Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Në SHBA kujtohen Viktimat e Komunizmit, në Shqipëri glorifikohet regjimi i Enver Hoxhës
E diele, 28.03.2021, 10:53 PM
NDËRKOHË QË NË SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS KUJTOHEN VIKTIMAT E KOMUNIZMIT – NË SHQIPËRI GLORIFIKOHET REGJIMI I ENVER HOXHËS
Nga
Frank Shkreli
Madje
edhe gjatë një fushate elektorale për Kuvendin e ri të Republikës së Shqipërisë
– një vendi anëtar të NATO-s, një aleancë ushtarake kjo më e fuqishmja që ka
njohur ndonjëherë bota dhe e cila 70-vjet më parë u themelua pikërisht me
qëllimin për të luftuar diktaturat e regjimeve komuniste të lindjes, si ai i
Shqipërisë enveriste.
Duhet
të flasim me emëra. Këtë fushatë, të
ditëve të fundit, për glorifikimin e komunizmit e hapi Kryeministri aktual, Edi
Rama në Parlamentin Shqiptar para disa javësh, me deklaratën e tij famëkeqe dhe
të turpshme se, “komunizmi ishte në anën e duhur të historisë”. Pasuar nga të tjerë, përfshir kohët e fundit,
veteranën e kësaj partie Luljeta Bozo -- të parën e listës socialiste në Tiranë
dhe Ministrin socialist, Damian Gjiknurin në Vlorë, i cili ditët e fundit, po
ashtu si Bozo deklaroi se “komunizmi kishte bërë më shumë të mira sesa të
këqia”. Nuk më çudit aspak fakti se
brenda Partisë Socialiste nuk ka më njerëz që tu thonë këtyre nostalgjikëve të
komunizmit, “ore mjaft me deklarata të tilla të pa përgjegjëshme se jemi anëtar
të NATO-s dhe kemi pretendime t’i bashkohemi Bashkimit Evropian…”.
Është
e qartë tani pas 30-vjet post-komunizëm se Shqipëria nuk e ka ndër mend të
distancohet nga e kaluara e saj komuniste dhe as nga krimet e atij regjimi – më
famëkeqit në Evropë dhe në botë.
Deklaratat e fundit të nostalgjikëve kokëfortë të komunizmit shqiptar
dhe të përfaqësuesve të regjimit aktualë të Shqipërisë e bejnë mjaft të qartë
se partia në fuqi, shpresat e fitores i ka tek promovimi i vlerave
enveriste. Me këto deklarata, filluan të
na mësohen edhe veshët tashti, ç’pret më prej tyre. Por megjithë pretendimet e tyre se ata ndajnë
vlerat amerikano-perëndimore, hipokrizi më të madhe nuk ka, sepse e vërteta
është se vlerat e Amerikës nuk janë ato të komunizmit ndërkombëtar dhe të
komunizmit stalinist enverist, jo se jo.
Nëqoftse votuesit shqiptarë dëshirojnë një frymë të vazhdueshme
enveriste në shoqëri dhe në qeverisjen e tyre – ta gëzojnë – pasi këtë të
drejtë ua jep demokracia – ama vetëm nëqoftse fitojnë me vota të lira e të
ndershme, sipas standardeve ndërkombëtare.
Por
ajo që vërtetë më çudit pa masë është heshtja e përfaqësive diplomatike
perëndimore në Tiranë ndaj shprehjeve të tilla pro-komuniste nga udhëheqsit më
të lartë të Shqipërisë, me të cilët diplomatët komunikojnë pothuaj çdo
ditë. Me të drejtë, Shtetet e Bashkuara
dhe Bashkimi Evropian po përpiqen të luftojnë korrupsionin ekonomik dhe të
ndërtojnë diçka që deri diku i përngjet një shteti ligjor në Shqipëri. Por
megjithë respektin që kam për punën e tyre nuk besoj se do të dalin me sukses
në reformën e drejtësisë dhe as në luftën kundër korrupsionit nëqoftse, të
pakën, nuk deklaroheni publikisht edhe kundër krimeve të një ish-regjimi
kriminal, pasojat e të cilit vazhdojnë të ndjehen edhe sot -- jo vetëm në
politikë dhe në ekonomi -- por në çdo fushë të veprimtarisë së vendit. Është pikërisht trashëgimia e komunizmit dhe
njerëzit që i kanë shërbyer atij sistemi – ish-zyrtarë me disa prej të cilëve
kini në mend të reformoni sistemin e sotëm të drejtësisë. Heshtja e diplomatëve perëndimorë ndaj
deklaratave të tilla pro-komuniste të udhëheqsve më të lartë të qeverisë
shqiptare dhe të kandidatëve për në parlamentin e ri të Shqipërisë – “flet
vëllime të tëra” -- 30-vjet pas shembjes së Murit të Berlinit. Vrasja, burgimi, internimi, dënimi -- gjyq e
pa gjyq -- puna e detyruar e njerëzve të pafajshëm në komunizëm besoj se duhej
të ishte aq e dënueshme, të pakën të kritkohej, sa edhe vjedhjet e një hajduti
sot.
Të
nderuar përfaqësues diplomatikë perëndimorë në Tiranë, HESHTJA ndaj këtyre
dukurive, në një vend si Shqipëria, nuk u bën nder ju si individë dhe as
vlerave të shteteve demokratike perëndimore që ju përfaqësoni në atë vend. Sa i përket të kaluarës komuniste në
Shqipëri, megjithëse vonë, ka ardhur koha t’i thoni të bardhës e bardhë dhe të
zezës e zezë, ashtu siç kanë bërë ish-vendet e tjera komuniste të Evropës
Lindore dhe Qendrore. Shqipëria ka
nevojë për ndihmën tuaj që të distancohet seriozisht nga e kaluara komuniste
ashtu siç i ka hije një vendi anëtar të NATO-s dhe një vendi që pretendon t’i
bashkohet vlerave të botës perëndimore.
