Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: At Gjergj Fishta për Dedë Gjon Lulin
E marte, 06.04.2021, 09:46 PM
AT GJERGJ FISHTA PËR DEDË GJON LULIN
Nga Frank Shkreli
Sivjet, 6 prilli
shënoi 110-vjetorin (6 Prill,1911) e ngritjes së Flamurit Kombëtar nga Heroi i
kombit, Dedë Gjo’Luli -- për herë të parë në pothuaj 500-vjet të pushtimit turko-osman
në trojet shqiptare. Ngritjes së Flamurit Kombëtar të Shqiptarëve i pati
paraprirë Kryengritja e Malësisë së Madhe, një kryengritje kjo që zgjato nga
marsi deri në gusht të vitit 1911 dhe që mund të thuhet se një kryengritje e
tillë nuk kishte ndodhur më parë në trojet shqiptare, qysh prej kohës së Gjergj
Kastriotit-Skënderbe. Në këngën e 28-të të “Lahutës së Malësisë”,epopesë tonë
kombëtare, i madhi i letrave shqipe, At Gjergj Fishta i këndon trimërisë së
Dedë Gjo Lulit dhe malësorëve të tij:
Deda niset me një grusht malësorë për në Rapshë të Hotit, për t’u takuar
me plakun Marash Ucin, të cilin e njofton, por të merrte edhe pëlqimin e tij
për kryengritjen –sepse me djemtë që kishte me vete, kishte vendosur t’i binte
Turkut para afatit të caktuar nga paria e maleve. Dedë Gjon Luli ngarkon Marash
Ucin me detyrën që të lajmërojë për këtë nismë kombëtare, fiset Shkrel e
Kastrat, pasi ushtarët e tij ishin vetëm 20 — “me shtatë pushkë e një allti”.
Kryengritësit malësorë marrin nën kontroll postet e mbretit dhe zënë robër 60
ushtarë anadollakë të cilëve kryengritsit u marrin armët dhe i nisin për
Shkodër. Luftimet pëlcasin aty këtu, ndërsa Fishta përshkruan me zotësinë e tij
prej poeti, se si rojet turke bien e dorëzohen anë e mbanë Malësisë. Me të
marrë vesh për luftën e malësorëve, Sulltani dërgon në Shkodër 70 taborënën
komandën e Turgut Pashës kundër malësorëve por malësorët nuk dorëzohen. Paria e
maleve mblidhet me Luigj Gurakuqin në krye dhe vendosin t’i përgjigjen Pashës
me barut, sipas Gjergj Fishtës: “Mësyn Turku me furi, e pret Malësia me
trimëri”, këndon At Gjergj Fishta në vjershën 28-të të “Lahutës së Malësisë”.
Vendi kallet flakë: gjëmojnë male e kodra, ushtojnë gryka e humnera,
fishkëllejnë plumba e gjyle topash. Ethem Pasha mësyn Kelmendin nga ana e
Gucisë dhe malësorët tashti gjenden mes dy zjarreve, por nuk ligështohen.
Forcat dërmuese anadollake fitojnë, por toka lahet në gjak dhe shtrohet
pëllëmbë për pëllëmbë me ushtarë të vdekur anadollakë. Evropa habitet nga
trimëria e malësorëve dhe më në fund kontinenti i vjetër e sheh vendosmërinë e
shqiptarëve për të jetuar të lirë në trojet e veta, pas pushtimit osman prej
500-vjetësh, interpreton Fishta:
Në këtë 6 prill
kujtojmë pra me fjalët e Poetit Kombëtar, At Gjergj Fishtës, kryengritjen e
Malësisë së Madhe dhe Dedë Gjon Lulin, i cili me aktin e ngritjes së Flamurit
Kombëtar për herë të parë në 500-vjet të pushtimit osman, tregoi guximin dhe
trimërinë e tij dhe të bashkluftëtarëve të tij malësorë, të sfidonte
perandorinë osmane -- më të madhja e asaj kohe dhe kolonializmin e
institucioneve të saj në trojet shqiptare -- duke ndryshuar përgjithmonë
historinë e Kombit shqiptar dhe duke i çuar shqiptarët drejtë fillimit eventual
të lirisë shoqërore dhe pavarësisë politike.
