Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Amaneti i Ernest Koliqit dhe roli i tij në hapjen e shkollave shqipe
E diele, 19.01.2020, 04:05 PM
AMANETI I ERNEST KOLIQIT DHE ROLI I TIJ NË HAPJEN E SHKOLLAVE SHQIPE NË KOSOVË DHE ANË E MBANË TROJEVE SHQIPTARE, 1941-1944
Nga
Frank Shkreli
Ishte
15 Janari i vitit 1975 kur bota shqiptare mësoi se Profesor Ernest Koliqi
kishte ndërruar jetë, ndërkohë që njoftohej gjithashtu se varrimi i të ndjerit
do bëhej me 18 Janar, 1975 në Kishën e Shën Piut X në Piazza della Balduina, në
Romë, ku prehen edhe prindërit e tij dhe bashkshortja. Në ceremoninë e varrimit kishin shkuar
personalitete të njohura politike dhe akademike, kolegë e miq nga të gjitha
anët e Italisë, arbëreshë e shqiptarë të ardhur nga të gjitha anët e botës, miq
nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nga një numër vendesh të Evropës
Perëndimore dhe nga Turqia.
Unë
kam pasë fatin e mirë ta njoh Profesor Koliqin gjatë qendrimit tim si refugjat
në Romë, para se të vendosesha në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dhe deri sa ndërroi jetë me 15 Janar, 1975,
shkëmbenim letra dy tre herë në vjet. Në
një letër që Profesor Koliqi më kishte dërguar në vitin 1972, pas një
përpjekjeje amatore nga ana ime për të botuar një fletushkë kushtuar rinisë në
mërgim, ai më shkruante ndër të tjera: “I dashtuni Fran, më kanë ra në dorë si
letra e jote ashtu edhe Nr. 1 i periodikut, “Rinija Shqyptare në Mërgim”. Gëzohem pikë më së pari që je mirë, që
përpiqesh të ndjekish studimet, e në fund, për botimin kushtue masës së re që
larg prej Atdheut ka shumë nevojë t’ushqehet me shkrime të shëndoshta
shqipe. Të lumtë! Ashtë nji fillesë plot premtime. Mbaj mend veç nji fjalë të moçme: ‘Trimi i
mirë me shokë shumë’. Avit moshatarë sa
ma shumë që mundesh. Në ashtë se kjo
fletore do të merret edhe me letërsi, mos harro auktorët që regjimi komunist i
ka përjashtue nga historia e letërsisë shqipe…”
Ishte ky amaneti i tij.
Përveç
respektit të madh që kam për Ernest Koliqin, është edhe ky amanet pra që më
detyron të mos e harroj dhe ta kujtoj atë, nga koha në kohë, në mënyrën teme më
modeste, si njërin prej të mëdhëjve të Kombit, por të përjashtuar nga regjimi
komunist shqiptar. Unë nuk kam
përgatitjen as nuk jam i denjë të vlerësoj veprën dhe kontributet e shumta të
Ernest Koliqit, por amanetin për të mos e harruar atë si një autor të
përjashtruar nga letërsia shqipe prej regjimit komunist dhe nga mbeturinat e
atij regjimi deri në ditët e sotëme -- përpiqem me modesti ta çoj në vend, nga
hera në here amanetin e ti, për të mos harruar.
Një
tjetër i madh i letrave shqipe, Karl Gurakuqi, bashkpuntor i ngusht i tij, e ka
vlerësuar kontributin prej shkrimtari të Ernest Koliqin kështu: “Nuk janë shumë
shkrimtarët tonë, emni i të cilëve të njihet aq mirë në shtresat letrare shqipe
sa ai i Koliqit. Janë 40 vjet që
papremas e shohim emnin e tij në çfaqje kulturore gjithëfarësh, në botime, në
fletore e revista të ndryshme, disa prej të cilave janë themelue prej tij vet,
në botime që janë të paracaktueme që të zënë nji vend të dukshëm, dashtë e
padashtë, në historinë e letrave tona.”
Si Ministër i Arsimit në vitin 1939, Ernest Koliqi mbledh pothuaj të
gjithë studjuesit dhe shkrimtarët më të dalluar të vendit për të filluar
botimin e librave për shkollat e mesme e fillore. Mjafton të përmendet
dy-vëllimshi “Shkrimtarët Shqiptarë”, vëllimet “Bota Shqiptare”, “Rreze Drite”
dhe “Te Praku i Jetës”, e sidomos mbledhja e folklorit, përmbledhur në “Visaret
e Kombit”, të cilat me ardhjen e Koliqit në atë detyrë, arrijtën gjithsejt 14
vëllime, një vepër kjo me shumë vlerë deri në ditët tona, sipas ekspertëve që i
dinë këto punë shumë më mirë se unë.
