Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Edi Rama deklaron - Komunistët dhe komunizmi në anën e duhur të historisë!
E hene, 03.08.2020, 09:54 PM
KRYEMINISTRI EDI RAMA DEKLARON: KOMUNISTËT DHE
KOMUNIZMI NË ANËN E
DUHUR TË HISTORISË!?
Nga
Frank Shkreli
“Im
at, po, ka qenë komunist, si shumë të tjerë dhe kanë qenë në anën e duhur të
historisë”. Kështu u shpreh Kryeministri
i Shqipërisë, Z. Edi Rama gjatë një debati në parliament me disa deputetë të
“opozitës”, të ënjtën që kaloi. Me thënë
të drejtën e dëgjova dy tre herë deklaratën e Kryeministrit shqiptar për të
qenë i sigurt se vërtetë kështu u shpreh publikisht, madje nga foltorja e
Kuvendit, kryeministri i Shqipërisë -- i një vendi ish-komunist me regjimin më
të egër të këtij lloji në botë, për pothuaj një gjysëm shekulli, aktualisht
vend anëtar i NATO-s, një aleancë ushtarake që është themeluar, pikërisht, me
misionin për të mbrojtur vendet demokratike perendimore nga kërcënimet e
komunizmit sovjetik dhe aleatëve të tij.
Nuk
më intereson aspak se cilat ishin ose si i kujton Edi Rama marëdhëniet me
babain e tij kur i ati i shërbente regjimit komunist të Enver Hoxhës, ose cilat
janë kujtimet e tija familjare tani që i ati është i ndjerë. Gjithashtu nuk më interesojnë as marrëdhëniet
e Edi Ramës ose pikëpamjet tija për ballistët, zogistët ose këdo tjetër, pasi
ata të gjithë meritojnë njëri tjetrin.
Po
ajo që më intereson dhe më shqetëson mua si një shqiptar i diasporës që
gjithmonë dhe pa dallim ia do të mirën Shqipërisë dhe shqiptarëve kudo, e që
duhet të interesojë dhe të shqetësojë çdo shqiptar, pa dallime politike, fetare
ose krahinore është kur Kryeministri aktual i Shqipërisë deklaron – 30-vjet pas
shembjes së Murit të Berlinit nga
foltorja e Kuvendit të Shqipërisë --se komunistët shqiptarë, në krye me Enver
Hoxhën, njërin prej diktatorëve më gjakatarë që ka njohur historia -- na paskan
qenë, “në anën e duhur të historisë”.
Kush është ky njeri, a është Edi Rama “antikomunisti” i vitit 1990, a po
simpatizant i komunizmit sot.
Është
e vështirë të merret me mend një Kryeministër i cilitdo vend tjetër
ish-komunist në Evropë dhe më gjërë, që sot në fillim të dekadës së tretë të
shekullit 21, të deklarojë se -- komunistët shqiptarë, përfshir babain e tij,
që i kanë shërbyer me besinkëri njërit prej regjimeve më kriminale që ka njohur
historia e njerëzimit e shekullit të kaluar – kanë qenë në anën e duhur të
historisë. Gjatë “debatit”, Z. Rama e
quajti veten “socialist-demokrat”, “në kuptimin e të qenit demokrat”, tha
kryeministri. “Socialistët, ta dishë”,
shtoi ai, “janë anti-fashistë dhe anti-komunistë”. Nëqoftse socialistët na
qenkan “antikomunistë”, atëherë si mund të ishin komunistët në anën e duhur të
historisë? “Socialistët, nuk merren me
personat, ata merren me ideologji, kjo është ndarja e madhe”, theksoi ai. Por,
ai nuk tha se për cilën ideologji e ka fjalën.
Unë
nuk jam i sigurt se cilën audiencë kishte parasysh, Z. Rama kur deklaroi se
komunizmi shqiptar ishte në anën e duhur të historisë: drejtuar një dyzinë
antarësh të Kuvendit që gjoja quhet opozitë, ish-zyrtarëve të komunizmit, sot
anëtarë të Kuvendit si përfaqësues të partisë së tij në pushtet, me maska në
fytyrë, sikur duan të mbulojnë të kaluarën e tyre kriminale, si ish-shërbëtorë
të komunizmit, “në anën e duhur” të historisë, a po iu drejtuar mbarë
shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve, ose ndoshta vetëm donte të mobilizonte
“pionerët e Enverit”?. Unë besoj se ky
mesazh patetik i Z. Rama u drejtohej votuesve shqiptarë në përgjithësi, me një
sy tek zgjedhjet e ardhëshme, për të aktivizuar elementët më negativ të
shoqërisë shqiptare. Por, mbi të gjitha
ishte një mesazh anti-njerëzor për të gjitha viktimat anti-komuniste të
regjimit të Enver Hoxhës dhe të përndjekurve të atij regjimi dhe ndaj të gjithë atyre që kanë kaluar vitet më
të mira të jetës nepër kampet e përqëndrimit e që sot sillen rrugëve të Tiranës
dhe të qyteteve të tjera pa punë, pa të ardhura e pa pronë, pa pikë shprese për
veten dhe familjet e tyre. E vetmja
shpresë që kanë është për tu arratisur nga Atdheu siç arratiseshin dikur nga
Shqipëria komuniste, paraardhësit e tyre.
