Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Amerika uroi Pavarësinë e Kosovës
E merkure, 19.02.2020, 10:29 PM
AMERIKA UROI PAVARËSINË E KOSOVËS
(Me
rastin e 12-vjetorit, 2020)
Nga
Frank Shkreli
20-vjet
pas çlirimit dhe 12 vjet pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, Shtetet e
Bashkuara vazhdojnë të jenë mbështetësi kryesor i integritetit dhe sovranitetit
të Kosovës së pavarur, ndërsa vazhdon angazhimet dhe përpjekjet në nivel
rajonal për një marrëveshje përfundimtare midis Prishtinës dhe Beogradit,
ndërkohë që nivelin ndërkombëtar, Washingtoni lobon gjithnjë për më shumë
njohje të Republikës së Kosovës nga vendet e botës që nuk e kanë njohur
ende. Të gjitha këto me synimin për
anëtarësimin eventual të Republikës së Kosovës në organizmat euro-atlantike dhe
në organizatat kryesore ndërkombëtare, përfshir Organizatën e Kombeve të
Bashkuara.
Në
të vërtetë, duket sikur Shtetet e Bashkuara po bëjnë më shumë në këtë drejtim
se vetë Kosova dhe Shqipëria, marrë së bashku.
Zyrtarët amerikanë të niveleve të ndryshme, kanë theksuar vazhdimisht se
Shtetet e Bashkuara janë mbeten një partner i vendosur i Kosovës dhe kanë
nënvizuar, vazhdimisht, në deklaratat e tyre në Prishtinë dhe në Washington, se
Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të jenë të angazhuara për një Kosovë demokratike,
të bazuar në ligj, tolerante dhe e begatë, që do të bëhet anëtare e plotë e
familjes europiane dhe euro-atlantike, me të drejta dhe përgjegjësi të
barabarta dhe në paqe me fqinjët e saj.
Vazhdimësia
e këti partneriteti, jo aq të zakonshëm në marrdhëniet ndërkombëtare, është
mbështetur gjatë dy dekadave të fundit nga administratat amerikane, demokrate
dhe republikane, pa dallim, si një nga prioritetet e politikës amerikane në
Ballkanin Perëndimor dhe në kontinentin evropian. Administrata republikane e Presidentit Trump
ka caktuar dy përfaqsues të saj, muajt e fundit, për tu marrë me Kosovën. Presidenti amerikan, Donald Trump i ka
dërguar një telegram Presidentit të Kosovës, Z. Hashim Thaçi me rastin e
12-vjetorit të pavarësisë së Kosovës duke shkruar se, “Populli Amerikan dhe unë
së bashku, urojmë të gjithë qytetarët e Kosovës për 12 vjetorin e pavarësisë së
Kosovës. Lidhjet e fuqishme në mes të
Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara janë farkëtuar nga përkushtimi i përbashkët
për bërjen e Kosovës vend sovran, të pavarur, multi-etnik dhe demokratik. E përgëzojmë Kosovën për zgjedhjet
demokratike të muajit tetor dhe mirëpresim angazhimin e vazhdueshëm për të çuar
përpara paqen, drejtësinë dhe prosperitetin për popullin e Kosovës si dhe tërë
rajonin e Ballkanit Perëndimor”, është
shprehur Presidenti Trump në mesazhin e tij me rastin e 12-vjetorit të
pavarësisë së Republikës së Kosovës dhe premtoi se ,”Shtetet e Bashkuara mbesin
të përkushtuara për marrëdhëniet e fuqishme bilaterale, të mbështetura në punën
e vyeshme të popullatës tuaj dinamike dhe në përcaktimin e përhershëm për
vlerat tona të përbashkëta” ka nënvijuar Presidenti i Shteteve të Bashkuara,
Trump.
Në
12-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës edhe Sekretari Amerikan i Shtetit, Mike
Pompeo, uroi me rastin e Ditës së Pavarësisë së Kosovës ndërsa ka thekësuar
rëndësinë që Washingtoni i kushton sovranitetit dhe pavarësisë së Kosovës, duke
thënë se ato janë thelbësore për sigurinë dhe qëndueshmërinë në rajonin e
Ballkanit Perëndimor. Në urimin e tij,
Kryediplomati amerikan shkruan se, “Për më shumë se një dekadë dy vendet tona
kanë gëzuar një partneritet të fortë mbështetur në vlera të përbashkëta. Sovraniteti dhe pavarësia e Kosovës mbeten
thelbësore për sigurinë dhe qëndrueshmërinë e Ballkanit Perëndimor. Shtetet e Bashkuara mbështesin Kosovën në
udhëtimin e saj drejt integrimit në institucionet transatlantike dhe do të
vazhdojnë të punojnë për të forcuar sundimin e ligjit, për të çrrënjosur korrupsionin
dhe për të nxitur përparimin ekonomik për të gjithë qytetarët e Kosovës”, është
shprehur Mike Pompeo në mesazhin e tij.