Karjera
e Profesor Koliqit prej më shumë se 40-vjetësh është tepër e larmishme dhe
voluminoze në letërsi, publicistikë, poezi e përkthime, për t’u përmendur këtu
në hollësi. Por me këtë rast të
përvjetorit të kalimit të tij në amshim më 15 Janar, 1975 -- për të çuar në
vend amanetin -- dëshiroj të kujtoj Profesor Koliqin, për një rol tepër të
rëndësishëm që ai ka luajtur në historinë e Kombit shqiptar, një rol ky që as
sot nuk i njihet atij sa duhet në historiografinë neokomuniste shqiptare. Nuk më kujtohet që gjatë bisedave të
kufizuara që kam pasur me të, të fliste për këtë aktivitet aq të rëndësishëm të
jetës së tij dhe të arsimit mbarëkombëtar shqiptar, por të bashkpuntorë dhe
bashkohas të tij, por edeh të tjerë më vonë, pas shembjes së komunizmit, nuk
kanë munguar të theksojnë këtë kontribut historik të tij – hapjen e qindra
shkollave shqipe dhe dërgimin e qindra mësuesëve në Kosovë dhe anë e mbanë
trojeve shqiptare.
Dr.
Rexhep Krasniqi, një bashk-kohas i Profesorit ka shkruar në lidhje me këtë
aktivitet të Profesor Koliqit gjatë viteve 1941-1944. Dr. Krasniqi kujton se, gjatë vitit shkollor,
1941-42, si Titullar i Arsimit, Koliqi dërgon në Kosovë rreth 200 mësues e
mësuese. Me këtë rast u hapën një numër
bajagi i madh bursash, sipas tij, “Ndërsa më në fund erdhi çasti historik i
hapjes së shkollës së parë të plotë të mesme në gjuhën shqipe, më 12 dhjetor
1941”, në Prishtinë. Këto shkolla,
shkruante Rexhep Krasniqi, në një artikull botuar në Shëjzat, u bënë baza me
rëndësi për zhvillimin dhe përparimin e gjërë dhe të shumëanshëm të arsimit dhe
kulturës shqiptare në ish-Jugosllavi.
Ndërsa
Tahir Zajmi,i lindur në Gjakovë dhe një tjetër bashkohas i Koliqit dhe sekretar
i Bajram Currit dhe njëri prej themeluesve dhe drejtuesve të Lidhjes së Dytë të
Prizrenit, në një shkrim në vitin 1972, ka vlerësuar kështu rolin e Ernest
Koliqit në përhapjen e arsimit në Kosovë dhe në trojet shqiptare:”Fitim i madh
për Kosovë kje hapja dhe funksionimi i shkollave shqipe të cilat qyshë atëherë
veprojnë e lulëzojnë të kërthensta dhe me një ritëm të shpejt dhe të pandalshëm
i falin Kombit pionerë të rijë që do të
jenë garancia më e shëndosh dhe uzdaja e së ardhmes së Atdheut. E merita
kryesore e kësaj veprimtarie patriotike të qeverisë shqiptare, pa dyshim i
përket Ministrit të Arsimit të asaj kohe, Profesor Ernest Koliqit, i cili me
vullnetin dhe me shpirtin prej idealisti, nuk kurseu energjitë e tij dhe as
mjetet shtetënore që kishte në dispozicion për ta pajisur sa më mirë aparatin
arsimuer në viset e çlirueme, me elementë të shëndoshë që i dhanë hov e
gjallëni shkollës shqipe. E sot, për fatin e bardhë të Kombit, ashtë formue
atje një rini dinamike e cila në çdo fushë aktiviteti kombëtar e shtetënor po
përgatitet e po forcohet për ta lumnue fatin e vendit në të ardhmen. Pra, me
shumë arsye Ernest koliqi zen një vend të naltë ndër zemrat e dashamirëve të
Kosovës e njëherit edhe në historinë e përpjekjeve për lartësimin kulturor të
saj”, ka shkruar Tahir Zajmi për rolin e Koliqit në përhapjen e arsimit shqip
në Kosovë në vitet 1941-1944.
Me
rastin e vdekjes së Profesor Koliqit, Dr. Ago Agaj nga Vlora me origjinë, edhe
ky një shërbestar i Shqipërisë Etnike dhe njëri prej të pareve në Kosovë në
vitin 1941, kishte kujtuar rolin e Koliqit në hapjen e shkollave shqipe: “Në
hidhërimin tonë nuk duhet të harrojmë se Aji qe fatbardhë në jetë e në vdekje.
Shumë njerëz janë përpjekur me zell për një qëllim të lartë e të mirë, por pak
janë ata që patën fatin të shohën farën e mbjellë gjatë jetës përhera duke u
rritur e përparuar. Ernest Koliqi e pati ketë fat. Dardanët në Kosovë e
Maqedhoni, farën që mbolli Ky, e kultivuan me zell të madh e zotësi të pashoqe
dhe arrijtën në një shkallë arsimi e cila gëzon e krenon të gjitha zemërat
shqiptare kudo që janë dhe – natyrisht, atë të Ernestit, ca më shumë. Ai ishte
një ndër më të mirët që kemi pasur gjer më sot, veçse ai mbillte ushqim për
shpirt e mendje të Kombit”, është shprehur Ago Agaj.
