Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Mirënjohje për mësuesit e shkollës së parë në gjuhën shqipe në Ulqin
E hene, 11.01.2021, 07:27 PM
MIRËNJOHJE PËR MËSUESIT E SHKOLLËS SË PARË NË GJUHËN SHQIPE NË RRETHIN E ULQINIT
Nga
Frank Shkreli
Kohët e fundit më
ra në dorë libri monografi -- Shkolla Fillore “Bedri Elezaga” 1869 –2019
Katërkollë -- e autorit Rexhep Lleshi, botuar në Maj të vitit 2019 në
Ulqin. Autori i librit, Rexhep Lleshi
është një ndër veteranët e arsimit të Anës Malit në rrethin e Ulqinit -- jo
vetëm si mësimdhënës por edhe njëri prej udhëheqësve në këtë fushë, i cili ka
shërbyer edhe si drejtor i shkollës fillore, që mban emrin e “Bedri Elez Aga”
-- shkolla e parë shqipe në këto troje shekullore shqiptare (1941-1943), për
fshatrat Katërkollë, Selitë, Krythë,
Sukubinë, Amull e të tjera.
Në parathënjen e
redaksisë thuhet se në monografinë kushtuar shkollës së parë shqipe në këto
troje, autori ka përdorur dokumentacione arkivore të shkollës dhe të shtetit,
akte, libra të botuar për këtë histori si dhe revista, fotografi dhe deklarata
gojore të pjesëmarrësve që kanë luajtur role me rëndësi në mirëvajtjen e kësaj
shkolle gjatë dekadave, disa prej të cilëve jetojnë ende. Përveç rrjedhës historike të arsimit në këtë
trevë shqiptare gjatë dekadave, libri “Shkolla Fillore Bedri Elezaga”,
përshkruan gjithashtu edhe historinë dhe gjeografinë e rajonit që mbulonte kjo
shkollë, në rrethin e Ulqinit. Në 15
kapitujt e librit flitet për periudha të ndryshme të historikut të shkollës
para dhe pas Luftës së Dytë Botërore. Por, për qëllime të këtij shënimi, unë do
të përqëndrohem në kapitullin e pestë të librit që mbulon periudhën e vitit
1941-19143, një periudhë kjo që edhe sipas vet autorit, Rexhep Lleshit, është
një periudhë që për arsye politike, “është lenë pa u përmendur deri në ditët
e sotëme, e që përkon me vendosjen e parë të kurrikulës dhe punës sipas
planprogramit (terësisht) në gjuhën shqipe”. Materialin për këtë kapitull të librit mbi
shkollën e parë në gjuhën shqipe në rrethin e Ulqinit, autori e bazon në “fakte
të dokumentuara nga arkivat, nga fotografi, dëftesa dhe gojëdhëna nga
ish-nxënsit e diplomuar nga kjo shkollë”, e të cilët më vonë kanë dhënë mësim
në këtë ent arsimor.
Autori pranon se
kjo periudhë është e varfër nga pikëpamja e dokumentacionit, pasi për arsye
politike që dihen, thotë se “nuk janë ruajtur dokumente pedagogjike shkollore
mbi veprimtarinë e kësaj shkolle. Por,
autori përfshin disa dokumentacione shtesë në lidhje me shkollën e parë shqipe
në rrethin e Ulqinit në vitet 1941-1943, duke zbardhur mëtej një histori të
zhvillimit të arsimit shqip gjatë këtyre viteve, anë e mbanë trojeve autoktone
shqiptare, përfshir rrrethin e Ulqinit.
“Nga fillimi i Luftës së Dytë Botërore, nën okupimin Italian, përkundër
rrethanave që çonin drejt një gjëndjeje të rëndë jetësore, në vitet shkollore
1941/42 e 1942/43 Ministria e Arsimit e Shqipërisë -- ashtu si edhe në vendet e
tjera me popullësi shqiptare, edhe këtu në Anë të Malit të rrethit të Ulqinit –
(ajo Ministri dërgon mësues të rinjë me bazë pedagogjike të përgatitur për punë
me nxënës në gjuhën shqipe. Kështuqë,
për herë të parë mësimi organizohet dhe zhvillohet në gjuhën amtare shqipe”,
shkruan autori i “Librit Shkolla Fillore Bedri Elezaga”.
Mësimet, sipas të
dhënave, u organizuan për nxënësit e disa fshtarave për rreth, përfshir
Katërkollën, Ambullin, Brajshën, Këllëznën e poshtme, Selitën dhe Shasin,
fillimisht, gjithsejt me rreth 30 nxënës në objektin shkollor në Katërkollë,
tani shkolla e vjetër. Në këtë kapitull
jepen edhe emrat e nxënsëve të parë të shkollës shqipe dhe mësuesëve të parë të
ardhur nga Shqipëria me urdhër të Ministrit të Arsimit të Shqipërisë, mësues si
Prenkë Jakova, Viktor Kiçi dhe Prek Shiroka nga Shkodra, për vitin
1942/43. Autori thekson se mësuesit
kishin për detyrë zhvillimin e mësimit të rregullt e të punëdorës me nxënësit,
por edhe organizimin e kurseve kundër analfabetizmit me njerëz më të moshuar.
Ndërsa përgjegjës i këtyre shkollave ishte Jahja Domnori nga Shkodra, një
mësues me përgatitje shkencore e kulturore, ndërkohë që shërbente edhe si drejtor
i shkollës fillore në Ulqin.
