Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Mjaft u tallët me atë popull!
E hene, 03.05.2021, 08:26 PM
MJAFT U TALLËT ME ATË POPULL!
“Diktatura më
e rrezikshme, është ajo, që paraqitet me maskën e demokracisë!”
Nga
Frank Shkreli
“Diktatura
ma e rrezikshme, asht ajo, që paraqitet popullit me maskën e
demokracisë!”, At Pjetër Meshkalla, Jezuit, martir i Kishës Katolike Shqiptare,
gjigand i fesë dhe i kulturës shqiptare – në përvjetorin e arrestimit të tij më
29 prill të vitit 1967 nga regjimi komunist i Enver Hoxhës. Vërtetë “Një pishtar i demokracisë” dhe
simbol i inteligjencës së përsekutuar katolike shqiptare nga komunizmi
emverist, At Meshkalla ishte dënuar dy herë me 25 vjetë burgim, gjithsejt – si
kundërshtar i regjimit enverist -- për "agjitacion e propagandë", nga
regjimi komunist i asaj kohe.
Duke
lexuar disa shkrime për fatin e keq të tij nën komunizëm në këtë përvjetor
(muajin që kaloi) të arrestimit të tij, përfshir kujtimin që i bëri Radio
Vatikani shqip, më ra në sy citimi i mësipërm i At Pjetër Meshkallës, i quajtur
ndryshe “Engjëlli i birucave”, për predikimet e tija në burgjet komuniste. Një thënje kjo që më tërhoqi vëmendjen,
sidomos, duke pasur parasysh zhvillimin e zgjedhjeve parlamentare të 25 Prillit
në Shqipëri, por edhe të gjithë historinë e tranzicionit të ashtuquajtur
post-komunist në Shqipëri, këto tre dekadat e kaluara. Dihet se për 30-vjet tranzicion, nga një
sistem në tjetrin, Shqipëria, asnjëherë, deri më sot, nuk ka mbajtur zgjedhje
të lira e të ndershme me standarde ndërkombëtare dhe të pakontestueshme. Si rrjedhim, Shqipëria, asnjëherë, nuk është
renditur me shumicën e vendeve si motra post-komuniste, që organizatat
ndërkombëtare të drejtave njeriut si dhe qeveritë perëndimore, i kanë cilësuar
si vende “plotësisht të lira” gjatë tre dekadave të fundit, por gjithmonë
Shqipëria është cilësuar dhe cilësohet edhe sot si një shtet, “pjesërisht i
lirë”. Janë disa faktorë që organizatat
dhe qeveritë perëndimore përdorin për të identifikuar vendet e botës se në
cilin prej këtyre dy grupeve bejnë pjesë ato ose edhe në grupin e tretë, si
“vende jo të lira”, por një ndër faktorët e rëndësishëm që një vend të
karakterizohet si “plotësisht i lirë” si dhe baza e një shoqërie të lirë është,
natyrisht, mbajtja e zgjedhjeve të lira, të ndershme dhe demokratike, bazuar në
disa vlera, liri, parime dhe të drejta ndërkombëtare. Pa zgjedhje të lira nuk
mund të jesh vend i lirë e demokratik.
