Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Nuk mund të bashkëjetojë NATO me komunizmin!
E hene, 24.05.2021, 09:50 PM
NUK MUND TË BASHKJETOJË NATO ME KOMUNIZMIN - GULAGU SHQIPTAR DHE HESHTJA E DIPLOMATËVE PERËNDIMORË NË TIRANË
Kryeministri Edi Rama, njëherazi edhe Kryetar i
Partisë Socialiste të Shqipërisë: “Komunizmi
ishte në anën e duhur të historisë”.
Fatbardh Kadilli, kandidat për Kryetar të
Partisë Demkoratike të Shqipërisë: u shpreh ditët e fundit se ai do ta ndajë partinë
e tij “demokratike” nga “kultura e anti-komunizmit”.
Nga
Frank Shkreli
Në
trojet shqiptare dhe mëtej po zhvillohet stërvitja ushtarake historike e
Aleancës së Atlantikut Verior, NATO, “Defender Europe 21”, një ngjarje kjo që
duhet të përshëndetet nga të gjithë shqiptarët që besojnë në vlerat
perëndimore, të cilat NATO ka promovuar dhe i ka mbrojtur ç’prej themelimit të
saj në Prill të vitit 1949. Kjo stërvitje është me të vërtetë një ngjarje që na
jep shpresë se Shqipëria mund të bëhet, eventualisht, megjithë paaftësitë e
klasës politike shqiptare të këtyre 30-viteve për të ndërtuar shtet. Respekt
për burrat dhe gratë në uniformë, ushtarakët tanë dhe të aleatëve tanë nga
shumë vende, nga të dy anët e oqeanit.
I
kujtoj lexuesit se objektivi themelor i Aleancës së NATO-s ishte dhe mbetet
mbrojtja e lirisë dhe sigurisë së vendeve aleate anëtare të kësaj aleance
ushtarake, me të gjitha mjetet politike dhe ushtarake që ajo ka në
dispozicion. Aleanca NATO mbetet pra instrumenti
kryesor i sigurisë së komunitetit trans-atlantik, i cili me veprimtarainë e tij
ushtarake, njëkohësisht, shpreh edhe mbron vlerat e përbashkëta demokratike, të
lirisë dhe të drejtësisë. Falënderës të Madhit Zotit që e kemi NATO-n se për
ndryshe, nëqoftse do të ishte krejtësisht në duar të kësaj klase politike të
këtyre 30-viteve të kaluar, Shqipëria do të ishte sot edhe më keq se ç’është.
Po
cilat janë këto “vlera të përbashkëta demokratike” që mbron NATO dhe që duhej
të ndanin të gjitha vendet aleate të Nato-s, përfshir Shqipërinë. Pasi jemi
gjithnjë në atmosferën e zgjedhjeve të 25 prillit, zgjedhjet e lira, të drejta
dhe demokratike janë një element kyç për një shoqëri demokratike. Për 30-vjet tranzicion Shqipëria, përfshir
zgjedhjet e fundit, nuk ka zhvilluar zgjedhje të pakontestueshme dhe të
pranueshme nga të gjithë, si të lira dhe demokratike, përfshir entet
ndërkombëtare, siç është ODIHR-i dhe nga faktorët kryesorë politikë
shqiptarë. Për shkeljen dhe
mospërfilljen e vlerave perëndimore nga qeveritë shqiptare të tre dekadave të kaluara,
mjafton të lexoni raportet vjetore mbi të drejtat e njeriut të enteve të
ndryshme perëndimore, ku Shqipëria, megjithëse anëtare e NATO-s, vazhdon të
mbetet “pjesërisht e lirë” dhe ndër vendet më të korruptuara në botë.