Për fat të keq, kjo deklaratë e kryeministrit shqiptar, mbi të gjitha, u
bë në frymën e Vladimir Leninit, me qëllim “që të përhapë në masat e popullit
urrejtje klasore, neveritje dhe përbuzje ndaj të gjithë atyre që nuk pajtohen
me ne.” (Lenini).
Të
thuhet se “komunistët ishin në anën e duhur të historisë”, nuk është një
shprehje që del nga zemra dhe mendja e një demokrati të vërtetë evropian të
fillim shekullit 21. Kjo nuk është
demokraci as “politikë opinionesh e përballje ideshë”, siç pretendoi gjatë
“debatit”, Z. Rama. Ky është një debat
me veten tuaj, i nderuar kryeministër!
Fatkeqësisht, kjo që ndodhë në Kuvendin e Shqipërisë, nuk është as
shprehje opinionesh as përballje ideshë, por është një pasqyrim i falimentimit
moral dhe politik i një klase politike pa parime dhe pa atdhedashuri. Por që pasqyron edhe atë që, për shumicën e
shqiptarëve tani, është një korrupsion materialist në të cilin është zhytur
vendi, jo vetëm politika e ditës por edhe një pjesë e madhe e medias dhe
shoqërisë shqiptare në përgjithësi.
Mund
të ishte një kohë dikur, dekada më parë, që ndoshta përkushtimi ndaj komunizmit
dhe diktatorëve si Enver Hoxha të konsiderohej si një idealizëm i gabuar ose
naiv, megjithëse i rrezikshëm dhe jo kurrë si në anën e duhur të
historisë. Por, sot jemi në një botë dhe
në një shekull tjetër. Për pjesën më të
madhe të botës ish-komuniste dhe për njerëzit normal, periudha e komunizmit ka
kaluar, është mbyllur, turpërisht, me shembjen e Murit të Berlinit. Por, kjo magjepsje, kjo nostalgji e çmendur
në nivelet më të larta të qeverisë dhe shtetit -- me të kaluarën komuniste në
Shqipëri -- siç dëshmon edhe deklarata e Kryeministrit Rama javën që kaloi --
është absolutisht e pabesueshme, kur të konsiderohen krimet e atij regjimi,
tani një pjesë e të cilave po dokumentohen nga entet përkatëse të jashtme dhe
të brendshme të vendit, nga individë e historianë si dhe nga dëshmitë e shumë
të vuajturve dhe të persekutuarëve të regjimit enverist.
Ata
që janë moralisht të falimentuar, përsa i përket krimeve të komunizmit,
anashkalojnë faktin se terrori dhe krimet anti-njerëzore ishin një prej mjeteve
bazë që komunizmi përdorte për të qëndruar në pushtet, duke zhdukur, pa
mëshirë, kundërshtarët e vet. Në vend që
të kërkojnë ndëshkimin e krimeve të komunizmit, ose të pakën përballimin zyrtar
me të kaluarën komuniste, grupe të ndryshme, një pjesë e medias dhe
nostalgjikët e komunizmit-- për interesa të momentit-- promovojnë regjimin
komunist dhe figurat udhëheqëse më të shëmtuara të komunizmit shqiptar. Tashti këtyre grupeve iu bashkua, zyrtarisht,
edhe Kryeministi i vendit me deklaratën e tij bombastike se “komunizmi ishte në
anën e duhur të historisë”. Një
deklaratë kjo e cila u interpretua nga disa analistë si një përpjekje e qartë
për të paraqitur ndryshe nga ç’ishte historia kriminale e komunizmit në
Shqipëri.
