Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Ky 28 Nëntor nuk është si gjithë të tjerët, por...
E enjte, 28.11.2019, 09:28 PM
KY 28 NËNTOR NUK ËSHTË SI TË GJITHË TË TJERËT, POR...
Nga
Frank Shkreli
Shqipëria
jonë dhe Kombi ynë shqiptar po kalojnë ditë të vështira. Ky 28 Nëntor,
fatkeqësisht, nuk është si të tjerët më parë.
Shumë familje shqiptare po veshen në zi në këtë festë kombëtare, ndërsa
një hije e rëndë ka renë mbi të gjitha trojet tona. Këtë 28 Nëntor nuk ka kengë e valle dhe
pothuaj askujt prej nesh nuk i qeshet buza.
Vërtetë
se ky 28 Nëntor - Dita e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, Ditës më të
shenjtë në kalendarin historik të shqiptarëve - këtë vit nuk është një ditë
gëzimi, por nuk duhet të jetë as një ditë dëshprimi e pa shpresë. Por, ama duhet të jetë një ditë reflektimi,
për të gjithë e sidomos për ata në krye të Vendit dhe të Kombit. Ndonëse Shqipëria dhe Kombi shqiptar po
kalojnë ditë të vështira, si rrjedhim i goditjes së rëndë të tërmetit, humbjes
së jetëve që nuk këthehen më, të plagosurve, të cilëve të gjithë iu urojmë
shërim të shpejtë, dhe dëmeve materiale të cilat mund të zevëndosen shpejt,
kollaj dhe pa ndonjë problem - Shqiqpëria dhe Kombi ynë, gjatë historisë, kanë
kaluar ditë edhe më të vështira, por të parët tanë kurrë nuk e humbën shpresën,
mbi të gjitha shpresën në vetveten dhe shpresën në Zotin.
Atyre
askush dhe asgjë nuk mund t’ua hiqte nga zemra shpresën as dëshirën dhe as
vullnetin e tyre për ringjalljen e Kombit, për realizimin e endërrës shekullore
që u arrijt nga një grusht burrash të zgjedhur të Kombit me 28 Nentor, 1912,të
cilët në krye me plakun e mençur Ismail Qemalin ngritën në Vlorë Flamurin e
Gjergj Kastriotit -Skenderbe, Flamur i cili për mbi 400-vjetë mbeti i palosur
në fshehtësi. Atë ditë, sot 107 vite më
parë, ata u betuan se pa marrë parasyshë vështirsitë e çfardo natyre qofshin,
të mbrendshme dhe të jashtme, Flamuri i Gjergj Kastriotit-Skenderbe nuk do të
ulet kurrë më nga shtiza e tij.
Ç’është
ky betim, ç’është kjo besë e dhënë.
Besa, kjo fjalë që nuk ekziston në asnjë nga gjuhët e tjera, kjo Besë që
është ndër të parat cilësi të Kombit shqiptar.
Në kohë të vështira, me ketë Besë u lidhën burrat e Kombit rreth Gjergj
Kastritotit - Skenderbe, me ketë Besë u lidhën burrat e Kombit në Lidhjen e
Prizrenit, me ketë Besë u lidhën me 28 Nentor 1912, burrat e Kombit që shpallën
Pavarësinë Kombëtare nga zgjedha otomane pas pothuaj 500-vjetësh.
Siç
thashë më lartë, ky 28 Nëntor, fatkeqisht, nuk është ditë gëzimi, por nuk duhet
të jetë as ditë dëshpërimi – por duhet që, patjetër, të jetë një ditë
reflektimi, nga të parët e këtij Kombit sot.
Ky tërmet ka shkundur themelet e shumë ndërtesave, pallateve e shtëpijave
duke shkaktuar dhjetëra viktima, qindra të plagosur dhe ka lënë pa strehë
qindra familje shqiptare. Burrat dhe
patriotët e vërtetë dallohen në ditë të mira, por edhe në ditë të
vështira. Këto janë ditë të vështira
për të gjithë shqiptarët kudo gjëndemi, por veçanërisht, për viktimat e këtij
tërmeti dhe familjet e tyre në Durrës e Tiranë por edhe në zona të tjera. Në ditë të vështira si ky 28 Nëntor, burrat e
vërtetë të Kombit nuk gëzohen, por as nuk dëshpërohen dhe as nuk dorëzohen, por
reflektojnë!
