Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Kardinali Ernest Simoni, martiri i gjallë i kombit
E hene, 12.04.2021, 08:53 PM
KARDINALI ERNEST SIMONI, MARTIRI I GJALLË I KOMBIT SHQIPTAR
65-vjetori
i Meshtarisë dhe mesazhi i tij për zgjedhjet e 25 Prillit në Shqipëri
Nga
Frank Shkreli
Në një bisedë në
65-vjetorin e meshtarisë së tij me Radio Vatikanin në gjuhën shqipe, Kardinali
shqiptar, Ernest Simoni përshëndeti mbarë Kombin shqiptar duke thenë: “Si
popull me bujari, me dinjitet kombëtar, me Gjergj Kastriotin në krye, të
mundohemi që të gjithë të bashkohemi në një harmonizim fjale, mendimi e
veprimi, lutjeje, përshpirtërimi, dashnije, për paqë, buzqeshje e lumturi për
të gjithë popullin, para të Madhit Zot, në forcën e Tij hyjnore që ka me kenë
dritë e dhënë prej qiellit, me pa të gjithë diellin që do shëndrit të gjithë
popullin, në rast se na përshëndesim të Madhin Zot e lutemi…”. Me ketët rast,
Kardinali shqiptar ofroi bekimin e tij drejtuar Shqiptarëve kudo që janë, duke
thenë: “Zoti Kjoftë me ju! Bekimi i Hyut të gjithëpushtetshëm, Ati e Biri e Shpirtit
Shejtë, qoftë gjithmonë në zemrat tuaja! Rrnoftë Populli Shqiptar, Rrnoftë
Shqipënia!”
Radio Vatikani në
gjuhën shqipe njoftoi se Kardinali shqiptar Ernest Simoni -- i mbijetuari i
burgjeve dhe internimeve të regjimit të egër komunisto-ateist të Enver Hoxhës –
festoi, javën që kaloi, 65-vjetorin e meshtarisë. Ka qenë 7 prilli i vitit 1956 atëherë kur Dom
Ernest Simoni është shuguruar meshtar nga Imzot Ernest Çoba, ish-Arkipeshkvi i
Shkodrës, i cili me një heroizëm të pashoq, vdiq edhe ai vet nën tortura mizore
në duar të xhelatëve komunistë të burgut të Tiranës, në Janar të vitit 1980.
Fatin e Imzot
Çobës dhe të qindra klerikëve të tjerë në fillim të regjimit komunist due më
vonë e pësoi edhe prifti i ri në atë kohë, Don Ernest Simoni – sot Kardinali i
parë shqiptar – i cili kaloi tre dekada të jetës së tij në burgjet dhe kampet e
internimit komunist të regjimit të Enver Hoxhës. Kalvari i Don Ernest Simonit nisi në prak të
Krishtlindjes të vitit 1963, kur ai arrestohet nga komunistët si “armik i popullit”,
ndër të tjera akuza, sepse kishte kremtuar një meshë pëkujtimore – siç është
traditë e Kishës Katolike kushtuar të vdekurëve – për shpirt të ish-Presidentit
të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Xhon F. Kenedi, i cili ishte vrarë në
Dallas të shtetit Teksas vetëm disa muaj më parë. Si përfundim, Don Ernest Simoni arrestohet,
burgoset, internohet, dërgohet në punë të detyruara, përfshir handrakët e
Shkodrës dhe në miniera. Besoj se
Kardinali Ernest Simoni të jetë i vetmi klerik katolik shqiptar ende i gjallë i
cili u mbijetoi torturave, burgjeve, kampeve të internimit dhe në përgjithësi
barbarizmave që regjimi komunist i Enver Hoxhës kreu mbi klerikët shqiptarë të
tre feve në përgjithësi -- një barbarizëm që ishte veçanërisht brutal ndaj
Kishës Katolike Shqiptare dhe përfaqsuesve të saj, siç ishte Don Ernest Simoni,
në veçanti. Kardinal shqiptar, mund të
jetë i vetmi ndër klerikët katolikë të atij brezi të zhdukur nga Enver Hoxha, i
cili “Rrnon ende për të tregue”.
