie dhe drite, që ka shuar gjithë moskputimet e shkuara”, i
përgjigjet nga Bostoni, Faik Konica mikut të tij At Gjergj Fishtës.
Përveç takimeve me përfaqsues të shquar të komunitetit shqiptaro-amerikan
gjatë vizitës së tij të parë në Amerikë në vitin 1922 -- nga korrespondenca e
Poetit Kombëtar, që Fishta ka shkëmbyer nga Amerika me pjesëtarë të urdhërit
françeskan shqiptar në Atdhe, mësojmë, ndër të tjera, edhe për veprimtarinë
lobiste të At Gjergj Fishtës në Washington gjatë qëndrimit të tij në
kryeqytetin amerikan. I vetdijshëm për
rëndësinë historike të këtyre letrave, At Pal Dodaj ka shkruar se përmbledhja e
letrave të Fishtës që dërgonte nga
Amerika më 1922 do tu interesojë, eventualisht, studiuesve të historisë.
Provinciali i
Kuvendit Françeskan në Shqipëri në atë kohë, At Pal Dodaj shënon në librin
përkujtimor “At Gjergj Fishta – 1871-1940”, se në një letër të datës 8-V-22,
dërguar atij nga At Gjergj Fishta prej Washingtonit, Fishta flet për veprimtarinë
e tij lobiste në favor të njohjes diplomatike të Shqipërisë nga Shtetet e
Bashkuara, dhe për takimet që kishte zhvilluar ai me Senatorë katolikë
amerikanë, me ndihmën e françeskanit amerikan Godfried Shilling, i cili në atë
kohë gëzonte influencë të madhe në qarqet diplomatike të Washintonit, sipas të
dhënave në këtë libër:
“Këtu në Washington kam kontaktue me nji senator katolik, siç të kam shkrue
(29.4. 1922), dhe i jam lutë me u interesue pranë Qeverisë së Tij, për njohjen
e Shqypnisë si Shtet i Pamvarun”, thuhet në letrën e Fishtës. “Ai ka folë sot me Senatorin e Partisë
Republikane, Henry Cabot Lodge…”, (politikan me autoritet i asaj periudhe dhe
mbështetës i madh i rolit amerikan në punët botërore), “…i cili më tha se
njohja e Shqypnisë asht e mundshme, prandej Qeveria e Tiranës, t’a paraqesi
kërkesën e Saj me shkrim në Nensekretariatin e Shteteve të Bashkueme t’
Amerikës.” Në faqen tjetër të letrës, sipas At Pal Dodaj, Fishta ishte shprehur në
letrën e tij se, “Ndërkaq, vizita eme në Washington ka pasë, si
përfundim, njohjen e Shqypnisë prej anës së Shteteve të Bashkueme të
Amerikës. Të gjitha përpjekjet e
maparshme të Qeverisë sonë, si edhe ato të (Federatës Panshqiptare) “Vatra”,
s’kanë pasë sukses…Kjenë Senatorët katolikë -- të cilëve ua pata paraqitë
çashtjen, sidomos, nga pikëpamja fetare-- ata të cilët me ndërhymje të veta
siguruan njohjen zyrtare të Shqypnisë nga Qeverija amerikane”,
citohet letra e At Gjergj Fishtës dërguar nga Washingtoni në adresën e At Pal
Dodajt.
Data e njohjes
zyrtare e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Washingtonit dhe
Tiranës, përputhet plotësisht me vizitën e At Gjergj Fishtës në Washington si
dhe me përmbajtjen e letrave të tija cituar më lartë. Sipas Zyrës së Historianit të Departamentit
Amerikan të Shtetit, me anë të një telegrami që mban datën 25 Korrik, 1922,
Sekretari Amerikan i Shtetit (DASH) në atë kohë, Charles Evans Hughes, informon
Komisionerin Amerikan në Shqipëri, Maxwell Blake se në datën 28 Korrik , 1922
ai mund t’i, “Dorëzojë Ministrit të Jashtëm të Shqipërisë njoftimin me shkrim
për njohjen de jure të Shqipërisë, nga ana e Shteteve të Bashkuara.” Sipas
Zyrës së Historianit të (DASH) njohja e shtetit shqiptar nga Washingtoni
u pasua me vendosjen zyrtare të marrëdhënieve diplomatike midis dy popujve
tanë, më 4 Dhjetor, 1922, kur Përfaqsuesi i Jashtzakonshëm dhe Ministri
Fuqiplotë i Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Ulysses Grant-Smith i paraqiti
letër-kredencialet Qeverisë së Shqipërisë në Tiranë pikërisht me 4 Dhjetor,
1922, thekësohet në tekstin e Zyrës së Historianit të (DASH).
Thonë se njerëzit
e mëdhej të një Kombi vlerësohen më shumë pas vdekjes se kur janë gjallë. Fatkeqsisht, kjo nuk ka ndodhur me At Gjergj
Fishtën, madje as sot 30-vjet post-komunizëm.
Unë e kam shumë të vështirë gjithnjë të konstatoj se ku e ka hallin
Tirana zyrtare me At Gjergj Fishtën, i cili me veprat e tija përjetësoi çdo gjë
me të cilat mund të krenohet Kombi Shqiptar ndër shekuj, qoftë veprimtaria e
tij shumë dimensionale, në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, ashtu siç ishte
kontributi i tij në njohjen dhe vendosjen e lidhjeve diplomatike midis
Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, në fillim të shekullit të kaluar.
Kemi aritur në një
pikë të historisë, që të themi me keqardhje të madhe, se me ketë klasë politike
në Shqipëri dhe në Kosovë e cila kontrollon çdo akitivitet të jetës së
shqiptarëve në një sistem që ata e quajnë “demokraci”-- e kemi humbur shpresën
se shqiptarët, si komb –madje edhe 30-vjet pas komunizmit -- do të vlerësonin
më në fund njerëzit e mëdhej të Kombit si At Gjergj Fishta. Me ketë nivel kulture bolshevike që tregon
kjo klasë aktuale politike e shqiptarëve, ajo nuk është e denjë të përfaqësojë
një komb të përparuar, që pretendon të jetë demokratik, në fillim të shekullit
21!
Edhe kini
pretendime të integroheni në Evropë. Kot
e kini se nuk futeni në Evropë, jo, pa Gjergj Fishtën!