Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Fuqia e të pafuqishmëve
E enjte, 27.02.2020, 10:05 PM
FUQIA E TË PAFUQISHËMVE
30-vjetori
i vizitës së parë të Vaclav Havel-it në Washington
Nga
Frank Shkreli
Më duket si jo më
larg se dje. Ishte pikërisht 21 Shkurti,
1990, kur ish-Presidenti i Çekosllovakisë, Vaclav Havel për here të parë
vizitoi Washingtonin dhe Zërin e Amerikës.
U prit nga Presidenti i atëhershëm Xhorxh Bush i vjetri dhe mbajti një
fjalim historik para dy dhomave të Kongresit amerikan, një nderim i rradhë që
Kongresi u akordon udhëheqsëve më të dalluar të botës. Vetëm katër muaj më
parë, Vaclav Havel kishte qenë në burg për aktivitete anti-komuniste. Havel ishte i pari udhëheqës i një vendi të
ish-bllokut sovjetik që pritej në Shtëpinë e Bardhë dhe në Kongresin e Shteteve
të Bashkuara, pas shembjes së Murit të Berlinit. Në fjalimin para Kongresit amerikan, Vaclav
Havel, ish-disidenti anti-komunist çek, u foli ligjëvenëse amerikanë për rrugën
e tij të jashtëzakonshme të presidencës së tij duke thënë se, “Kur më arrestuan
më 27 Tetor, unë jetoja në një vend me një qeveri ndër ato regjimet më
konservatore komuniste të Evropës lindore, ndërkohë që shoqëria jonë vuante nën
thembrën e një sistemi totalitar sovjetik.
Sot, më pak se katër muaj më vonë, unë jam duke u folur para jush si
përfaqsues i një vendi që ka vendosur rrugën e vet të pakthyeshme drejt
demokracisë, të një vendi që gëzon plotësisht lirinë e fjalës, një vendi i cili
po përgatitet për zgjedhje të lira dhe një vendi që do të zhvillojë një ekonomi
tregu dhe të ketë politikën e vet të jashtme, të pavarur. Të gjitha këto zhvillime janë shumë të
jashtëzakonshme…”, u tha Presidenti Havel, anëtarëve të Kongresit, në vizitën e
tij të parë në Washington si President i Çekosllovakisë. Çekosllovakia po i
këthehet Evropës, është shprehur ai, por në vend që të kërkonte ndihmë për
vendin e vet, Vaclav Havel i kërkoi Shteteve të Bashkuara që të ndihmonin
Bashkimin Sovjetik, në të njëjtën rrugë, drejtë demokracisë.
“Shpëtimi i botës
nuk gjëndet askund tjetër përveçse në zemrën e njeriut dhe se lufta e ftohtë
duhet të zevëndsohet me një periudhë, në të cilën të gjithë ne, pa dallim -- të
mëdhej e të vegjël -- do të kemi mundësi të krijojmë atë që Presidenti juaj i
madh, Abraham Linkolni e ka cilësuar si, “familjen njerëzore”, është shprehur
Havel, në fjalimin e tij para Kongresit amerikan, 30-vjetë më parë. Fjalimi i
Vaclav Havelit pasqyronte, ndër të tjera, frymën e esesë së tij të famshme
politiko-filozofike, “Fuqia e të Pafuqishëmve”, një artikull i gjatë kritik, ku
trajtohen çështjet shoqërore, politike dhe kulturore të asaj kohe në
Çekosllavaki, por është aktuale edhe sot për cilëndo shoqëri post-komuniste
ose, siç e quan ai shoqëri post-totalitare, në përgjithësi. Në atë ese, dramaturgu Havel shqyrton në
hollësi natyrën e regjimit komunist të asaj kohe, jetën brenda një regjimi të
tillë dhe se si -- për nga vet natyra totalitare e regjimeve të tilla -- nga
qyteteraë të thjeshtë, ato krijojnë disidentë dhe kundërshtarë të
regjimit. Duke thekësuar fuqinë e
qytetarëve të rendomtë, të cilët para një regjimi të tillë totalitar, mund të
konsiderohen si të pafuqishëm, Havel nënvijon, në atë ese, idetë dhe veprimet e
mundëshme për organizmin e komuniteteve dhe individëve të ndryshëm kundër
regjimit, të lidhur me një kauzë të përbashkët, siç ishte rasti i Kartës 77,
një organizatë kjo çekosllovake e të drejtave të njeriut, në kohën e
komunizmit. “Fuqia e të Pafuqishëmve” është në të vërtetë një manifesto që
bënte thirrje për disidencë anti-komuniste në Çekosllovaki e Poloni, por edhe
në vende të tjera me regjime komuniste të asaj kohe.
