Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Kur kryeministri i Shqipërisë fajësonte diasporën shqiptare në Amerikë
E premte, 27.12.2019, 01:03 PM
KUR KRYEMINISTRI I SHQIPËRISË FAJËSONTE DIASPORËN SHQIPTARE NË AMERIKË PËR MUNGESË PLATFORME STRATEGJIKE KOMBËTARE
Nga
Frank Shkreli
Duket se
“minishengeni ballkanik” që po promovohet me entuziazëm nga Kryeministri i
Shqipërisë dhe nga Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq, e ka ngritur kaosin e
rëndë të politikës kombëtare në një nivel tepër të rrezikshëm për interesat e
Shqipërisë, të Kosovës dhe të shqiptarëve, në përgjithësi. Kjo politikë e ndjekur nga Kryeministri Edi
Rama, me të drejtë po kritikohet ashpër nga udhëheqsit dhe nga populli i
Kosovës, por jo vetëm – si një politikë që, me mbështetjen e Tiranës zyrtare,
po vendosë përsëri Beogradin në qëndër të politikës ballkanike, si një
“mini-jugosllavi e re” e cila i hapë dyertë edhe influencës ekonomike, politike
dhe ushtarake të Moskës.
Si përfundim i
kësaj politike, të cilën Kryeministri Rama e rivërtetoi dhe e mbrojti me
këmbëngulje edhe njëherë në mbledhjen e fundit të udhëheqsëve të vendeve
anëtare të “minishengenit” të ardhëshëm ballkanik që u mbajt në Durrës – ngriti
mospajtimin kombëtar midis shqiptarëve, në një nivel tepër të rrezikshëshm, sa
nuk është parë ndonjëherë më parë. Nuk
jam i sigurt nëse vet Kryeministri Rama, qeveria e tij ose mbështetsit e
Kryeministrit shqiptar kudo qofshin ata, janë të vetdijshëm për rreziqet që
paraqet një politikë e tillë për interesat politike, ekonomike dhe ushtarake
afat shkurta dhe afat gjata, jo vetëm për Shqipërinë por për Kombin shqiptar në
përgjithësi. Kjo politikë, nëqoftse
vërtetë vazhdohet të mbrohet kështu deri në marrëveshje përfundimtare me
Beogradin, është një politike e rrezikëshme, seriozisht e dëmshme, një kërcënim
aktualisht i pranishëm, një politikë që urgjentisht duhet të bërtasë me të
madhe për kufizmin e menjëhershëm të kompetencave të Kryeministrit për tu marrë
me këtë subjekt, në krye të vet, i vetëm, si një individ, pa u këshilluar me
asnjë prej institucioneve të shtetit shqiptar, përfshirë parlamentin – ose e me
udhëheqsit legjitim shqiptarë të Repiublikës së Kosovës për të gjetur një gjuhë
dhe qëndrim të përbashkët, për një çështje kaq madhore për interesta kombëtare.
Mungesa e
këshillimeve në radhët e udhëheqësve shqiptar për një politikë aq me rëndësi
për interesat kombëtare, jo vetëm është skandaloze por mund të jetë edhe
kriminale ndaj interesave kombëtare. Në shtator të vitit 2018, Kryeministri i
Shqipërisë, (SHIKO ARTIKULLIN TIM MË POSHTË, BOTUAR më 24 Shtator, 2018), gjatë
një interviste në programin televiziv të Blendi Fevziut, Z. Rama ngarkoi me faj
diasporën shqiptare në Amerikë për mungesën e këshillimeve. “Ku është diaspora shqiptare në Amerikë”,
bëri ai një pyetje retorike duke folur për lajmet e atëhershme për “ndryshim
kufijsh” midis Serbisë e Kosovës, gjë për të ciën pretendoi se ai nuk ishte
këshilluar as informuar nga Prishtina zyrtare.
