Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Presidenti Dr. Ibrahim Rugova - Udhërrëfyesi i Kombit
E enjte, 21.01.2021, 11:45 PM
PRESIDENTI DR. IBRAHIM RUGOVA, UDHËRRËFYESI I KOMBIT
ME
RASTIN E 15-VJETORIT TË KALIMIT NË AMSHIM
Nga
Frank Shkreli
Sot
në 15-vjetorin e shkruarjes në amshim të Presidentit të parë historik të
Kosovës, Dr. Ibrahim Rugovës, Kombi shqiptar e kujton atë si një udhëheqës
ndryshe, si një udhëheqës i cili nuk humbi asnjëherë rrugën drejtë pavarësisë
së Kosovës dhe realizimit të objektivave kombëtare. E kujton atë sot si
udhërrëfyesin e Kombit. E kujtojmë si
diellin që gjatë viteve të kalvarit të Kosovës – kur për të dhe për
bashkpuntorët e tij të ngushtë, ishte shumë lehtë që ai humbte shpresat dhe
guximin nga vranësitë ndër më të errëta që kishin mbuluar ndonjëherë jetën
kombëtare të shqiptarëve të Kosovës dhe
të gjithë shqiptarëve kudo që ndodheshin, të cilët ndjeknin me mërzi
tepër të madhe kalvarin neper të cilin po kalonte Kosova.
Fatkeqësisht,
Presidenti Rugova iku nga kjo botë tepër heret, atëherë kur Kosova dhe Kombi
kishin më së shumti nevojë për një njeri si ai dhe për një hov të pashterrshëm
të ndjenjave për atdhedashuri të sinqert, për një zëdhënës dhe për një
përfaqsues autentik të vlerave stërgjyshore kombëtare, pro-perendimore të
shqiptarëve– pas një periudhe të zezë sllavo-komuniste prej gjysëm shekulli, të
bazuar në një ideologji sllavo-aziatike e cila zbatonte brutalisht, si parim
kryesor, shlyerjen – pikërisht -- të këtyre vlerave kombëtare dhe të identitetit
autentik kombëtar të shqiptarëve.
15-vitet
e fundit të jetës së Dr. Ibrahim Rugovës ishin vendimtare në historinë e
Kosovës dhe të Kombit shqiptar. Ishte një periudhë historike që kërkonte guxim
e vendosmëri – bërtiste për një udhëheqës ndryshe për shqiptarët. Presidenti
Rugova shpesh thonte se gjatë historisë, Kombi ka patur shumë dështime megjithë
përpjekjet e mëdha dhe flijimet e patriotëve shqiptarë që nga periudha e Gjergj
Kastriotit-Skendërbeut e deri tek rilindasit, në fillim të shekullit të kaluar. Megjithë
këtë histori kombëtare vuajtjesh dhe deshtimesh për liri, përfshir vuajtjet e
tija personale dhe familjare, Dr. Ibrahim Rugova asnjëherë nuk u dmeoralizua,
nuk humbi shpresë as nuk ndërpreu përpjekjet e tija për lirinë e popullit të
vet, por përdori çdo rast që i paraqitej, sidomos me të huajt, që të shpjegonte
vuajtjet dhe padrejtësitë ndaj Kombit shqiptar gjatë shekujve, por njëkohësisht
edhe të lartësonte emrin dhe vlerat e Kombit shqiptar dhe të Dardanisë së tij
të dashur, duke ndërkombëtarizuar,
përpjekjet e Kosovës për liri dhe pavarësi si dhe vuajtjet shekullore të
shqiptarëve nga shtet terrorist serb.
Presidenti
Rugova kishte një vizion të qartë që ai e artikulonte edhe me miqët
perendimorë, sidomos me përfaqsues amerikanë -- për të ardhmen e Kosovës dhe të
Kombit shqiptar, në liri dhe demokraci. Si asnjë udhëheqës tjetër i këtyre
30-viteve të fundit, ai ishte i bindur në rrugën që duhej të ndiqte Kombi
shqiptar, nëqoftse dëshironte të hynte, ndërshmërisht, në radhën e kombeve të
përparuara të përendimit. Ai ishte i bindur në përkrahjen e perëndimit drejt
kësaj rruge për shqipztarët e sidomos në mbështetjen e të Shteteve të Bashkuara
të Amerikes — drejt bashkimit dhe integrimit të Kombit shqiptar në aleancat me vendet perëndimore, sipas tij,
aty ku e kishin vendin e vet shqiptarët.