Fotot nga libri i autorit Rexhep Lleshi, “Shkolla Fillore Bedri Elez Aga”,
mësimdhënsit e dërguar në Anë të Malit në rrethin e Ulqinit nga Ministria e Arsmit
e Shqipërisë 1941-43), që në atë kohë drejtohej nga Profesor Ernest Koliqi
Nxënësit kl. I dhe mësuesi Prenkë Jakova, para gërmadhës së Kishës së Shën
Gjonit në Shas – monument i lashtë i kulturës shpirtërore iliro-arbërore – afër
shkollës së parë shqipe në Katërkollë -
Megjithëse jetojmë
në një periudhë “lirie e demokracie”, 30-vjet pas shembjes së komunizmit, të
pakën komunizmit zyrtar enverist dhe atij jugosllav, gjithnjë ekziston një
heshtje zyrtare në Tiranë dhe në Prishtinë për këtë periudhë historike të
arsimit shqiptar, kur u hodhën hapat e parë dhe të pazevëndsueshëm të mësimit
të gjuhës shqipe anë e mbanë trojeve shqiptare, nga Sanxhaku, në Kosovë e deri
në Manastir, Ulqin e Çamëri. Ishte një
periudhë kur Ministria e Arsimit të Shqipërisë, e drejtuar nga Ministri Ernest
Koliqi, kishte vendosur të dërgonte nga Shqipëria, në krahinat me popullsi
shqiptare në Kosovë, në Maqedoni e në Mal të Zi, rreth 400 mësues për hapjen e
një numri të madh shkollash fillore e të mesme në trojet shqiptare.
Nuk e di se pse
heshtet gjithnjë për të vërtetat e kësaj historie. Si një ish-nxënës I mësuesev
të mi që kanë marrë mësimet e para nga këta arsimtarë të ardhur nga Shqipëria
në vitet 1941/43, më vjen shumë keq për këtë heshtje zyrtare, pasi brezi im dhe
shumë të tjerë kemi përfituar aq shumë nga këta patriotë të vërtetë, të cilët
përball mundimeve dhe sakrificave të mëdha dhe kushteve jashtzakonisht shumë të
vështira veprimi -- me një atdhetarizëm të vërtetë due përkushtim shqiptarizmi,
përhapën gjuhën, kulturën dhe historinë në rininë shqiptare të asaj kohe duke
hedhur, për herë të parë, bazat për zgjimin dhe forcimin e identitetit kombëtar
në trojet shqiptare. Unë dhe brezi im si
dhe breza të tërë pas nesh, kemi përfituar nga nxënsit e parë vendas të këtyre
mësuesve të dërguar nga Shqipëria, të cilët vite më vonë u bënë mësuesit tanë.
Nuk di se ku do kishim përfunduar -- unë dhe brezi im - pa kontributin e këtyre
burrave më të mirë të Kombit. Për hir të
punës së tyre, shumë prej nesh flasim dhe shkruajmë sot shqip. Prandaj,
kontributi i tyre duhet të pranohet zyrtarisht dhe të kujtohet si një kapitull
i ndritur në historinë e arsimit kombëtar. Libri i Rexhep Lleshit është një
vepër e rëndësishme për të mos harruar kontributin e tyre historik. Si të tillë, të gjithë këta meritojnë
falënderimet tona dhe mirënjohje të thellë kombëtare për kontributet e tyre dhe
jo heshtje dhe abuzim të vazhdueshëm nga Tirana dhe Prishtina zyrtare. Heshtja ndaj punës dhe kontributit të tyre
nuk na nderon si komb!
Autori Rexhep
Lleshi shkruan se gjatë historisë së saj emri i kësaj (Bedri Elezaga) është
ndryshuar disa herë. Bedri Elezaga mund
të ketë meritat e tija dhe mund të nderohet ndryshe, por nuk besoj që ai të
ketë merita në fushën e arsimit dhe aq më pak në zhvillimin dhe program mësimin
shqip në shkollat e Anës së Malit, në rrethin e Ulqinit. Prandaj, besoj se sot
do të ishte me vend që këta burra të arsimit shqiptar në trojet tona që hoddhën
themelet e para të gjuhës shqipe në ato troje – jashtë konsideratave
politiko-ideologjike të së kaluarës -- të kujtohen duke i ndryshuar emrin kësaj
shkolle dhe t’i jepet emri i njërit prej atyre burrave të guximshëm që
urdhëruan hapjen e saj në gjuhën shqipe ose të ndonjërit prej mësuesve të parë
që kanë dhenë aty mësim në shqip, siç ishte i madhi Prenkë Jakova.
Kujtesa dhe
“Mirënjohja na ndihmon të kuptojmë më mirë të kaluarën tonë, sjell paqe për sot
dhe krijon një vizion për të ardhmen”, ka thënë autorja amerikane Beattie
Melodi.
Disa prej këtyre
mësuesve ishin edhe mësuesit e mi, përfshir mësuesin e klasës së parë, Halit
Avdiqin – I përjetëshëm qoftë kujtimi i tyre.
Qamil Junuzi – Shas: Dëftesa e tij e klasës së I dhe III – e lëshuar nga
Prefektura Shkodër - Rrethi i Ulqinit -- kur ishte bashkë Shqipëria -- sa bukur
tingëllon në veshë!
Shkolla e vjetër në Katërkollë, simbol i dijes dhe
vetëdijes – e para shkollë shqipe në rrethin e Ulqinit, me urdhër të Ministrisë
së Arsimit të Shqipërisë, 1941/1943
Një grup nxënsish të Shkollës Bedri Elezaga, viti shkollor, 1964/65. Autori i këtij shkrimi, i pari (ulur), nga e
djathta