Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Për hir të së vërtetës - Në lidhje me debatin për të ashtuquajturin projektligj i 'antishpifjes'
E hene, 16.12.2019, 11:35 PM
PËR HIR TË SË VËRTETËS – NË LIDHJE ME DEBATIN PËR TË ASHTUQUAJTURIN PROJEKTLIGJ I “ANTISHPIFJES”
Nga Frank
Shkreli
Komisioni i
Parlamentit të Shqipërisë për Median zhvilloi javën e kaluar një seancë
dëgjimore me disa profesorë të Fakultetit të Gazetarisë për projektligjet e
Qeverisë shqiptare që njihen me emrin “paketa antishpifje”. Në atë seancë u zhvilluan debate të ashpra,
pothuaj deri në përplasje midis profesorëve të gazetarisë që kundërshtojnë
miratimin e atij projektligji dhe disa deputetëve të Komisionit të medias, duke
shkaktuar kështu që disa pjesëmarrës të ftuar si dhe deputetë, të largoheshin
nga seanca. Qëllimi im sot nuk është të
flas për meritat ose jo të këtij projektligji, pasi jam përcaktuar, me kohë,
kundër kësaj nisme anti-demokratike, siç janë shprehur edhe shumica e
organizatave ndërkombëtare dhe kombëtare nga mbarë Evropa. Unë jam me gazetarët dhe për lirinë e tyre të
fjalës dhe të të ushtrimit të profesionit të tyre pa ndërhyrje nga qeveria!
Por ajo që më bëri
përshtypje dhe që më la një shije të idhët në gojë, ishte deklarata e njërit
prej deputetëve socialistë, Z. Musa Ulqini, i cili u shpreh gjatë seancës se, “Ky
projekt-ligj nuk ka të bëjë fare me shtypin e shkruar. Ju bëjë thirrje të gjithëve që jeni këtu të
merrni informacion. Shqipëria ka
miratuar në vitin 1997 një ligj për shtypin e shkruar me tre nene. Kemi aplikuar standardin e Kushtetutës
amerikane. Neni i parë
thotë: shtypi është i lirë. Neni 2
thotë: liria e shtypit mbrohet me ligj. Nuk është ndryshuar….”, ka deklaruar
deputeti socialist, gjatë seancës të ënjten që kaloi, në mbështetje të paketës
së ashtuquajtur “anti-shpifje” të qeverisë së Kryeministrit Rama.
I bëj thirrje deputetit Ulqini dhe të tjerëve që mund t’i
referohen lirisë së shtypit në Shtetet e Bashkuara, si shembull për lirinë e
shtypit në Shqipëri, se sa për informacion Artikulli i parë i Kushtetutës së
Shteteve të Bashkuara, jo vetëm që nuk rregullon me ligj lirinë e shtypit, por,
në të vërtetë, ndalon miratimin e ndonjë ligji për shtypin nga Kongresi:
“Kongresi nuk do të përpilojë asnjë ligj që shkelë lirinë e fjalës ose lirinë e
shtypit….”, thuhet në artikulli e parë.
Neni 1 i Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara përcakton tekstualisht
kështu: “Congress shall make no law respecting an establishment of
religion, or
prohibiting the free exercise thereof; or abridging the freedom of speech,
or of the press; or the right of the people peaceably to assemble, and to
petition the Government for a redress of grievances”.
Kështuqë, ndryshe
nga ç’pretendoi javën e kaluar deputeti socialist Musa Ulqini, artikulli 1 i
Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara ndalon rreptësisht miratimin e ndonjë
ligji për shtypin nga ana e Kongresit amerikan.
Artikulli i parë i Kushtetutës së Shteteteve të Bashkuara NDALON pra
qeverinë që të miratojë ligje që rregullojnë vendosjen e ndonjë feje, ndalon
miratimin e ligjeve që rregullojnë ushtrimin e fesë dhe ndalon miratimin e
ligjeve që pengojnë ose kufizojnë lirinë e fjalës dhe të medias. Kjo sa për informacion për antarët e
Komisionit parlamentar të Medias, që të
mos përdorin standardet amerikane të lirisë së shtypit për të justifikuar
qëllimet e tyre djallëzore për kontrollimin e medies shqiptare.
Në të vërtetë, jam i
bindur se të gjithë kundërshtarët e mbrendëshëm dhe të jashtëm të paketës
“antishpifje”, të qeverisë Rama do ishin të kënaqur sikur Zoti Ulqini dhe
kolegët e tij socialistë në Komisionin e medias të bindin Kryeministrin Rama që
Shqipëria të aplikonte vërtetë standardin e Kushtetutës Amerikane për liritë që
i akordohen medias dhe gazetarëve në Amerikë.
Por, kjo nuk do të ndodhë, sepse përpjekjet dhe qëllimet e deri
tanishme, për projektligjin “antishpifje” të qeverisë Rama dhe të Komisionit të
parlamentit të Shqipërisë për Medien, përfshir Z. Ulqini, nuk kanë asgjë të
përbashkët me standardet amerikane të lirisë së shtypit dhe të fjalës së lirë.
Këta, i kanë fjalët
e mira në publik por kanë gurët në strajcë, thotë një fjalë popullore. Kanë një fjalor të mrekullueshëm kur flasin
për liri e demokraci, sidomos me të huajt.
