Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Z. kryeministër, të gabosh është njerëzore, të kërkosh ndjesë është hyjnore
E hene, 05.04.2021, 09:27 PM
Z. KRYEMINISTËR: TË GABOSH ËSHTË NJERËZORE --TË KËRKOSH NDJESË ËSHTË HYJNORE
Nga
Frank Shkreli
Absolutisht e pabesueshme! Kryeministri i Shqipërisë, Z.
Edi Rama mendon gjithnjë se nuk ka asgjë të keqe nga deklarata e tij para disa
muajsh nga foltorja e parlamentit shqiptar se “komunistët dhe komunizmi ishin
në anën e duhur të historisë” -- Kryeministri Edi Rama deklaron: Komunistët dhe komunizmi në anën e duhur të historisë!? | Gazeta Telegraf
-- as nga deklarata e kohëve të fundit e Luljeta Bozos, kandidate e parë e
Partisë Socialiste në Tiranë për parliament në zgjedhjet e 25 prillit, se
“komunizmi kishte më shumë të mira se të këqia”. Kjo deklaratë u pasua, para
disa ditësh, nga një deklaratë e Damjan Gjiknurit, Ministër i qeverisë Rama, në
mbështetje të deklaratës së Zonjës Bozo se komunizmi ka patur më shumë gjëra
pozitive. Ndërsa shtatorin që kaloi, Kryetari i Kuvendit të
Shqipërisë, Z. Gramoz Ruçi, kishte deklaruar në Kuvendin e Shqipërisë: “Jemi
ndarë komunistë e ballistë, që në vitin 1944…” dhe se ky “Është shekulli i
mendjes dhe jo i forcës, se po të ishte e tillë…”.
Deklarata dhe prirje të tilla me qëllim glorifikimin e
regjimit komunist të Enver Hoxhës nga protagonistët kryesorë të Partisë
Socialiste janë venë re për disa vite tani, por po bëhen më të shpeshta kohët e
fundit, ndërsa duken si të bashkrenduara për të siguruar në këto zgjedhje
mbështetjen e gardës së vjetër enveriste për Partinë Socialiste. Ndërkaq,
deklarata e fundit e Ministrit Damjan Gjiknuri në mbështetje të komunizmit, as
nuk u përmend fare në median shqiptare – sikur ai t’i kishte ftuar gazetarët
për një kafe. Për ta deklarata e Gjiknurit, bashkpuntorit të ngusht të Z. Rama,
nuk përbente më ndonjë lajm me rëndësi për gazetarët shqiptarë që të meritonte
t’i njoftohej publikut. Vertetë turp për mediat kryesore shqiptare që heshtin
ndaj këtyre dukurive!
Po ka edhe më keq. Në një intervistë në
programin “Kjo Javë” në ‘News24’, fund javën që kaloi, kur u pyet për
deklaratën e Zonjës Bozo për meritat e komunizmit, Zoti Rama u shpreh se
kandidatura e saj ka “trembur palën tjetër”, ndaj ajo edhe u “sulmua
qëllimisht”, sipas tij. Me fjalë tjera,
sipas Kryeministrit shqiptar, janë të tjerët ata që kanë faj për këtë zhurmë,
ndërsa mbrojti gjithnjë deklaratën e Zonjës Bozo në mbrojtje të komunizmit
enverist: “Unë mendoj që ajo është thënë në një kontekst të caktuar dhe nuk kam
asnjë dyshim se nuk ka qenë qëllimi, apo nuk është thënë për të relativizuar të
keqen e diktaturës apo për të relativizuar vetë diktaturën”, është shprehur Z.
Rama.