Një vit më parë, Kryeministri shqiptar bënte thrirrje “për një
proces”. Ku është sot “procesi” për
“minishengenin”, Z. Kryeministër? Cili
është Rama i vërtetë? Ai i vitit të
kaluar, a po ky i sodit? Cila është
strategjia kombëtare e platformës tuaj për “minishengenin” ballkanik, Z.
Kryeministër” dhe ku janë këshillimet me institucionet përkatëse të dy shteteve
shqiptare? Z. Kryeminsitër, nuk është
roli i diasporës shqiptare në Amerikë të përpilojë platforma strategjike
kombëtare por e udhëheqësve politikë shqiptarë në të dy anët e kufirit, në
konsultim me institucionet përkatëse qeveritare dhe shtetërore të bëjnë një gjë
të tillë – sidomos për ëçshtje me rëndësi siç është “minishengeni”
ballkanik. Fatkeqsisht, ju me
këshilltarët tuaj po silleni “si një tufë
amatorësh që nuk kanë sensin e historisë”, një
akuzë kjo që ju ia drejtuat të tjerëve, një vit e ca më parë.
-------------------------------------------------------------------------
ÇKA PO NDODHË
KËSHTU? KAOS I RËNDË NË POLITIKËN KOMBËTARE
24 Shtator, 2018
Ka
disa javë që flitet seriozisht tani për shkëmbime territoresh, ndreqje kufijsh,
korrigjim ose për diçka krejtësisht tjetër, midis Republikës së Kosovës dhe
Serbisë, varësisht reagimeve se kush e thotë dhe kur e thotë. Sot e kësaj dite askush nuk e di dhe askush
nuk thotë se si dhe pse, ky subjekt filloi të diskutohej për herë të parë
publikisht, në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.
Sot, jemi për shkëmbim territoresh, nesër për ndreqje kufijsh, ose diçka
tjetër. Kriza e parë e pas luftës në
Kosovë, në nivel kombëtar, i gjen udhëheqësit shqiptarë në Tiranë dhe në
Prishtinë, krejtësisht të papërgatitur, të zbuluar, krejt lakuriq para popullit
të vet dhe para opinionit botëror, se si të merren me këtë situatë përballë të
cilës gjenden, pa asnjë ide dhe pa asnjë strategji politike-kombëtare se si
duhet shkuar përpara. Gjithkush në
mendje të vet jep idetë e veta, ose kundërshton idetë e atij tjetrit, pa asnjë
marrëveshje ose vizion të përbashkët se si duhet vazhduar. Presidenti i Kosovës kundër Kryeministrit të
Kosovës, opozita kundër pozitës, ndërkohë që Tirana kryesisht hesht. E njëjta ndodh edhe në Tiranë, pa asnjë
politikë bashkërenduese midis forcave politike në Shqipëri dhe as midis Tiranës
dhe Prishtinës zyrtare për këtë çështje tejet me rendësi kombëtare. Ekziston
pra-një kaos i rëndë mendimesh dhe një mungesë bashkërendimi në politikën
kombëtare, për sa u përket interesave afatgjata të Kombit shqiptar, siç mund të
vihet re nga debati mbi çështjet e kufirit midis Kosovës dhe Serbisë. Ndërsa
dëgjojmë komentet e zyrtarëve të lartë shqiptarë në Prishtinë dhe në Kosovë,
është e qartë se në radhët e tyre – në lidhje me këtë çështje – ekziston një
hendek i madh, një pështjellim i madh idesh, pa rregull e pa organizim, një
gjendje kaotike, të cilës nuk mund i gjendet filli. Kjo gjendje kaotike vihet
re nga komunikimet dhe komentet e udhëheqësve të Kosovës, drejtuar prej së
largu ndaj njëri tjetrit, mbi shkëmbimin e territoreve ose ndreqjen e kufijve
midis Serbisë dhe Kosovës – në një kohë, që ju siguroj, se Serbia është e
