Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Lamtumirë ''orientimit perëndimor'' të shqiptarëve
E hene, 01.02.2021, 11:05 PM
LAMTUMIRË “ORIENTIMIT PERËNDIMOR” TË SHQIPTARËVE
Nga
Frank Shkreli
Jo se shqiptarët
janë anti-perëndimorë, jo, jo. Janë
udhëheqsit e tyre. Ndërsa, shqiptarët po
boshatisin trojet drejtë perëndimit për një jetë më të mirë, udhëheqsit e tyre
politikë shprehen mbështetës të vlerave të lindjes. Këtë e vërtetoi, ditët e fundit, për të
disatën herë gjatë këtyre viteve edhe Kryeministri aktual i Shqipërisë, Zoti
Edi Rama i cili me sfida dhe me kërcënime të drejt për drejta ndaj Bashkimit
Evropian, vazhdon -- me hapa të vegjël por të sigurt -- ta largojë Shqipërinë
dhe shqiptarët, në përgjithësi, nga orientimi perëndimor i tyre, një angazhim
ky i shpallur nga rinia shqiptare pas shembjes së komunizmit, me parullën, “E
duam Shqipërinë si e gjithë Evropa”.
Ditët e fundit,
Kryeministri i Shqipërisë, Zoti Rama tha se ai vazhdon t’i ketë sytë nga
lindja, drejt Turqisë dhe Lindjes së Mesme, duke shtuar se “Por ne nuk jemi të
detyruar të presim tregun e BE domosdoshmërisht, sepse ka tregje të tjera. Është e mundur që
produktet tona të mishit të dalin në tregje të mëdha në Lindje, që nga Turqia
në Lindjen e Mesme”, një kërcënim
ky që ai e ka bërë edhe herë të tjera, në kontekste të tjera, qoftë ai, qoftë zëdhënsit
e tij, gjatë viteve. Frank SHKRELI/ Lamtumirë BE- Alo Putin,
Erdogan, Ajatollah, Xi Jinping?
| Gazeta Telegraf
-- Ndërkohë që thirrjes së Ambasadores Amerikane, Zonjës, Yuri Kim drejtuar udhëheqësve të partive shqiptare që të mos
vënë kriminelë në listat zgjedhore për parliament, Zoti Rama iu përgjigj
ambasadës amerikane se partitë nuk janë përgjegjëse për pastërtinë e
kandidatëve për në Kuvend. E çuditëshme ishte përgjigja e tij ndaj thirrjes së
ambasadores amerikane:
“Ne
kemi ligjin, zbatojmë ligjin. Përgjegjësia e kujtdo që gënjen në vetëdeklarim
është përgjegjësi individuale jo partie.
Partitë nuk janë drejtori policie, verifikojnë në bazë të ligjit dhe
sipas ligjit i kemi bërë verifikimet gjithmonë.
S’kemi ndërmend të ngremë salla torturash në selitë e partive…”, u
shpreh Z. Rama. Siç duket, nga toni i përgjigjes -- me zemërim dhe inat ndaj
diplomates amerikane -- sikur
përfaqsuesja e Washingtonit, vërtetë, bëri thirrje për “salla torturash”, për
të siguruar pastërtinë e kandidatëve.
Thjeshtë, Ambasadorja amerikane, bëri thirrje që partitë të mos
përfshijnë individë të koruptuar në listat e kandidatëve për zgjedhjet e
ardhëshme parlamentare në Shqipëri, duke i përcjellur klasës politike shqiptare
mesazhin e administratës së re të Presidentit amerikan, Zotit Joe Biden se ajo
është e vendosur t’i vejë një theks të ri luftës kundër korrupisonit. Sipas një kronike të Zërit të Amerikës nga Tirana,
Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, kërkoi “Të kontrollohen
mirë kandidatët, që të mos promovohet korrupsioni, të mos fyhen votuesit dhe të
mos minohet demokracia shqiptare”, ndërkohë që disa ditë më parë ambasadorja,
Kim, kur u takua me drejtuesit e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ka thekësuar
“Mbështetjen e SHBA për t’ju përgjigjur kërkesave të popullit shqiptar për
politikë më të pastër, duke filluar me politikanë më të pastër”. Një deklaratë kjo që siç duket zemëroi
Kryeministrin e Shqipërisë.
Dekriminalzimi i
politikës shqiptare ka qenë dhe është një vlerë amerikane, por edhe
perëndimore, në përgjithësi. Asnjë vend
nuk është i pastër nga korrupsioni. As Amerika dhe as vendet e Evropës
Perëndimore nuk kanë një politikë të përsosur dhe të pastër nga korrupsioni,
por ama përpiqen, me aq sa është e mundur, me anë të ligjit dhe të normave të
tjera të vlerave të shoqërisë, që të sigurohet një integritet politik nga
partitë dhe nga individët e aprovuar prej tyre, që të kandidojnë si përfaqsues
të denjë dhe të pa korruptuar të popullit.
