Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Në kujtim të 4 Dëshmorëve të Lirisë
E premte, 02.04.2021, 10:10 PM
NË KUJTIM TË 4 DËSHMORËVE TË LIRISË – TË 2 PRILLIT, 1991 NË SHKODËR
Nga
Frank Shkreli
Ishte 2 Prilli i
vitit 1991. Dy ditë më parë me 31 mars,
ishin mbajtur zgjedhjet e para “pluraliste”, pas shembjes së Murit të Berlinit
dhe fillimit të “ndryshimit” të sistemit komunist pothuaj gjysëm shekullor në
Shqipëri. Megjithëse vet ato zgjedhje u
mbajtën në një atmosferë pak a shumë të qetë - siç shkruante në atë kohë edhe
gazeta Nju Jork Tajms, Shqipëria - “ky
vend i pa fat i Ballkanit”, dhe “vendi më i varfër i Evropës”, edhe pas këtyre
zgjedhjeve, “mbetet i ndarë dhe i përçarë”. Gazeta e njohur amerikane shkruante
në atë kohë se në muajt fundit rreth 80-mijë të rinjë e të reja ishin larguar
nga Shqipëria dhe se “fitorja e komunistëve” në ato zgjedhje, “do të bënte që
edhe më shumë të rinjë të largoheshin nga vendi”, ndërsa citonte një nga
studentët e Universitetit të Tiranës, i cili nuk dëshironte të identifikohej,
se “nuk ka asnjë arsye që të qendrojë më këtu”.
Sidomos ata
shqiptarë, veçanërisht rinia, që prisnin që zgjedhjet e para post-komuniste në
Shqipëri të 31 marsit, 1991 do të sillnin “ndryshimin e madh”, “lirinë e
demokracinë” dhe “Shqipërinë si e gjithë Evropa”, u zhgënjyen për së tepërmi.
Përveç mos kënaqësisë me manipulimet e atyre zgjedhjeve që çuan në fitoren e
Partisë së Punës, përfundimi i atyre zgjedhjeve shkaktoi edhe shpërthimin e
revoltave në disa qytete. Reagimet më revoltuese ndaj fitores së partisë
(komuniste) të Punës erdhën nga Shkodra ku për fat të keq të Shkodrës dhe mbarë
Shqipërisë, pas zgjedhjeve “pluraliste”, në qytetin verior, me 2 Prill u vranë
katër dëshmorë të lirisë e demokracisë: Arben Broci, Besnik Bishanaku, Nazmi
Kryeziu dhe Besnik Ceka dhe u plagosën dhjetëra të tjerë. Kjo tragjedi e 30-viteve më parë ka lenë
plagë të rënda në familjet e këtyre deshmorëve, për Shkodrën dhe Shqipërinë
pasi 30-vjet më vonë mbetet gjithnjë një prej ngjarjeve më makabër të historisë
moderne shqiptare, e cila pret gjithnjë zbardhje dhe drejtësi, përfshir
identifikimin e individëve përgjegjës për këtë krim, në radhët e enteve të
drejtësisë, të policisë dhe Sigurimit të Shtetit të asaj kohe.
Fatkeqësisht, edhe
sot në 30-vjetorin e vrasjeve të këtyre deshmorëve të lirisë, ashtu siç ka
ndodhur me shumë vrasje e tragjedi të tjera në historinë komuniste të vendit,
nuk janë identifikuar përgjegjësit as nuk është vendosur drejtësia për këto
krime shtetërore. Nuk është zhvilluar
asnjë proces i mirëfilltë drejtësie për ata që ishin, drejt për drejt,
përgjegjës, ose për ata që dhanë urdhër për të shtënë me armë zjarri kundër
njerëzve të pafajshëm dhe të pa armatosur, pjesëmarrës në një protestë
paqësore. Ato të shtëna kundër
protestuesve paqësorë - sipas dëshmitarve vendas — kishin ardhur nga ndërtesa e
ish-Komitetit të Partisë së Punës në Shkodër, ndërsa jehona e këtij krimi
shtetëror kumbon edhe sot dhe thërret për drejtësi, përgjegjësi dhe ndëshkim –
kumbon nepër koridoret e institucioneve qeveritare e shtetërore të Shqipërisë,
30-vjet vjetë pas zgjedhjeve të para “pluraliste”.
Fatkeqësisht,
shënjat nuk janë shpresëdhënse për hetime rreth këtij krimi, as sot në këtë
30-vjetor të vrasjes makabre të këtyre 4 heronjve. Sepse sipas raportit të posa botuar të
Departamentit Amerikan të Shtetit mbi të Drejtat e Njeriut për vitin 2020, në
Shqipëri, “Mosndëshkimi mbetet një problem serioz”, thuhet në atë raport:
“Ndjekja penale, dhe veçanërisht dënimi, i zyrtarëve që kryen abuzime ishin
sporadike dhe jo të vazhdueshme.
