Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Gjergj Kastrioti, i harruari i kombit në ditëlindjen e tij
E premte, 08.05.2020, 11:13 AM
GJERGJ KASTRIOTI – SKENDERBEU, I HARRUARI I KOMBIT NË DITËLINDJEN E TIJ
Nga
Frank Shkreli
Fatkeqësisht,
duket se “I përgjithëmonshmi i fisit shqiptar”, siç e ka cilësuar Papa Pali i
VI, Heroin Kombëtar të Shqiptarëve, Gjergj Kastriotin Skenderbe – për fisin e e
tij, në ditët e sotëme – pikërisht në ditëlindjen e tij me 6 maj, nuk është i
përgjithëmonshëm, por i harruar.
Në
një bisedë satirike, në veprën At Gjergj Fishtës, “Nën Hajat të Parrizit”,
(botuar më 1914) midis Shën Pjetrit, Skenderbeut dhe djallit, Skenderbeu e pyet
djallin: Deshta me pyet: a e xen kush në gojë emnin tem, a më përmendë kush
ndër Shqiptarët”? Djalli e pyet: Kush je
ti? Ai i përgjigjet: “Unë jam Skenderbeu”.
“Po ti qenke Skenderbeu”, ia këthen djalli. Po si nuk të përmendin ty Shqiptarët. Veçse në shkolla jo, por gjithkush të ka në
gojë, por në zemër nuk e dij”, i përgjigjet djalli.
6
Maji, (1405) që shënon 625-vjetorin e lindjes Heroit Kombëtar të Shqiptarëve,
erdhi e shkoi, pa e përmendur kush as me gojë, e të kujtohej me zemër, jo se
jo, askund në trojet shqiptare, por as në diasporë. Udhëheqsit politikë në Shqipëri dhe në Kosovë
munguan madje edhe me një deklaratë, të llojit që bëjnë ditë për ditë në
rrjetët sociale, për gjëra aspak me rëndësi.
Udhëheqësit politikë në pushtet por edhe ata të opozitës në Shqipëri, si
zakonisht dhe pa mungesë, shënuan me lëvdata dhe vendosën kurora lulesh në
Ditën e Deshmorëve të Kombit, para disa ditësh.
(Për aq sa vura re, ishte një freski se të pakën sivjet nuk u panë
portretet e diktatorit, siç janë parë viteve të fundit, gjatë ceremonive zytrtare
në Ditën e Deshmorëve.) Në rregull, me
ceremonitë në kujtim të deshmorëve -- po Gjergj Kastrioti Skenderbeu nuk e
meriton të kujtohet në ditëlindjen e tij, të pakën me një buqetë me lule, pranë
monumentit të tij në Tiranë, në Prishtinë, e në vende të tjera. A nuk meriton i
përgjithmonshmi i Kombit shqiptar të ketë një ditë kushtuar atij, për ta
nderuar e kujtuar ashtu siç bëjnë kombet e përparuara me heronjtë e tyre
kombëtarë, anë e mbanë botës?
Fatkeqësisht,
kjo datë nuk kujtohet më as në diasporë, siç shënohej dikurë, të pakën me ndonjë
mbledhje të posaçme, me ndonjë darkë përkujtimore, me ndonjë shkrim ose botim
historik, siç ishte zakon. Kjo ndodhë
për fat të keq se mendohet dhe llogaritet, gabimisht, se tani kemi dy shtete të
lira e të pavarura shqiptare, që pretendojnë të jenë “demokratike”, janë dy
shtetet shqiptare, me dy akademi e me një numër universitetesh e kuadrosh të
përgatitura, që në rrethana normale qeverisjeje e kanë për detyrë dhe
përgjegjësi, kujtimin e datave historike dhe nderimin e heronjëve të Kombit,
siç është ditëlindja e Kryetrimit të Shqiptarëve.
Për
fat të keq, sin ë Atdhe ashtu edhe në mërgim, 625-vjetori i Lindjes së Herorit
Kombëtar kaloi në heshtje ashtu siç qe mbyllur në heshtje edhe Viti (2018) i
shpallur nga Shqipëria dhe Kosova si Viti kushtuar Gjergj Kastriotit
-Skenderbe. Më kujtohet mbledhja e
përbashkët e dy qeverive shqiptare, mbajtur në Korçë, më duket ishte në nëntor
të vitit 2017, në të cilën Kryeministri i Shqipërisë, Z. Rama shpalli me
mburrje dhe krenari “Vitin e Skenderbeut”, ndërsa u shpreh se, “Duke bërë të
mundur që me bashkëpunimin e ngushtë të dy shteteve, Shqipërisë dhe Kosovës,
t’ia dalin së bashku që, duke respektuar historinë e lavdishme që Skënderbeu
shkroi me shpatën e një krenarie të madhe, të vazhdojmë rrugën pa kthim të proceseve
demokratizuese, të reformave transformuese në një rrugëtim europian të
dëshiruar qysh kur u vendos Pavarësia”.
