Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Për një Kryeprokurore shqiptaro-amerikane
E diele, 03.11.2019, 04:38 PM
PËR NJË KRYEPROKURORE SHQIPTARO-AMERIKANE
Nga
Frank Shkreli
E
kam fjalën për Bude (Buta) Biberaj.
Budja i përket familjes së mirënjohur patriotike dhe anti-komuniste
shqiptaro-amerikane Biberaj nga Tropoja.
Budja është një prej 8 fëmijve të Hysen e Aishe Biberaj, një familje e
ngushtë dhe e madhe, të cilës ajo i përket me 19-nipa e mbesa dhe me
16-stërnipa dhe stërmbesa, pasardhës të brezave të kaluar të familjes
Biberaj. Familja Biberaj me banim në
qarqet administrative Fairfax dhe Loudon të shtetit Virxhinia, afër
Washingtonit është e njohur tanimë për gjurmët pozitive dhe arritjet e shumta
të anëtarëve të saj në fusha të ndryshme, jo vetëm në komunitetin
shqiptaro-amerikan por edhe në jetën e përditshme amerikane, në përgjithësi,
sidomos në fushën e biznesit, politikës, gazetarisë dhe tani edhe
drejtësisë. E rritur dhe e edukuar në
një frymë familjare përgjegjësie për vetveten dhe për të ndihmuar të tjerët në
nevojë, të shtypurit dhe të anashkaluarit e shoqërisë -- Budja ka zgjedhur
profesionin e avokates dhe gjyqtares, pra drejtësinë të cilës Budja ia ka
kushtuar gjithë jetën dhe veprimtarinë e saj, fushën në të cilën ajo shpreson
dhe është e gatëshme të kontribojë edhe më shumë në vitet e ardhëshme, duke
shpresuar në fitoren e saj javën që vjen.
Shumë
e njohur si avokate dhe gjyqtare – me një përvojë prej më shumë se 25-vitesh --
në zonën e shtetit Virginia ku jeton, ajo ka vendosur që të kandidojë si
anëtare e Partisë Demokrate Amerikane për Kryeprokurore e qarkut ose zonës
administrative Loudon, në zgjedhjet që do të zhvillohen atje javën që
vjen. Bude Biberaj, për disa muaj tani,
ka zhvilluar një fushatë mbresëlënse për këtë post, duke siguruar edhe mbështetjen
e gazetës së famëshme të kryeqyteti amerikan, The Washington Post dhe
përkrahjen e shumë personaliteteve të politikës dhe drejtësisë amerikane,
përfshir edhe ish-Prokurorin e Përgjithëshëm të Shteteve të Bashkuara, në
administratën e Presidentit Obama, Eric Holder.
Drejtësi,
Barazi, Transparencë dhe Integritet – janë këto katër parimet kryesore në bazë
të cilave Budja e ka kaluar jetën e saj private dhe profesionale , deri më tani
dhe është e angazhuar që në bazë të këtyre parimeve të vazhdojë të jetoj dhe të
veprojë edhe nëqoftse zgjidhet Kryeprokurore e Qarkut administrativ Loudon të
shtetit Virxhinia. Kandidatja për
Kryeprokurore Bude Biberaj zotohet se në atë detyrë, ajo do të sigurojë që
drejtësia të jetë e barabart për të gjithë banorët dhe për komunitetin Loudon
në përgjithësi dhe se ajo si Kryeprokurore dhe zyra që ajo përfaqëson, nëqoftse
zgjidhet në këtë detyrë, do japë llogari
para komunitetit për punën që bën.