Jo se nuk dihej
kjo e vërtetë, por u bë edhe më e qartë me shembjen e Murit të Berlinit dhe me
lirimin e disa prej klerikëve që për fatin e tyre e tonin kishin mbetur ende
gjallë “për të tregue”. Klerikë si
Kardinal Simoni dhe At Zef Pllumi, i cili me veprën e tij, “Rrno për me
Tregue”, rrëfimet rrënqethëse të vuajtjeve të klerikëve katolikë shqiptarë dhe
shumë të tjerëve. 30-e ca vjet më parë
dhe me ndryshimet historike anë e mbanë botës ish-komuniste në Evropë, përfshir
Shqipërinë enveriste, këto tregime u bënë të mundura dhe u botuan, pasi
diktaturat dhe diktatorët, përfshir monumentet e tyre po ç’rrënjoseshin dhe po
groposeshin, përfshir Shqipërinë.
Dom Ernest Simoni
lirohet në vitin 1990, njëkohësisht filluan të hapeshin kishat e xhamitë. Shqipëria nuk ishte më vendi i parë dhe i vetëm
ateist në botë, sipas kushtetutës së diktaturës të vitit 1967 – “diktaturës
kushtetuese”, siç e quajnë disa edhe sot në Shqipëri duke justifikuar
pjesëmarrjen due mbështetjen e tyre ndaj atij regjimi sikur diktatura komuniste
ishte e interesuar të zbatonte kushtetutën.
Me ndryshimin e sistemit, ushtrimi i fesë u bë i lirë përsëri, u hapen
kishat e xhamitë, ato që kishin mbetur pa u rrënuar nga regjimi komunist i pa
Zot dhe i pabesë. Dom Ernest Simoni
rifillon apostolatin e tij fetar e meshtarak në shërbim të Zotit dhe
besimtarëve, të cilëve për pothuaj një gjysëm shekulli u ishte mohuar e drejta
e ushtrimit të fesë në publik, megjithëse ka pasur shumë shqiptarë të guximshëm
që e kishin ruajtur traditën e tyre fetare gjatë komunizmit, megjithëse mund ta
pësonin keq po të diktohej një gjë e tillë nga regjimi komunist.
Ndërkaq, pas
vizitës historike të Papa Gjon Palit të II në Shqipëri me 25 prill, 1993 -- në
shtator të vitit 2014 Papa Françesku bëri vizitën e tij apostolike në Shqipëri
që ishte edhe e vizita e pare e tij në një shtet të kontinetit evropian. Gjatë asaj vizite Papa Françesku u takua me
Dom Ernest Simonin dhe dëgjoi dëshmitë mbi vuajtjet e tija nën regjimin
komunist. Nga takimi me priftin e vuajtur shqiptar, Papa Françesku mallëngjehet
deri me lotë dhe emocionohet dukëshëm nga tregimi i vuajtjeve të Dom Ernestit
në burgjet komuniste, sa që e përqafon vëllazërisht të mbijetuarin e regjimit
komunist të Enver Hoxhës, një fotografi kjo shumë domethenëse e që në atë kohë
u transmetua anë e mbanë botës nga mediat ndërkombëtare. Dy vjet më vonë, më 2016, Papa Françesku i
akordon Dom Ernest Simonit titullin më të lartë administrativ e fetar – atë të
kardinalit të Kishës Katolike – një titull nderi ky, pasi Dom Ernest Simoni e
kishte treguar me vepra se kishte qenë gati të jepte edhe jetën për fenë e tij
si dhe për lirinë dhe paqën e popullit të vet.
Kardinali Ernest
Simoni megjithse i shkuar në moshë (93-vjeç) -- edhe në këtë 65-vjetor të
meshtarisë -- vazhdon të jetë i interesuar për gjendjen aktuale të shqiptarëve,
për të mirën e popullit të vet, për lirinë, paqën dhe mirëqenjen e
bashkkombasve të tij në Shqipëri dhe kudo që janë ata. Në këtë frymë vëllazërore dhe baritore,
Kardinali shqiptar Ernest Simoni – me rastin e 65-vjetorit të meshtarisë së tij
– përcolli nepërmjet radio Vatikanit në gjuhën shqipe -- këtë porosi të gjithë
atyre që me 25 prill do të hedhin votën e tyre për të ardhmen e Shqipërisë dhe
të shqiptarëve, duke thenë:
“Po afrohen
zgjedhjet. Zgjedhjet janë (shprehje) e vullnetit të lirë të popullit. I një
populli të pjekur që kërkon dashuri, paqë, vëllazërim, mirësi e begati, për të
gjithë. Secili mendon që me hedhë votën e vet, zgjedhjen e vet për njerëzit që
janë vërtetë, gëzimi i popullit. Çdo deputet që do të zgjedhet do të konsiderohet
prej popullit në rregull, si një babë i dytë që përpiqet të zgjidhë vështirsitë
që ka në anën jetësore due ekonomike, me gjetë vende pune, me u interesu për
edukatën e tyre, me ndejtë larg mëkatit, për të kriju nji shoqëri plot
vëllazënim dhe nji buzëqeshje në zemër e në sytë e tyne, ashtuqë kur të shohin
deputetët, të jetë si me pa njeriun më të dashur të tyre. Kjo ashtë fjala e Zotit dhe u shkoftë në
veshë të gjithëve”, porositi votuesit shqiptarë, Kardinali Ernest Simoni.
