Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë solidarizohet me Agron Tufën
E enjte, 30.01.2020, 08:00 PM
SHOQATA E SHKRIMTARËVE SHQIPTARO-AMERIKANË SOLIDARIZOHET ME AGRON TUFËN
Nga
Frank Shkreli
Kanë
kaluar pothuaj dy muaj nga koha që Agron Tufa, shkrimtar, poet, publicist dhe
ish-Drejtor i Institutit për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit në
Shqipëri, kërkoi strehim politik në një vend të Evropës, për shkak të
kërcënimeve të shumta ndaj tij, si rrjedhim i veprimtarisë së tij për
denoncimin e krimeve të komunizmit – kërcënime këto ndaj sigurisë dhe jetës së
tij dhe ndaj familjes së tij, gjë që ai ka denoncuar në Shqipëri dhe jashtë
Shqipërisë. Për rastin e Agron Tufës dhe
familjes së tij, kam shkruar më heret, si një rast tragjik që tregon se
Shqipëria e sotëme nuk dëshiron të ballafaqohet me të kaluarën e saj komuniste
as të reflektojë për krimet e asaj periudhe.
E them këtë me –rastin e 75-vjetorit të çlirimit të kampit nazist në
Auschwitz, një shembull nga i cili mund të mësojmë po të duam –një rast ky që
mbarë bota e kujtojë si një përvjetor reflektimi dhe betimi që ato krime të mos
ndodhin kurrë më! Deutsche Welle
përmendi me këtë rast se si nipi i Rudolf Hess, komandanti të kampit të
Auschwitz-it, Rainer Hess po përballet sot me të kaluarën e familjes së
tij. Rainer Hess rrëfen historinë e
tmershme të familjes së tij dhe flet se si tani ai po angazhohet në edukimin e
brezave të rinjë, me qëllim që ata të mësojnë nga ajo e kaluar e tmershme dhe tragjike.
Vërtetë
është tragjik fakti që në Shqipërinë e 30-vjet pas shëmbjes së komunizmit në
Evropë, një shkrimtar i njohur, njëkohësisht edhe një zyrtar shteti, i cili
kryesonte një ent shtetëror, i krijuar në bazë të një ligji të Kuvendit të
Shqipërisë me mandatin që të, “Evidentojë personat, që kanë qenë pjesë e
organeve apo autoriteteve vendimmarrëse, përgjegjëse për propagandën komuniste,
për aktet administrative dhe vendimet, të cilat kanë çuar, në mënyrë të
drejtpërdrejtë a të tërthortë, në veprime represioni, në jetën shoqërore dhe
kulturore, përfshirë luftën e klasave, kolektivizimin, luftën kundër fesë,
izolimin nga Perëndimi, pamundësinë për t’u informuar dhe censurën në art,
kulturë e shkencë, si dhe kufizimin e furnizimit me ushqime, përmes tallonave
të ushqimit”. Dhe për të gjitha këto me
mandatain për të, “vërë në dijeni publikun për krimet dhe rrjedhojat e tjera të
luftës së klasave”.
Për
kryerjen e detyrës së tij me përgjegjësi morale, politike dhe akademike,
ish-Drejtori i Institutit për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit në
Shqipëri, Agron Tufa dhe familja e tij kërcënohen fizikisht, madje edhe nga
persona në detyra përfaqsuese të shtetit shqiptar – në një përpjekje që mund të
quhet zyrtare, për ta hequr qafe dhe për t’i mbyllur gojën Agron Tufës, por
edhe për të frikësuar të tjerët, nëqoftse përpiqen të prekin atje ku nuk duhet.
Analistët,
brenda dhe jashtë Shqipërisë, e kanë shikuar rastin e Agron Tufës si një vendim
të qartë se Shqipëria, jo vetëm nuk e ka në mend të ballafaqohet me të kaluarën
komuniste, por vendimi i vështirë i Agron Tufës për të kërkuar azil politik në
Evropë, pasqyron gjithashtu edhe gjëndjen e vështirë në të cilën gjëndet liria
e fjalës dhe liria e shtypit, por edhe të drejtat e njeriut në përgjithësi, në
Shqipëri. Për këto dy fakte nuk është
për tu çuditur, pasi në Shqipëri është treguar shumë pak entuziazëm për tu
ballafaquar me të kaluarën dhe liria e shtypit ka qenë gjithmonë nën presion
zyrtar, sidomos aktualisht gjëndet përball “paketës anti-shpifje”, ligjit të
qeverisë Rama, i cili sipas analistëve të mbrendëshëm dhe të jashtëm, kufizon
qartë lirinë e shtypit dhe fjalën e lirë dhe cenon rëndë të drejtat bazë të
njeriut në Shqipëri.
Por
gjëja që habit vërejtësit, ishte dhe vazhdon të jetë heshtja e autoriteteve
shqiptare si dhe mungesa e reagimeve nga ente të tjera shqiptare, përfshirë
edhe penat e njohura të botës shqiptare -- se një shkrimtar i njohur si Agron
Tufa detyrohet të largohet nga vendi për të kërkuar azil politik në Evropë, i
kërcënuar me jetë, është diçka që duhej të shqetësonte të gjithë ata që ia duan
të mirën Shqipërisë, por edhe ata që çmojnë jetën e njeriut si të shënjtë dhe që
duan lirinë për veten dhe për të tjerët.