bashkuar për ato që kërkon dhe çfarë pret si përfundim i këtij procesi, siç
duket, i planifikuar mirë dhe i promovuar prej saj prej kohësh, pikërisht, në
këtë moment – për qëllimet strategjike afatgjata të Beogradit dhe padronëve të
tij rusë, në Kosovë dhe në Ballkan. Në këtë kaos politik kombëtar dhe
konfuzioni, fatkeqësisht, bën pjesë edhe Tirana zyrtare, të pakën ky është
mendimi im pasi dëgjova pjesë të komenteve të Kryeministrit Edi Rama në
emisionin televiziv shqiptar, “Opinion”, para disa ditësh, ku kreu i qeverisë
shqiptare u shpreh se nuk di “asgjë” për këtë çështje, kur u pyet nga gazetari,
nëse kishte dijeni se ç’po ndodhte. Pyetjes, nëse “Presidenti Thaçi ju
ka informuar për këtë çështje, Kryeministri Rama u përgjigj: “Jo. Kur them jo,
them që nuk kam asnjë informacion të detajuar që të më vërë mua në pozicionin,
që të kem një pamje të asaj që po zhvillohet dhe të bëj komente.” Çështja e kufijve të Kosovës, tërësia e saj
territoriale, pavarësia dhe sovraniteti i saj si shtet, janë të rëndësishme për
të gjithë shqiptarët, e sidomos për Tiranën zyrtare.
Është
pak e çuditshme që udhëheqësi shqiptar shprehet, se nuk di gjë për këtë
çështje, ndërkohë që përdor një mjet publik të informimit të komunikojë prej së
largu në lidhje me këtë temë – ndonëse e vështirë dhe e ndërlikuar – me
udhëheqësit e Kosovës, Presidentin Thaçi dhe Kryeministrin Haradinaj, në vend
që të takohet me ta, me qëllim që të arrijnë në një qëndrim të përbashkët
kombëtar midis tyre, në bashkërendim me aleatët perëndimorë të shqiptarëve,
veçanërisht me Shtetet e Bashkuara dhe Gjermaninë. Ndërkaq, nëpërmjet
programit “Opinion”, Z. Rama u bëri thirrje udhëheqësve të Kosovës që për këtë
çështje të “krijojnë një proces”, përfshirë edhe një “konsultim me diasporën
shqiptare në Amerikë”. “Tani pse nuk shkojnë ta pyesin diasporën shqiptare të
Amerikës sot? Ku është diaspora shqiptare e Amerikës? Të gjithë ata
kontributorë të pavarësisë së Kosovës, që lanë pasurinë për të blerë armë për
Kosovën, sot janë viktima njësoj si ju, s’po fus veten time, që bëjnë diskutime
dhe nuk kemi një proces. Ku janë njerëzit që merren me historinë? Që do të thotë,
ne na duhet një proces”, është shprehur kryeministri Edi Rama në emisionin
“Opinion” në TV Klan. Më herët, Kryeministri Rama kishte pranuar me të drejtë
në programin “Open” të televizionit Top Channel se,”Për dialogun Kosovë –
Serbi mungon një platformë strategjike kombëtare”. Absolutisht e vërtetë,
por kush duhet ta përpilojë këtë strategji, Z. Kryeministër? Kjo duhej të ishte
bërë shumë më herët nga Prishtina dhe Tirana zyrtare dhe jo nga “Diaspora në
Amerikë”. Ky nuk është roli i diasporës shqiptare, pasi falë nderës Zotit sot i
kemi dy shtete shqiptare legjitime, të njohura ndërkombëtarisht, të cilat duhej
të kishin përpiluar një strategji kombëtare me kohë, jo vetëm për marrëdhëniet
Kosovë-Serbi, por për shumë çështje të interesit kombëtar. Udhëheqësit
shqiptarë, në Tiranë dhe në Prishtinë– sipas orekseve të momentit – kanë
deklaruar gjysmën e botës si vende strategjike të Shqipërisë dhe të Kosovës,
por nuk kanë përpiluar një strategji kombëtare dhe ky nuk është faji i
Diasporës shqiptaro-amerikane.
