Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Sikur të kishim dëgjuar Presidentin Bush
E merkure, 08.04.2020, 06:38 PM
SIKUR TË KISHIM DËGJUAR ISH-PRESIDENTIN XHORXH BUSH-in E RI
(Për
epideminë e koronavirusit)
Nga
Frank Shkreli
Ishte
viti 2005. Presidenti Xhorxh W. Bush i
riu kishte paralajmëruar se Shtetet e Bashkuara duhej të kishin filluar
përgatitjet për një pandemi të mundëshme gjatë mandatit të tij në Shtëpinë e
Bardhë.
Siç
dihet tani, e gjithë bota qe krejtësisht e papërgatitur për tu përballur me
përhapjen e shpejt të koronavirusit anë e mbanë botës. Ndërsa Amerika dhe mbarë bota gjëndet në
kulmin e përhapjes së koronavirusit dhe të një pandemie me përmasa botërore,
dhe ndërkohë që po kritikohet ashpër qeveria federale, shtetërore dhe vendore
këtu në Shtetet e Bashkuara për mos përgatitjen e tyre për një situatë si kjo
-- në një raport të ditëve të fundit, rrjeti i televizionit kombëtar amerikan,
ABC vuri në dukje, paralajmërimin që kishte bërë pothuaj 15 vjet më parë, ish-Presidenti
Xhorxh Bush i riu, për nevojën e marrjes së masave për t’u përgatitur për një
katastrofë të mundëshme epidemie si kjo që po përjetojmë sot, anë e mbanë
botës.
Z.
Bush e kishte bërë këtë paralajmërim në një fjalim të mbajtur në Institutin Kombëtar
të Shëndetësisë, fjalim në të cilin ai ka nënvijuar nevojën urgjente të
Amerikës për t’u përgatitur në rast të një shpërthimi të një epidemie sëmundje
ngjitëse, në shkallë botërore. “Në këtë
moment, nuk ka një pandemi gripi në Shtetet e Bashkuara as në botë, por
nëqoftse duhet të mësojmë nga historia, atëherë duhet të jemi shumë të
shqetësuar për një mundësi të tillë”, ka thënë Presidenti Bush, në fjalimin e
tij mbajtur në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë, në vitin 2005.
Pandemia
është si një zjarr që përhapet në pyll” ka nenvijuar Presidenti Bush në atë
fjalim, 15-vjetë më parë. “Nëqoftse
hetohet që në fillim, ka mundësi të shuhet zjarri para se të shkaktojë ndonjë
dëm të madh. Por, nëqoftse lejohet të
përhapet pa e diktuar, atëherë zjarri mund të këthehet në një ferr të vërtetë,
që nuk mund të kontrollohet dot.” Sipas
ish-zyrtarëve të Presidentit Bush, me të cilët kishte folur ditët e fundit
televizioni ABC në lidhje me paralajmërimin e ish-presidentit, Z. Bush, ai
ishte i bindur se vendi duhej të ishte shumë më i përgatitur se ç’ishte në atë
kohë, për një pandemi të mundëshme, pasi, siç thanë ata ai kishte lexuar një
libër mbi gripin spanjoll të vitit 1918.
Ish
këshilltarja e Presidentit Bush për Sigurinë e Atdheut, Fran Townsend, citohet
se Z. Bush kishte thënë se, “Një pandemi, si pandemia spanjolle, ndodhë çdo
100-vjetë, prandaj kemi nevojë për një strategji kombëtare”, për tu përballur
me një mundësi të tillë, është shprehur Presidenti Bush. Ndërsa ish-këshilltari Karl Rove u shpreh se,
sado të frikëshme dhe shqetësuese që ishin informacionet në lidhje me luftën
kundër terrorizmit, në atë kohë, asgjë nuk mund të krahasohej me diskutimet që
zhvilloheshin në Shtëpinë e Bardhë në lidhje me mundësinë e përhapjes së një
pandemie në Amerikë dhe në botë.
Sipas
rrjetit të televizionit amerikan ABC, Presidenti Bush e kishte paraparë
situatën në të cilën gjënden sot Shtetet e Bashkuara dhe bota, si pasojë e
koronavirusit – me mungesë furnizimesh mjekësore, përfshir maskat,
ventilatorët, tejet të nevojshme këto për të luftuar koronavirusin
Covid-19. Thuhet se Presidenti Bush,
ishte aq i bindur se Shtetet e Bashkuara duhej të ishin më të përgatitura për
një fatkeqësi të tillë si koronavirusi sot, sa që propozoi një buxhet prej 7
miliardë dollarësh për këtë qëllim, por sipas ish-ndihmësve të tij, në atë kohë
në Washington nuk ekzistonte një mbështetje serioze e nevojshme që projekti i
Presidentit Bush të realizohej në nivel kombëtar. Paralajmërimi i tij që vendi të përgatitej
për një epidemi si kjo me të cilën përballet sot bota, ra në veshë të
shurdhër. Megjithëkëtë, sipas raportit
të televizionit ABC, Presidenti Bush bëri plane ambicioze për financimin e
teknologjive të reja për të zhvilluar vaksina të reja dhe për fabrikimin e
mjeteve të tjera të nevojshme. Por,
sipas ABC, megjithë gatishmërinë e Presidentit Bush për të shtuar përgatitjet e
Amerikës për t’u përballur me kërcënimin e një pandemie të mundëshme dhe për të
financuar nisma të reja në këtë fushë – prioritetet e politikës amerikane për
tu marrë me kriza të tjera botërore të asaj kohe, bëri që kjo nismë të hidhej
në harresë, megjithë këmbënguljen e Presidentit Bush, për të përgatitur vendin
për një krizë shëndetësore, si koronavirusi – 15-vjet pas paralajmërimit të
tij. Shumë analistë dhe ekspertë
amerikanë thonë se Shtetet e Bashkuara ishin krejtësisht të papërgatitura dhe
se duhej të ishin më të përgatitura për tu përballur sot me një pandemi kaq
serioze, si koronavirusi.
