Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Kurrë nuk është vonë për lustracion!
E hene, 08.03.2021, 10:01 PM
KURRË NUK ËSHTË VONË PËR LUSTRACION!
Nga
Frank Shkreli
Fund
muajin që kaloi, Prania e Organizatës për Siguri dhe Bashkpunim në Evropë
(OSBE-së) organizoi një seminar rreth proceseve të lustracionit në Shqipëri,
thuhet në një njoftim në portalin e Zyrës së
kësaj organizate ndërkombëtare në Tiranë.
Sipas
njoftimit, seminari online u mbajt për të diskutuar politikat dhe proceset e
lustracionit në Shqipëri që nga rënia e regjimit diktatorial komunist, 30 vjet
më parë. Thuhet mëtej se, veprimtaria me titullin “Lustracioni në Shqipëri: E
kaluara dhe e ardhmja”, e zhvilluar si pjesë e veprimtarisë së Prezencës në
fushën e drejtësisë transitore, mblodhi bashkë institucione kombëtare dhe
ndërkombëtare, ekspertë dhe profesionistë, si dhe pedagogë e studentë të
Universitetit të Tiranës dhe të universiteteve private të vendit. Pjesëmarrësit diskutuan rreth gjetjeve të
studimit me të njëjtin emër si më lartë, i cili u porosit nga Zyra e OSBE-së në
Tiranë për të trajtuar proceset e lustracionit në Shqipëri që nga zgjedhjet e
para pluraliste të vitit 1991 deri më sot.
Bëhet
fjalë për studimin e posa botuar me titullin, “Lustracioni në Shqipëri, e
shkuara dhe e ardhmja”, me autor, Z. Ilir Kalemaj, mbështetur nga Zyra e
OSBE-së. Në njoftimin e OSBE-së thuhet
se ky studim i autorit Kalemaj u mbështet me qëllim për të pasuruar literaturën
në fushën e drejtësisë tranzitore dhe zhvillimin e një debati shkencor në
lidhje me këtë subjekt tepër të rëndësishëm.
Në
një intervistë për Zërin e Amerikës, autori i këtij studimi, Z. Kalemaj tha se
lustracioni në Shqipëri ka dështuar megjith përpjekjet që janë bërë në vitin
1995, 1998 dhe në vitin 2008. Studiuesi
Kalemaj u shpreh për VOA-n-shqip se gjatë këtyre 30-viteve post-komunizëm në
Shqipëri nuk ka pasur një vullnet të sinqert politik për ta çuar deri në fund
procesin e lustracionit. Studimi: "Lustracioni në Shqipëri", nevoja
urgjente për t'u ndarë nga diktatura dhe nga Sigurimi i Shtetit
(zeriamerikes.com) “Këtu ka munguar vullneti politik, pra nuk ka patur
asnjëherë një vullnet të mirëfilltë politik për ta kryer këtë proces nga fillimi
deri në fund, as një dakordësi politike dhe as një vullnet të sinqertë. Nuk
bëhet fjalë për një ligj të thjeshtë lustracioni, as për një paketë ligjore që
të kryejë lustracionin, por bëhet për të patur vullnetin politik për t’u ndarë
nga e kaluara, për të dënuar moralisht krimet e komunizmit dhe sistemin
totalitar, dhe për të mbyllur tranzicionin në mënyrë të plotë. Mungesa e
vullnetit politik është thembra e Akilit në rastin shqiptar” – është shprehur
Z. Kalemaj, për Zërin e Amerikës.
Siç
njoftohet, Seminari i OSBE-së u zhvillua në kuadrin e “Ditëve të Kujtesës”, një
veprimtari e përvitshme kjo rreth përballjes me të kaluarën komuniste,
organizuar nga Instituti Shqiptar për Demokraci, Media dhe Kulturë (IDMC) me
mbështetjen e Fondacionit Konrad Adenauer.
Duke folur në hapjen e Ditëve të Kujtesës, më 19 Shkurt 2021 në Tiranë,
Kryetari i Prezencës së OSBE-së, ambasadori Vincenzo Del Monaco ka thënë se, “E
kaluara mund të kuptohet përmes një dialogu racional, të matur dhe të
gjithëpranuar, përfshirë edhe përmes hulumtimeve të hollësishme rreth asaj
kohe, në mënyrë që mësimet e nxjerra të integrohen në shoqërinë e tanishme, për
të mos rënë në grackën e harrimit të së kaluarës”.
Unë
them, shyqyr që kemi organizata ndërkombëtare, si OSBE-ja, Ambasada e Gjermanisë
dhe Fondacioni Adenauer në Tiranë, që përpiqen, nepërmjet seminareve të tilla
due organizimeve të tjera, të hedhin sado pak dritë mbi krimet e regjimit
komunist në Shqipëri dhe me forume si ky të ndihmojnë në sensibilizimin e
politikës dhe shoqërisë shqiptare mbi nevojën për t’u përballur me të kaluarën
e hidhët komuniste të saj.
