Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Në Ditëlindjen e Ibrahim Rugovës
E merkure, 02.12.2020, 08:19 PM
NË DITËLINDJEN E IBRAHIM RUGOVËS
Në kuadër të Ditës së
Pavarësisë së Shqipërisë
Nga
Frank Shkreli
Më
2 dhjetor të vitit 1944, ka lindur Ibrahim Rugova, njëri prej themeluesve
dhe ish-Kryetari për një kohë të gjatë i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe
ish-kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës. Ibrahim Rugova u rizgjodh me vota dërmuese
kryetar i Kosovës në zgjedhjet e mbajtura nën okupimin serb, në mars të vitit
1998. Vdiq me 21 janar të viti 2006, u
varros me nderime dhe pjesëmarrje të larta shtetërore dhe ushtarake, kombëtare
dhe ndërkombëtare.
Sivjet
po e kujtoj ditëlindjen e këtij burri të madh të Kombit, jo me fjalët e mia,
por me fjalët e tija: Pasi jemi ende në frymën e festës së Pavarësisë së
Shqipërisë, me kënaqësi po shpërndaj një artikull të Ibrahim Rugovës, shkruar
me rastin e 28 Nentorit, të vitit 1968, në një prej gazetave të Prishtinës së
asaj kohe. Titulli i shkrimit është,
“Pavarësia Kombëtare -28 Nëndor 1912- 28 Nëndor 1968.
Për
ata që mund të kenë harruar, e sidomos për ata fatzezë, shumë prej të cilëve –
atëherë e sot -- të influencuar nga idetë sllavo-komuniste, ende flasin keq dhe
gjithnjë nuk duan të njohin meritat e këtij udhëheqësi unik të Kombit shqiptar
– duhet kujtuar se viti 1968 – kur është shkruar artikulli -- ishte një
periudhë e rendë në historinë e Kosovës, por edhe e lavdishme – ndoshta ndër
datat më të spikatura të historisë kombëtare të shqiptarëve.
Ishte
viti i demonstratave të shqiptarëve të Kosovës për të drejtat e tyre,
demonstrata që fillimisht shpërtheu në Prizren me 6 Tetor, 1968, e që më vonë u
përhapen anë e mbanë duke kërkuar të drejtën e përdorimit, lirisht, të flamurit
kombëtar dhe hapjen e Universitetit të Prishtinës. Demonstratat e vitit 1968 ishin vërtetë një
kryengritje popullore e shqiptarëve që shkundi nga themelet regjimin komunist
jugosllav të asaj kohe, megjithse demonstratat u shtypën brutalisht nga regjimi
komunist jugosllav. Por demonstratat patën edhe suksesin e tyre, pasi çuan në
themelimin e universitetit të Prishtinës dhe në miratimin e ligjeve të reja të
favorshme për shqiptarët, përfshir Ligjin Kushtetues për Krahinën Autonome të Kosovës.
Ishte
pra, në këtë periudhë të tensionuar politike dhe mjaft të rrezikshme për
intelektualët e Kosovës, të asaj kohe, siç ishte Dr. Ibrahim Rugova, kur
Presidenti i ardhëshëm i Republikës së Kosovës shkruante artikullin “Për
Pavarësinë Kombëtare” që po ju sjellim më poshtë në faksimil, të botuar në
Nëndor, 1968. Më thenë të drejtën, mua
nuk më habiti fare ky shkrim – pasi bazuar në aq sa e kam njohur Dr. Rugovën,
ai ishte një atdhetar i pa lëkundur në mendimet e tija dhe në besimin e tij në
vlerat kombëtare, sidomos në pavarësinë dhe bashkimin kombëtar – siç kishte
titulluar edhe shkrimin –çrej vitit 1968, pra.
“Viti
1912. Zgjedha otomane zenë të
hiqet. Ketë e benë ata që me shekuj
ndien peshën e saj, peshën e saj të ndyet çkombtarizuese, vëllavrasëse due
coptuese. Edhe toka e Memdheut eshte e zgjuar. S’duron më këmbën e ndytë
poshtëronjese që fikte njomsitë pa lindë fare. Bota dëgjon për ketë. Ballkani
ushton. Trimat ende, në të gjitha anët...”, shkruante ndër të tjera Ibrahim
Rugova në nentor të vitit 1968.
Ndonëse
shkrimi ishte botuar dy muaj pas demonstratave në Kosovë është kollaj të shihet
se Rugovës, “gjuha i shkon aty ku i dhemb dhëmbi”, ndonëse i referohet
“kuçedrës së Anadollit”, ai sikur shkruante edhe për situatën e atëherëshme të
shqiptarëve nën kuçedrën komuniste të Jugosllavisë: “…nuk kemi asgjë se kuçedra
e Anadollit na gëlltiti ç’patëm. Po, ajo mori shumëçka, gati na zhbiu, por
s’mundi të na marrë atë më të vlefshmen, më madhështoren – fuqinë, trimërinë,
që i çoi në këmbë prore shpirtrat tonë të djegur për tokën e strëgjyshorëve.
S’u harrua porosia e stërgjyshëve. E shpurrëm mëtej dhe do ta shpiem gjersa të
gjallërojmë mbi ketë tokë të dashur…”
“Kokën
mund të ma ndërrojnë, por mendimin kurrë”, ka thenë Ibrahim Rugova. Ata që e
kanë njohur Dr. Ibrahim Rugovën gjatë viteve, besoj se e dinë se Dr. Rugovës
mund t’ia prisje kokën, por mendimet e tija nuk mund t’ia ndryshonin kurrrë.
Ky
shkrim më poshtë, është edhe një provë tjetër për këtë thënje. Lexim të
këndërshëm.