Kardinalit shqiptar
Ernest Simonit i urojmë 65-vjetorin e meshtarisë dhe jetë të gjatë në shërbim
të fesë dhe të Atdheut. Komunizmi dhe komunistët shqiptarë – atëherë dhe sot --
mund t’i kenë konsideruar si fitore të përhershme të komunizmit shiqptar dhe
atij ndërkombëtar, shtypjet dhe shfarosjen e klerikëve katolikë dhe të feve të
tjera, në përgjithësi. Atyre nostalgjikëve të komunizmit shqiptar dhe
mbështetsëve të tyre – të cilët janë prononcuar kohët e fundit se “Komunizmi
ishte në anën e duhur të historisë” dhe se “komunizmi kishte më shumë të mira
se këqia”, dua tu them që të gjejnë rastin e të flasin me Kardinal Ernest
Simonin sa është gjallë e ndoshta mund të marrin një përspektivë tjetër për të
“mirat e komunizmit”, për të cilat ata flasin.
Mbrojtja ose heshtja ndaj krimeve të shqiptarit kundër shqiptarit gjatë
periudhës komuniste, mbetet një njollë kombëtare e cila nuk do të zhduket për
derisa personalitete të larta të politikës shqiptare nuk përfillin zërin
brendshëm të ndërgjegjes së vet dhe as interesat kombëtare.
Por, e keqja kurrë
nuk mbizotëron mbi të mirën, përjetësisht.
Siç është shprehur me një rast -- kolegu dhe bashkvendasi im i nderuari
Prof. Sami Repishti, edhe ky vet e familja e tij viktima të komunizmit dhe të
fashizmit – se, “Njeriu i përket Zotit dhe si i tillë është përgjegjës ndaj
ndërgjegjës së vet, atij zëri të fuqishëm brenda vetes tonë i cili na lavdëron
dhe na qorton, por që është një zë që nuk mund të shuhet. Natyra e tij shpirtërore dhe fuqia e tij e
pamposhtur janë baza e bindjeve tona se ekziston vetëm një fitore, e vërteta,
se e mira fiton gjithmonë mbi të keqën.”
Jeta dhe vepra e
Kardinal Ernest Simonit – megjithë vuajtjet e tmershme të tija dhe vrasjet e
qindra bashkvëllëzërve të tij të pafajshëm klerikë, vetëm e vetëm, se kishin një
mendim ndryshe ndaj imponimit me force të komunizmit ndërkombëtar
sllavo-aziatik mbi shqiptarët – na tregon sot se ndonëse pak me vonesë dhe pas
humbjeve të mëdha, më në fund e mira gjithmonë fiton mbi të keqen. Lavdi viktimave të pafajshme të komunizmit
shqiptar – këtyre rrezeve të qytetërimit shqiptar!
Papa Françesku
përqafohet në Katedralën e Shën Palit në
Tiranë me Dom Ernest Simonin gjatë vizitës së tij në Shqipëri në vitin 2014
--L’Osservatore Romano via EPA)
Nga vizita e Papa Françeskut në Tiranë, 2014 dhe
takimi me Kardinalin Ernest Simonin
Kalvari i Don Ernest Simonit nisi në prak të
Krishtlindjes të vitit 1963, kur ai arrestohet nga komunistët si “armik i
popullit”, ndër të tjera akuza, sepse kishte kremtuar një meshë pëkujtimore –
siç është traditë e Kishës Katolike kushtuar të vdekurve – për shpirt të
ish-Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Xhon F. Kenedi, i cili
ishte vrarë atë vit në Dallas të Teksasit.