Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Maks Velo shkoi në amshim
E shtune, 09.05.2020, 04:56 PM
MAKS VELO SHKOI NË AMSHIM
Nga
Frank Shkreli
Maks
Velon e kam takuar vetëm njëherë. Ishte
gjatë një vizite që ai bëri në zyrën time në Zërin e Amerikës (VOA) në
Washington pas shembjes së komunizmit.
Më pat lënë përshtypjen se ai ishte disidenti shqiptar, që pak a shumë
përputhej me vetitë e disa figurave të disidentëve të njohur të periudhës
komuniste në Evropën Lindore dhe Qëndrore, shumë prej të cilëve kishin vizituar
VOA-n gjatë komunizmit dhe pas shembjes së regjimeve komuniste në Evropën
Lindore. Maks Velo, jo vetëm në pamje
fizike dukej si disidentët evropiano-lindorë, ashtu i pakujdesshëm në veshje
dhe me flokë kaçurrelë të thinjur e të pakrehur, që kishim takuar në vizitat e
tyre në Washington, të ardhur nga ish-Bashkimi Sovjetik, Polonia, Çekia dhe
Hungaria komuniste, ndër të tjerë, por edhe rebel me mendime, analiza dhe
reagime për të vërtetën e jetës nën komunizëm.
Idetë
dhe mendimet e disidentëve anti-komunistë, përfshirë edhe Maks Velon – megjith
ndonjë deklarate kontraversiale që mund të ketë bërë ai në të kaluarën, do të
mbijetojnë Velon dhe disidentët e dikurshëm, si gjithnjë aktuale -- mbi
gënjeshtrat dhe të vërtetat, mbi abuzimin e të drejtave të njeriut dhe krimet
nën komunizëm, si dhe mbi sfidat dhe kundërshtimet që i duhen bërë pushtetarëve
gënjeshtarë e të pandershëm, atëherë dhe sot.
Asnjë vend dhe asnjë sistem politik, nuk është imun ndaj këtyre të të pa
vërtetave ose gjysëm të vërtetave, sidimos të pushtetarëve autoritarë, si dhe
ndaj propagandës së flliqtë të ish-regjimeve komuniste që edhe sot mbizotëron
në disa vende ish-komuniste, përfshirë Shqipërinë.
E
vërteta gjithmonë ka qenë dhe është një kërcënim për ish-diktatorët komunistë
dhe për autoritarët e sotëm, pseudo-demokratë.
Këtë e kanë ditur mirë disidentët anti-komunistë dikur, përfshir
ish-disidentin çek, të ndjerin Vaclav Havelin, i cili në shkrimin e tij, “Fuqia
e të pafuqishëmve” ka thënë se njerëzit nuk duhet të pranojnë gënjeshtërat nga
autoritarët dhe diktatorët.
Maks
Velo mund të konsiderohet si njëri prej disidentëve shqiptarë, i cili ka
denoncuar me forcë regjimin e Enver Hoxhës, si ish-i burgosur i regjimit
komunist, i akuzuar për “agjitacion dhe propagandë” nga ai regjim, veprat
artistike të të cilit, sipas atij regjimi, shprehnin gjithashtu, krimin e madh
për “prirje moderniste dhe anti-socialiste”.
Autoriteti
për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, 1944-1991, (AIDSSH) në
një njoftim dha lajmin për kalimin në amshim të “Artistit, arkitektit,
krijuesit origjinal e rebelit, i lindur në Paris, i diplomuar në Tiranë, i
dënuar për agjitacion e propagandë në Spaç, me punë të rënda në minierë dhe i
pranishëm e aktiv në jetën publike të kryeqytetit 30 vitet e fundit, me botime,
projekte dhe nisma të reja”. AIDSSH
njofton gjithashtu se dy vjet më parë, Maks Velo kishte tërhequr dosjen e tij (të Sigurimit të
Shtetit) pranë AIDSSH dhe kishte vendosur ta botonte dosjen, si një dëshmi dhe
denoncim të makinacioneve të sistemit komunist për shënjestrimin e artistëve
dhe tjetërsimin e individit në diktaturë.
