Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: 'Gypat' që ndalojnë vendosjen e shtatores së Anton Çetës në Prishtinë
E diele, 05.01.2020, 08:14 PM
“GYPAT” QË NDALOJNË VENDOSJEN E SHTATORES SË ANTON ÇETËS NË PRISHTINË
O
Zot, mos na korit më shumë se tri herë në ditë!
Nga
Frank Shkreli
Me
3 Janar, 1920 ka lindur në Gjakovë, Anton Çeta, profesori, shkrimtari dhe
patrioti i shquar i Kombit shqiptar, si njeriu, i cili përveç kontributeve të
shumta në fushën e albanologjisë, letërsisë dhe kulturës shqiptare në
përgjithësi -- ai duke shtrirë dorën e pajtimit, ka pajtuar me mijëra familje
në hasmëri, jo vetëm në Kosovë por edhe në diasporë. Njerëz të penës që e kanë njohur dhe kanë
bashkpunuar me Profesor Anton Çetën, si dhe media të ndryshme në Kosovë, kanë
kujtuar me këtë rast, kontributin e madh të tij, në shënim të 100-vjetorit të
lindjes së “plakut të urtë”, siç e njihte populli.
As
udhëheqsit e Kosovës nuk munguan të kujtonin Profesor Anton Çetën me rastin e
100-vjetorit të lindjes. Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi tha
me këtë rast se,“Para një shekulli u lind Anton Çetta, njeriu që do mbetet në
historinë e kombit tonë për kontributin e jashtëzakonshëm në mbledhjen e
folklorit shqiptar në Kosovë, duke e bërë të pavdekshëm këtë thesar të kulturës
sonë shpirtërore. Ai do mbahet mend
përjetë si njeri i urtë, i mençur, humanist dhe kontribues i shërimit të
plagëve të gjakmarrjes në fillim të viteve të dekadës së fundit të shekullit
njëzet. Kombi ynë do të mburret për jetë
dhe mot me figurën e albanologut Anton Çeta. HTH”, është
shprehur
presidenti Thaçi. Ndërsa në 100 vjetorin
e lindjes së njeriut të paqës, siç e quan ai, Anton Çetën, kryetari i Lidhjes
Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa bëri këtë koment për media: “Në 100
vjetorin e lindjes, kujtojmë sot shkrimtarin, folkloristin dhe patriotin
shqiptar, i cili, mision jetësor e kishte paqën. Anton Çeta punoi pareshtur për pajtimin e
gjaqeve mes shqiptarëve si kryetar i Këshillit Qendror të Lëvizjes Kombëtare
për Pajtimin e Gjaqeve…Anton Çeta dhe shumë veprimtarë të tjerë janë
udhërrëfyes për gjithë historinë tonë, se si punohet për atdheun”, përfundon Z.
Mustafa shënimin e tij, me rastin e 100-vjetorit të lindjes së Anton Çetës.
Ndërkohë,
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në kujtimin e
tij, thekosi se Anton Çeta ishte diçka më tepër se pajtues gjaqesh, ai ishte
“Unifikuesi në lëvizjen për liri e pavarësi” të vendit, duke shtuar se,
“Iluministi atdhetar, Anton Çeta, përmes bashkimit e pajtimit të popullit
shqiptar, ia doli që me lëvizjen e tij ta shkëpusë shoqërinë tonë nga epoka e
gjakmarrjes për ta unifikuar në lëvizjen për liri e pavarësi. Kujtimi për unifikuesin shqiptar, pajtimtarin
e mijëra gjaqeve dhe humanistin e madh, nuk është zbehur as pas 24 vjetësh nga
vdekja e tij. Angazhimi i tij me peshë historike do të jetë frymëzues për
brezat”, është shprehur Haradinaj.
