Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Fiton Amerika!
E hene, 09.11.2020, 10:15 PM
FITON AMERIKA!
Nga
Frank Shkreli
Ja,
më në fund edhe zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara u mbajtën. Votat u numëruan, ish-Zëvendës Presidenti Joe
Biden i Partisë Demokrate u shpall fitues i zgjedhjeve, ndërkohë që Presidenti
Donald Trump ende konteston në gjykata numërimin e votave, në disa shtete të
Amerikës. Megjithë këto kundërshtime dhe
disa sfidave ligjore – të cilat nuk janë të parat – dhe besoj as do të jenë të
fundit në historinë e zgjedhjeve në Amerikë – me 20 Janar, 2021 transferimi i
pushtetit do të ndodh ashtu si gjithmonë dhe sipas Kushtetutës, pikërisht siç
ka ndodhur për më shumë se dy shekuj më parë.
Një ceremoni, vërtetë unike në botë, por që ne, këtu në Amerikë, e
konsiderojmë krejt normale, pas një fushate politike dhe debatesh shpesh të
ashpra, për të zgjedhur kandidatin që mendohet se do të jetë më i mirë për
Amerikën, në katër vitet në vijim.
Pa
dashur të largohem shumë nga tema e këtij shkrimi të shkurtër e modest, do
dëshiroja që me këtë rast të transferimit të pushtetit në Shtetet e Bashkuara,
t’i këshilloja – nëqoftse më lejohet -- udhëheqsit shqiptarë në Tiranë dhe në
Prishtinë, që të frenohen nga deklarata të papërgjegjëshme, siç ka ndodhur herë
të tjera, në lidhje me njërin apo tjetrin kandidat për president të Amerikës. Amerika nuk është as Trumpi as Biden, por
është populli amerikan, i cili, për mirë ose për keq, i voton ata me një
shumicë votash. Ashtu siç kam shkruar
edhe katër vite më parë -- marrëdhëniet
midis kombit shqiptar dhe kombit amerikan janë tepër të rëndësishme për tu
përgojuar me paragjykime ndaj njërit ose tjetrit kandidat të veçant për
president.
Duhej
të ishte e qartë tanimë se marrëdhëniet midis dy popujve tanë duhet të
zhvillohen bazuar në miqësinë dhe mbështetjen historike të Amerikës për Kombin
shqiptar, si dhe në vlerat dhe interesat e përbashkëta aktuale dhe jo në
paragjykime mbi njërin ose tjetrin kandidat, bazuar në konsiderata ideologjike.
Në fund të fundit, duhet të respektohet vendimi i votës së shumicës së
amerikanëve, pasi ata janë zgjedhësit të cilët votojnë kandidatin që ata
konsiderojnë si më të mirin për president dhe për të ardhmen e tyre. Marrëdhëniet e shqiptarëve në Ballkan me
Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk janë due nuk duhet të jenë të lidhura me
ndonjë udhëheqës të veçant amerikan ose shqiptar, por janë të lidhura,
përjetësisht, midis dy popujve tanë dhe si të tilla duhet të trajtohen, me
përgjegjësi kombëtare, si nga Tirana ashtu dhe nga Prishtina zyrtare. Vura re debatet e nxehta, sidomos në studiot
e Tiranës – sikur Shqipëria nuk ka probleme tët jera – në lidhje me zgjedhjet
në Amerikë. Pyetja kryesorja ishte
ç’bëri Trumpi për Shqipërinë dhe çdo bejë Bideni për Shqipërinë??? Askush nuk bëri pyetjen se si shqiptarët duhej të punonin së
bashku me Amerikën -- aleatin e tyre të fortë – në mbështetje të lirisë,
demokracisë due sigurisë së vërtetë në Shqipëri dhe në Kosovë, pa marrë
parasyshë se kush është në Shtëpinë e Bardhë.