Në
vitin 2018, një prej tre rrjetëve më të njohura të televizionit amerikan, NBC
NEWS kishte përgatitur një program të posaçëm për “Dosjet e Regjimit Komunist
në Shqipëri” dhe kishte zgjedhur pikërisht Maks Velon, si protagonistin kryesor
të atij programi. Me atë rast kam botuar
një përmbledhje të programit të televizionit amerikan, NBCNEWS, për lexuesin
shqiptar, të cilin po ua sjell në kujtim të Maks Velos, me rastin e kalimit të
tij në amshim.
__________
“NBC NEWS” PËR DOSJET E
REGJIMIT KOMUNIST NË SHQIPËRI
26 Korrik, 2018
Nga
Frank Shkreli
Njëri
prej rrjeteve më të njohura multi-mediatike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës,
NBC NEWS, botoi të hënën në portalin e saj një shkrim mjaft të hollësishëm mbi
hapjen e dosjeve të Sigurimit, ish-policisë sekrete të regjimit komunist të
Shqipërisë, Sigurimi. Për lexuesin
shqiptar shkrimi mund të mos ketë ndonjë informacion të ri, por artikulli është
shkruar duke pasur ndër mend lexuesin amerikan, i cili mund të ketë pak ose
aspak njohuri në lidhje me mënyrën e veprimit brutal të Sigurimit të regjimit
komunist shqiptar ndaj kundërshtarëve të regjimit, sidomos tani, pothuaj
30-vjet pas shembjes së komunizmit në Shqipëri, kur ish-vendet komuniste në
Evropë e kanë kryer këtë punë me kohë, pothuaj menjëherë pas shembjes së
komunizmit. Është interesant fakti gjithashtu që ky ent mediatik e ka gjetur të
nevojshme për lexuesit e vet, që pikërisht në këtë kohë, të dërgojë një
korrespondente të saj në Shqipëri për të raportuar mbi dosjet e regjimit
komunist në atë vend. Kjo është me rëndësi, sepse publiku amerikan nuk ka asnjë
ide se si qëndron çështja e dosjeve të komunizmit në Shqipëri, gati 30-vjet pas
rënies së atij regjimi në atë vend. NBC News njofton publikun amerikan se,
“Shumica e ish-vendeve komuniste i kanë hapur me kohë dosjet e periudhës së
Luftës së Ftohtë, por ndryshe nga shumica e këtyre vendeve, Shqipëria ende nuk
ka miratuar një ligj lustracioni për një pastrim sistematik të largimit nga
detyra të ish-zyrtarëve komunistë, të cilët kanë marrë pjesë në krime gjatë
periudhës së sundimit komunist”, megjithëse, shkruan NBC News, “Ky vend
ballkanik prej rreth 3-milionë banorësh kishte njërin prej regjimeve më brutale
në botë”.
Në
artikull theksohet gjithashtu se, “Disa ekspertë e kanë krahasuar Shqipërinë
komuniste me Korenë e Veriut, pasi kufijtë e saj ishin të mbyllur dhe
shqiptarët ekzekutoheshin po të provonin të largoheshin nga vendi.” Enver
Hoxhën, i cili udhëhoqi vendin që prej mbarimit të Luftës së Dytë Botërore e
deri në vdekjen e tij në vitin 1985, NBC News e cilëson atë si një njeri që,
“njihej se vuante nga paranoja, i cili ndërtoi mijëra bunkerë, anë e mbanë
vendit, për t’u mbrojtur nga një invadim i huaj që nuk ndodhi kurrë.”
Korrespondentja
e NBC News, Katie Englehart ka zgjedhur piktorin dhe ish-të burgosurin shqiptar
Maks Velon si protagonistin kryesor të kronikës së saj të dërguar nga Tirana.
