Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Themelohet Fondi Xhim Xhema
E diele, 18.10.2020, 03:25 PM
THEMELOHET FONDI XHIM XHEMA PRANË UNIVERSITETIT KANSAS
NË NDER TË ISH-SENATORIT
ROBERT DOLE
Nga
Frank Shkreli
Në
një njoftim të përhapur të enjten nga (Kansas University Endowment”), për
mediat amerikane dhe shqiptare, thuhet se biznesmeni dhe mbrojtsi i çeshtjeve
kombëtare, Z. Jim (Xhim) Xhema me origjinë shqiptare nga Greenwich i shtetit
Konetikët në Shtetet e Bashkuara i dhuroi $500,000 (gjysëm million) dollarë
Institutit Dole pranë Universitetit të shtetit Kansas. Në njoftim thuhet se ky gjest i Z. Xhema
është një vlerësim i punës së Senatorit Robert Dole due jepet në shenjë
falënderimi për diplomacinë dhe mbështetjen ndaj çeshtjes së Kosovës gjatë
dekadave dhe për miqësinë e tij të gjatë me Senatorin republikan Bob Dole.
Një
lidhje politike që bashkoi akktivistin shqiptaro-amerikanin Jim Xhema dhe
Senatorin e shtetit Kansas, Z. Bob Dole është kthyer në një miqësi midis këtyre
dy burrave që ka zgjatur për më shumë se 30 vjet, theksohet në njoftimin e shpërndar
për median. Kjo miqësi, e lindur nga
një fëmijëri me shumë gjëra të përbashkëta dhe bazuar në respektin e
ndërsjelltë midis këtyre dy burrave, frymëzoi dhënjen e kësaj dhurate prej
500,000 dollarësh Institutit Dole, pranë Universitetit Kansas, thuhet në
njoftimin e Universitetit Kansas.
Njoftohet se dhënja e kësaj dhurate ishte planifikuar të jepej
njëkohësisht me ceremoninë e zbulimit të statujës së Senatorit Dole në
Prishtinë, gushtin që kaloi, në kryeqytetin e Kosovës, në kujtim dhe në nderim të
30-vjetorit të vizitës së parë të Senatorit Dole, me gjashtë kolegët e tij
senatorë të njohur amerikanë, në
Prishtinë.
Ishte
kjo vizita e parë e Senatorit Robert Dole në Kosovë, vizitë e cila konsiderohet
edhe sot si pikëkëthesa për çlirimin, lirinë dhe pavarësinë që gëzon sot
Kosova. Senatori Dole dhe kolegët e tij, dëshmuan para botës dhe komunitetit
ndërkombëtar abuzimet serbe të të drejtave të shqiptarëve në Kosovë, por edhe
për qendresën e tyre të fortë përball këtyre abuzimeve. Sipas shumë vërejtësve, me vizitën e
senatorëve amerikanë në Kosovë në vitin 1990 filloi edhe “ndërkombtarizimi i
çeshtjes së Kosovës”, për të cilën fliste aq shpesh ish-Presidenti historik i
Kosovës, i ndjeri Dr. Ibrahim Rugova, njëkohësisht edhe mik i ngusht i Z. Xhema dhe
i Senatorit Robert Dole, si dhe krye-protagonisti i miqësisë së përhershme
midis Shteteve të Bashkuara dhe shqiptarëve -- në një kohë -- kur pak kush
dinte gjë për Kosovën dhe për shqiptarët.
Në
njoftimin për themelimin e Fondit Xhema thuhet se Jim Xhema është takuar për
herë të parë me Senatorin Dole në vitin 1987, kur Z. Dole ishte udhëheqësi i
shumicës republikane në Senatin amerikan.
Z. Dole ishte ndër liderët e parë politikë Amerikanë që solli vëmendjen
ndaj gjëndjes në Kosovë dhe popullsinë e saj, kryesisht, etnike shqiptare si
dhe përpjekjeve të saj për liri nga sundimi serb gjatë viteve 1980 dhe ’90 -
kur qeveria serbe kishte vendosur ligjin e shtet-rrethimit dhe sundimin
diktatorial mbi popullsinë shqiptare.