Se si të
rezistohej sistemi totalitar dhe post-totalitar, ishte një mision që e
preokuponte shumë Vaclav Havelin dhe bashkpuntorët e tij disidentë të asaj
kohe. Për “sistemin post-totalitar”, Vaclav Havel ka shkruar se, “Unë nuk dua
të them se me parashtesën “post”, nënkuptohet se sistemi për të cilin flasim
nuk është më totalitar. Përkundrazi, unë
dua të them se ky sistem (komunist) është totalitar, në një mënyrë që është
krejtësisht i ndryshëm nga diktaturat klasike”.
Biografi i Vaclav Havelit, Xhon Kiinë e përcakton kështu botën
post-totalitare sipas Havelit: “Brenda sistemit, secili individ bie në një
grackë, brenda rrjetit të dendur instrumentash qeveritarë të shtetit…”. Në një sistem të tillë, post-totalitar, ka
shkruar Havel, marrëdhëniet midis të fuqishëmve dhe qytetarëve të thjeshtë –
“mund të cilësohen si një labirint influencash, shtypjesh, frikësimesh dhe
vet-cenzure, që i gëlltit të gjithë brenda tij, ose në minum, një labirint i
tillë i bën njerëzit të heshtin përball paragjykimeve të padëshiruara të
gjithëfuqishëmve”, pushtetarëve totalitarë.
“Sistemi i post totalitarizmit prek njerëzit në çdo hap, por këtë e bën me
dorëzat e tij ideologjike”, ka shkruar Havel.
“Kjo është arsyeja pse jeta në atë sistem është kaq e përshkuar me
hipokrizi dhe gënjeshtra: qeveria me burokraci, quhet qeveri popullore; klasa
punëtore skllavërohet në emër të klasës punëtore; degradimi i plotë i individit
paraqitet si çlirimi i tij përfundimtar; privimi i njerëzve nga informacioni
thuhet se po ua ve në dispozicion informacionin; përdorimi i fuqisë për të
manipuluar, quhet kontrolli publik i pushtetit, dhe abuzimi arbitrar i
pushtetit quhet respektimi i kodit ligjor; shtypja e kulturës, quhet zhvillimi
i saj; zgjërimi i ndikimit perandorak paraqitet si mbështetje për të shtypurit;
mungesa e shprehjes së lirë konsiderohet si forma më e lartë e lirisë;
zgjedhjet qesharake bëhen forma më e lartë e demokracisë; ndalimi i mendimit të
pavarur bëhet më shkencori i pikëpamjeve botërore; okupimi ushtarak bëhet
ndihmë vëllazërore. Për shkak se regjimi është rob i gënjeshtrave të veta, ai
duhet të falsifikojë gjithçka. Post-totalitarizmi, falsifikon të kaluarën. Ai
falsifikon të tashmen dhe falsifikon të ardhmen. Falsifikon statistikat. Pretendon
se nuk posedon një aparat policie të gjithëpushtetshëm dhe joparimor. Ai
pretendon të respektojë të drejtat e njeriut. Pretendon se nuk përndjekë
askënd. Pretendon se nuk ka frikë nga asgjë. Pretendon të mos pretendojë,
asgjë”, ka shkruar Vaclav Havel në esenë, “Fuqia e të pafuqishëmve”, për
sistemet post-totalitare, një ese, që në atë kohë ka shkundur themelet e
komunizmit.
Sidoqoftë, ka
shumë për të shkruar për Vaclav Havelin dhe për idetë e tija politiko-filozofike
kundër totalitarizmit dhe post-totalitarizmit të çfarëdo ngjyre qoftë, për
diçka që unë nuk e konsideroj veten të aftë, por e përmendë këtë ese – me
rastin e 30-vjetorit të vizitës së Vaclav Havelit në Washington –edhe si një
shembulli i qytetarëve çekë, në atë kohë, të cilët, bazuar në idetë
politiko-filozofike të Vaclav Havelit, i treguan botës se “të “pafuqishmit”
mundën të shembënin regjimin totalitar komunist, me mënyra paqësore. Shëmbja e komunizmit nuk është arrijtur lehtë
dhe nuk është realizuar pa përpjekje të mëdha prej dekadash, nga disidentë
anti-komunistë si Vaclav Havel me shokë.