Maks Velo, një ish-i burgosur i regjimit komunist, i akuzuar për “agjitacion
dhe propagandë” nga regjimi komunist, veprat artistike të të cilit, sipas atij
regjimi, shprehnin gjithashtu “prirje moderniste dhe anti-socialiste”. Ai ka
thënë për NBC News, se pasi refuzoi të bashkëpunonte me Sigurimin, “diçka që
unë nuk mund të bëja” është shprehur ai, Z. Velo është mbajtur në izolim dhe
është marrë në pyetje për gjashtë muaj rresht, pastaj është dënuar me 10-vjet
punë të rëndë në burgun famëkeq të Spaçit, raporton NBC News, në bazë të ligjit
të tipit sovjetik, për “agjitacion e propagandë”. Ishte viti 1978, kulmi i
diktaturës së regjimit të Enver Hoxhës, njofton NBC News, duke nënvizuar se
Maks Velo, për pothuaj katër dekada tani, e pyet veten nëse ai kishte
përfunduar në burgun e Spaçit si rrjedhim i spiunimit pranë autoriteteve të
kohës, nga ndonjë person që ai e kishte njohur. Enti mediatik amerikan NBC News
raporton për lexuesit amerikanë se vitin që kaloi, qeveria shqiptare hapi më në
fund dosjet e policisë sekrete të shtetit, (Sigurimi), duke bërë të mundur
kështu që kushdo që dëshiron mund të kërkojë dosjen e vet, duke mundësuar edhe
identifikimin e atyre që mund të kenë bashkëpunuar me regjimin komunist për të
spiunuar ata që mund të konsideroheshin si kundërshtarë të regjimit.
Por
korrespondentja e NBC News shkruan nga kryeqyteti shqiptar se, me gjithë
vendimin për hapjen e dosjeve të Sigurimit, “Është vështirë të thuhet
ekzaktësisht nëse koleksioni i dosjeve është i terë, pasi mendohet se agjentët
e Sigurimit kanë zhdukur mijëra dosje gjatë viteve të fundit të regjimit
komunist”, thekson NBC News.
Por,
siç kanë bërë edhe shumë shqiptarë të tjerë, NBC News raporton se Z. Maks Velo
e ka kërkuar dosjen e tij megjithëse fillimisht kishte hezituar ta shfletonte,
por megjithëkëtë, nga dosja e tij, ka zbuluar se ai është spiunuar nga nja 20
veta, ndër të tjerë, edhe nga një mik i ngusht dhe nga ish-vjehrra e tij. Për
hapjen e dosjeve, NBC News ka folur edhe me Z. Gentiana Sula, Drejtoreshë e
Entit për Hapjen e Dosjeve, e cila ka thënë për entin e njohur mediatiak
amerikan se, “Këtu vijnë çdo ditë njerëz për të bërë pyetje ndaj të cilave ata
nuk kanë marrë përgjigje për një kohë të gjatë.
Në qoftë se ka gjëra për të cilat ata kanë nevojë të falin ose të
kërkojnë falje, për veten ose për prindërit e tyre, ky është një rast i mirë
për të bërë një gjë të tillë.
Shpeshherë”, ka thënë ajo për NBC News, “një bashkëpunëtor dhe një viktimë
e Sigurimit, jetonin dhe vepronin në të njëjtin mjedis”.
Ndërkohë
që diktatura komuniste u shemb në fillim të vitit 1990, njofton në kronikën e
saj korrespondentja e NBC News, Katie Engelhart, agjentët e Sigurimit famëkeq
shqiptar u tërhoqën në anonimitet duke u zhdukur nga qarkullimi, por
megjithëkëtë, korrespondentja amerikane kishte gjetur një ish-agjent të
Sigurimit, i cili është treguar i gatshëm të fliste me gazetaren amerikane.
Ish-zyrtari i lartë i Sigurimit të shtetit shqiptar, Nesti Vako i tha NBC News
se në kohën e regjimit komunist, agjentët e Sigurimit kishin vendosur mjete
përgjimi anë e mbanë vendit, nëpër kafene, zyra dhe në të gjitha ambasadat e
huaja, ndër të tjera. Vako u shpreh për NBC News se i “kishte pëlqyer shumë
puna e tij (si agjent i Sigurimit) dhe se ishte tepër krenar për punën që
kishte bërë”, duke shtuar se, “vetëm kishte zbatuar ligjin”. Ish-agjenti i
Sigurimit ka thënë gjithashtu se ishte kundër hapjes së dosjeve, pasi hapja e
dosjeve, sipas tij “nuk është një gjë e mirë”, ka theksuar ish-agjenti Nesti
Vako, duke pasqyruar kështu edhe arsyen, se pse klasa politike dhe një pjesë e
madhe e shoqërisë shqiptare nuk duan të merren me të kaluarën komuniste.