Dua
të jem i sinqert, se të merresh me lustracionin ose pastrimin e figurave
politike dhe juridiko-gjyqësore në një shoqëri post-komuniste si ajo shqiptare
nuk është lehtë, por as e pamundur nuk është siç tregon edhe përvoja e disa
vendeve ish-komuniste të Evropes Lindore dhe Qendrore, përfshir rastin e
Gjermanisë, që janë marrë seriozisht me këtë problem. Gjermania nuk do të ishte
transformuar në shtetin e gjithfuqishëm fuqishëm që është sot, po të mos ishte
përballur me të kaluarën naziste dhe komuniste dhe me përgjegjësinë individuale
të njerëzve. Nuk mund të ketë demokraci
as një ekonomi të lirë, nëqoftse nuk ekziston përgjegjësia personale. Vet fakti
se shumë ish-zyrtarë të regjimit komunist të Enver Hoxhës i janë shmangur
përgjegjësisë për ato që kanë bërë gjatë atij regjimi, i ka bindur shumë prej
tyre, se ata mund të ushtrojnë të njëjtën papërgjegjësi edhe në detyrat e larta
që mbajnë në sistemin e sotëm post-komunist.
Unë
e kam thenë shpeshëherë se këta ish-zyrtarë janë një prej faktorëve kryesor për
problemet me të cilat përballet shoqëria shqiptare post-komuniste, përfshir
korrupsionin, krimet e ndryshme, politikën në përgjithësi dhe reformën në
drejtësi, në veçanti. Shoqëria shqiptare nuk do të bëjë kurrë
përparim, në asnjë prej këtyre fushave, nëqoftse nuk vendoset se cilat ishin
krimet dhe kush ishin përgjegjësit për ato krime. Pa një lustracion të vërtetë, Shqipëria do të
mbetet një shtet gjysëm i lirë, ashtu siç është cilësuar për 30-vjet
postkomunizëm nga entet ndërkombëtare që merren me të drejtat e njeriut,
përfshir Departmentin Amerikan të Shtetit – larg dhe në mospërputhje me të
gjitha standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Unë nuk besoj në hakmarrje
por e them këtë me dëshirën dhe shpresën që Shqipëria dhe shqiptarët, në
përgjithësi, të përballen sinqerisht me të kaluarën komuniste, duke adaptuar
një proces lustracioni në përputhje me rrethanat e Shqipërisë, me përvojat dhe
standardet e përdorura në shtetet e tjera ish-komuniste. Sepse siç citohet nga
VOA shqip, studimi i lartë përmendur i autorit Ilir Kalemaj, “Lustracioni në
Shqipëri: E kaluara dhe e ardhmja”, botimi i të cilit është mbështetur nga
OSBE-ja në Tiranë, “Pa një proces lustracioni nga postet drejtuese të shtetit
shqiptar, të atyre që janë përlyer me krime gjatë diktaturës, që kanë hartuar e
zbatuar platformat sekrete të Sigurimit të Shtetit, që janë marrë me hetimin e
dënimin për ‘krime të opinionit e mendimeve’, dhe me dëshmi të rrema -- nuk
mund të flitet në Shqipëri për demokraci të vërtetë.” E duam Shqipërinë vërtetë demokratike, sepse
siç u shpreh edhe Sekretari Amerikan i Shtetit, Z. Antoni Blinkey në një fjalim
me tre mars në Departamentin e Shtetit, ku preku vazhdimisht temën e demokracisë:
"Demokracitë e forta janë më të qëndrueshme, më të hapura, partnerë më të
mirë për ne, më të përkushtuar ndaj të drejtave të njeriut, më pak të prirur
për konflikt dhe tregje më të besueshme për mallrat dhe shërbimet tona".
Është
vështirë të gjesh sot në Shqipëri ish-zyrtarë të komunizmit e që sot gëzojnë
detyra të larta administrative të shtetit dhe të qeverisë -- të cilit do nivel
dhe cilës do fushë qofshin, përfshir drejtësinë -- e që në një mënyrë ose një
tjetër, të jenë distancuar gjatë këtyre 30-viteve, nga e kaluara e tyre
komuniste.
Për
50-vjet vija e partisë ishte: Partia mbi të gjitha! Partia nuk gabon kurrë, ishin indidvidët që
gabonin. Sot na ofrohet një argument
tjetër i kundërt: na thonë se
ish-komunistët si individ nuk janë përgjegjës për krimet e regjimit komunist,
përgjegjës ishte sistemi. Një
shtrembërim ky i vlerave njerëzore, juridike dhe politike që, fatkeqësisht,
duket se pranohet edhe nga disa përfaqësues ndërkombëtarë në Tiranë.
Një
fjalë e vjetër popullore thotë se për çdo gjë mund të vonohesh në jetë. “Me u
koritë nuk është vonë kurrë”, thotë populli, “por kurrë nuk është vonë
gjithashtu për të bërë gjënë e duhur”. Kurrë nuk është vonë as për lustracion!