Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Thirrje Ambasadës Amerikane
E premte, 01.05.2020, 02:35 PM
THIRRJE AMBASADËS AMERIKANE NË TIRANË: MOS DERDHNI FONDE TË TJERA PËR TË SHPËTUAR NJË KAUZË TË DËSHTUAR
“DON’T
THROW GOOD MONEY AFTER BAD”
Nga
Frank Shkreli
E
vërteta është se e kam të vështirë të kritikoj Ambasadën e Shteteve të
Bashkuara, qoftë atë në Tiranë qoftë atë në Prishtinë. Më vjen keq sepse si pjesëtar i komunitetit
shqiptaro-amerikan, për 50-vjet tani, por edhe si një shqiptaro-amerikan që kam
patur privilegjin dhe nderin të punoj nga afër me shumë diplomatë amerikanë të
akredituar në trojet shqiptare për disa dekada dhe për të cilët ruaj gjithnjë
kujtime shumë të mira dhe respekt.
Kishim pritur për pothuaj një shekull – që Kombi amerikan, më në fund,
të zyrtarizonte lidhjet historikisht mike me Kombin shqiptar, të ndërprera për
një kohë të gjatë nga regjimi diktatorial komunist i Enver Hoxhës. Falë nderës Zotit, sot kemi dy ambasada
amerikane në trojet shqiptare: një në Tiranë e tjetra në Prishtinë -- në
Kosovën e çliruar, falë, kryesisht, ndërhyrjes ushtarake të Shteteve të
Bashkuara dhe aleatëve të saj perëndimorë.
Për këto lidhje midis dy kombeve tona, unë si shqiptaro-amerikan dhe ne
si komunitet këtu në Shtetet e Bashkuara, besoj se jemi shumë krenarë për punën
e dy ambasadave tona në Tiranë dhe Prishtinë dhe në përgjithësi, gjatë tri
dekadave të fundit kemi mbështetur veprimtaritë e tyre në të gjitha fushat, ose
në ndonjë rast të pakëndëshëm edhe kemi heshtur për ndonjë gjë, për hir të
rrethanave të mbrendshme politike në Shqipëri dhe në Kosovë.
Por,
kjo nuk do të thotë se ne si taksapagues amerikanë, me origjinë shqiptare, nuk
kemi të drejtë të bëjmë vërejtje e madje edhe të kritikojmë mënyrat se si
shpenzohen fondet e miratuara nga Kongresi amerikan, përfshirë Shqipërinë dhe
Kosovën. Shtetet e Bashkuara, nepërmjet
ambasadës së tyre në Tiranë, për disa vite tani, kanë mbështetur fuqimisht me
fonde dhe me ekspertiza të ashtuquajturën “Reformë në Drejtësi”, e cila sipas
disa ekspertëve ka dështuar tanimë dhe sipas të tjerëve, në minimum, është e
vonuar dhe nuk po zbatohet, megjithë derdhjen e fondeve të mëdha në këtë fushë
nga ana e Shteteve të Bashkuara. Nuk kam
asnjë dyshim se qëllimet e ambasadës amerikane në Tiranë, historikisht, kanë
qenë dhe janë qëllim-mira dhe pa hile.
Por, ama sot në fillim të vitit 2020, pas shumë vjet përpjekjesh, duhet
të pranohet se megjithë masat serioze të ambasadës amerikane për reformën në
drejtësi në Shqipëri, ato përpjekje, sot për sot janë, fatkeqësisht, të
deshtuara. Jo se ambasada amerikane nuk
ka bërë mjaft në këtë drejtim, por për arsye se kjo klasë politike, duke
filluar nga kryeministri e poshtë, nuk e do këtë reformë dhe as nuk do e
zbatojnë edhe po të arrihet në letër.
Prandaj
u habita kur pashë një njoftim në faqen fejsbuk të Ambasadës amerikane në
Tiranë sipas të cilit, në bazë të një Memorandumi të nenshkruar të mërkurën
midis USAID dhe Këshillit të Lartë të Gjyqësorit Shqiptar, është arrijtur një
marrëveshje, “për të ofruar ndihmën teknike të nevojshme”, me qëllim për të
zgjidhur problemin e Gjykatës së Lartë e cila sipas njoftimit të ambasadës na
paska aktualisht pothuajse 35,000 dosje të prapambetura, për tu shqyrtuar. Në njoftim thuhet gjithashtu se, “Sipas kësaj
marrëveshjeje, një ekip i veçantë juristësh të zotë shqiptarë do të punësohen për
të ndihmuar gjykatën që të veprojë me më shumë efikasitet dhe të mundësojë që
gjykatësit të marrin vendime më shpejt.”