Nuk
ka dyshim se shpeshëherë demokracia mund të duket si një sistem një vazhdimisht
në rrëmujë. Uinston Çurçilli ka thenë se, “Demokracia është forma më e keqe e
qeverisjes, me përjashtim të të gjitha të tjerave”. Nuk ka dyshim, se zgjedhjet e këtij viti këtu
në Amerikë provuan, se siç ka thenë edhe Çurçilli, ndoshta për disa, demokracia
nuk është një shembull i mirë qeverisjeje. Por, kur konsideron alternativat e
tjera, sistemi demokratik – megjithëse jo i përsosur – mbetet, mbi të gjithë të
tjerët, ende sistemi në të cilin
triumfojnë dinjiteti dhe të drejtat bazë të njeriut. Gjatë katër viteve të kaluara, Shtetet e
Bashkuara dhe bota u përballen me sfida të mëdha, përfshirë pandeminë Covid-19
dhe jam i bindur se edhe katër vitet e ardhëshme, nuk do të jenë të lehta as
për Amerikën dhe as për botën, ndonëse do të përballen me problemet e
pazgjidhura aktuale, por edhe me sfida të reja. Zgjedhjet kanë pasoja,
zgjedhjet sjellin ndryshime. Ndryshimet
në qeverisje, jo vetëm që janë pozitive por edhe të doemosdoshme. Nuk duhet të
kemi frikë as të shqetësohemi nga ndryshimet, sado të dhimbshme qofshin ato për
mbështetsit e njërës apo tjetrës palë.
“Ndryshimi është ligj i jetës. Dhe ata të cilët shikojnë vetëm të
kaluarën dhe të tashmen, kanë gjasa të humbasin të ardhmen”, ka thënë
ish-presidenti amerikan, Xhon Kenedi.
Atyre
të cilët, gjatë katër viteve të fundit, kanë parashikuar dhe që ndoshta edhe
dëshirojnë fundin e Amerikës dhe të demokracisë si sistem qeverisjeje në SHBA,
u them qetësohuni, mos u shqetësoni! Megjithë fushatën e ashpër për president
midis dy palëve dhe megjithë sfidat aktuale të brendëshme dhe ndërkombëtare, si
dhe problemet me të cilat do përballet, në të ardhmen, Amerika, “Amerikanët,
ashtu si edhe në të kaluarën, kanë kapacitetet të bëjnë gjithçka që duhet bërë
për të ruajtur këtë bastion (Amerikën) të fundit dhe të madh të lirisë”, është
shprehur dikur ish-Presidenti amerikan, Ronald Reagan. Ndërsa, fjalët e një
tjetri president të Amerikës, Xhon Kenedi, në inaugurimin e tij, pikërisht
60-vjet më parë, në mbrojtje të lirisë dhe demokracisë amerikane, ende
tingëllojnë aktuale për shumë amerikanë, e të cilat gjithnjë pasqyrojnë
përkushtimin e këtij vendi në mbështetje dhe mbrojtje të lirisë, jo vetëm në
këtë vend, por kudo. “Le ta dijë çdo komb, nëse na dëshiron të mirën apo të
keqen, se ne do të paguajmë çdo çmim, do mbajmë cilëndo barrë të rëndë, do
përballemi me çdo vështirësi, do mbështesim çdo mik dhe do kundërshtojmë çdo
armik, për të siguruar mbijetesën dhe suksesin e lirisë”.
Në
zgjedhjet e këtij viti, ashtu si edhe në të kaluarën, votuesit amerikanë
përpiqen që, ndërgjegjëshmërisht, të hedhin votën e tyre duke pasur parsysh të
metat dhe problemet e këtij vendi, por duke qenë, njëkohësisht, edhe krenarë
për vlerat dhe demokracinë e këtij vendi, si dhe mundësitë që ofron demokracia
e vërtetë, duke qenë të vetdijshëm se me votën e tyre të lirë, pa marrë parasysh
se cili kandidat fiton – më në fund fiton, Amerika.
Megjithë
ndarjet aktuale politike që, tani për tani, mund të duken të thella në
politikën amerikane dhe si rrjedhim edhe në radhët e publikut amerikan, Shtetet
e Bashkuara kanë fuqinë dhe përvojën historike që politika amerikane dhe
amerikanët në përgjithësi -- në dialog dhe bashkpunim me njëri tjetrin -- t’i kapërcejnë ndasitë me sukses dhe si
gjithmonë në interes të Amerikës.
"Ne mund të jemi kundërshtarë, por nuk jemi armiq", siguroi
mbrëmë amerikanët Presidenti i zgjedhur Joe Biden, në një fjalim drejtuar
Kombit.