Gjatë
ceremonisë që u mbajt në Prishtinë gushtin që kaloi, për të nderuar Senatorin
Dole, Z. Xhema tregoi se megjithse ata u rritën në dy botë të ndryshme, të dy u
rritën në ferma bujqësore. "Të dy e
kuptuam se, në fëmini, ishim rritur në një mënyrë shumë të ngjashme me njëri
tjetrin dhe se kemi shumë parime të njëjta," është shprehur Z. Xhema, siç
raporton gazeta shqiptaro-amerikane, Illyria në Nju Jork.
Ndërkaq,
në njoftim thuhet se Senatori Dole falënderoi Z. Xhim Xhema, mikun e tij prej
një kohe të gjatë, për dhuratën dhe për vizionin e tij për paqe dhe liri. “Xhim Xhema ka qenë miku im i ngushtë për
shumë dekada. Ai është një njeri i
shquar dhe i veçantë”, tha Robert Dole, njëri prej politikanëve më të njohur të
Amerikës të shekullit të kaluar dhe më vonë.
“Besnikëria dhe miqësia e Xhimi-t gjatë viteve, kanë qenë gjithmonë
shumë domethënëse për mua, në nivelin personal, ndërsa dhurata e tij e fundit
për Institutin Politik Dole, është një dëshmi e vërtetë e bujarisë së tij të
pakufishme dhe e angazhimit të tij të vendosur për ta bërë këtë botë më të mirë
për brezat e ardhëshëm”, është shprehur ish-Senatori Dole.
Fondi
i Mundësisë Jim Xhema (“Jim Xhema Opportunity Fund”) do të sigurojë mbështetje
për Institutin e Politikës Robert J. Dole për programet dhe ekspozitat publike
të Universitetit Kansas. Për të
respektuar dëshirën e Z. Xhema, ky fond do të përdoret për të sponsorizuar
programe dhe ekspozita me tema dhe subjekte mbi Shqipërinë, Kosovën,
Shqiptaro-Amerikanët ose rajonin e Ballkanit, në Evropën Juglindore. Ky fond
mund të sigurojë gjithashtu mbështetje për studiues që do të merren me kërkime
shkencore në kuadër Koleksioneve të posaçme dhe Arkivit Robert dhe Elizabeth
Dole, thuhet në njoftimin për media.
Ndërsa
Z. Bill Lacy, Drejtori i Institutit Politik Dole pranë Universitetit Kansas, i
shprehu mirënjohjen e tij të thellë Z. Xhim Xhema për dhuratën duke thenë se
Instituti Dole do të përfitojë shumë nga kjo dhuratë bujare. "Ne të Institutit Dole jemi vërtetë të
nderuar dhe mirënjohës ndaj Z. Xhema për këtë dhuratë bujare", tha Lacy. "Kontributi i tij do të ndihmojë që të
sigurojmë -- që ne të vazhdojmë të nderojmë trashëgiminë e Senatorëve Bob dhe
Elizabeth Dole dhe të hapim mundësi të reja për të zgjëruar programimin dhe
kërkimet shkencore në fusha të reja dhe për audienca të reja", përfundon
njoftimi për themelimin e Fondit Xhim Xhema pranë Universitetit Kansas, në nder
të ish-Senatorit të Shteteve të Bashkuara, Z. Robert Dole.
Vizita
e Senatorit Robert Dole në Prishtinë në vitin 1990, ishte si të thuash
katalizatori që vuri në lëvizje ndërkombtarizimin e “Çeshtjes së Kosovës”. Ishte paralajmërimi i parë për Washingtonin
zyrtar dhe botën se në Kosovë punët ishin shumë keq për shqiptarët, madje pat
parashikuar edhe fundin e ish-Jugosllavisë si shtet federativ.
Pas
“shtypjeve shokuese” që kishte parë në Kosovë ndaj shqiptarëve të asaj krahine
nga ana e forcave policore serbe, ish-Senatori Dole ia nisi punës për të
sensibilizuar Kongresin, por edhe popullin amerikan dhe botën për krimet dhe
shkeljet e rënda të të drejtave të njeriut që po ndodhnin në Kosovë kundër
shqiptarëve autoktonë, nga forcat kriminale të Millosheviqit, duke e cilësuar
atëherë situatën në Kosovë si të rrezikshme dhe të pa parashikueshme. Kjo ishte, pikërisht, edhe periudha që
njëherazi vuri në lëvizje edhe lobimin në Kongres dhe pranë qeverisë federale
të komunitetit shqiptaro-amerikan, i cili megjithëse i vogël në numër,
arrijti të siguronte një mbështetje të pa parë deri atëherë — në qarqet e
politikës amerikane – në favor të të drejtave dhe kauzave të shqiptarëve në
trojet e tyre autoktone në ish-Jugosllavi dhe në rajonin e Ballkanit
Perendimor, në përgjithësi.