I
nderuar Z. Kryeministër, në vend të glorifikimit të komunizmit, si i pari i
qeverisë së vendit, të takon, je i detyruar-- politikisht, moralisht, por edhe
kombëtarisht -- që të ndihmosh në ndërgjegjësimin dhe në forcimin e dialogut
rreth krimeve dhe pasojave të së shkuarës diktatoriale komuniste në
Shqipëri. Ndërgjegjësimi dhe
përgjegjësia e shoqërisë shqiptare për të kaluarën komuniste, është një rol që
duhet të luaj personi i juaj, si një përgjegjësi morale dhe qytetare ndaj të
gjithë shqiptarëve, pa dallim. Sa larg
ishte dhe është Shqipëria nga bota perendimore sa i përket komunizmit. Ish-Presidenti amerikan John Kennedy, si një
detyrim moral dhe patriotik kishte premtuar në kulmin e përhapjes së komunizmit
në botë se për të ndaluar komunizmin, Amerika ishte gati të, "paguaj çdo
çmim, të bartë cilëndo barrë, të përballojë çdo vështirësi, të mbështesë çdo
mik, dhe të kundërshtojë çdo armik, për të siguruar mbijetesën dhe suksesin e
lirisë". Liria në Shqipëri nuk
mbrohet duke promovuar komunizmin, Z, Kryeministër.
Fatkeqësisht,
nostalgjia për komunizmin është e rrënjosur thellë në psikozën e shqiptarëve
dhe shprehet haptas nga trashgimtarët apologjetë të atij regjimi, në media dhe
panele televizive, nga njerëz të cilët ende mbajnë detyra me përgjegjësi, në
nivelet më të larta qeveritare dhe akademike.
Politika ka përgjegjësitë e veta për gjëndjen e krijuar në vend, por
këta ”këmisha bardhët me kravata” siç i quante Ronald Reagan, janë një ndër
shkaqet kryesore që demokracia, liria e vërtetë dhe drejtësia, po tkurren dita
ditës në Shqipëri. Këta duhet të mbahen
përgjegjës aq sa edhe politika, për gjëndjen e mjerueshme në vend.
Shqipëria
jonë e vogël është me krime aq të mëdha e të kobshme të epokës së komunizmit,
saqë s’ka ndërgjegje e kujtesë që i mban.
Të pazotë e të pandershëm si elita, si shoqëri, si parti politike dhe si
shtet për t’u përballur me to, për fat të keq, duket se Tirana zyrtare ka zgjedhur
rrugën e harresës, tjetërsimit të historisë dhe anashkalimit të krimeve të
komunizmit, kësaj radhe me sanksionimin zyrtar të Kryeministrit të vendit. Jeni në rrugën e gabuar! Historia e komunizmit shqiptar, prej pothuaj
gjysëm shekulli, ishte një histori tmeri, viktimash të pafajshme, kampesh pune
e përqendrimi, burgjesh, arratisjesh dhe ekzekutimesh të kundërshtarëve të
regjimit enverist. Z. Kryeministër, po
mbroni një trashëgimi krimesh, gënjeshtrash dhe shpifjesh. Komunizmi ishte një kapitull i tmershëm dhe i
pa njohur më parë në historinë e njerëzimit, për nga natyra e krimeve që ka
kryer mbi njerëz të pafajshëm. Si e
tillë, kjo histori monstroze duhet të dënohet, në vend që të promovohet si një
histori e duhur nga ana juaj. Diktaturat
e të gjitha ngjyrave, sidomos komunizmi me mbi 100-milionë të vrarë -- nuk kanë
qenë kurrë dhe nuk duhet të konsiderohen as sot si një sistem i duhur në
historinë e Shqipërisë, as të njerëzimit.
Deklarata juaj, javën që kaloi, se komunistët dhe komunizmi 50-vjeçar në
Shqipëri -- megjithë krimet e mëdha në njerëz dhe dëmet materiale për të cilat
nuk fole fare -- ishin në anën e duhur të historisë, është e papërgjegjshme,
ofenduese për të përndjekurit e komunizmit-- të gjallë e të vdekur-- imorale
dhe kriminale për një kryeministër të një vendi anëtar i NATO-s.
Në artikullin e
bashkangjitur, shkruar para tre vjetësh, mund të shikoni foto-skica nga Piktori
Z. Lekë Pervizi: Kampet e vdekjes, janë kampet e regjimit komunist të Enver
Hoxhës, dhe pikërisht kampi famëkeq i Tepelenës.
https://telegraf.al/opinion/frank-shkreli-piktori-i-kampeve-te-vdekjes-te-regjimit-te-enver-hoxhes/