Për këto veprimtari, Vaclav Havel ishte dënuar me burg edhe gjatë vitit
1989, viti i fundit i komunizmit, për të disatën herë. Katër muaj pasi të lirohej nga burgjet
komuniste, në fund të atij viti, dhe pas “Velvet Revolution” ose “Revolucionit
(paqësor) të Kadifesë” në Çekosllovaki që zgjati nga 17 Nëntori deri me 29
Dhjetor,1989 -- Vaclav Havel u zgjodh president i vendit të tij, duke i dhënë
fund një herë e mirë regjimit komunist prej 41 vitesh në Çekosllovaki. Një triumf historik ky si pasojë e
demonstratave popullore dhe i “Fuqisë së të pafuqishëmve” siç e ka cilësuar
Vaclav Havel. Në këtë 30-vjetor të
vizitës në Washington, analiza politiko-filozofike e sistemeve post-totalitare
e Vaclav Havelit është edhe sot më aktuale se kurrë më parë, për cilëndo
shoqëri post-totalitare qoftë, sidomos për disa vende ish-komuniste, të cilat
Haveli do të thoshte se në botën e tyre post-komuniste ose post- totalitare –
madje edhe pas 30-vjet pas shembjes së Murit të Berlinit -- vazhdojnë të
jetojnë, brenda gënjeshtrës komuniste dhe jo brenda të vërtetës historike!
Vizita
e Vaclav Havelit në Zërin e Amerikës, 21 Shkurt, 1990 --
Pas
fjalimit të tij në Kongres, Vaclav Haveli është këthyer në Shtëpinë e Bardhë
për bisedime të tjera politike, ekonomike dhe marrëdhënie lindje-perëndim me
Presidentin Bush, Presidenti Havel kishte vendosur që të mos largohej nga
Washingtoni pa vizituar Zërin e Amerikës për tu takuar me Shërbimin Çekosllovak
të VOA-s dhe me udhëheqsit e lartë të këtij enti. Më kujtohet ajo ditë si të ishte dje. Muri i Berlinit ishte shembur! Vaclav Havel,
udhëheqsi moral dhe disidenti i shquar anti-komunist i Çekosllovakisë, i cili
kryesonte qeverinë e parë të lirë ç’prej vitit 1948, tashti po vizitonte
Uashingtonin, si udhëheqës i ri i atij vendi.
Lajmi se Vaclav Havel dëshironte të vizitonte Shërbimin Çekosllovak të
Zërit të Amerikës, natyrisht, shkaktoi një entuziazëm të paparë deri atëherë në
radhët e gazetarëve çekosllovakë por edhe për ne të tjerëve, pasi më në fund
ishte një realitet historik që vetëm disa muaj më parë as nuk mund të
imagjinohej: Në mesin tonë gjëndej
Vaclav Havel – disidenti i famshëm anti-komunist çek, përkrahësi i të drejtave
të njeriut dhe dramaturgu për të cilin kishim folur aq shumë në programet e
Zerit të Amerikës në të gjitha gjuhët.
Komunizmi kishte renë me të vërtetë — Vaclav Havel gjëndej në
Washington. Për më tepër, ai ishte midis
nesh, po vizitonte Zërin e Amerikës. Dukej
si një ëndërr e pa imagjinueshme.
Vërtetë diçka themelore dhe e papritur kishte ndryshuar në botë.
Komunizmi nuk ishte më!
Pasi
kishte qenë dëgjues i rregulltë i Zërit të Amerikës gjatë luftës së ftohtë, ai
ishte njëri prej përkrahësve më të zellshëm të transmetimeve ndërkombëtare,
sidomos atyre amerikane. Duke iu
drejtuar stafit të Zërit të Amerikës gjatë asaj vizite më 21 Shkurt, 1990, Zoti
Havel tha, “Ju të Zërit të Amerikës na keni informuar të vërtetën, jo vetëm mbi
ngjarjet anë e mbanë botës, por edhe mbi ato që po ndodhnin në vendin tonë nën
komunizëm. Në këtë mënyrë, ju keni
ndihmuar në realizimin e revolucionit tonë anti-komunist paqësor, për të cilin
kemi pritur aq shumë kopër një kohë të gjatë.’’, është shprehur ai, para stafit
të Shërbimit Çekosllovak të Zërit të Amerikës, në vizitën e tij në kryeqendrën
e VOA-s 30-vjet më parë në Washington, më 21 Shkurt, 1990.
Kujtim nga vizita
e parë e Vaclav Havel-it në kryeqëndrën e Zërit të Amerikës, 21 Shkurt, 1990
“Fuqia e të
pafuqishmëve” në veprim! Pragë, 1980