Fatkeqësisht,
në këto 30-vjet tranzicioni, asgjë nuk ka ndryshuar për më mirë në Shqipëri,
sidomos kur është fjala për mbajtjen e zgjedhjeve të lira, të drejta dhe të
ndershme, bazuar në një numër faktorësh dhe parimesh ndërkombëtare, kryesisht
të botës perëndimore. Për fat të keq, këtë, po e provojnë edhe zgjedhjet e
fundit, ndonëse procesi i të cilave nuk ka përfunduar ende. Gjatë viteve kam shprehur mendimet e mia se
pse ndodhë kjo në Shqipëri, madje edhe tre dekada pas shembjes së Murit të
Berlinit, se pse “zgjedhjet” në atë vend nuk sjellin asnjë ndryshim për më më
mire në shoqërinë shqiptare. Shpeshëherë
kam thenë se problemet me të cilat është përballur Shqipëria, në të gjitha
fushat shoqërore, politike, ekonomike, integruese e të tjera, e kanë bazën në
të kaluarën komuniste të vendit si dhe në refuzimin e kësaj klase politike 30-vjeçare
që qeverisë Shqipërinë, për tu përballur seriozisht me atë histori të tmershme,
ndryshe nga shumica e vendeve ish-komuniste të Evropës. Zgjedhjet e 25 prillit nuk bënë asgjë për të
më bindur se diçka ka ndryshuar për më mire, në këtë mes. Falënderës Zotit që Shqipëria është në NATO
sepse mos të ishte anëtare e NATO-s, nuk jam i sigurt se cili do ishte fati i
saj sot, e udhëhequr nga kjo klasë politike aq e papërgjegjëshme për fatet
afatgjat dhe afat shkurtëra të Kombit.
Dikush
mund të thotë, në rregull, po çfarë ka të bejë i ndjeri At Pjetër Mëshkalla me aktualitetet politike të
tranzicionit Shqipëri, përfshirë edhe zgjedhjet e tre dekadave të fundit në
Shqipëri, një vend që 30-vjet si sot vazhdon të cilësohet nga perendimorët si
një shtet, “pjesërisht i lirë”. Shumë
veta, brenda dhe jashtë Shqipërisë, përfshirë opozitën, i pritën këto zgjedhje
me shumë entuziazëm, si mundësinë për “ndryshimin e madh”, si “këthesën
historike”, e tjera. Unë nuk isha aspak
entuziast për këto zgjedhje (rezultati përfundimtar i të cilave mbetet ende për
tu parë falë ankesave për ç’rregullime, megjith nxitimin e ndërkombëtarëve për
të bërë urimet e rastit) dhe as nuk isha optimist se këto zgjedhje do të
sjellin ndonjë ndryshim të madh në Shqipëri, sepse ndryshimi i vërtetë dhe i
sinqert kërkon, në themel, ndër të tjera, zgjedhje vërtetë të lira e të
ndershme dhe jo vetëm urimin e ndërkombëtarëve, për t’i berë ato legjitime dhe
një mjet që ato të sjelli “ndryshimin”
aq të nevojshëm politik dhe ekonomik në Shqipëri dhe që të ndalohet zbrazja e
trojeve nga rinia shqiptare. Koha do e
tregoj se kush ka të drejtë! Por një
gjë nuk është e drejtë as e pranueshme, që sot pas tre dekadash tranzicion, Shqipëria
në qendër të Evropës, vazhdon të konsiderohet një vend “pjesërisht i lirë”.
Gjatë
viteve, jam shprehur, në përputhje me shumë kolegë të mijë në përendim, se
është e domosdoshme që Shqipëria të përballet me historinë dhe krimet e
diktaturës komuniste të Enver Hoxhës, para se në Shqipëri të mund të ketë
ndonjë ndryshim domethënës të jetës politike dhe shoqërore. Kjo nuk ka ndodhur. Përkundrazi, gjatë fushatës së fundit në
Shqipëri, udhëheqës të lartë të Partisë Socialiste në pushtet, përfshirë
Kryeministrin dhe kandidatë me profil të lartë të kësaj partie, haptazi dhe
publikisht dhe me krenari folën për “meritat” dhe për të “mirat” e diktaturës
komuniste të Enver Hoxhës. Po si ndodhë
që në Shqipëri, ndryshe nga çdo vend tjetër i Evropës ish-komuniste, nuk po
ndodhë ndryshimi që miliona shqiptarë anë e mbanë trojeve dhe në mbarë botën
prisnin dhe presin se do ndodhë?