Kryeministri Rama duket i irrituar të flasë
për këtë çeshtje dhe ngarkon me faj “të tjerët”. E vërteta është se reagimet më të ashpëra
ndaj këtyre deklaratave pro-komuniste të kohëve të fundit nga personalitete të
larta të Partisë Socialiste në Shqipëri – fatkeqsisht nuk kanë ardhur nga
brenda -- por kanë ardhur nga bota e diasporës shqiptare dhe nga disa instanca
evropiane, përfshir ditët e fundit, edhe Platformën e Kujtesës dhe Ndërgjegjes
Europiane (PEMC), një ent ky i Bashkimit Evropian (BE) që merret me edukimin e
masave për krimet e regjimeve totalitare e ku bejnë pjesë 68 agjenci qeveritare
dhe jo-qeveritare të vendeve anëtare dhe jo-anëtare të BE-së, përfshir
Shqipërinë.
Me 31 mars, 2021, Platforma e Kujtesës dhe
Ndërgjegjes Europiane, në një njoftim për median, shpreh shqetësimin e saj se
Partia Socialiste e Shqipërisë nuk u distancua nga këto deklarata të Yonjës
Bozo dhe disa prej personaliteteve të saja më të larta duke i cilësuar ato, si
“njollosje për kujtesën e mijëra viktimave të diktaturës së Enver Hoxhës”. Ndonëse kjo deklaratë nuk tërhoqi ndonjë
vëmendje të madhe në median shqiptare, ia vlen ta sjellim të plotë për publikun
reagimin e Platformës së Kujtesës dhe Ndërgjegjes Europiane ndaj deklaratës së
Zonjës Bozo, pasi siç duket Platforma nuk është e informuar për deklaratat
pro-komuniste, më heret, të Kryemnistrit Rama dhe të tjerëve se, “komunizmi
ishte në anën e duhur të historisë”, dhe as për deklaratën e fundit të
Ministrit Gjiknuri në mbështetje të kandidatës socialiste, Z. Bozo në zgjedhjet
e 25 prillit për parliament, se “komunizmi kishte më shumë të mira se të
këqia”, por reagimi i PEMC-it u drejtohet të gjithë atyre që glorifikojnë
regjimet totalitare, si diçka që është e papranueshme në jetën publike dhe në
kundërshtim me vlerat evropiane:
Pragë- 31 mars- 2021 --“Platforma e
Kujtesës dhe Ndërgjegjes Europiane shpreh shqetësim të thellë në lidhje me
deklaratën nga kandidatja për deputete e Partisë Socialiste, Luljeta Bozo, në
zgjedhjet e ardhshme në Shqipëri, e cila u shpreh se komunizmi ishte një,
“diktaturë kushtetuese” që “zhvilloi Shqipërinë”, dhe se diktatori komunist Enver
Hoxha kishte “më shumë anë pozitive sesa negative”. Ajo që na shqetëson akoma
më shumë është se Partia Socialiste nuk u distancua nga fjalët e kandidates së
saj.
Shqipëria ishte një nga vendet më të
prekura nga komunizmi. Një mohim i tillë historik njollos kujtesën e mijëra
viktimave dhe bie ndesh me vlerat themelore demokratike si: e vërteta dhe
drejtësia. Glorifikimi i çdo regjimi totalitar nuk duhet të pranohet në
jetën publike. Platforma mbështet me gjithë zemër përfaqësuesit e shoqërisë
civile, të cilët kërkojnë që znj. Bozo të kërkoj falje dhe të jap dorëheqjen.
Platforma mbështet me forcë qëndrimin e
Parlamentit Europian, shprehur në rezolutën e 19 Shtatorit 2019 mbi rëndësinë e
kujtesës europiane për të ardhmen e Europës, në të cilën parlamenti “dënon
të gjitha manifestimet dhe përhapjen e ideologjive totalitare” dhe “shpreh
respekt të thellë për secilën viktimë të këtyre regjimeve totalitare dhe u bën
thirrje të gjitha institucioneve dhe aktorëve të BE-së që të bëjnë gjithçka për
të siguruar që krimet e tmerrshme totalitare kundër njerëzimit dhe shkeljet
sistematike të të drejtave të njeriut të kujtohen dhe të dalin para drejtësisë”, thuhet në njoftimin e Platformës së Kujtesës dhe Ndërgjegjes Evropiane.