Një
prej këtyre vlerave është pikërisht kujtesa kushtuar viktimave të komunizmit
botëror, përfshir kujtesën e viktimave të komunizimit në Shqipëri. Në një njoftim për median, Fondacioni i
Viktimave të Komunizmit me qëndër në Washington, përshëndet hapat që mori ditët
e fundit Dhoma e Përfaqsuesve e shtetit Teksas në Shtetet e Bashkuara, duke
organizuar një sesion dëgjimor me qëllim të miratimit të një ligji për të
përcaktuar “7 Nentorin si Ditën e Kujtimit të Viktimave të Komunizmit” në atë
shtet. Megjithëse amerikanët,
fatbardhësisht, nuk i kanë përjetuar kurrë “gjërat e shumta pozitive të
komunizmit”, siç pretendojnë nostlagjikët komunistë në Shqipëri, Teksasi po i
bashkohet 12 shteteve të tjera amerikane që kanë vendsur me ligj tanimë
përkujtimin e kësaj date për nder dhe respekt ndaj viktimave të regjimeve të
komunizmit në botë, të gjallë e të
vdekur.
Përfaqësuesi
i shtetit Teksas, Tom Oliverson me dëshmitaren e Fondacionit të Viktimave të
Komunizmit, shqiptaro-amerikanën, Dr. Elida Dakolin
Sponsorizuesi
i këtij projektligji, Z. Oliverson u shpreh me këtë rast se, “Lartë nga
100-milion njerëz të pafajshëm janë vrarë nga regjimet komuniste ç’prej
themelimit të regjimit të parë komunist më 7 nentor, 1917, në Rusi. Kjo është
humbja më e madhe në njerëz në krahasim me çdo ngjarje tjetër në historinë e
njerëzimit dhe si rrjedhim ne nuk guxojmë ti harrojmë tmerret e
komunizmit. Ashtu siç na kujtojnë edhe
memorialet në kujtim të holokaustit që brutaliteti nazi-fashist të mos
përsëritet kurrë më, gjithashtu ky memorial shërben si një kujtesë e qartë e
premtimeve boshe të komunistëve kudo si dhe e trashëgimisë brutale të vuajtjeve
njerëzore, që kanë lënë pas komunistët”, ka thenë ligjvensi i shtetit Teksas,
Tom Oliverson.
Në
njoftimin për median, Fondacioni i Kujtimit të Viktimave të Komunizmit në
Washington, thuhet se ishte një nder për këtë organizatë që të përfaqësohej në
sesjonin dëgjimor të Dhomës së Përfaqsuesve të shtetit Teksas, nga Këshilltarja
e këtij Fondacioni, shqiptaro-amerikanja, Dr. Elida Dakoli, e cila dëshmoi disa
ditë të shkuara para ligjëvensve të Teksasit përvojën e familjes së saj nën
regjimin komunist të Shqipërisë.
“Kurë
gjyshi im kishte refuzuar t’i dorëzonte partisë komuniste shqiptare pasurinë
dhe mallin, ai u burgos, shtëpia e tij u shkatërrua dhe gjyshja ime dhe katër
fëmijt e saj të vegjël të moshës 2-12 vjeç – përfshir babain tim – u hodhën në
rrugë pa asgjë të tyren. Vëllai i saj tregoi guxim për atë kohë duke strehuar
gjyshen time dhe fëmijtë e saj, por gjyshin tim e kishin vrarë në burg. Sot e
kësaj dite ende nuk dimë se ku e ka varrin.
Persekutimi i familjes time nga komunizmi vazhdoi, pa ndërprerje, për
katër breza”, u tha shqiptaro-amerikanja Dr. Elida Dakoli ligjëvensve të
shtetit Teksas të Shteteve të Bashkuara.
Fondacioni
amerikan i Kujtesës së Viktimave të Komunizmit përshëndeti nismën e shtetit
Teksas për të njohur, “7 Nëntorin si Ditën e Kujtimit të Viktimave të
Komunizmit”, ashtuqë krimet e kësaj ideologjie imorale komuniste të mos
harrohen kurrrë, përfundon njoftimin për media, Fondacioni për Kujtimin e
Viktimave të Komunizmit, me qëndër në Washington.
Duan
a s’duan nostalgjikët e sotëm dhe mbështetsit e djeshëm të regjimit diktatorial
të Enver Hoxhës, e vërteta e krimeve të atij regjimi immoral, po del në dritë
dal ngadalë për ta parë e gjithë bota. Askush nuk i beson më pretendimet e disa
nostalgjikëve të përmendur më lartë se ai regjim kishte më shumë gjëra pozitive
se sa negative”, e më së paku ta besojnë vet shqiptarët. Një pretendim i tillë
është aq i pa përgjegjëshëm dhe i pa moralshëm, qoftë edhe në zhvillimin e një
fushate elektorale, nga udhëheqsit më të lartë të vendit. Shqipëria dhe shqiptarët meritojnë më shumë
se kaq nga udhëheqsit e tyre por edhe nga ndërkombëtarët të cilët heshtin përball
dukurive dhe prirjeve të tilla arrogante
që sprovojnë keq durimin e një populli tepër të vuajtur, atëherë dhe
sot.