Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Në përkujtim të një dashamirësi të fisit shqiptar
E marte, 21.04.2020, 03:28 PM
NË PËRKUJTIM TË NJË DASHAMIRSI TË FISIT SHQIPTAR
Fishta
dhe Koliqi për Norbert Joklin
Nga
Frank Shkreli
Izraeli
dhe bota hebraike në përgjithësi shënojnë Ditën Përkujtimore të Heronjve dhe të
Martirëve të Holokaustit duke filluar nga mbrëmja e ditës së Hënë të 20 Prillit
e deri të Martën me 21 Prill. Është kjo
një ditë solemne që përkujtohet eliminimi i 6-milionë hebrejve gjatë
Holokaustit.
Fund
javën që kaloi, Qendra e njohur Hebraike në Nju Jork, “The Temple Emanu-El
Streicker Center”, në përgatitje të shënimit të kësaj dite përkujtimore, ftoi
Ambasadoren e Republikës së Shqipërisë pranë Organizatës së Kombeve të
Bashkuara (OKB), Besiana Kadare në shërbimet e ditës së Premte për të folur,
siç thuhet në njoftim, mbi historinë e “pabesueshme dhe kryesisht të pa
njohur”, se si Shqipëria u bë një vend i sigurt strehimi për hebrenjët gjatë
Holokaustit.
Gjatë
fjalimit të saj, Përfaqësuesja e Përhershme dhe fuqi-plotë e Shqipërisë pranë
OKB-së foli për ndihmën që kanë dhënë shqiptarët e rendomtë, pa dallim, për
strehimin dhe shpëtimin e hebrenjve në Shqipëri. Shefja e Misionit të Shqipërisë pranë OKB-së
foli gjithashtu edhe për rolin që kanë luajtur edhe “autoritetet zyrtare” të
qeverisë shqiptare në atë kohë në Tiranë, të cilat, shtoi ajo, kanë refuzuar të
dorëzonin nazistëve listat me emëra hebrenjësh.
Pa përmendur emra konkret, ambasadorja shqiptare foli për “guximin moral
të shqiptarëve”, duke i cilësuar përpjekjet e autoriteteve dhe të shqiptarëve
të thjeshtë për shpëtimin e hebrenjëve në Shqipëri, si një “trashëgimi
qytetërimi dhe një mësim për brezat e ardhëshëm”. Ajo përmendi veçanërisht rolin e ambasadës
shqiptare në Berlin, e cila tha ambasadorja Kadare, në atë kohë, lëshonte viza
për hebrenjtë e kërcënuar nga cilido vend evropian qoftë, gjë që mundësonte
largimin e tyre për në vende të sigurta për ta, përfshir edhe Shqipërinë.
Mund
të jem gabim, por është hera e parë që dëgjoj një zyrtar/e të Shqipërisë
post-komuniste që pranon, duke përmendur rolin që ka luajtur qeveria shqiptare,
ministra dhe përpjekjet e autoriteteve të asaj qeverie në atë kohë, për të bërë
ç’mos që të shpëtonin hebrenjtë nga likuidimi fizik, roli i të cilëve ende
konsiderohet, zyrtarisht, si një tabu në Shqipëri. Është meritë e ambasadores Kadare që të pakën
përemendi megjithëse tërthorazi, por
publikisht, këtë të vërtetë historike.
Është kjo një temë që nuk duhet harruar por duhet kujtuar roli dhe
përpjekjet e autoriteteve shqiptare të asaj periudhe, për hir së vërtetës
historike, por edhe si një “trashëgimi e qytetërimit dhe si një mësim për
brezat e ardhëshëm”, siç u shpreh ambasadorja Kadare. http://www.zemrashqiptare.net/news/52470/frank-shkreli-pse-nuk-permendet-roli-unik-i-kol-bib-mirakes-per-shpetimin-e-hebrenjeve.html
Kemi
të bëjmë me njerëz guximtarë e trima, me personalitete shqiptare të cilët
megjithëse shërbenin në një qeveri mike me Gjermaninë naziste të asaj kohe -- për
shpëtimin e hebrenjve, ata jo vetëm që rrezikuan pozitat që kishin, por mund të
rrezikonin edhe jetën gjatë Hollokaustit, si rezultat i përpjekjeve tyre për të
shpëtuar hebrenjtë nga zhdukja fizike, brenda dhe jashtë Shqipërisë.