Dosja
e Z. Maks Velo ka gjithsejtë 250 faqe dhe atij i janë nevojitur disa muaj për
ta kuptuar dosjen e tij, shkruan NBC News. Z. Velo ka thënë se nuk i vjen keq
që e ka lexuar dosjen, megjithëse me hezitim, por nga ana tjetër, nuk mendon se
me hapjen e dosjeve, ndonëse vonë, është mbyllur kjo çështje, as për të, as për
shoqërinë shqiptare në përgjithësi. Ai citohet të ketë thënë se, “Amerikanët
thonë 100 herë në ditë “Më fal’, ndërsa këtu nuk thotë askush, kurrë “Më fal”,
duke aluduar se dikush duhet të kërkojë falje për krimet e regjimit komunist,
ashtu që më në fund, të fillojë shërimi i plagëve gjithnjë të hapura nga
periudha e krimeve të komunizmit në Shqipëri. Megjithëse vonë, duket se ditët e
fundit, në këtë drejtim është hedhur një hap sado i vogël, edhe pse tepër vonë.
Zëri
i Amerikës njoftoi javën e kaluar se Komisioni Ndërkombëtar për Personat e
Zhdukur (ICMP) — një organizatë ndër-qeveritare që merret me personat e humbur,
si përfundim i konflikteve dhe shkeljes së të drejtave të njeriut — nënshkroi
një marrëveshje bashkëpunimi me shtetin shqiptar për identifikimin e një grupi
personash të viktimizuar dhe varrosur në Dajt dhe në Ballsh, nga regjimi
komunist shqiptar i periudhës 1944-1991. “Marrëveshja tregon dëshirën për të
mbrojtur të drejtat njerëzore të familjarëve të zhdukurve”, citohet të ketë
thënë gjatë ceremonisë së nënshkrimit, drejtori i programit të ICMP për
Ballkanin Perëndimor, Methju Holliday. “Marrëveshja tregon vullnetin politik të
shtetit shqiptar për të trajtuar çështjen e personave të zhdukur gjatë regjimit
komunist në një mënyrë efektive, ligjore dhe të saktë.
Të
gjithë këto përpjekje bëhen, jo thjesht për të respektuar të vdekurit, por për
të ngritur lart të drejtën e jetës, dinjitetin dhe ligjin”, – tha ai. Më mirë
vonë se kurrë, por ku ishe ti dhe organizata jote deri tani, Z. Holliday? Gjatë
gjithë kësaj kohe post komuniste kam shprehur vazhdimisht dyshimet e mia
serioze për angazhimin e autoriteteve shqiptare për t’u përballur me të
kaluarën komuniste. Edhe në qoftë se është bërë gjë në këtë fushë, zakonisht ka
qenë rezultat i trysnisë dhe interesimit të të huajve, sidomos ambasadës gjermane
në Tiranë dhe jo i dëshirës së klasës politike shqiptare post-komuniste për të
zbardhur krimet e komunizmit në Shqipëri. Prandaj, e gjithë kjo përpjekje –
përfshirë marrëveshjen e fundit midis organizatës ndërkombëtare ICMP dhe
autoriteteve shqiptare – është tepër pak dhe shumë vonë, nga ana e autoriteteve
shqiptare, por edhe e enteve ndërkombëtare, përgjegjëse për këtë çështje. Por
në fund të fundit, faji për këtë u mbetet të dera autoriteteve shqiptare.
Thjeshtë dhe qartë, autoritetet shqiptare të këtyre 28 vjetëve post-komunizëm
nuk kanë treguar asnjëherë seriozitetin e nevojshëm për t’u përballur me të
kaluarën komuniste dhe me krimet e atij regjimi – pasojat e të cilit shihen
edhe sot kudo në jetën shoqërore dhe politike të vendit – krejt ndryshe nga ajo
që ka ndodhur në shumicën e vendeve ish-komuniste të Evropës, siç vë në dukje
edhe enti amerikan mediatik NBC News, në kronikën e saj nga Tirana.