Në
portalin e fushatës së saj thuhet se Budja, gjithë karjerën e saj ka ndihmuar
familjet, fëmijtë në nevojë, klientët me probleme të ndryshme, të cilët
nevojitnin zgjidhje sensitive, bazuar në përvojë të gjatë në fushën e
drejtësisë. Duke pasur si objektiv
përfundimtar zgjidhjen e problemeve bazë, dhe për të krijuar një sistem
përkrahjeje për njerëzit në nevojë, me qëllim që incidentet ose krizat të mos
përsëritën më. Bude Biberaj është
angazhuar gjatë fushatës për Kryeprokurore se Prokuroria që ajo do të kryesojë,
me veprimet dhe vendimet e saja, do të pasqyrojë gjithmonë vlerat e komunitetit
që do ta zgjedhë atë me votën e banorëve të atij qarku zgjedhor.
Si
mik i ngushtë i familjes Biberaj për pothuaj gjysëm shekulli, unë e kam njohur
Budën si një avokate që e merr shumë seriozisht detyrën dhe profesionin e saj,
si një mjet për t’i shërbyer mbarë komunitetit me drejtësi dhe integritet, pa
dallim. Arsyeja e vendimit të saj për tu
bërë avokate, ç’prej fillimit, ka patur vetëm një qëllim gjithmonë: “për të
ndryshuar botën për më mirë”.
Bazuar
në seriozitetin dhe disiplinën e saj për punën, duke u bazuar në karakterin e
saj, në përvojën, dhe në sukseset e deritanishme të Budes, jam i bindur se ajo
do ia arrijë, javën që vjen, kurorëzimit të gjitha përpjekjeve dhe të sukseseve
të saja të deri tanishme, duke siguruar detyrën numër një dhe më të lartë të
drejtësisë në qarkun administrativ Loudon, të shtetit Virxhinia.
Në
editorialin e saj në mbështetje të kandidaturës së Bude Biberajt për
Kryeprokurore të qarkut Loudon në shtetin Virxhinia, gazeta e famëshme
amerikane, The Washington Post shkruan (duke cituar Robert Jackson një
ish-Prokuror i Përgjithëshëm i Amerikës, 80-vjet më parë) se, “Prokurori/ja ka
më shumë kontroll mbi jetën, lirinë dhe reputacionin e individit se çdo person
tjetër në Amerikë. Kompetencat e tija
janë jashtzakonisht të mëdha”. Gazeta
Washington Post vazhdon editorialian e saj duke shkruar se “Bude Biberaj ka
kryer punën e avokates në Loudon për më shumë se 25 vjet dhe ka shërbyer si
zëvendës-gjyqtare në gjykatën e kësaj zone dhe si e tillë e njeh mirë krahinën
Loudon”. Këto fjalë, sipas gazetës së
kryeqytetit amerikan, nënvijojnë rëndësinë e vendimeve që votuesit e Virxhinies
së Veriut (të qarkut Loudon) do të marrin kur të zgjedhin javën që vjen
kryeprokurorët në Virxhinia. Uroj që
një nga këta Kryeprokurorë që do të zgjidhen nga votuesit e shtetit Virxhinia,
javën vjen, të jetë edhe Bude Biberaj!
Nuk
ma merr mendja se në qarkun administrativ Loudon të shtetit Virxhinia të
jetojnë shumë shqiptarë me të drejtë vote, që të bëj thirrje të dalin e të
votojnë për Kryeprokurore Buda Biberajn, por sidoqoftë, kandidatura e saj është
edhe një shenjë tjetër se komuniteti shqiptaro-amerikan – pas sukseseve të
shumta, sidomos në fushën e bizneseve të vegjëla –ka filluar të pjeket edhe
politikisht dhe juridikisht. Ndonëse
dalngadal, por me hapa të sigurt, kandidatura e Bude Biberaj tregon se, më në
fund, komuniteti shqiptaro-amerikan i ka mundësitë dhe individët në fusha të
ndryshme dhe si i tillë është i vendosur që të marrë pjesë në procesin
politik dhe juridik amerikan, ashtu siç
kanë bërë në kaluarën komunitetet e tjera etnike, këtu në Shtetet e Bashkuara.