Në
Ditën Përkujtimore të Heronjve dhe të Martirëve të Hollokaustit dua të përmend
përpjekjet e Ernest Koliqit dhe të At Gjergj Fishtës për të shpëtuar jetën e
Norbert Joklit, albanologut të njohur austriak, me origjinë hebraike, që
konsiderohet edhe si njëri prej themeluesve të albanalogjisë moderne. Ai vdiq në muajin Maj të vitit 1942, nën
rrethana ende të panjohura, pasi kishte marrë urdhër nga nazistët që të
largohej nga Vjena brenda 30 ditësh. Si
albanolog i njohur, Norbert Jokli gëzonte miqësi dhe mbante lidhje të ngushta
me intelektualët më të njohur shqiptarë të kohës, si At Gjergj Fishta, Ernest
Koliqi, Faik Konica, Aleksandër Xhuvani, e shumë të tjerë. Thuhet se Jokli ishte admirues i madh, ndër
të tjerë i Fishtës, Konicës, Naimit, por edhe i traditës bektashiane. Në shënimet e rreth tij, thuhet se ai njihte
mirë veprat e Jeronim De Radës dhe ishte simpatizues i Koliqit dhe i Dom Lazër
Shantojës, publicistit dhe përkthyesit të veprave të shkrimtarëve të mëdhej
gjermanë, priftit të parë katolik i vrarë nga një skuadër pushkatimi e regjimit
të Enver Hoxhës, në Mars të vitit 1945.
Thuhet se Norbert Jokli vizitoi vetëm njëherë Shqipërinë, me rastin e
25-vjetorit të pavarësisë, me ç’rast u prit me nderime të mëdha dhe iu akordua
çmimi i lartë kombëtar “Urdhni i Skenderbeut”.
Ernest
Koliqi, ish-Ministër i Arsimit ka përshkruar në revistën Shëjzat 1-4 dhe 5-8 të
vitit 1972, shkurtazi, përpjekjet e autoriteteve të atëhershme shqiptare për të
shpëtuar Albanologun e njohur Norbert Joklin, nga “fati mizuer që ia këputi
jetën”, siç shprehet Profesor Koliqi. Si
një provë të këtyre përpjekjeve nga ana e tij dhe të tjerëve për të shpëtuar
jetën e Joklit, ai ka botuar letrën origjinale të Ministrisë së Arsimit që ai
kryesonte dhe me vendim të Këshillit të Ministrave, me qëllim për t’a sjellur
në Shqipëri për t’i shpëtuar atij jetën nga nazistët që i ishin venë pas,
Norbert Jokli emërohet nga Ministria e Arsimit në detyrën si “Organizatuer të
Bibliotekave Shqiptare me 6 tetuer, 1941”, me qëllim për ta larguar atë nga
Vjena për në Shqipëri, për t’i shpëtuar jetën nga nazistët. Mjerisht, shënon Profesor Koliqi, ky emrim i
marrur nga autoritetet shqiptare me qëllim për t’ia kursyer albanologut të madh
vuajtjet dhe mbarimin tragjik, nuk solli rezultatin e dëshiruar. Por kjo tregon, shkruan Koliqi se, “Për mik,
simbas zakonit shqiptar, edhe qeveria e asokohëshme e vendit tonë nuk dreshti
me ia hy nji pune që mund të acaronte marrëdhëniet me ndonji prej autoriteteve
të fuqishme”, të asaj kohe.