Nga
këndveshtrimi i sotëm, ishin këto fjalë të mëdha premtuese por plot
zhgënjime. Kjo rrugë në të cilën janë
nisur sot Shqipëria dhe Kosova, në të vërtetë, mund të jetë një rrugë pa kthim
drejtë së keqës. “Rruga pa kthim të
proceseve demokratizuese dhe të reformave transformuese”, si për Shqipërinë
ashtu edhe për Kosovën, duket se është e mbyllur, edhe pas 30-vjet
post-komunizëm. Për këtë fajin e kini ju
vet. Por, nëqoftse e kini seriozisht,
gjë për të cilën unë i kam dyshimet e mia serioze, në këtë rrugëtim evropian,
as Tirana as Prishtina nuk do t’ia delni t’ia arrini qëllimit pa vlerat
kastriotjane të fisit shqiptar—pa Gjergj Kastriotin Skenderbe, Mbrojtësin e
Madhërishëm të Kombit dhe të qytetërimit evropian -- i cili është mishërimi i
këtyre vlerave.
Shqipëria
dhe Kosova kanë dështuar mizorisht për të përdorur përvjetorë si 625-vjetori i
lindjes ose “Vitin e Skenderbeut”, t’i paraqisnin jo vetëm vetvetes por edhe
Evropës dhe botës vlerat e Heroit Kombëtar të Shqiptarëve – Skenderbeut, ashtu
siç është ai dhe çfarë përfaqëson ai për shqiptarët dhe për botën. Çdo komb tjetër do të çpikte një Skenderbeg,
jo vetëm si përcaktuesin e identitetit të Kombit Shqiptar. Por duke mos kujtuar këto data historike, kjo
klasë politike shqiptare dështoi t’i paraqesi botës edhe rolin e rëndësishëm që
ka luajtur Gjergj Kastrioti-Skenderbeu, jo vetëm në historinë shqiptare, por
edhe në historinë e botës së atëhershme – si përfaqësuesi numër një i këtij
kombi të vogël, por krenar. Kujt i
intereson që të mos kujtohet dhe të mos shënohen datat e rëndësishme të jetës
dhe veprimtarisë heroike si dhe të mbetetn në heshtje kontributet e rëndësishme
që ka dhënë Gjergj Kastrioti – Skenderbeu dhe populli shqiptar gjatë shekujve
në historinë e qytetërimit evropian, sidomos në një kohë kur Kryeministri i
vendit është shprehur se Shqipëria është në rrugën pa kthim të proceseve
demokratizuese dhe të reformave transformuese, drejtë Evropës? Nuk shkohet drejt Evropës pa Gjergj
Kastriotin Skenderbe!
Është
për të ardhur keq, por vlerat e kësaj klase politike shqiptare, në të vërtetë,
janë antiteza e vlerave të Gjergj Kastriotit-Skenderbeut. Të pakën në raste siç është përvjetori i
ditëlindjes së Heroit Kombëtar, tregohuni të guximshëm dhe të denjë të Besës së
Skendërbeut, duke e kujtuar, të pakën me ndonjë deklaratë. Ose, të pakën për një ditë -- në kujtim të
625-vjetorit të lindjes së Gjergj Kastriotit Skenderbe -- hiqni dorë nga
grindjet shkatërrimtare politike dhe nga interesat personale e partiake. Këthehuni tek vlerat kombëtare të Kastriotit,
te besës, nderit e burrërisë. Në frymën
e jetës dhe të veprimtarisë së tij, lidhuni me besa-besën për një kthesë
historike për Kombin shqiptar duke u angazhuar, me atdhedashuri dhe me guxim
politik, për të zgjidhur konfliktet dhe mos marrëveshjet me njëri tjetrin në
traditën historike të Besëlidhjes së Lezhës, të Kastriotit të Madh dhe të
Lidhjes së Prizrenit. Të lidhni besën për
një dashuri, në mos ndaj njëri tjetrit, atëherë ndaj interesave madhore të
çështjeve të Kombit shqiptar, duke çuar kështu përpara idenë e besës së
Krye-Heroit të Kombit Shqiptar: duke bashkuar sa më shumë nga fisnikët e
principatave shqiptare, me qëllim për të rimbëkëmbur trojet Arbërore.