Përgjigjen na e jep viktima e ish-regjimit komunist, At Pjetër
Meshkalla, në përvjetorin e burgosjes së tij në prill të vitit 1967, i cili
citohet të ketë thenë se pseudo-demokracia nuk sjellë ndryshimin. Se një shtet “pjesërisht i lirë”, siç
kategorizohet sot Shqipëria, nuk garanton as të drejtat më themeltare të
njeriut dhe jo më të sjellë “ndryshimin”, me votën e lirë të shqiptarëve. Si të ketë ndryshim nepërmjet zgjedhjeve ku
haptas blihet vota dhe ku qeveria në fuqi përdori burimet shtetërore në favor
të vetin, sipas ODIHR-it?
Se
pse në Shqipëri nuk mund të ndodhë ndryshimi që zakonisht pritet nga zgjedhjet
e lira në një vend normal, përgjigjen na e jep një i ish-burgosur i komunizmit
eneverist, At Pjetër Meshkalla, i cili është shprehur se asgjë e mirë nuk mund
të vijë nga një pseudo-demokraci, ku, “Autokracia me makijazh demokratik lëshon
rrenjë më të shëndosha se sa vet diktatura e shpallur tek një popull i lodhur e
i demoralizuar, i cili bie në prehërin e saj symbyllas”. At Pjetër Meshkalla, Pishtari i demokracisë
shqiptare, ka paralajmëruar se pasojat e rënda të autokracisë me makijazh
demokratik, “janë më afatgjata se ato të një diktature të ligjëruar mbasi populli
i shpresëhumbur gjunjëzohet prej deshpërimit duke u bërë një pre e lehtë për
despotët e rinj me grim demokratik”. Në
një shkrim botuar në portalin, “Radi and Radi”, At Meshkalla citohet të ketë
thenë se, “duke i lenë kastile të hapura dhe të pa mjekuara plagët e diktaturës
ato do të infektohen dhe shoqëria shqiptare do të gangrenizohet duke u dobësuar
dhe ç’orientuar progresivisht derisa të katandiset në një turmë të hallakatur
lypësarësh të nënshtruar.” Për më tepër
thekson At Meshkalla, “Pseudo-demokracia është një anarshi e organizuar me
qëllim që pushtetarët despotë dhe bashkpuntorët e tyre mëkatarë të përfitojnë
në mënyrë të paligjshme atë që ua ndalon ligji i tyre fasadë mashtrimi!”
Shpresoj
se si “fituesit” ashtu edhe “humbësit” e zgjedhjeve të fundit në Shqipëri, por
edhe ndërkombëtarët të cilët për 30-vjet pas shembjes së Murit të Berlinit
vazhdojnë të mos njohin realitetin e “autokracisë shqiptare me makijazh
demokratik”, si pengesën kryesore drejtë një shoqërie vërtetë të lirë e
demokratike -- të reflektojnë edhe kësaj radhe me rastin e zgjedhjeve të 25
prillit në Shqipëri dhe të mbajnë përgjegjëse këtë autokraci shqiptare me
makijazh demokratik për gjëndjen aktuale politike dhe ekonomike në atë vend.
“Prej
të parëve tanë pritëm nji Shqipni të lirë! Nipat presin prej nesh nji Shqipni
të lumtun!”, citohet të jetë shprehur At Pjetër Meshkalla. Fatkeqësisht, unë e kam vështirë të besoj se
zgjedhjet e 25 prillit– sido që të karakterizohen ato nga ndërkombëtarët -- nuk
japin asnjë përspektivë as shpresë për një Shqipëri më të lumtur dhe vërtetë të
lirë dhe demokratike perëndimore, siç e dëshironte brezi i At Pjetër
Meshkallës, por – as brezat e tanishëm nuk kanë ndonjë arsye të jenë më
optimist për të ardhmen e Kombit shqiptar! Uroj të jem i gabuar. Zot ndihmojë
shqiptarët në këtë periudhë të historisë së tyre.