Zyrtarë, politikanë, gjyqtarë dhe personat me interesa të fuqishme
biznesi shpesh ishin në gjendje t’i shmangeshin ndjekjes penale.”
Problemi është se
kemi të bëjmë me krime shtetërore dhe jo thjeshtë me “abuzime” nga zyrtarë të
lartë të asaj kohe, urdhër-dhënës për ekzekutimin e katër deshmorëve të
demokracisë në Shkodër, disa prej të cilëve ende gëzojnë poste të larta në
institucionet e qeverisë dhe të shtetit shqiptar, “post-komunist”.
Megjithë problemet
me zgjedhjet e para “pluraliste” të 31 marsit, 1991– më kujtohen shpresat e
mëdha që kolegët e mi dhe unë kishim ato ditë në Tiranë - për një fillim të ri
historik, për “ndryshimin e madh”, për varrosjen e diktaturës, për një shoqëri më të drejtë, më të lirë e
demokratike dhe më tolerante në Shqipërinë post-komuniste.
Por, vrasjet në
Shkodër me 2 prill, 1991 u interpretuan në atë kohë, nga ne dhe nga
delegacionet e tjera ndërkombëtare të pranishme në Tiranë, si një shënjë
ogurzezë për të ardhmen e demokracisë shqiptare. Në këtë 30-vjetor, mos zbardhja dhe mos
ndëshkimi i këtyre vrasjeve deri më sot, justifikon dyshimet tona sot e asaj
dite – dhe në prak të zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit 2021, se ky krim
shtetëror si due krime të tjera të komunizmit, nuk do të zbardhen, as personat
përgjegjës nuk do të ndiqen ligjërisht dhe as nuk do të ndëshkohen, ashtu siç
ka ndodhur me të gjitha krimet e komunizmit në Shqipëri.
Por ajo që mund të
bëjmë ne njerëzit e thjeshtë kudo është që të kujtojmë, të kujtojmë që të mos
harrojmë dhe të kujtojmë viktimat e pafajshme duke hedhur poshtë gënjeshtrat
dhe duke mbrojtur të vërtetën. Kam zgjedhur që në këtë 30-vjetor të kujtoj
katër heronjtë e lirisë e të demokracisë – këto 4 yje të lirisë,
lule të
demokracisë - që u vranë gjatë protestave anti-komuniste në Shkodër me 2 prill,
199, me fjalët e këngëtarit të njohur shqiptar, të ndjerit Sali Mani:
Kengë kushtuar 4 Dëshmorëve të 2
prillit, 1991 në Shkodër
Sali
Mani - Katër dëshmorët - YouTube
Kur zbardhë drita
ditë për ditë
Dalim heret me
vaditë
ma të bukurat lule
në botë
pak me ujë e pak
me lotë.
Katër yje të
lirisë,
Lulet e
demokracisë.
Kush i vrau dora
iu thaftë
Kush i preku zemra
iu çaftë.
A e dini kush i
vrau,
Dje i vrau e sot i
qau.
Dritë as diell me
sy mos paftë,
Diktaturë zemra
t’u çaftë.
Ndalo ti o dorë
mizore
Dorë e zezë
konservatore
Pesë dekada na ke
vra
S’i le nanat as me
kja.
Arben Broci djal
ku je?
Shkodër locën
gjallë e ke.
Diktaturat po
varrosen,
Diktatorët po
groposen.
Po qet shkumbë
burokracia
Se u shpalos
demokracia
Kush dha urdhër në
atë shtërngatë
Me vra njerëzit duar thatë.
Ju thaftë goja
kush e dha,
fjalën vrisni kush e tha?
Ti o vrasës
urdhërdhanës
Helm tu bafshin
gjijtë e nanës!
Nepër popull
plumba ranë,
Katër yje në gjak
u lanë.
Fshehu dorën
tirania,
derdhi lotë
demokracia.
Po renkojnë malet
me gropa,
Korbat sillen
rreth e rrotull,
Në katër rrugë ka
mbetë ai popull.
Diktatura na
varfënoi,
E si komb na
përçudnoi,
Na dhanë rrugat
nepër botë.
Diktatori vrau e preu
Plot me plagë u
mbush Atdheu
Ju tha zemra kësaj
Shqipni,
Për liri,
demokraci.
Kur zbardhë drita
ditë për ditë
Dalim heret me
vaditë
Ma të bukurat lule
në botë
Pak me ujë e pak
me lotë.
Arben Doci ku të ra gjaku
M’u te dora e Bujar Bishanakut
Te Besniku te
Nazmia,
Gjaku i juaj
Demokracia.
Hej, Arben Broci
djal ku je,
Shkodër locën
gjallë e ke.
Diktaturat po
varrosen,
Diktatorët po
groposen.