Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Diktatura e shumicës ndaj pakicës shqiptare në Mal të Zi
E enjte, 21.11.2019, 09:59 PM
DIKTATURA E SHUMICËS NDAJ PAKICËS SHQIPTARE NË MAL TË ZI
Nga Frank
Shkreli
Ja ndodhi përsëri.
Ndalohet, gjobitet dhe dëbohet një shtetas i Shqipërisë nga Policia e
Malit të Zi sepse valviti flamurin shqiptar të Gjergj Kastriotit-Skenderbe, në
Festivalin vjetor të Gështënjave në rajonin e Krajës, af;r Ulqinit. Them flamurin shqiptar dhe jo flamuri i
Shqipërisë, megjithëse është edhe i Shqipërisë, sepse për shqiptarët kudo, në
trojet e veta shekullore dhe anë e mbanë botës kudo që gjënden në diasporë – ky
flamur është i tyre -- i të GJITHË SHQIPTARËVE kudo qofshin. Ky është flamuri i Arbëreshve të Italisë, ky
është flamuri i shqiptarëve në Kosovë, në Maqedoninë e Veriut, në Preshevë dhe
e shqiptarëve në Çamëri. Është flamuri i
shqiptarëve të shpërndarë anë e mbanë botës, në Evropën Perëndimore dhe
lindore, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Kanada e deri në Australi e
Argjentinë, e madje edhe e shqiptarëve në Ukrainë dhe kudo që janë 10-
shqiptarë që bashkohen për të festuar – aty valvitet flamuri i të gjithë
shqiptarëve pa dallim shtetësie, pa asnjë pengesë, me përjashtim të Malit të
Zi. Aty na qenka kundër ligjit që të
valvitet flamuri shqiptar nga shqiptarët autoktonë prej mijëra vjetësh, në ato
vise arbërore.
Mediat vendase si Ulqinionline dhe ato ndërkombëtare si
Zëri i Amerikës dhe Deutsche Welle raportuan rastin e sportistit Irfan Domnori
nga Shqipëria. Ai kishte marrë
pjesë një javë më parë në Festivalin e Gështënjave
në Ostros të Krajës dhe gjatë festivalit ka shpalosur dhe ka valvitur flamurin
shqiptar. Disa burime njoftojnë se
Domnori ishte i vetmi që valviti flamurin shqiptar në atë festival, gjë të le
të kuptpohet se autoritetet malazeze kanë frikësuar dhe kërcënuar tanimë popullatën vendase
shqiptare se përdorimi i flamurit shqiptar në festivale të tilla mund të sjellë
pasoja të rënda për ata që bëjnë një gjë të tillë. Për këtë akt “antiligjor” të Z. Domnori,
Policia e Malit të Zi e ka ndaluar duke e marrë në pyetje për “krimin” që ka
bërë në territorin malazez, e ka dënuar me një gjobë prej 300-eurosh dhe i ka
ndaluar hyrjen e tij në Mal të Zi për një periudhë një mujore. Akuza zyrtare ndaj shtetasit shqiptar
Domnori është se, sipas autoriteteve malazeze, ai na paska, “shkelur ligjin mbi
rendin public” duke valëvitur flamurin e Republikës së Shqipërisë, një vepër
kjo që kërcënon edhe paqën në vend, sipas autoriteteve malazeze. Megjithëkëtë, nuk thuhet se si valvitja e
flamurit shqiptar nga një shqiptar nga Shkodra, kërcënoi rendin publik dhe
paqën në vend gjatë atij festivali!