Megjithëse ngritja e
Flamurit Kombëtar nga Dedë Gjo’ Luli dhe malësorët ishte hedhur në harresë nga
regjimi komunist për arsyet e tija ideologjike, gjë që nuk ka ndryshuar shumë
as këto 30 vjet post-komunizëm – ngritja e Flamurit në Deçiq të Malësisë së
Madhe, sot e kësaj dite, mbetet një akt i madh historik e patriotik, që do të
kujtohet gjithmonë me krenari frymëzuese dhe si simbol i paharrueshëm i fuqisë
morale të malësorëve dhe të Kombit shqiptar, në përgjithësi, kundër pushtuesve
të huaj dhe armiqëve shekullorë të kombit, atëherë dhe sot.
Megjithkëtë, rëndësia
e rolit historik të Dedë Gjon Lulit, e Kryengritjes së Malësisë së Madhe dhe
ngritja e Flamurit kombëtar në Deçiq me 6 prill, 1911 nga Dedë Gjo’ Luli me
malësorë, është seajo ka meritën se konsolidoiedhe hovin që kryengritja i dha
idesë së Lidhjes së Prizrenit për një Shqipëri të lirë e të pavarur, për një
Shqipëri që brenda kufijve të saj do të përfshinte të gjithë ata që e
konsiderojnë veten bijë e bija, nipa, stërnipa e mbesa të Gjergj Kastriotit — Skënderbeu.
Një meritë tjetër e këtyre burrave, është se kryengritësit malësorë i erdhën në
ndihmë kombit në çastin kur mendohej se raca shqiptare po jepte shpirt, e ndarë
dhe e harruar nga bota perëndimore, nga ajo botë ku e kishte vendin dhe që, fatkeqsisht,
sot e asaj dite mbetet ende një ëndërr e pa realizueshme për shqiptarët. Dedë
Gjon Luli me malësorët e tij i erdhën në ndihmë tokës arbërore, atëherë kur
dukej se shpresat e shqiptarëve për liri e pavarësi po zhdukeshin dhe kur
fqinjët, lakmues të tokave shqiptare -- nëpër kancelaritë e Evropës --
bërtisnin duke thënë se nuk kishte komb shqiptar.
Malësorët e vitit
1911, jo vetëm që u bënë simboli i Rilindjes Kombëtare, por ata ishin edhe
dallëndyshet që paralajmëruan pavarësinë kombëtare të shqiptarëve, e cila u
shpall një vit më vonë. Ata ishin lajmëtarët e kombit që njoftuan Evropën dhe
botën se toka e Gjergj Kastriotit, më fund, kishte zot.
Në përpjekjet etyre
për liri e pavarësi, Fed Gkon Luli due malësorët e tij gjetën mbështetjen e
Ismail Qemalit e Luigj Gurakuqit, të cilët të inkurajuar nga lufta e malësorëve
kundër armikut janë takuar me Dedë Gjonin për të përpiluar Memorandumin
historik që, ndër të tjera, përmbante kërkesat e Malësorëve dhe të gjithë
Shqiptarëve, për një Shqipëri me administratë në gjuhën shqipe dhe për buxhet
të vetin. Mund të ishte ky fillimi i një përpjekjeje, që sot do ta quanim
“ndërkombëtarizim të çështjes shqiptare”, dukepasqyruar dëshirën e të gjithë
shqiptarëve për liri e pavarësi.Ishte pra një mesazh i fuqishëm për atë kohë,
por edhe për sot se shqiptari dëshiron të jetojë në shtëpinë e vet, zot i fatit
të vet – pa ndërhyrje due influenca nga jashtë — në paqe e siguri me fqinjët,
si pjesë e familjes së madhe evropiane.
Në botën aktuale
shqiptare të koncesioneve ekonomike, publiko-private, të interesave të
shumëllojshme personale e partiake, përfshirë interesat dhe influencat e huaja
që nuk prajnë kurrë duke vepruar kundër interesave shqiptare — është mirë të
kujtohet me këtë rast se kryengritja e Malësisë së Madhe dhe ngritja e Flamurit
në Deçiq me 6 prill, 1911, u bë thjesht për ideale të larta kombëtare. Ato
përpjekje nuk ishin ndërmarrje për përfitime të përkohshme personale,
krahinore, fetare ose ideologjike, por ishte një luftë për jetë a vdekje — për
mbijetesën dhe lirinë e kombit shqiptar– dhe si e tillë kishte qëllime dhe
objektiva të interesit mbarë kombëtar, për ruajtjen e identitetit dhe të
vlerave e karakteristikave që kanë dalluar gjithmonë shqiptarët nga të gjithë
popujt e tjerë: nderi, besa dhe burrëria!