More, vërtetë ka njerëz që besojnë se pas historisë së dështimeve të
deritanishme në reformën e drejtësisë në Shqipëri, tani do të identifikohet,
“Një ekip i veçantë juristësh të zotë shqiptarë”, që do ta zbërthejnë njëherë e
mirë sekretin e problemeve në sistemin juridik shqiptar, përfshirë dhe 35.000
dosjet e prapambetura dhe që nga puna e tyre të gjithë do të mbeten të
kënaqur? Beson njeri? Ku ishin deri tani këta “juristë të
zotë”? Mos janë edhe këta pjesë e atyre
juristëve të “zotë” që e kanë sjellur sistemin e drejtësisë në Shqipëri në këtë
katastrofë, në të cilin gjëndet tani!
Keni ndonjë barometër të besueshëm për të matur pikëpamjet e shqiptarëve
ndaj përpjekjeve për “reformën në drejtësi”, dhe ndaj juristëve të “zotë”
shqiptarë në përgjithësi, megjithëse jam i sigurt se në radhët e tyre ka edhe
të ndërshëm dhe profesionistë?
Vërtetë
pret ambasada amerikane në Tiranë se me këtë Memorandum të nënshkruar të
mërkurën midis USAID dhe Këshillit të Lartë të Gjyqësorit Shqiptar, dhe me
gjithë fondet amerikane që do të derdhën përsëri “për reformën shqiptare në
drejtësi”, megjithëse shuma nuk përmendet në njoftim -- numri i këtyre 35.000
çeshtjeve të prapambetura, do të zvogëlohet sa më shpejt që të jetë e mundur,
siç thuhet në njoftim!?
Është
një thënje amerikane, “throwing good money after bad”, që në thelb i referohet
një situate kur dikush shpenzon fonde shtesë, në përpjekje për të shpëtuar një
plan të mëparshëm të dështuar. Si një
taksapagues amerikan, më duket se kjo nismë nuk duhej të ndodhte në këtë
rast. E kuptoj se në të kaluarën janë
harxhuar shumë fonde qeveritare amerikane dhe shumë kohë është kaluar nga
eskpertë amerikanë gjatë viteve në Tiranë dhe se është shumë e vështirë të
pranohet se të gjitha ato shpenzime e mundime gjatë viteve kanë shkuar
kot. Por shpenzimi i fondeve të tjera
shtesë, siç propozohet me Memorandumin e lartë- përmendur, mund të jetë një
aventurë tjetër e rrezikshme, jo vetëm e pa dobishme për objektivin e caktuar,
por mund të jetë katastrofike për systemin e drejtësisë. Pas 30-vjetë përvojë në Shqipërinë
post-komuniste, duhet të jeni të vetdijshëm se dollarët në vetvete nuk do të
zgjidhin problemet në Shqipëri dhe aq më pak problemet në sistemin juridik të
atij vendi. Po të kishte qenë një firmë
private amerikane që do të kishte derdhur aq shumë fonde dhe investime pa
sukses në fusha të ndryshme, sa ka derdhur qeveria amerikane në Shqipëri gjatë
30-viteve të marrëdhënieve dy-palëshe– dhe jo vetëm qeveria amerikane – një
firmë e tillë do të kishte falimentuar me kohë.
Kur
flasim për vlera të përbashkëta, shqiptarët mund të jenë pro-amerikanë, por jo
kjo klasë politike, megjithëse, sa për sy e faqe, ata shprehen se janë më
pro-amerikanët në botë dhe u pëlqen të dalin në fotografi me zyrtarë të lartë
amerikanë. Pretednimet e tyre pro-amerikane janë një hipokrizi e
shekullit! Të jesh pro-amerikan do të
thotë të ndajsh të njëjtat vlera me Amerikën, përfshir sensin e drejtësisë dhe
respektin për njerzit, të drejtat e tyre themelore, trajtimin e barabart dhe
mirëqenjen e tyre. Janë pra një serë
idesh e parimesh dhe vizionesh që përbëjnë vlerat e përbashkëta. Nëqoftse do të merret seriozisht kjo klasë
politike shqiptare, ajo duhet të bëjë më shumë në mbështetje të këtyre vlerave
të përbashkëta dhe jo vetëm të flasin për to.