Aftësia
që e dalloi Z. Xhim Xhema dhe veprimtarinë e tij gjatë dekadave në Amerikë
ishte se ai dijti të zgjidhte dhe të bënte miqë për shqiptarët në Washington,
nga të dy partitë politike kryesore të këtij vendi – republikanë dhe demokratë
-- dhe ndër politikanët më të dalluar due më me influencë të këtij vendi
demokratik, njerëz me vlera morale dhe politike, por edhe human si Robert Dole,
që besonin në lirinë, demokracinë dhe të drejtat e njeriut për të gjithë
popujt, pa dallim. Ishte fati ynë që
komuniteti shqiptaro-amerikan kishte njerëz si Xhim Xhema i cili me
veprimtarinë dhe me miqësinë e tij me politikanët më të njohur të këtij vendi –
bëri që “çeshtja e Kosovës” dhe të drejtat dhe liritë e shqiptarëve në
përgjithësi, -- gjatë një periudhe shumë kritike të historisë së shqiptarëve –
interesat e tyre të ishin në krye të listës së politikës së jashtme amerikane,
gjatë dekadave të fundit të shekullit të kaluar dhe fillimim shekullin
XXI. Njëri prej këtyre ishte edhe ish-Senatori
Robert Dole, “Një mbështetës i pazevëndsueshëm i Kosovës, duke qëndruar pranë
dhe në mbështetje të popullit të këtij vendi, në përpjekjet e tija për të
ndërtuar një shtet të fortë dhe të lirë”, siç e ka cilësuar Senatorin Dole,
ambasadori aktual amerikan në Prishtinë, Z. Filip Kosnett. Ndërsa
Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan (NAAC) në vitin 2003 e kishte vlerësuar
kontributin e Z. Xhema, gjatë viteve, me
medaljen “Për Arritje të Mëdha në Jetë”, me motivacionin: “Për
devotshmërinë e tij legjendare ndaj çështjes shqiptare dhe për punën e palodhur
drejtë përmirsimit të jetës së shumë shqiptarëve, në të dy anët e Atlantikut.”
Ndihma
prej dekadash e Senatorit Bob Dole dhe e politikanëve të tjerë amerikanë, është
vlerësuar dhe nuk besoj se do të harrohen kurrë nga Kosova dhe as nga Kombi
shqiptar. Dhurata bujare -- e
veprimtarit të njohur prej dekadash në komunitetin shqiptaro-amerikan, Z. Xhim
Xhema -- për Institutin Dole të Universitetit Kansas – është një vlerësim
tjetër i lartë që do të përjetësojë kujtimin e punës së palodhëshme të këtij
burri të madh amerikan në mbështetje të drejtave bazë të njeriut, lirisë së
shqiptarëve, në përgjithësi dhe pavarësisë së Kosovës dhe të lidhjeve të
përhershme midis dy popujve tanë, në veçanti.
Ish-Senatori
Bob Dole me veprimtarin shqiptaro-amerikan të çeshtjes kombëtare, Z. Xhim Xhema
Ish
senatori Dole (majtas) me Prof. Sami Repishtin (në mes) dhe Xhemail (Jim)
Xhemën.
Xhemail
(Jim) Xhema (majtas) me ish senatorin Bob Dole dhe ish presidentin Bill
Clinton, në mbrëmjen e Këshillit Kombëtar Shqiptaro – Amerikan, në qershor
2003.
Respekt
për ish-Presidentin Ibrahim Rugova
Gjithmonë
midis veprimtarëve shqiptaro-amerikanë
Dhjetor
2016 në pritjen vjetore me rastin e festave të fund vitit, organizuar nga Xhim
Xhema, për miqtë shqiptarë dhe amerikanë, në një prej lokaleve të njohura të
New Yorkut.