Ajo që e bën këtë akt të Policisë Malaleze ndaj një
shqiptari edhe më shqetsues është fakti se sipas radios gjermane Deutsche Welle
(DW) shqip ky nuk është rasti i parë. Ka
pasur se raste të këtij lloji nga kombësi të tjera që kanë ndodhur në Mal të Zi
por sipas radios gjermane, askush nuk është dënuar as gjobitur. Ajo përmend një rast specifik. Sipas DW Ministria e Kulturës e Malit të Zi
njoftoi në mes të gushtit se do të ngrijë dy aktakuza kundër pjesëtarëve të
minoriteteve, për gjoja përdorimin e simboleve të shteteve të tjera në Mal të
Zi. E para u njoftua kundër
organizatorëve të koncertit humanitar "Për Kosovën e Metohinë tonë",
që u mbajt në Herceg Novi. Ministria
pohon se në këtë manifestim janë përdorur simbolet e Serbisë dhe është
përdhosur himni kombëtar i Malit të Zi.
Gjithashtu, u bë një njoftim kundër organizatorëve të një ngjarje në
lumin Cijevni afër Tuzit, sepse atje ishin vendosur vetëm flamuj shqiptarë, por
jo edhe malazezë, sipas DW.
Por, as dy muaj më vonë ende nuk dihet nëse Ministria ka
paraqitur ndonjë padi apo këto kanë qenë vetëm "kërcënime boshe",
njofton DW në gjuhën shqipe. Sidoqoftë,
duket se grupet e ndryshme në Mal të Zi kanë probleme me përdorimin e simboleve
të tyre – si rrjedhim edhe i paqartësisë së ligjeve në fuqi -- por
fatkeqësisht, sipas të gjitha të dhënave, janë shqiptarët në atë vend, ata të
cilët e pësojnë më keq për shkak të përdorimit të flamurit shqiptar.
Ndonëse aktorët politikë shqiptarë në Mal të Zi duket se
bënë pak zhurmë në lidhje me ketë situatë, në këtë ndërkohë nuk kam parë ndonjë
reagim zyrtar nga vendet fqinje dhe mike të Malit të Zi – dy shtetet shqiptare,
Shqipëria dhe Kosova të cilat e kanë për obligim kombëtar të ruajnë flamurin
kombëtar dhe të mbrojnë identitetin e shqiptarëve-- ndaj dënimit të Irfan
Domnori, vetëm e vetëm se valviti flamurin shqiptar në një festival kulturor në
Ostros të Krajës. Ishte vetë Irfan Domnori
që vuri në dukje për median mungesën e mbështetjes nga autoritetet shqiptare në
Tiranë dhe Prishtinë. “Më ndaloi policia, më kërkoi
dokumentat dhe më pas më çuan fillimisht në komisariat e më pas në gjykatën e
Tivarit. Atje më thanë që është e
ndaluar me ligj të mbahet flamuri shqiptar dhe më vunë gjobë 300 euro dhe të
mos të hyj në Mal të Zi për 30 ditë.
Unë i thashë ju e dini, por ju ftoj në Shkodër të pini edhe një kafe, ju
si trupë gjykuese, e merrni edhe flamurin tuaj Malazez, e keni me pa që nuk
keni asnjë problem. Për mu kjo nuk
është normale po aq më thanë. Na edhe
Mali i Zi jena shtete në NATO, nuk duhet me ndodh kjo. Duhet me reagu shteti apo instancat
tjera, por në fakt këtu nuk ka reagu askush me thanë të drejtën. I vetmi që është interesuar për këtë rast
është numri dy i kuvendit të Malit të Zi, Genci Nimanbegu”, është shprehur,
Irfan Domnori në reagimin e tij për mediat.
U takon autoriteteve të Republikës së Malit të Zi që të
sqarojnë ligjet e vendit të tyre mbi përdorimin e simboleve kombëtare në atë
vend në përputhje me ligjet evropiane dhe ndërkombëtare mbi pakicat dhe u takon
autoriteteve vendore shqiptare në Mal të Zi, por edhe Tiranës dhe Prishtinës
zyrtare, që të mbrojnë të drejtat e
shqiptarëve në Mal të Zi, përfshirë edhe përdorimin -- pa pengesa dhe pa kushte
-- të simboleve të tyre kombëtare, përfshirë flamurin shqiptar – ashtu siç
ndodhë në çdo vend anëtar të NATOs dhe më gjërë, e sidomos në një vend që
aspiron gjithashtu të bëhet edhe anëtar i Bashkimit Evropian, siç është Mali i
Zi.