E
vërtetë se Diaspora shqiptare e Amerikës, është këtu, Z. Kryeministër. Sot më
pak e organizuar dhe më shumë e përçarë se kurrë, fatkeqësisht, falë edhe
politikave zyrtare të Tiranës dhe Prishtinës dhe influencës së tyre në radhët e
Diasporës këtu në Shtetet e Bashkuara. Ky proces për një strategji kombëtare
për dialogun Kosovë-Serbi, për të cilin me të drejtë ju bëni thirrje dhe që
është tepër i nevojshëm, nuk i takon Diasporës shqiptare në Amerikë që ta
fillojë, por udhëheqësve legjitimë shqiptarë në Tiranë dhe në Prishtinë, të
cilët, falë votës së shqiptarëve, ua kanë besuar atyre fatin e Kombit. Ky
moment historik, siç e cilësuat edhe ju Z. Kryeministër, kërkon një bashkim
idesh dhe një qëndrim mbarë-shqiptar për bisedimet me Serbinë dhe jo vetëm,
ashtu që të mos dukemi para botës, siç u shprehët edhe ju në programin
Opinion”, “si një tufë amatorësh që nuk kanë sensin e historisë”. Është një
fakt i njohur tanimë, se komuniteti shqiptaro-amerikan, historikisht, ka
luajtur dhe duhet të luajë edhe sot rolin që i takon, në mbrojtje të interesave
të shqiptarëve në trojet e veta, pranë enteve më të larta qeveritare dhe jo
qeveritare, si dhe publikut dhe medias amerikane këtu në Shtetet e Bashkuara.
Në të vërtetë, gjatë dekadave – atëherë kur shqiptaro-amerikanët
konsideroheshin si “armiq” të Shqipërisë nga regjimi komunist enverist dhe kur
Kosova pësoi të këqija e mundime nën fashizmin serb – ky komunitet ka luajtur
rolin e ambasadorit më të mirë që mund të kishte kombi shqiptar, duke filluar
nga Fan Noli e Faik Konica fillim shekullin e kaluar e deri në kohët moderne.
Komuniteti shqiptaro-amerikan, e kishte të qartë misionin e vet gjatë shekullit
të kaluar dhe në fillimin e këtij shekulli. Shembjen e komunizmit në Shqipëri,
çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës nga zgjedha shekullore serbe, duke siguruar
mbështetjen amerikane për të drejtat e shqiptarëve anë e mbanë trojeve të veta
në Ballkanin Perëndimor. Me vullnet të mirë dhe pa përzierje dhe ndërhyrje
politike, komuniteti shqiptaro-amerikan, sidomos brezi i ri, mund dhe duhet të
riangazhohet përsëri në mbrojtje të interesave të kombit shqiptar, ashtu si në
të kaluarën jo të largët. Edhe organizimi më efikas i Diasporës shqiptare në
Amerikë dhe gjetiu duhet të jetë pjesë e një platforme strategjike kombëtare,
që ka përmendur Z. Rama, por diaspora nuk i ka as mjetet, as njerëzit dhe as
organizmin për të qenë një nismëtare e një procesi të tillë. Ish-Sekretari
Amerikan i Shtetit, Xhon Kerry duke iu drejtuar përfaqësuesve të diasporës në
Amerikë, tre vjet më parë, është shprehur se, “Shekulli 21 kërkon një
politikë të jashtme më gjithëpërfshirëse. Komunitetet e diasporës janë të parat
që mësojnë për një çështje me rëndësi ose krizë në vendet e tyre të lindjes dhe
përfaqësuesit e diasporës janë të parët që njoftojnë zyrtarët e lartë të
shtetit dhe të qeverisë amerikane”. Këtë fakt e kishte kuptuar më mirë
se kushdo tjetër – para tij ose pas tij – Presidenti i parë i Kosovës, Dr.