Ndoshta
nuk e shihni, por toka arbërore është e lodhur e nuk duron më! Siç është shprehur me një rast
ish-Arkimandriti Minishi i Abacisë së Arbëreshëve të Italisë në Grotaferratë,
“Tepër gjak ka skuqur plisat e tokës së Atdheut, shumë zira kanë shkëputur
zemrat e popullit tonë, tepër familje janë shkatërruar dhe prishur tragjikisht
prej plumbit e shpatës, prej urrejtjes, prej mërgimit. Sytë e motrave tona dhe
të vëllezërve tanë janë tharë, s’kanë më asnjë lot për të derdhur. Të gjitha lotët kanë rënë dhe kanë njomur
tokën e Shqipërisë. Bëftë Perëndia që
nga ajo tokë e vaditur të lëshojnë përjetë lulet e Lirisë, mirësisë e dashurisë
dhe vëllazërisë, gëzimit dhe pajtimit”, ka thënë dikurë Arkimandriti arbëresh
Minishi.
Në
këtë 625-vjetor të lindjes së Gjergj Kastriotit-Skenderbe kemi të drejtë të
shpresojmë madje edhe kundër shpresës, se në një të ardhme jo të largët, Kombi
shqiptar do ta gjejë të arsyeshme që të caktojë një ditë në vit, kushtuar
Heroit të tij të madh , Gjergj Kastriotit – Skenderbe, me qëllim që ai të mos
harrohet në ditëlindjen e tij, por të kujtohet, zytarisht, të pakën njëherë në
vit nga shqiptarët kudo qofshin ata.
Uroj që shqiptarët dhe udhëheqsit e tyre të jenë të dinjitetshëm të
vlerave, traditave dhe lavdisë së Prijësit të tij dhe Fatosit të madh kombëtar,
Gjergj Kastriotit-Skënderbe! Që të
gjithë shqiptarët pa dallim, me një Besëlidhje të Re midis tyre – të kujtojnë
dhe të nderojnë Heroin e Kombit, duke u kthyer tek vlerat dhe traditat arbërore
të Besës, Nderit e Burrërisë, të trashëguara nga Gjergj Kastrioti — Skënderbeu!
Shpresoj
të jam i gabuar, por harresa zyrtare e ditëlindjes së Gjergj
Kastriotit-Skenderbe me 6 Maj në radhët e shqiptarëve kudo, por sidomos në dy
kryeqytetet shqiptare Tiranë dhe Prishtinë –fatkeqësisht, është një shenjë
tjetër që na bën të dyshojmë se Heroi ynë Kombëtar nuk shërben më si një simbol
kombëtar bashkimi, as vlerash të përbashkëta për shqiptarët. Duhet të jetë ky një shqetësim për çdo
shqiptar që ia do të mirën Shqipërisë dhe Kosovës dhe mbarë Kombit
Shqiptar. Por, njëkohësisht, besojmë dhe
shpresojmë në të Madhin Zot se, megjithë këto zhgënjime nga klasa aktuale
politike shqiptare -- Shën Pjetri në bisedën satirike, të veprës së At Gjergj
Fishtës, “Nën Hajat të Parrizit”, e siguron Gjergj Kastriotin-Skenderbe të mos
shqetësohet shumë për ato që po ndodhin në Shqipëri, se “Për inat të djallit e
të shqiptarëve, Zoti ka me e mbajtë Shqipëninë më kambë, me nder e me lumni”.
Në
këtë 625-vjetor të Gjergj Kastriotit -Skenderbe, të vetmen dhe të fundit
vazhdojmë të kemi shpresën tek Zoti se ai do të kujdeset për Kombin shqiptar,
në këto kohë të vështira për të. Për
30-vjet “post-komunizëm”, pritëm dhe shpresuam për një ndryshim historik -- në
sjellje dhe në mentalitet të kësaj klase politike zhgënjyese -- por edhe durimi
po na soset tashti duke pritur e shpresuar për një kthim historik drejt
proceseve të vërteta demokratike” në Shqipëri dhe në Kosovë. Kujdes se,
“Demokracia Nuk Pret”, gjithmonë. Se
shqiptarët janë lodhur duke pritur. Siç
është shprehur dikur edhe i madhi, Faik Konica, sepse, “Tek prisnim të piqeshin
kushtet” -- pas 30-vjet post-komunizëm për një demokraci të vërtetë, bazuar në
vlerat kastriotjane -- “na u kalbën dëshirat” por edhe shpresat, fatkeqësisht!
Portret
i Gjergj Kastriotit – Skendërbeut, marrë nga libri, “Scanderbeg” i autorit
amerikan Prof. Dr. A. K. Brackob