_________
AT GJERGJ FISHTA:
PËR MONUMENT TË DEDË GJO’ LULIT
“Vllazën shqiptarë! Atje
mbi karpa (shkëmbij) nji çetë Lekë fatosa të Hotit dilte trollit
e shpijet vet, e mirë mbërthye në armë, thik ngjeshej malit përpjeta,
si njajo reja e murrme, kërcenuese
ngjitej në rribë t’Eurit a t’Akvilonit shungullues,
para se të shkref përmbi dhe të mjeruem thellimi. Nji burr
zeshkan, i përmbledhët e ngërthye vetllat si dy shlliga t’idhta,
kur mnershëm njëna me tjetrën kukzohet, u ka pri i atill. Fëtyra
e tij, nji bri alpet të thepisun, syni i tij vullkan tanë
zjarm e shkëndija, thue se prej si tash po shkrepë vetima e zharriste
ajrit po lvite rrufeja. Ashtë Ded Gjo’Luli, që vu
sy me vdekë, a shqiptar i lirë me mbetë, me ata kreshnikë petrita të
Maleve të Mdhaja –burra motit veç që i bante lokja
shqiptare- bjen në e mbi “kaki” të Deçiqit, ngul
Flamurin e Shqipnisë – kuq e zi; zjarm e dekë – nji be ai rreh, nji be të madhe
po rreh ai në sy të qielles e të dheut, se rob shqiptari per nën
thember mizore të Turkut ma kurr, jo, kurr ma do të gjimonte, e as
nën thembër të atij sllavi te mnieshëm. M’atë be të
shugurueshme ngeli në habi Europa; Cetina u trand e u dynd
tan pezëm e mni Stambolla; edhe prej Deçiqit në Veleçik të madhnueshëm nisi me
vlue e rrebtë nji luftë e përgjkashme e përnjimend titanike.
Shkumë gurgulloi gjaku nëpër dolomie
estalagtita të zgavrave t’errëshme, e kah qiella u çue, po, tym
e shkendi, e vigëm nanash, e vaj foshnjesh të flakrueme në zjarm, e ankime
e gjamë të varruemësh, e nji zhurmë e nji krizme rrotash, e kualsh
topash, e nji bubullime e menerëshme, thue po të rroposet për nën
kambë rruzullimi. Edhe malsori muejt (ia doli). E kje
m’ateherë që verigat e randa të robnisë sonë pesëqindvjetore u këputen e
zojë e lirë e me vedi duel Shqipnija. – Po
mos të ishte kenë që malsori jonë, Konstitucjonit të Turkisë e të
ktej i’u gjet me pushkë në faqe kundra turkut, Shqipni
sod nuk do kishte e na edhe sod do të gjimojshim për nën
thember të ndonji tirani të ri.
Vllazën shqiptar! na
sod jemi të lirë; por martirët fatosa të lirisë tonë kombëtare kalben të
harruem nën dhe, kur trupat e tyre të bam kortar prej anmikut, mos
t’i ketë shpuplue e grisë mbi dhê orrlat e shkerbetë e
egra. E po a përnjimend se nipat e stërnipat tonë, mbas ndonji
stinet të terrnueme (tjetër), ma ata nuk do të dijnë as emnin e
atyne burrave të pavdekshëm që u fituen lirinë dhe u falën Atdheun? Para se
fli vehten të bante malsori, na Atdhe s’kem pase rob kem kenë, e raje
e skllav e kurrgja tjeter. Jo, për Zotin! se marre e turp për ne
do t’ishte e nji dam i madh për Atdhe, po u qitë në harresë
emni, e gjallë në nipni tonë s’u mbajt ideali, që
kreshnikët e maleve tona i shtyni, flie me bamun vedin per
mizori t’anmikut. Jo, po: do të hupë Shqipnija, diten që sysh ta
dar (harroi) shqiptari njatë idealin e Ded Gjo’Lulit …”. (Antologji Shqipe,
shkruar anga Fishta me 1924, botuar nga Filip Fishta, shtëpia botuese
“Kristo Luarasi”, Tiranë 1935) -- marrë nga një shkrim i historianit dhe
autorit malësor, Ndue Bacaj, me rastin e 110-vjetorit të ngritjes së Flamurit
Kombëtar në Deçiq.