Ibrahim Rugova.
Në qoftë se Tirana dhe Prishtina zyrtare dëshirojnë të konsultohen për angazhimin e Diasporës për marrëdhënie më të mira me to, atëherë ndiqni shembullin e marrëdhënieve që gëzonte dikur Ibrahim Rugova me diasporën shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me diasporën në Evropë. Dekadat e viteve ’80 dhe ’90, të shekullit të kaluar konsiderohen si periudha e artë e unitetit të komunitetit shqiptaro-amerikan rreth një kauze të shenjtë dhe një udhëheqësi që kishte besimin dhe respektin, jo vetëm të shqiptaro-amerikanëve pa dallim –por si rrjedhim – Presidenti Rugova siguroi shpejt edhe respektin e zyrtarëve më të lartë amerikanë – si simbol i bashkimit të komunitetit shqiptaro-amerikan rreth kauzës së Kosovës, pa dallime politike, fetare a krahinore. Gjatë krizës në Kosovë, influenca e komunitetit shqiptaro-amerikan në Uashington konsiderohej si më e fuqishmja pas Izraelit. Kjo, fatkeqësisht, nuk është më! Lobimi i fuqishëm i shqiptarëve të Amerikës në Uashington gjatë viteve ’80 dhe ’90, si dhe në fillim-shekullin e ri në të cilin jemi, është zëvendësuar tashti me pagesa jo transparente ose gjysmë transparente, prej qindra mijëra dollarësh, dhënë kompanive lobiste amerikane nga udhëheqësit qeveritarë e partiakë të Tiranës dhe Prishtinës zyrtare, vetëm për të siguruar ndonjë fotografi individuale me ndonjërin prej presidentëve amerikanë, për t’u përdorur për qëllime elektorale në vend.
Nevojitet
pra një angazhim më i madh e më serioz se kaq, për një partneritet të vërtetë
alla-Rugovian me Diasporën shqiptare, pasi përpjekjet e deritanishme për të
organizuar më mirë Diasporën shqiptare në përgjithësi, kanë dështuar, me gjithë
krijimin e Ministrive të Diasporës në Tiranë dhe në Prishtinë. Roli dhe
angazhimi i Diasporës shqiptare, në Amerikë dhe në Evropë është jetik, sidomos
në fushën e politikës së jashtme, jo vetëm për përforcimin e marrëdhënieve me
shtetet mike siç janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e Aleancës
Euro-Atlantike, por edhe për fatin dhe mirëvajtjen afatshkurtër dhe afatgjatë
të Shqipërisë, të Kosovës dhe të mbarë kombit shqiptar. Konsultimet e Tiranës
dhe të Prishtinës zyrtare me Diasporën shqiptare në Shtetet e Bashkuara do të
ishin në rregull, por Diaspora shqiptare në Amerikë nuk e ka shkaktuar kaosin aktual
në politikën kombëtare shqiptare dhe nuk është e drejtë që tani t’i kërkohet
asaj ndihmë që t’ia gjejë fillin. Dikur kjo Diasporë ishte shumë efektive në
ekspozimin – para Washingtonit zyrtar dhe popullit amerikan – të krimeve dhe
shkeljeve të drejtave të bashkëkombësve tanë, anë e mbanë trojeve shqiptare,
nga fqinjët djallëzorë, por është tepër e vështirë për diasporën, që para miqve
tanë amerikanë të drejtojmë gishtin e akuzës ndaj Tiranës dhe Prishtinës
zyrtare dhe t’i identifikojmë ata si fajtorë të gjendjes aktuale kaotike
kombëtare e politike në trojet tona, përfshirë mungesën e një strategjie
kombëtare në bisedimet me Serbinë dhe më gjerë.