Ndërsa
një prej adhuruesve i ditëve tona i Ernest Koliqit, në një postim në faqën e
tij të internetit këto ditë, Z. Flamur Gashi, Këshilltari për Çështjet e
Rajonit i Presidentit të Republikës së Shqipërisë, SH. T. Z. Ilir Meta, kujton
burrërisht Ernest Koliqin, “Në mirënjohje të thellë dhe kujtim të atij që
mundësoi hapjen e shkollave shqipe në Kosovë dhe trojet e tjera
shqiptare”. Z. Gashi shënon mëtej se,
“Në vitin shkollor 1941-1942 u hapën 173 shkolla fillore, 3 të mesme dhe disa
gjimnaze të ulëta. Ndërsa në nëntor të vitit 1941 u hap Shkolla Normale e
Prishtinës”. Këshilltari i Presidentit
për Çështjet e Rajonit flet me shifra duke theksuar se, “Në fillim, në këtë
mision u angazhuan 80 mësues. Ky numër më vonë arriti në 264, ndërsa në vitin
1943-44, ky numër u rrit në 400...ndërsa këtë vit shkollor e ndiqnin mbi 25
mijë nxënës”, nënvijon Z. Gashi. Këto
shkolla, shkruan ai në portalin e tij, “U bënë vatra të diturisë dhe
atdhedashurisë”, ndërkohë që Ernest Koliqi, për këtë mision të jashtzakonshëm
kishte ngarkuar intelektualin dhe pedagogun gjirokastrit, Ali Hashorva, kujton
Flamur Gashi, duke thënë se, “Ishte ky mision arsimor, atdhetar e vizionar që
mishëronte programin e madh të rilindjes Kombëtare, përhapjen e diturisë e
përparimit, zgjimin dhe ngritjen e ndërgjegjës kombëtare”, përfundon Këshilltari
i Presidentit Ilir Meta, në kujtimin që i kushton në faqën e tij të internetit,
Ernest Koliqit, në përvjetorin e vdekjes së tij më 15 Janar, 1975.
Megjithëse,
zyrtarisht i përjashtuar dhe i harruar nga historiografia dhe letërsia shqipe
nga regjimi komunist e deri diku mund të thuhet deri në ditët e sotëme,
Profesor Ernest Koliqi ishte i vetdijshëm për efektet pozitive afatgjata të
punës së tij të palodhëshme dhe veprës së tij patriotike në dobi të Kombit të
vet – por edhe i lënduar për mos njohjen e këtij kontributi nga bashk
atdhetarët e vet. Në një letër që Koliqi
i ka dërguar mikut të vet, Karl Gurakuqit e datës 3 dhjetor, 1960, me rastin e
Ditës së Pavarësisës së Shqipërisë: “Karl i dashtun, të falem nderit për fjalët
që më drejton me rasën e 28 Nandorit dhe për urimet që më ban. Ti ma parë se
unë, mandej unë pak ma vonë, jemi përpjekë, me mendje të ndritun e pa mburrje
qesharake, si disa, për nji zhvillim shpirtnuer të popullit shqiptar. Në vend të nji shpërblimi të merituem mbas
djersës e mundit të derdhun, patme shpifje, të shame e përçmime. Në fund edhe
mbetme pa Atdhe, për të cilin lodhem trutë e pësuem ngashrim shpirtit. Ani:
puna që kryejmë e ka shpërblimin në vetvete dhe në kuptimin e disa dashamirëvet
të pakët. S’pres kurrgja të mirë nga masa e shqiptarëvet të sotshëm, por
shpresoj se trashëgimia letrare qi lam pas vehtes ka me u njoftë si tharm
rilindje, breznive t’ardhshme”, ka shkruar Koliqi.
Unë,
dhe shpresoj të gjithë ata “dashamirës të paktë” të tij, të cilëve iu referohej
Koliqi në letrën dërguar mikut të tij Karl Gurakuqit, e kujtojmë sot këtë burrë
të madh të Kombit, me bindje të plotë se vepra e tij patriotike dhe e
bashkpuntorëve të tij në Kosovë në vitet 1941-1944, ka shërbyer -- gjatë
dekadave të vështira që pasuan në Kosovë dhe në trojet shqiptare pas Luftës së
dytë botërore -- si “tharm rilindjeje”
që çoi, më në fund, në atë që sot e njohim si Republika e Kosovës, shtet i
lirë, i pavarur dhe demokratik.
*Fotot janë marrë nga libri përkujtimor kushtuar Profesor
Ernest Koliqit, botuar në përvjetorin e parë të vdekjes.