Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Ka thënë Faik Konica
E merkure, 16.12.2020, 09:15 PM
PA KOMENT: KA THËNË FAIK KONICA
Përzgjodhi
Frank Shkreli*
15 Dhjetor 1942 -
Përvjetori i vdekjes së shqiptarit të madh Faik Konicës
--Vdiq i vetëm dhe
me 15 dollarë në xhep --
Më
27 tetor 1928, në Uashington DC u nënshkruan dy akte të rëndësishme dypalëshe
midis presidentit të SHBA Calvin Coolidge dhe ministrit tonë Faik Konica,
"Traktati i Arbitrazhit" dhe "Traktati i Paqësimit". Në
foto Faik Konica (majtas) me Sekretarin e Shtetit të SHBA Frank Kellogg, më 17
korrik 1926
Klasës
politike aktuale shqiptare dhe të gjithë shqiptarëve kudo, Faik Konica u thotë:
“Duke parë dhe duke dëgjuar, bota
mësojnë mend dhe ndërtohen. Ne shqiptarët, s’marrim dot mësime; malet të tunden
dhe të rrëkëllehen, ne nuk këmbejmë mënyrën tonë. Mbani mirë (mend) këtë që po
ju them: në njëqind vjet, në vafshim si po vemi, do të jemi aq poshtë sa edhe
sot”.
“Sa e sa marrëzi, sa e sa poshtërsi e krime janë bërë në
emër të së gjorës Shqipëri”. "Armiqtë e Shqipërisë janë shqiptarët, jo të
tjerë. Shqiptarët kanë shkruar me gjakun e tyre më tepër se një faqe në histori
të Evropës."
Gjithë shqiptarët kudo dhe pa dallim,
Faik Konica do i këshillonte:
“Të përpiqemi me të gjitha forcat
tona të shërojmë shqiptarët nga dashuria për individët. Ata duhet të mësojnë të
duan Shqipërinë – jo për t’i bërë qejfin këtij apo atij shqiptari”. (Albania
16, 15-30 korrik 1898).
Për ata që thonë se 30-vjet post-komunizëm nuk mjaftojnë
për të vendosur një demokraci të vërtetë perëndimore, Faik Konica u thotë:
“Tek prisnim të piqeshin kushtet,
na u kalbën dëshirat.”
“Politika e vërtetë qëndron në kapjen
e drejtimit të një evolucioni të caktuar dhe në përpjekjen për të ndihmuar në
përshpejtimin e fundit të tij”. (Albania 11, 1898).
Për ata që rininë e quajnë
“huliganë”, Faik Konica u thotë:
“Rinia është në sytë e injorantëve kërcënim për të ardhmen; por është edhe
është rrezik për të tashmen, sepse rinia është e çiltër, ndërkohë që dhe çiltërsia
është armiku i natyrshëm i sharlatanëve”. (Albania 5, 1905).
“Populli është i duruar, po gjer në një pikë: e kur kupton dhe e zë zenga,
tërbimi i tij bën çudira të shëmtuara”.
Për ata që nuk kuptojnë ose nuk duan
të pranojnë zemërimin e njerëzve, në kohë të vështira, Faik Konica u thotë:
“Si mos të
dëshpërohesh në këtë vend, ku të pasurit nuk ndihmojnë dhe të varfërit nuk
punojnë”? F. K.
Për opinionistët dhe analistët e TV
studiove të sotëme shqiptare, Konica do të thoshte:
“Shumica e atyre që
kanë marrë mbi vete misionin modest “të ndriçojnë opinionin publik” as që kanë
ndjesinë më elementare ta nisin fillimisht nga vetvetja për t’u mirinformuar.
Venë e vënë në përdorim mënyra hulumtimi të cilat, sikur të zbatoheshin në çdo
shkencë, do bënin për të qeshur edhe një nxënës shkolle (Albania 6, 1905).
“Frikacaku i ka tërë
karakteristikat, dhe kryesisht këtë: hakmerret ndaj përbuzjes së tjetrit
nëpërmjet sharjes. I pafuqishëm, veç
flet keq e shan poshtërsisht të tjerët”. (Albania 5, 1905).
“Ka njerëz që shitën
nër guverna për të pështyr gënjeshtra. Ka të tjerë që marrin ndihmë nga një
guvernë për të thënë të vërteta që ndryshe nuk mund t’i thonë”. (Albania 2,
1899).
“Ka pasur në çdo
kohë, dhe përherë do ketë individë të gatshëm për të folur e shkruar lidhur me
çështje për të cilat nuk ia kanë haberin të shprehin as fjalën e parë. Por për
mendjet e matura, të etura për të studiuar seriozisht një vend e një popull,
nuk ka dhe nuk do të ketë veçse dy metoda në përdorim, jashtë së cilave
gjithçka tjetër nuk është veçse mashtrim: metoda e parë ka të bëjë me
ndërmarrjen e udhëtimeve për të bërë anketime të hollësishme e sistematike
drejtpërdrejt në vend; e dyta, me leximin sa më shumë që të jetë e mundur të
broshurave e librave të lidhura me çështjen konkrete, me qëllim që të arrihet
nëpërmjet induksionit – përmes një morie dokumentesh, faktesh dhe pohimesh
kontradiktore – të veçohet e vërteta dhe të koordinohet një tërësi pikëpamjesh
të qarta e objektive” (Albania 6, 1905).
Akademikëve dhe studiuesve, Faik Konica
u thotë:
E vërteta nuk ka
nevojë për stil gjarpërues e të yndyrshëm të shkrimeve akademike. (Albania 2,
1897).
Atyre që bejnë sehir ndaj të këqiave
të shoqërisë, urrejtjeve dhe armiqësive, Faik Konica u thotë:
“Urrejtja nuk
çarmatoset nëpërmjet heshtjes e asnjanësisë” (Albania 12, 1909).
“Një i mbushur me
mllef e mëri, në mendjen e tij anemike, rrokullis mendime të tmerrshme”,
(Albania 9, 1898).
Apologjetëve të komunizmit të Enver
Hoxhës, 30-vjet post-komunizëm, Faik Konica u thotë:
“Dallimi në kulturë
shpjegon dallimin në mendime” – “Nuk
mund të pretendosh të përfitosh nga tërë dobitë e lirisë, duke ruajtur
njëkohësisht tërë privilegjet e tiranisë.
Për të pasur institucione të lira, duhen luftuar mendimet nëpërmjet
mendimeve”. (Albania 5, 1907).
“Të verbrit do të
mbeten të verbër in sœcula sœculorum (gjer në fund të botës); edhe sikur t’u
shtini perona në sy, ata prapë nuk do shohin kurrgjë.” (Albania 1, 1897).
Përfaqsuesve të partive politike
shqiptare, Faik Konica do u thoshte të mënjanonë urrejtjet:
“Urrejtja partiake
shpesh merr përparësi ndaj instinktit kombëtar”, (Albania 2, 1904).
Atyre që po shkatërrojnë bukuritë e natyrës së Shqipërisë
(Valbona, Vjosa) për përfitime ekonomike, Faik Konica u thotë mos urreni
bukuritë që Perëndia u ka falur shqiptarëve:
“Shqipëria është një vend i bekuar me njëmijë bukurira, shkelur nga turmë e
cila ushqen njëfarë urrejtje ndaj bukurisë”.
*Përzgjedhur nga burime të ndryshme, përfshir “Faik
Konica Facebook” dhe nga studiuesi Fotaq Andrea, ndër të tjera.