Për ndryshe, në çfarë vlerash morale dhe të drejtash demokratike besojmë
ne si komb, nëqoftse nuk solidarizohemi me fatin e Agron Tufës!?
Unë
nuk e kuptoj këtë mungesë reagimi ndaj shkeljes flagrante të të drejtave të
njeriut, përfshir një pjesë të madhe të medias shqiptare, megjithëse kërcënimet
ndaj Agron Tufës, si rrjedhim i denoncimit të tij i krimeve të komunizmit,
është në të vërtetë një kërcënim dhe sulm serioz ndaj ushtrimit të fjalës së
lirë dhe lirisë së shtypit për të gjithë.
Jo
se kanë munguar krejtësisht fjalët në mbështetje të Agron Tufës, por e vërteta
është se nuk kanë qenë të mjaftueshme për të shprehur zemërimin e nevojshëm
ndaj një mase të tillë ekstreme për një njeri të njohur të letrave. Largimin,
detyrimisht, të Agron Tufës nga Shqipëria -- si pasojë e kërcënimeve dhe
frikësimeve nga njerëz në nivele të larta përgjegjësie—ma kujtojë një njoftim
që më erdhi në postën elektronike nga Shoqata e Shkrimtarëve
Shqiptaro-Amerikanë, për një aktivitet që do të mbahet këtë fund jave, me 1
Shkurt, 2020 në Kolegjin Monroe në Nju Jork, në mbështetje të Agron Tufës. Shoqata në fjalë e cilëson këtë veprimtari si
një, “Akt mbështetjeje dhe solidariteti ndaj kolegut tonë, poetit dhe
shkrimtarit të njohur, Z. Agron Tufa, i cili u detyrua të linte atdheun bashkë
me familjen”, thuhet në njoftim.
Në
njoftimin për komunitetin shqiptar në Amerikë të lëshuar nga Kryesia e Shoqatës
me Kryetar Mhill Velaj shprehet mbështetja e shkrimtarëve shqiptaro-amerikanë
për Agron Tufën si dhe nevoja për të qenë afër Z. Tufa dhe familjes së tij në
këtë kohë të vështirë për ta: “Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë e
shikon një akt të domosdoshëm për t’i qëndruar pranë, të paktën moralisht,
cilitdo shkrimtar që përndiqet, përgjohet, kërcënohet dhe persekutohet për
shkak të detyrës apo pikëpamjeve të tij politike”, thekësohet në njoftimin e
Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë.
Në njoftim thuhet mëtej se, “Ky aktivitet solidariteti do të
përqendrohet në diskutime, lexime tregimesh të shkurtra, si dhe recitime
poezish të zgjedhura, të autorit A. Tufa.
Aktiviteti
do të zhvillohet në adresën:
Monroe
College 2501, Jerome Avenue,
Bronx,
NY, 10458
Kryesia
e Shoqates se Shkrimtareve
Kryetari
Mhill
VELA
Duke vlerësuar aktivitetin e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, që organizohet në fund të kësaj jave në Nju Jork, shqiptarët vullnet mirë kudo gjithnjë bëjnë pyetjen -- edhe dy muaj pasi Agron Tufa u detyrua të kërkonte azil politik në Evropë për arsye të detyrës: Ku është dhe pse heshtë Shteti? Pse heshtë opozita? Pse heshtë media dhe organizatat jo-qeveritare, sidomos ato që merren me mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe të lirisë së fjalës, për një shkrimtar të njohur si Agron Tufa? Kësaj liste mund t’i shtojmë edhe ndërkombëtarët: Ku jeni ju përfaqsues të Perëndimit demokratik në Tiranë që nuk reagoni ndaj një fenomeni të tillë? Ku janë akademikët shqiptarë dhe shkrimtarët e mëdhej, mbrenda dhe jashtë? Nesër mund tu vijë radhe ju që të detyroheni të kërkoni azik politik, nëqoftse në ushtrim të fjalës së lirë ofendoni ndonjë pushtetar! Një papërgjegjësi kjo e tmershme morale dhe kombëtare, jo vetëm në nivelin politik por edhe mbarë shoqëror, kombëtar dhe ndërkombëtar! Të gjithë heshtin përball kërcënimeve me jetë nga elementë të krimit ndaj shtetasve të vet. Për më tepër, ndaj një akademiku dhe një zyrtari të lartë të një enti shtetëror dhe familjes së tij. Deri kur më kështu!
Megjithkëtë,
unë jam i bindur se Agron Tufa nuk do të dorëzohet para kërcënimeve as
frikësimeve, përkundrazi ai do të vazhdojë të dëshmojë edhe më shumë dhe më
lirisht për krimet e komunizmit dhe për ata shërbetorë të atij regjimi që ende
mbajnë detyra të larta në pushtet, madje që bëjnë edhe ligjet në Shqipërinë
“demokratike” dhe në Shqipërinë anëtare të NATO-s, që aspiron të bëhet edhe
anëtare e Bashkimit Evropian. Por çka
është edhe më e rëndësishme është pyetja nëse Agron Tufa dhe të tjerë si ai do
të kenë mbështetjen tonë – sot dhe në të ardhmen -- për guximin dhe
vendosmërinë e tyre për të thënë të vërtetën për atë periudhë të errët të
historisë kombëtare. Urimet e mia
Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë për këtë nismë sa humane aq edhe
kulturore e kombëtare!