Njëherë më pat thënë një ish-diplomat amerikan, me përvojë diplomatike
në Shqipëri, duke iu referuar përfaqsuesve të klasës politike të 30-viteve të
fundit në atë vend, se politikanët shqiptarë, i kanë fjalët e bukura në
mbështetje të lirisë dhe të demorkacisë, sikur të ishin Tomas Xheffersona, por
veprat i kanë si Enver Hoxha”. Fjalët e
këtij ish-diplomati amerikan mund të jenë ndoshta pak të ekzagjeruara, por në
thelb janë të vërteta dhe fatkeqsisht, pasqyrojnë realitetin, sidomos përsa u
përket zhvillimeve demokratike dhe zbatimit të drejtave dhe lirive demokratike
të shqiptarëve, këto 30-vjetë post-komunizëm, veçanërisht lirisë së medias dhe
lirisë së të shprehurit. Debati aktual,
me qëllim miratimin e projektligjit “anti-shqipfje” të qeverisë shqiptare,
është një provë e asaj që ka thënë ish-diplomati amerikan, ndërsa deputetët
shqiptarë flasin për standardet amerikane të lirisë së shtypit, ndërkohë që
mbrojnë një projektligj për medien që nuk ka asgjë të bëjë me standardet
ndërkombëtare për medien e leri më standardet amerikane të lirisië së shtypit.
Ekspertët e
kushtetutës amerikane thonë se baballarët e këtij Kombi e kanë pasur aq për
zemër lirinë e shtypit dhe lirinë e fesë sa që këtyre dy lirive i kanë
rezervuar artikullin e parë të Kushtetutës, duke i kushtuar rëndësinë, që sipas
tyre, meritojnë këto liri për amerikanët.
Për ne që jetojmë në këtë vend, liria e fjalës, sipas Kushtetutës së
këtij vendi, është një parim që garanton lirinë e një individi ose komuniteti,
për tu shprehur dhe për të artikuluar pikpamjet ose idetë, pa frikë nga
ndëshkimi, cenzura ose nga masa ligjore ndëshkimore nga ana e qeverisë. Në përgjithësi, fraza “fjala e lirë” ose
“liria e të shprehurit”, nënkupton, shprehjen e lirë dhe shpërndarjen e
mendimeve dhe të informacionit, pa marrë parasyshë se cili aspekt i medias
përdoret, sidomos duke pasë parasyshë teknologjinë e sotëme moderne të
shpërndarjes së lajmeve dhe informacionit.
Por, nëqoftse
deputetët shqiptarë dhe qeveria e Kryeministrit Rama vërtetë janë të interesuar
që në Shqipëri të aplikohen standardet e Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara
për lirinë e shtypit dhe lirinë e të shprehurit, atëherë zgjidhja e këtij
problemi është shumë e thjeshtë. Hiqni
dorë plotësisht nga projektligji i ashtuquajtur “anti-shpifje” dhe bazuar në
artikullin e parë të Kushtetutës amerikane, mos miratoni asnjë ligj për
kufizimin e lirisë së medias dhe të fjalës së lirë, le të vet-rregullohet dhe
le të merren gjykatat me shpifjet dhe fyerjet.
Ky është standadi amerikan!
Është krejtësisht e
pa besueshme se si qeveria dhe parlamenti i një vendi, që mbrenda disa javëve,
merr përsipër Kryesinë e Organizatës për Siguri dhe Bashkpunim në Evropë,
angazhohen pa pikë turpi, para publikut shqiptar dhe para botës, të miratojnë shpejt
e shpejt një ligj për medien, që shkel brutalisht të drejtat themelore të
njeriut në vend, të mbrojtura nga një mori marrëveshjesh e konventash
ndërkombëtare. Ky është një
absurditet shqiptar që është zor të shpjegohet, një paradoks i vërtetë, për të
mos thënë një arrogancë përbuzëse dhe mospërfillëse ndaj një organizate
ndërkombëtare, e cila si mision të sajin kryesor ka mbrotjen e lirive dhe të
drejtave të njeriut. Në vend që
Shqipëria, në Kryesi të OSBE-së, të jetë një shtet model për vendet e tjera
anëtare të kësaj organizate që të zbatojnë angazhimet e tyre për të mos i
shkelur të drejtat e njeriut, në përgjithësi, dhe lirinë e medias dhe të fjalës
së lirë, në veçanti – Kryeministri shqiptar kërkon, urgjent, miratimin e
ligjeve që shkelin këmbë e krye këto të drejta universale themelore të njeriut.
Jo më pak se 35
organizata ndërkombëtare nga vende të ndryshme, kryesisht evropiane, së bashku
me një numër organizatash të gazetarëve shqiptarë i kanë bërë thirrje, ditët e
fundit, Qeverisë Shqiptare ta tërheq paketën anti-demokratike dhe anti-ligjore
për kufizimin e lirisë së medias. Ato
thonë se projektligji i ashtuquajtur, “antishpifje” është në kundërshtim të
plotë me, “Angazhimet e Shqipërisë në kuadër të kryesimit
të OSBE-së dhe në mënyrë të veçantë me nevojën për siguri dhe stabilitet,
prosperitet të shtetasve të vendeve tona”.
Siç duket, 35 organizatat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut e
shikojnë paketën shqiptare të “antishpifjes” edhe si një kërcënim për to, andaj
shfaqën masivisht shqetësimin e tyre për efektet negative që mund të ketë
Shqipëria -- si kryetare OSBE-së në vitin 2020--në zhvillimet demokratike dhe
në promovimin e të drejtave të njeriut dhe të lirisë së medias edhe në vendet e
tyre.
Ky është artikulli i parë i Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara, që mbron lirinë e shtypit dhe lirinë e fjalës, është miratuar më 15 Dhjetor, 1791, si një prej 10- artikujve kryesorë që përbëjnë Ligjin e të Drejtave themelore për Amerikanët