Nëqoftse Z. Rama ka ndër mend që mandatin e tretë ta
bazojë në personalitetet dhe idetë e tyre diktatoriale
sllavo-aziatiko-komuniste për zgjidhjen e problemeve me të cilat përballet sot
Shqipëria, atëhere vaj-medet për atë vend. Është mjaft problematik fakti që një
vend anëtar i NATO-s, në parlamenet dhe në deytra të larta qeveritare, ka ende
individë që kanë shërbyer në ish-regjimin komunist. Por fakti që Kryeministri i
vendit dhe personalitete të larta të Partisë Socialiste në pushtet, publikisht
të prononcohen për “meritat” e ish regjimit komunist, është vërtetë një
barbarizëm, siç është shprehur në fejsbukun e tij, Profesor Gazmend Kapllani, Drejtori i Katedrës së parë
Albanologjike në Amerikë, në Universitetin DePaul të Çikagos: “Shoqja Nexhmije vdiq heret: ndoshta do të ishte tani në krye të listës
së PS-së në vend të shoqes Luljeta. Sa për të tjerat: të thuash nga pozita e
dikujt që kërkon pushtet politik që regjimi enverist, nga më kriminalët dhe
paranojakët e historisë së Shqipërisë dhe të botës, “ka pasur më shumë të mira
se të këqija”, është barbarizëm. Nuk
është vetëm përligjje e krimit dhe dhunës, por edhe nxitje për krim dhe
dhunë. Votoni kundër nekrofilëve në pushtet, votoni kundër PS-së! Që këtej
e tutje është detyre morale,” ka theksuar me forcë Profesori
shqiptaro-amerikan, Gazmend Kapllani.
Që enverizmi të përdoret sot në vitin 2021 si një vegël
fushate politike në një vend anëtar serioz i NATO-s është e turpshme. Për më tepër, e di kjo klasë politike aktuale
se pothuaj nuk ka familje shqiptare, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë
dhe në trojet e tjera shqiptare në Ballkanin Perendimor që të mos jetë prekur
keqas nga diktatura komuniste, qoftë ajo enveriste, qoftë ajo
serbo-malazezo-jugosllave
Z. Kryeministër, për hir të viktimave të komunizmit, të
gjallë e të vdekur si dhe të gjitha familjeve shqiptare kudo në botë që kanë
vuajtur tmerre në regjimin totalitar komunist, anë e mbanë trojeve shqiptare –
reflektoni! Ish-i përndjekuri i
regjimeve fashiste dhe komuniste, miku im i çmuar, Prof Sami Repishti do të
këshillonte sot ty dhe bashkapartiakët tu që me deklaratat e juaja
pro-komuniste: “Ju lutem mos lendoni plagët tona të hapuna”, SAMI REPISHTI – JU LUTEMI, MOS LËNDONI PLAGËT TONA TË
HAPUNA! – Dielli | The Sun
(gazetadielli.com)
Z. Kryeministër, në intervistën televizive të fund javës
që kaloi me gazetaren Nisida Tufa, ju u shprehët se, “Ndjesa
është pjesë e pandashme e një procesi udhëheqjeje kur lidershipi ka
karakter.” Z. Kryeministër, shqiptarët
pa dallim kanë nevojë për lidership me karakter, kanë nevojë për pajtim
kombëtar. Si udhëheqës i qeverisë dhe i Partisë Socialiste, Shqiptarët presin
ndjesë prej jush për këto deklarata fyese për shumë shqiptarë të lënduar,
gjithnjë me plagë të hapura nga terrorizmi komunist. Bejeni këtë në emër të qeverisë që ju
udhëhiqni dhe si shef i Partisë Socialiste në pushtet për deklaratat e fundit
nga udhëheqsit më të lartë të partisë Socialiste.
Gabimet janë njerëzore, ndjesa është
hyjnore! Demokracia është jetike! Demokracia nuk pret, Z. Kryeministër!