Përball
këtyre vlerësimeve për kontributet e çmuara kombëtare të Anton Çetës nga
udhëheqsit më të lartë të Kosovës, si është e mundur, atëherë, që njëkohësisht
zhvillohet një debat i ashpër, sipas disa mediave në Kosovë, për vendosjen ose
jo të shtatores së Anton Çetës në oborrin e Institutit Albanologjik në këtë
përvjetor të lindjes së tij, aty ku ishte paraparë fillimisht të vendosej. Është ky një debat i ashpër mospajtimi për
vendosjen e shtatores kushtuar Pajtuesit më të madh në historinë e
shqiptarëve! Sipas medias vendore,
kundër vendosjes së shtatores së Anton Çetës në oborrin e Institutit
Albanologjik, na qenka vet ky institut – anëtar i të cilit ishte dikur Anton
Çeta -- nepërmjet kryetarit të tij, Hysen Matoshi, i cili është shprehur se
oborri i këtij instituti nuk është i përshtatëshëm për shtatoren e Anton Çetës,
sepse “Aty kalojnë gypa të sistemit të ngrohjes dhe kanalizimit”. Në oborrin e
këtij institucioni nuk ka hapësirë për një shtatore”, ka deklaruar,
vendosmërisht, kryetari i Institutit Albanologjik të Kosovës, Hysen Matoshi, në
emisionin “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjin. Mediat vendore lënë të kuptohet gjithashtu se
kjo nuk është çështje “gypash”, por diçka tjetër. Ky qendrim i Hysen Matoshit nuk duket i
sinqert përball faktit se, sipas disa mediave, jo vetëm Instituti Albanologjik
i Kosovës që kryeson Z. Matoshi, por as institucionet e tjera shtetërore nuk
kanë organizuar asnjë aktivitet përkujtimor në 100-vjetorin jubilar të lindjes
së Anton Çetës. Duket se çështja e
vendosjes ose jo e shtatores së Anton Çetës në Prishtinë, të jetë më shumë një
çështje rrypash se sa gypash!
Për
mosmarrëveshjet se ku dhe nëse do të gjëndet një vend për shtatoren e Anton
Çetës foli edhe Kryetari i Bashkisë së Prishtinës, Shpend Ahmeti, i cili pasi
përmendi 100-vjetorin e lindjes së, “njeriut i cili arriti që me veprat e tij
të përqafojë një popull të tërë, veprimtarin e njohur, Anton Çetta”, aludoi tek
mospajtimet në lidhje me (mos)vendosjen e shtatores, duke thënë se,“Të gjithë
sigurisht se keni dëgjuar për mospajtimet rreth lokacionit potencial të
shtatores se Anton Çettës, por kjo nuk është temë sot”, është shprehur Shpend
Ahmeti.
Ndonëse
Kyretari i Bashkisë së Prishtinës premtoi se do të gjëndet një zgjidhje për
vendosjen diku të shtatores së Anton Çetës, (e cila është përfunduar më shumë
se një vit më parë dhe pret e mbyllur në atelienë e skulptorit që e realizoi,
Z. Agon Qosa) kjo situatë të sjellë në mend edhe dramën e shtëpisë-muze të At
Gjergj Fishtës në Shqipëri, ku janë dhënë herë premtime e herë justifikime se
pse nuk mund të rinovohet shtëpia-muze e Fishtës, për pothuaj 30-vjet
tashti. Në atë rast, ishte i qartë mos
vullneti i autoriteteve më të larta të shtetit shqiptar që kanë qenë kundër
rinovimit të shtëpisë muze të Fishtës (megjithse, kohët e fundit, edhe atje
është premtua se do të rinovohet shtëpia-muze ku ka jetuar Poeti
Kombëtar). Shohim! Por, në rastin e Anton Çetës nuk më duket të
jetë i njëjti paragjykim nga autoritetet më të larta të Kosovës ndaj pajtuesit
të Kombit, Anton Çetës, siç dëshmojnë edhe deklaratat e tyre më lartë, me
rastin e 100-vjetorit të lindjes së Pajtuersit të Kombit. Pasi ishte Agjencia për Menaxhimin e
Komplekseve Memoriale që e ka financuar shtatoren e përfunduar të Anton Çetës,
me paratë e taksa-paguesve të Republikës së Kosovës.
Prandaj
është vështirë që në këtë 100-vjetor të lindjes, të merret me mend se pse
shtatorja e Anton Çetës –shqiptarit të madh, i cili, sipas bashkpuntorit të tij
të ngushtë, Prof. Zekeria Canës, punoi aq shumë që gishtin e krimit ta
zevendësojë me dorën e pajtimit ndër shqiptarët-- vazhdon të jetë e mbyllur në
atelienë e skulptorit Agon Qosa, në pritje të një vendimi se kur dhe ku do të
vendoset.