Ndërtesat
dhe pallatet e shembura nga tërmeti, jam i bindur, do të ndërtohen së
shpejti. Udhëheqsit e vërtetë
reflektojnë në këtë ditë të shenjtë të Pavarësisë! Reflektojnë që me fjalët dhe me sjelljet e
tyre, ndërsa merren me përballimin e kësaj tragjedie të përkohëshme, të mos
bëhen shkaktarë të shkatërrimit të asaj NDËRTESE TË MADHE, që e quajmë
Shqipëri. Ashtu si gjatë historisë, edhe
kësaj rradhe u bën thirrje të gjithëve, ajo BESA Shqiptare: për një bashkim
mendimesh e qëllimesh, për realizimin dhe çimentimin e vërtetë të objektivave kombëtare
të përcaktuara nga Burrat e 28 Nëntorit të vitit 1912 në Vlorë.
Po
e përfundoj këtë shënim modest me një amanet, që deri diku përputhert,situatën -
mjaft aktual të Mehdi Frashërit, drejtuar shqiptarëve kudo, me rastin e
39-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, në vitin 1951 në Romë, (përballë
problemeve të asaj kohe midis shqiptarëve), një thirrje aktuale kjo edhe sot,
me rastin e këtij 28-Nëntori:
”Shqiptarë
dhe Shqiptarka…Harroni gjithë mëritë dhe grindjet. Lidhni Besën simbas zakonit shqiptar për
shpëtimin e Atdheut. Indipendenca
shqiptare ka pasur idealet e veta të cilat janë zhvillimi i vendit tonë nga çdo
pikëpamje, për me ua mbërrijt popujve të Perendimit më të përparuar, në
Drejtësi dhe në Liri dhe për me plotësue aspiratat kombëtare. Si popull ilirian, natyra na tërheq nga
Oksidenti. Ndjekja e ideologjive të
ardhura nga stepet e Siberisë dhe të Rusisë, prej ku kanë dalë Attila dhe
Gengish Khani, nuk e shpjen Vendin tonë veçse në rrënim.”
Mehdi
Frashëri e ka përfunduar mesazhin e tij drejtuar shqiptarëve në vitin 1951, në
fillim të Luftës së Ftohtë, me rastin e 39-vjetorit të Pavarësisë së
Shqipërisë, duke i cilësuar fjalët e tija, drejtuar gjithë shqiptarëve, si të
“sinqerta, pa ambicje dhe pa prapamendime”.
Pikërisht,
në këtë frymë është edhe ky mesazh modest i imi me rastin e këtij 28 Nëntori
që, fatkeqsisht, është ndryshe nga të kaluarit, si përfundim i tërmetit të
rëndë që goditi Shqipërinë – jo për gëzim, por as për dëshpërim. Por, është një thirrje modeste e një
shqiptaro-amerikani për reflektim, sidomos në kohë të vështira si kjo
tragjedi. Është një thirrje vëllazërore
e një shqiptaro-amerikani, i cili me mend e me zemër vuan për ju dhe me ju këto
ditë të vështira - ashtu si të gjithë shqiptarët anë e mbanë botës - por që,
njëkohësisht, edhe beson se nepërmjet bashkimit dhe respektit për njëri
tjetrin, midis shqiptarëve, Shqipërinë e presin ditë më të mira. Është radha e juaj që jeni në krye të Vendit
sot, që me BESË e fjalë nderi, me respekt dhe bashkpunim me njëri tjetritn, të
shkruani faqe të arta në kapitullin e radhës të historisë së Shqipërisë dhe të
shqiptarëve, për një të ardhme më të mirë për mbarë Kombin, në muajt dhe vitet
e ardhëshme.