Shumë
prej këtyre politikanëve shqiptarë, nuk kanë asgjë të bëjnë me Amerikën, as me
vlerat amerikane, fatkeqësisht. Kam
drojë se kjo klasë politike e ka përcaktuar tanimë veten se në ç’drejtim do ta
çojë Shqipërinë duke e vrarë të ardhmen e brezave, ndonëse në përgjithësi,
animet politike autoritare të udhëheqjes janë kundër vullnetit të popullit të
saj, një pjesë e të cilit po voton me kembë duke u larguar nga vendi për në perëndim,
për arsye të gjëndjes së krijuar ekonomike dhe politike – përfshir mungesën e
një reforme të sistemit juridik.
Kryeministri i vendit shpreh haptas admirimin e tij për udhëheqsit
autokratë të rajonit dhe për sistemet politike të kontrolluara prej tyre. A është kjo një politikë që duhet të
mbështetet me fondet e taksa paguesve amerikanë? Së fundmi, qeveria e kryeministrit Rama i ka
kërkuar KE-së që Shqipëria të tërhiqet nga Konventa e të Drejtave të Njeriut,
sikur vetëm Shqipëria po përballet me pandeminë. Është modeli i drejtësisë autoritare dhe jo
ai i bazuar në sistemin amerikan, që kjo klasë politike po ndërton në
Shqipëri. Jo vlerat amerikane, të
ndarjes së pushteteve, përfshir sistemin juridik dhe qeverisjen demokratike,
“të popullit, nga populli dhe për popullin”.
Është e qartë se këta nuk kanë dashur as nuk duan reformë në drejtësi
dhe as antarësim në Bashkimin Evropian.
Kjo marrveshje midis USAID dhe Këshillit të Lartë të Gjyqësorit Shqiptar
më duket si një shpenzim i kotë.
Si
një shtetas amerikan, i them këto fjalë në frymën e mesazhit që kishte ndarë me
kolegët e tij ish-Sekretari Amerikan i Shtetit, John Kerry në Munich në vitin
2104:
”Jemi
krenarë”, ka thënë ai se -”Ne përpiqemi që të përsosim sistemin tonë në mënyrë
të hapur e transparente, me përgjegjësi për ta reformuar, për ta ndrequr ku e
kur është e nevojshme dhe për ta përforcuar atë kur duhet.” Kështuqë, ka thënë ai, ne i bashkohemi këtij
dialogu me ju këtu në Munih, “duke ditur dhe duke pranuar të metat tona, por
pranimi i mangësive tona nuk do të thotë se ne nuk do themi gjërat ashtu siç i
shohim në vende të tjera, duke u bazuar në pikëpamjet dhe vlerat tona”.
Prandaj,
është më mirë të pranohet pra se përpjekjet, sado të drejta dhe të nevojshme që
janë për një reformë rrënjësore në drejtësinë shqiptare, kanë dështuar! Jo për arsye të mungesës së vullnetit të
ambasadës dhe ndihmës amerikane për reformën në drejtësi, por në saje të mos
vullnetit të klasës politike e cila mbron me çdo kusht interesat e veta dhe të
oligarkëve të tyre mbështetës, në kurriz të interesave dhe të drejtave dhe
lirive të popullit. Si një shtetas
krenar dhe taksapagues amerikan protestoj që të vazhdohet në këtë mënyrë -- që
taksat e mia të përdoren për aventura dhe kauza të dështuara, për të mbajtur në
pushtet një klasë politike të dështuar dhe moralisht të korruptuar e cila në
thelb nuk ndanë asnjë vlerë njerëzore, morale, politike, as drejtësie me
Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Këtë e them me plot bindje por edhe me dhimbje
në zemër për bashkatadhetarët e mi sepse shoh, që siç është shprehur John
Kerry, 6-vjet më parë në konferencën e Munichut në lidhje me influencat e
oligarkëve, sidomos në Ballkan, se 6-vjet më vonë, asgjë nuk ka ndryshuar në
Shqipëri as në Kosovë.