Me doemos, përzgjedhja e kandidatëve të pa korruptuar është një
përgjegjësi e udhëheqësve dhe e strukturave të tjera të partive politike, si
edhe e enteve ligjore, por edhe e vet individëve. Por, përzgjedhja e kandidatëve të pa
korruptuar është edhe përgjegjësi ligjore, politike dhe morale e një shteti dhe
përfaqsuesve të tij. Sidomos, kur këta
politikanë të përjetëshëm që pretendojnë për 30-vjet tani, të pakën me fjalë,
se aspirojnë vlerat dhe orientimin perëndimor të Shqipërisë. Ndërsa me vepra, por shpesh edhe me fjalë
kërcënuese ndaj perëndimit -- siç është rasti i deklaratave të fundit të
Kryeministrit Rama – se Shqipëria nuk ka pse të presë për Evropën, ka
alternativa tjera dhe jo vetëm për tregje, si Turqia dhe Lindja e Mesme.
E kam thenë edhe
herë të tjera se deklaratat kërcnuese nga udhëheqsit më të lartë të Tiranës
zyrtare, në mbështetje të idesë se Shqipëria mund të këthejë sytë drejt
alternativave të tjera aleancash jashtë BE-së, janë të pa përgjegjshme dhe të
dëmshme për procesin e integrimit të shqiptarëve në Evropë, si dhe kundër
interesave afatgjata kombëtare të shqiptarëve, në përgjithësi. Deklarata të tilla kërcënuese duket se bëhen
me qëllim për të dëmtuar ose për të neutralizuar përball interesave të tjera të
huaja, jo vetëm atmosferën e bisedimeve me përfaqsues të BE-së, por dashtë e pa
dashtë, mund të influencojnë negativisht edhe marrëdhënjet e kombit shqiptar me
aleatët historikë të tij, siç janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dihet se
Washingtoni antarësimin e Shqipërisë dhe të Kosovës në Bashkimin Evropian e
kanë pasur vazhdimisht dhe e kanë si një përparësi të politikës së tyre karshi
shqiptarëve dhe të objektivave afatgjata të politikës amerikane në Ballklanin
Perëndimor dhe në Evropë.
Nëqoftse se
vërtetë e do një gjë të tillë Tirana zyrtare, Shqipëria nuk do të futet në
Europë me kërcënime por me një punë maksimale për përmbushjen e kushteve
kryesore të Bashkimit Evropian, ashtu siç kanë bërë të gjitha vendet anëtare të
këtij tregu. Shqipëria duhej të kishte
qenë anëtare e Bashkimit Evropian me kohë.
Për këtë nuk e ka fajin krejtësisht BE-ja siç pretendon Kryeministri Rama
dhe politikanë të tjerë shqiptarë.
Shqipëria ka humbur -- gjatë këtyre 30-viteve post-komunizëm -- aq shumë
raste të mira për integrim të plotë euro-atlantik. Për këtë mungesë, fajin e kanë kryekput
udhëheqsit shqiptarë, për mangësitë e tyre për tu përballur vet me
korrupsionin, për tolerancën dhe madje edhe për nxitjen e korrupsionit si mjete
këto për të siguruar fitore në zgjedhje due për të ruajtur pushtetin personal
dhe partiak. Koha nuk pret. Demokracia
nuk pret! As Evropa nuk pret gjithmonë për shqiptarë!
Ndërkohë që
shqiptarët, si gjithmonë -- sidomos rinia -- është e orientuar drejt
Perendimit, gjë që po e tregon edhe me largimin në masë nga trojet e veta
drejtë Perëndimit – është e vështirë të kuptohet se si Kryeministri dhe
politika shqiptare, në përgjithësi, shprehimisht pranojnë se i ka sytë drejtuar
nga lindja, me të cilën siç duket klasa politike shqiptare -- ndryshe nga pjesa
dërmuese e shqiptarëve -- ka më shumë gjëra të përbashkëta me lindjen se sa me
vlerat perëndimore. Veprat, sjelljet dhe
deklaratat e një pjese të klasës politike shqiptare janë një çoroditje e këtyre
vlerave dhe çdo ditë e më shumë kjo klasë politike po na bën të humbasim
besimin historik në thënjen e Naim Frashërit se, “Dielli vërtetë lind në
Perëndim”, për shqiptarët.