Pa
ditur saktësisht se cilat janë arsyet për mos vendosjen e shtatores së Anton
Çetës në oborrin e Institutit Albanologjik ose diku tjetër, në 100-vjetorin e
lindjes, unë jam dakort se një zvarritje e tillë, sidomos, pa një deklaratë
transparente nga autoritetet se pse nuk ka ndodhur një gjë e tillë, pajtohem me
çfarë tha Riza Krasniqi nga Këshilli Organizativ për Vendosjen e Shtatores së
Anton Çetës para Institutit Albanologjik.
Z. Krasniqi e cilësoi Profesor Anton Çetën, një, “Ndër njerëzit më të
shenjtë që ka kombi ynë”, dhe shtoi se është, “Turp për ne që në 100-vjetorin e
lindjes së Anton Çetës të mos kemi një komplet të veprave të tij e as
shtatore”.
Sipas
medias në Kosovë, duket se edhe reagimet e publikut kanë qenë gjithashtu mjaft
të ashpra dhe kritike ndaj mos vendosjes së shtatores së Anton Çetës, në këtë
përvjetor. Jam në pajtim gjithashtu edhe
me Kryetarin e Bashkisë së Prishtinës, Shpend Ahmeti, i cili me rastin e
100-vjetorit të lindjes së Anton Çetës u angazhua që, “të zotohemi, të punojmë
e të shpresojmë për sa më pak hasmëri në mes të shqiptarëve e sa më pak hasmëri
në mes të qytetarëve të Republikës së Kosovës”.
Në këtë 100-vjetor të lindjes së tij, Anton Çeta nuk do të dëshironte
asgjë më pak, as më shumë se kaq. Z.
Kryebashkiak, nëqoftse je i sinqert për këtë angazhim, atëherë gjëje vendin e
denjë ku të vendoset shtatorja e Anton Çetës.
Këtë mospajtim, rreth vendit për vendosjen e shtatores së tij në
100-vjetorin e lindjes së tij, Anton Çeta do ta konsideronte si një pajtim të
munguar!
O
Zot, mos na korit më shumë se tri herë në ditë!
Shtatorja
e Anton Çetës e përfunduar, pret për tu vendosur diku. Ashtu dinjitoze, siç ai ishte edhe në jetë,
pret -- me durim, duke bërë thirrje pa zemërim, për pajtim -- në atelienë e
skulptorit që e realizoi, Z. Agon Qosa nga qyteti Ferizaj
Tubimi
tek Verrrat e Llukës në Maj të vitit 1990 ku morën pjesë rreth një gjysëm
milion shqiptarë, përfshirë Heroin e Kombit, Adem Jashari, siç mund të shihet
në këtë fotografi
Anton
Çeta me Prof. Zekeria Canën dhe Lush Gjergjin: “Synimi ishte i qartë: mposhtja
dhe çrrënjosja e gjakmarrjes një herë e përgjithmonë, si parakusht qenësor për
paqe dhe pajtim, për liri dhe demokraci, për një të tashme dhe ardhmëri më
fatbardhë” (Lush Gjergji).
Konsiderohet
si tubimi më i madh në historinë e popullit shqiptar, me rreth gjysëm milioni
pjesëmarrës. “Pranvera e madhe e vitit 1990, me Pajtimin e Gjaqeve, me Shoqatën
Humanitare Bamirëse të Kosovës “Nëna Terezë”, me Luftën kundër Analfabetizmit,
që shprehej me krijimin e sistemit paralel shkollor dhe shëndetësor, kishte
vetëm një Protagonist: Popullin Shqiptar.
Një Prijës dhe Frymëzues: Prof. Anton Çetën. Një qëllim dhe përcaktim: takimin, afrimin
dhe bashkimin e mbarë popullit rreth një ideali: LIRISË DHE PAVARËSISË”. (Lush
Gjergji, bashkpuntor i ngushtë i Anton Çetës)
Presidenti
historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova me Prof. Anton Çetën dhe Prof Zekeria
Canën në kryeqendrën e LDK-së, circa 1992