Duke
lexuar raportin e televizionit amerikan ABC në lidhje me paralajmërimin e
Presidentit Xhorxh Bush, të vitit 2005, se Shtetet e Bashkuara nuk ishin të
përgatitura për të luftuar një pandemi të mundëshme dhe se diçka duhej të bëhej
në këtë drejtim -- është e pamundur të mos bëjmë pyetjen nëse Shtetet e
Bashkuara do të ishin në gjëndje shumë më të mirë për t’u përballur sot me
koronavirusin – sikur të ishte marrë seriozisht paralajmërimi i Presidentit
Xhorxh W. Bush, se Shtetet e Bashkuara duhej të përgatiteshin, me kohë, për një
pandemi të tillë. Sikur të ishte realizuar
projekti i Presidentit Bush i vitit 2005, a do të kishim (deri tani) pothuaj
350.000 amerikanë të prekur nga koronavirusi dhe afër 10.000 të vdekur, shifra
këto sipas, Universitetit John Hopkins. Eh, sikur…
Thonë
se udhëheqsit e mirë dallohen në kohë të vështira dhe kur mund të parashikojnë
gjërat para se të ndodhin dhe të cilët u prijnë politikave dhe përpjekjeve
qeveritare për të parandaluar të keqen.
Ja e keqja e një pandemie të mundëshme, për të cilën kishte paralajmëruar
ish-Presidenti Xhorxh Bush ndodhi, duke prekur jo vetëm Amerikën por mbi 182
shtete anë e mbanë botës, me pasoja tronditëse, jo vetëm për jetën dhe
shëndetin e njerëzve, por edhe për të ardhmen ekonomike të botës. Ndodhi çfarë ndodhi dhe me ndihmën e Zotit
edhe kjo do të kalojë. Dritat nuk do të
fikën anë e mbanë Evropës, siç kishte paralajmëruar ish-Sekretari i Jashtëm
britanik, Edward Grey, në fillim të Luftës së Parë Botërore. Koronavirusi do të ndryshojë botën, patjetër,
por do të kalojë. Dritat do të
shëndrisin përsëri, për ditë më të mira, jo vetëm në Evropë dhe në Amerikë, por
edhe anë e mbanë botës,
Por lind pyetja se çfarë mësimesh të vështira do nxjerr Amerika dhe udhëheqsit e saj aktualë dhe të ardhëshëm, nga kjo tragjedi – dhe jo vetëm Amerika -- por edhe bota në përgjithësi dhe çdo shtet tjetër i prekur nga koronavirusi, në veçanti. A do të jetë Amerika dhe bota më të përgatitur për një epidemi të mundëshme në të ardhmen? Siç tha edhe Governatori i shtetit Nju Jork, (shteti më i prekur në Amerikë nga koronavirusi), Andrew Cuomo, pasi të ketë kaluar kjo, a do merremi vetëm me dhimbje, me vuajtje, me vdekje -- të frikësuar, të dëshpëruar e të zemëruar nga koronavirusi gjithandej, apo do të dalim nga kjo gjëndje e tmershme, më të zgjuar, më të mençur, më të përgatitur se përpara, për tu përballur me një epidemi të mundëshme si kjo në të ardhmen. Është në dorën tonë, të gjithë jemi në gjëndje ta kontrollojmë këtë situatë, ka thënë i pari i Nju Jorkut. Uroj që Amerika dhe bota të mësojnë nga kjo përvojë e tmershme duke bërë ndryshimet e nevojshme ligjore, proceduriale, teknike, shkencore e të tjera, për të qenë më të përgatitur për një epidemi tjetër të mundëshme. Uroj gjithashtu që të kemi udhëheqës që e kuptojnë seriozitetin e gjëndjes së krijuar dhe që të mos jemi në mëshirën e udhëheqsëve që nuk kanë haber se çfarë po ndodhë rreth tyre.
Sido
që ta merrësh, kohë të vështira për të gjithë.
Për disa, shumë të vështira!
Shpresë dhe mëshirë për të gjithë ne!