Ibrahim
Rugova kishte parime gjykuese dhe një kulturë e qytetërim njerëzor plot urtësi,
të gërshetuar nga traditat dhe vlerat më të mira të Kombit shqiptar. Ai ishte i
vetdijshëm se, natyrisht, që trimëria dhe pushka e kanë vendin dhe kohën e vet
për tu përdour në mbrojtje të interesave të Kombit, por me shembullin e tij, ai
gjithashtu tregoi se dashuria për popullin e vet dhe mbrojtja e interesave
kombëtare, dëshmohet gjithashtu duke i ruajtur -- mbi të gjitha -- edhe nderin
due respektin emrit shqiptar -- një mesazh ky shumë i përshtatëshëm dhe tepër i
nevojshëm edhe për sot në këtë 15-vjetor të vdekjes së tij— sidomos për
politikanët e sotëm anë e mbanë trojeve shqiptare në Ballkanin Perëndimor. Kjo është dhe mbetet edhe njëra nga
trashëgimitë e Presidentit të parë të Republikës së Kosovës, Dr. Ibrahim
Rugovës me rastin e këtij 15-vjetori të vdekjes së tij – përfaqësimi me nder,
burrëni dhe respekt i të drejtave dhe pëgjegjësive kombëtare, duke qenë i bindur
në drejtësinë e kërkesave të shqiptarëve, përball shtypjeve dhe terrorizmit
shekullor sllavo-serb ndaj shqiptarëve autoktonë.
Ç’prej
se e kam njohur Ibrahim Rugovën – nga fundi të viteve 80-ta të shekullit të
kaluar -- ai asnjëherë nuk u lëkund nga vija e drejtë e shqiptarizmit dhe as
nga idealet e tija. Megjithë sfidat e
mëdha me të cilat përballej ai dhe populli i tij, Dr. Ibrahim Rugova nuk hoqi
dorë kurrë nga përpjekjet e tija dhe as nga bindja e tij se me ndihmën e miqëve
historikë perëndimorë të shqiptarëve, Kosova, do të çlirohej nga zgjedha serbe
dhe se më në fund do të fitonte lirinë dhe do të siguronte edhe pavarësinë e
saj. Ç’prej fillimit, ai e kishte shumë të qartë objektivin
përfundimtar për Kosovën si dhe mënyrat për realizimin e këtij objektivi.
Fatkeqësisht,
ai vdiq pa qenë dëshmitar i shpalljes dhe i njohjes zyrtare të pavarësisë së
Kosovës nga shumë vende të botës e sidomos nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës,
për të cilat kurdoherë që fliste për Amerikën e përfundote me fjalët, “Zoti e
bekoftë Amerikën” dhe në “Miqësi të përhershme me Shtetet e
Bashkuara”. Por epopeja e Rugovës nuk ka vdekur me
të. Edhe në këtë 15-vjetor të kalimit të tij në amshim --ai është
duke lëshuar dritë përherë e më tepër për brezat, duke lulëzuar e duke dhënë
fryte agimesh të reja e fatlume për Kosovën dhe për mbarë Kombin shqiptar –
ashtu siç i ka hije një udhërrëfyesi historik të një Kombi edhe pas shkuarjes
së tij në amshim. Një udhërrëfyes, ose
një, “Hero kombëtar, madhështor e mendjemprehtë”, siç e ka cilësuar Presidentin
historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugovën, Ish-Zëvendës Presidenti i Amerikës,
gjatë një vizite në Kosovë në gusht të vitit 2016 – Z. Joe Biden, sot
Presidenti aktual i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Autori
duke bërë nderimet e fundit si përfaqësues i Këshillit Kombëtar
Shqiptaro-Amerikan, para arkivolit të Presidentit Ibrahim Rugova, të mbuluar me
lule e flamur -- Prishtinë, Janar 21, 2006