Ndërkaq,
ndër të tjerë intelektualë shqiptarë të kohës, përfshir Lasgush Poradecin e të
tjerë që ishin angazhuar për të shpëtuar jetën e albanologut të njohur duke
dashur ta strehonin atë në Shqipëri -- ishte edhe At Gjergj Fishta, i cili në
një letër të datës 23 Shtator, 1939 drejtuar ish ambasadorit të Italisë në
Shqipëri, Franceso Jakomonit, i propozon atij që mundësonte që të sillej në Shqipëri, “Ma i
miri gjuhëtar i gjuhës shqipe në Europë, Profesor Norbert Jokli, me kombsi
çfute, që, para Anshlusit, ishte bibliotekar i Universitetit të Vjenës e profesor
gjuhsije në të njajtin universitet. Tashti, më shkruen prej Vjenet, se
autoritetet lokale i kanë thanë këtij albanologu të shquem që të largohet,
mbrenda 30 ditësh, prej territorit të Raihut”, njofton Gjergj Fishta Jakomonin
Fishta
i shkruan Jakominit se do të ishte fatkeqësi për gjuhën kombëtare shqipe
nëqoftse Norbert Jokli detyrohet të braktisi Evropën dhe i bën thirrje zyrtarit
të lartë italian, “në emën të t’ gjithë intelektualëve shqiptarë”, që të marrë,
“në konsideratë dashamirse këtë propozimin tem” ashtuqë “Shkelqësia e Juej të
mundet me gjetë mundsinë e t’a bajnë me ardhë në Shqipni, tue i caktue aty nji
vend, edhe pse jo aq fitim prues, megjithate të pershtatshëm për famën e tij si
shkenctar e gjuhëtar i shquem”, përfundon At Gjergj Fishta letrën, dërguar
Francesco Jakomonit, në përpjekje për të shpëtuar jetën e mikut të tij të
ngushtë, Norbert Joklit.
Në
Ditën Përkujtimore të Heronjve dhe të Martirëve të Hollokaustit, me përvujtëni
kujtojmë njërin prej më të mëdhejve albanologë, Norbert Joklin dhe miqtë e tij
të kohës -- ndër më të mëdhejt intelektualë shqiptarë -- të cilët megjithë
rreziqet që mund tu kanoseshin, megjithse u munduan ta ndihmonin, fatkeqsisht,
nuk ia dolën ta strehonin atë në Shqipëri dhe as t’ia shpëtonin jetën e mikut
të tyre të shtrenjtë dhe dashamirsit të madh të fisit shqiptar.
Për
hir të vërtetës historike, kujtojmë e nuk harrojmë, por edhe falënderojmë
shqiptarët e rendomtë dhe autoritetet shqiptare të asaj kohe për guyimin dhe
kurajon e tre civile, përbalalë rreziqeve.
Kujtojmë veçanërisht, Norbert Joklin, këtë dashamirës të fisit shqiptar,
për jetën dhe veprën e tij kushtuar gjuhës dhe kulturës dhe historisë së fisit
të lashtë shqiptar.
Kujtojmë
dhe falënderojmë së bashku me Drejtorin e Komisionit Hebraik Amerikan, David
Harris, i cili në deklaratën që bëri dje me rastin e Ditës Përkujtimore të
Heronjve dhe të Martirëve të Hollokaustit u shpreh se, “Ne kujtojmë guximin e
Danimarkës, por edhe të Shqipërisë, Bullgarisë dhe Finlandës, për përpjekjet e
tyre të jashtzakonshme në mbrojtje të komuniteteve të tyre hebraike. Ne kujtojmë shembullin e mijëra Personave të
Drejtë, të cilët rrezikuan edhe jetën e tyre, ashtuqë të tjerët të mund
jetonin”, ka thënë në deklaratën e tij Drejtori i Komisionit Hebraik Amerikan,
David Harris.
Letra
e ish-Ministrit të Arsimit, Ernest Koliqit drejtuar Norbert Joklit