Z.
Pompeo iu referua edhe zgjedhjeve të fundit në Kosovë, duke thënë se me
formimin e qeverisë së re, Kosova ka një mundësi të re për të realizuar
mundësitë e saj të plota, si për qytetarët ashtu edhe për marrëdhëniet me
vendet fqinje. Ai u shpreh i inkurajuar
nga ngjarjet e fundit, siç duket në reference të dy marrveshjeve të nënshkruara
në Berlin, që sipas tij, “sinjalizojnë
një lëvizje drejt lehtësimit të investimeve, turizmit dhe lidhjeve tregtare dhe
të njerëzve me Serbinë, të cilat paraqesin themelet për përparim të mëtejshëm
në normalizimin gjithëpërfshirës të marrëdhënieve në të ardhmen e afërt”midis
dy vendeve, ka thekësuar Sekretari I Shtetetit, Mike Pompeo në urimin e tij me
rastin e përvjetorit të 12-të të pavarësisë së Kosovës.
Këtë
vazhdimësi të partneritetit historik midis Amerikës dhe Kosovës e theksoi edhe
Partia Demokrate e Shteteve të Bashkuara nepërmjet Kryetarit të Komisionit
Kombëtar të Partisë Demokratike të Shteteve të Bashkuara, Z. Tom Perez, gjë që,
sin ë të kaluarën, tregon qëndrimin e përbashkët të politikës amerikane karshi
Kosovës. “Sot ne bashkohemi me të gjithë shqiptarët anë e mbanë botës, por sidomos
me shqiptaro-amerikanët në Shtetet e Bashkuara, për të festuar pavarësinë e
Kosovës. Ne jemi krenarë për rolin që ka
luajtur Amerika në mbështetje të paqës, begatisë dhe demokracisë në Ballkan
gjatë gjithë shekullit të kaluar.”
“Shtetet
e Bashkuara”, nënvijoi Kryetari i Komisionit Kombëtar të Partisë Demokrate të
Amerikës, “nën udhëheqjen e Presidentit Woodrow Wilson, luajtën rolin kritik në
mbështetje të sovranitetit dhe të integritetit territorial të Shqipërisë. Në vitin 1999, Shtetet e Bashkuara,
suksesshëm, udhëhoqën misionin ushtarak për t’i dhënë fund spastrimit etnik në
Kosovë”, u shpreh, demokrati Tom Perez
Duke
thekësuar mbështetjen për pavarësinë e Kosovës dhe duke u zotuar për ndihmën e
pa kursyer për Republikën e Kosovës në të ardhmen në rrugën si demokracia më e
re në Evropë, Z. Perez përshëndeti me këtë rast edhe komunitetin
shqiptaro-amerikan, i cili tha ai, feston pavarësinë e Kosovës dhe të cilët
kanë punuar aq shumë për të bërë këtë ëndërr realitet. Emigrantët shqiptarë, si shumë të tjerë para
tyre, kanë adaptuar Shtetet e Bashkuara si vendin e tyre dhe kanë dhënë
kontribute të dukëshme komuniteteve anë e mbanë këtij vendi. Duke filluar nga antarët e sindikatave në Nju
Jork e deri tek tregëtitë e vogëla në Miçigen, përfshir artistët frymëzues
shqiptarë, shqiptaro-amerikanët i shtojnë vlera atij mozaiku, që e quajmë
Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me besimin për një vazhdimësi të marrëdhënieve
të forta midis Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës”, është shprehur Kreu i
Komisionit Kombëtar të Partisë Demorkate amerikane, Z. Tom Perez.
Fjalët
e udhëheqësve më të lartë të Shteteve të Bashkuara, përfaqsues të dy partive
politike në Amerikë, me rastin e 12-vjetorit të pavarësisë së Kosovës, janë
tepër miqësore. Angazhimi si edhe
dëshirat e tyre për një zhvillim edhe më të fortë të marrëdhënieve midis
Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara janë gjithashtu të
sinqerta. Por, mbetet për tu parë nëse
udhëheqësit e Kosovës dhe shqiptarët në përgjithësi, përfshësirë Tiranën
zyrtare do të punojnë të bashkuar, jo vetëm me fjalë, por edhe me vepra, drejtë
realizimit të vizionit të hershëm të presidentit historik të Kosovës, Dr.
Ibrahim Rugovës, i cili i dëshironte shqiptarët në përgjithësi si pjesëtarë të
vlerave të përbashkëta me perëndimin dhe Kosovën, "Shtet të pavarur e
sovran, të integruar në strukturat euroatlantike dhe në miqësi të përhershme me
Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.