Shqiptaro-Amerikanët me origjinë nga trojet shqiptare në
Mal të Zi janë të shqetësuar nga mënyra se si sillen autoritetet malazeze me
bashkombasit e tyre atje, përfshirë rastin e fundit të shqiptarit Irfan
Domnori. Shqiptaro-amerikanët dhe
shqiptarët në Mal të Zi kanë mbështetur, madje edhe në qarqet politike
amerikane, shkëputjen e Malit të Zi nga ish-Jugosllavia, si dhe antarësimin e
Podgoricës në NATO, me shpresën se shqiptarët në Mal të Zi, nën këto rrethana
të reja gjeopolitike, do të trajtoheshin pak më mirë së në të kaluarën, për të
mos thënë se shpresonim se do të trajtoheshin barabar me të tjerët, në një vend
që thotë se e ka përcaktuar të ardhmene tij drejtë perëndimit. Rasti i Irfan Domnorit, fatkeqësisht, tregon
se mbetet shumë për tu bërë nga autoritetet malazeze në mbështetje të të
drejtave të pakicës shqiptare atje nga shumica sllave, për të justifikuar
mbështetjen që shqiptarët i kanë dhënë Malit të Zi, në përpjekjet e tija për
pavarësi dhe për integrimin e Podgoricës në organizmat euro-atlantike, përfshirë
antarësimin në NATO.
Fatkeqsisht, trajtimi i deritanishëm i shqiptarëve
autoktonë nga autoritetet e Malit Zi duket më shumë si një diktaturë e shumicës
ndaj pakicës. Alexis de Tocqueville në
kapitullin “Tirania e Shumicës”, në librin e tij të njohur, “Demokracia në
Amerikë”, e shikonte tiraninë e shumicës ndaj pakicave politike, shoqërore dhe
kombëtare si një kërcënim të “vazhdueshëm ndaj demokracisë”. “Shumica jo vetëm që i miraton ligjet, por
ajo edhe mund t’i shkeli ato kollaj”, ka shkruar Tocqueville.
Nuk është e nevojshme të shikojmë larg në histori që të
bindemi se keqtrajtimet më ekstreme dhe krimet më çnjerzore ndaj pakicave janë
bërë nga diktaturat fashiste dhe komuniste të shekullit të kaluar. I tillë ishte edhe projekti i diktatorit komunisto-nacionalist
serb Sllobodan Millosheviç për të krijuar “Serbinë e Madhe” nepërmjet
spastrimit etnik nepërmjet shpërnguljses së detyruar, përfshirë edhe vrasjen e
më shumë se 10,000 shqiptarëve të Kosovës gjatë luftës në Kosovë – për tu
ndaluar vetëm nga sulmet ajrore të NATO-s –një fushatë kjo që njihet si njëra
nga ndërhyrjet më efektive ndërkombëtare në mbrojtje të një pakice kombëtare
nga synimet djallëzore të një diktature të shumicës.
Irfan Domnori me flamurin shqiptar (krahas flamurit të
Malit të Zi në sfond) në Festivalin e Gështënjave në Ostros të Krajës -- I
ndaluar, i gjobitur dhe i dëbuar si i “rrezikshëm” për rendin dhe qetësinë
publike në Mal të Zi, sipas autoriteteve malazeze. Foto nga Ulqinionline
Pamje nga njëra prej paradave vjetore të shqiptarëve të
Nju Jorkut, kur rrugët e këtij metropoli të madh këthehen në ngjyrat Kuq e Zi –
ashtu siç bëjnë dhjetëra kombësi të ndryshme që jetojnë në Amerikë. Jo vetëm që nga shprehje krenarie për
prejardhjen e tyre nuk kërcënohet as rendi as paqja në Amerikë! Përkundrazi, shfaqje të tilla inkurajohen nga
autoritetet amerikane, në të cilat shpeshëherë edhe ata vet marrin pjesë.