“Aspiratat
e qytetarëve po shtypen dhe po shkelen nga interesat e oligarkëve të
korruptuar, interesa këto të cilat përdorin paratë për t’i mbyllur gojën
opozitës politike dhe kundërshtarëve, për të blerë politikanët dhe entet
mediatike dhe për të dobësuar pavarësinë e gjykatave ndërkohë që përdorin
trysni duke abuzuar me të drejtat e organizatave jo-qeveritare për të ekzistuar
dhe për të vepruar në ambientin e tyre”, ka thenë Xhon Kerri. Kjo kritikë e Zotit Kerri ndaj disa vendeve
ku oligarkët, sidomos në Ballkan, kanë uzurpuar jetën politike dhe ekonomike, e
ku ata në shumë raste kontrollojnë dhe përdorin median për manipulimin e
politikanëve dhe të zgjedhjeve -- është një referencë e qartë se në këtë mes
bota perëndimore nuk ndanë me këta politikanë dhe oligarkë pasurinë e
përbashkët të vlerave universale, për të cilat u fol në Konferencën e
Munihut. Oligarkët dhe interesat e tyre
i kanë zënë frymën shoqërisë dhe zhvillimit të saj demokratik dhe kanë helmuar
e korruptuar klasën politike dhe median, për interes të tyre.
Prandaj
është më mirë, që përsa i përket reformës së dështuar në drejtësi -- dhe para
se të derdhen fonde të tjera amerikane si në pus pa fund -- të fillohet nga e
para ose të hiqet dorë fare nga një përpjekje e tillë sado e dobishme dhe sado
e nevojshme që të duket të jetë kjo nismë fisnike, por e gabuar. Për ndryshe, si përfundim, rrezikohet që
populli shqiptar të humbas besueshmërinë tek ambasada dhe shpresën tek Shtetet
e Bashkuara, ashtu si shumica e shqiptarëve e kanë humbur me kohë shpresën tek
kjo klasë politike shqiptare, në të dy anët e kufirit shqiptaro-shqiptar dhe
gjithë spektrit politik shqiptar, pa dallim.
Mbaj mend një këshillë nga një redaktor i vjetër kur kisha filluar punën
tek Zëri i Amerikës në fillim të 1970-ave -- natyrisht në kontekstin e
gazetarisë radiofonike të asaj kohe -- i cili më pat thënë se do bëjsh gabime
në karierën tënde, por kujdes e mos humb besueshmërinë tek dëgjuesit, sepse
nëqoftse humb besueshmërinë tek dëgjuesit, ke humbur çdo gjë dhe të shkon mundi
kot.
___________
U.S.
Embassy-Tirana:
- Gjykata e Lartë ka
aktualisht pothuajse 35,000 dosje të prapambetura. Për të zgjidhur këtë
problem, USAID dhe Këshilli i Lartë Gjyqësor Shqiptar nënshkruan një Memorandum
Mirëkuptimi më 29 prill, për të ofruar ndihmën teknike të nevojshme. Sipas
kësaj marrëveshjeje, një ekip i veçantë juristësh të zotë shqiptarë do të
punësohen për të ndihmuar gjykatën që të veprojë me më shumë efikasitet dhe të
mundësojë që gjykatësit të marrin vendime më shpejt. Ashtu siç Shtetet e
Bashkuara mbështetën fuqimisht miratimin e reformave gjyqësore, ashtu ne
mbështesim fuqimisht zbatimin e plotë dhe në kohë të këtyre reformave.
Drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar. Ne presim të shohim numrin e
prapambetur të këyre çështjeve që zvogëlohet sa më shpejt që të jetë e mundur.
- The High Court
currently has a backlog of almost 35,000 cases. To address this problem, USAID
and the Albanian High Judicial Council (HJC) signed a Memorandum of
Understanding (MOU) on April 29 to provide necessary technical assistance.
Under the MOU, a special team of bright Albanian lawyers will be hired to
assist the court to operate more efficiently and allow judges to make decisions
more quickly. Just as the United States strongly supported the adoption of
judicial reforms, we strongly support the full, timely implementation of these
reforms. Justice delayed is justice denied. We look forward to seeing the
backlog of cases reduced as quickly as possible.