Megjithëkëtë,
diplomatët perëndimorë në Tiranë i trajtojnë politikanët shqiptarë sikurë këta
na qenkan “jeffersonian democrats”, demokrat si Jeffersoni, njëri nga
baballarët e Kombit amerikan. Jo, more
jo, nuk janë të tillë, as nuk duan të jenë të tillë. Këta nuk kanë asgjë të përbashkët
as me Xhefersonin as me demokracinë. Për
30-vjet tani, ata nuk janë distancuar nga e kaluara komuniste – pjellë e të
cilës janë – dhe as nuk kanë marrë ndonjë masë serioze për dekomunistizimin e
shoqërisë shqiptare. Politika shqiptare
aktuale, me një paturpësi arrogante vlerëson “të mirat dhe sukseset” e regjimit
të Enver Hoxhës, njërit prej diktatorëve më të egër që ka njohur historia
evropiane dhe botërore. Merreni me mend, se sa keq janë punët, një kandidat i
shpallur për Kryetar të Partisë Demokratike (Fatbardh Kadilli), në opozitë, u
shpreh ditët e fundit, se ai do t’a ndajë partinë e tij “demokratike” nga
“kultura e anti-komunizmit”. More zotëri nga cili “anti-komunizëm”? Çfarë betë
ju për dekomunistizimin e shoqërisë shqiptare gjatë këtyre viteve? E mbarë shoqëria shqiptare, çfarë ka mbjellur
gjatë tre dekadave të fundit, po korrë tani. Në prak të greminës, politikisht,
ekonomikisht, ndërkohë që presim nga ish-prokurorët komunistë t’i sjellin atij
vendi drejtësi. Jeni mbi një kapërcyell -- të distancoheni nga komunizmi kini
frikë, por as nuk kini bindjen morale dhe politike, se duhet të bëni një gjë të
tillë. Janë një numër deklaratash dhe veprimesh nga përfaqsues të partisë në
pushtet, që janë venë në lëvizje kohët e fundit, e që lënë të nënkuptohet se
distancimi zyrtar nga e kaluara komunizmi dhe dekomunistizimi i shoqërisë
shqiptare nuk është në rendin e ditës me këta pushtetarë, megjithë praninë e
anijeve të NATO-s në Durrës.
Kryeministri
aktual nuk e fsheh fare mbështetjen e tij për ish regjimin dictatorial,
ndërkohë që muajt e fundit është shprehur nga foltorja e Kuvendit, ndër të
tjera, se “komunizmi ishte në anën e duhur të historisë”. Persona të tjerë të
zgjedhur në Kuvendin e ardhëshëm kanë shprehur të njëjtat ndjenja. Në këtë ndërkohë, Akademia e Shkencave e
Shqipërisë ka njoftuar fillimin e një rishikimi të historisë për të vendosur
njëherë e mire, sipas disa vërejtësve,
hegjemonizmin enveristo-stalinist -- historik dhe kulturor -- mbi Kombin
shqiptar nga pothuaj të njëjtit “historianë” nostalgjikë të komunizmit, të
cilët e kanë shkruar, fillimisht, atë histori.
Çfarë tragji-komedi! Ndërkaq,
ndërsa këta udhëheqës shqiptarë po merrnin foto nga platformat e anijeve të
NATO-s në Durrës me Ambasadoren e Shteteve të Bashkuara në Tiranë dhe me
autoritetet e larta ushtarake amerikane -- në mes të Tiranës, aty përball
Kryeministrisë dhe Presidencës, është dëmtuar ato ditë, për të disatën here,
“Postblloku” që bashkon (burgun) Spaçin me Berlinin – një memorial ky që
përkujton viktimat e komunizmit në Shqipëri. Hapni sytë e reagoni. Kjo tregon se e shkuara komuniste nuk është e
shkuar, të nderuar diplomatë, por është aktuale, mu aty në qëndër të Tiranës ku
jetoni e punoni edhe ju. Nëqoftse nuk doni ta shihni, kjo është puna juaj, por
kjo e shkuar komuniste po bëhet realitet në jetën politike dhe ekonomike të
vendit, për ditë e më shumë. Ndoshta ju
nuk mund ta ndaloni këtë frymë të re nostalgjike për komunizmin në Shqipëri,
por të pakën do u lutesha mos u bëni palë me të keqen, të mos heshtni ndaj
këtyre dukurive se ju jeni ata që do duhej të përfaqësonit dhe të mbronit
vlerat perëndimore të lirisë e demokracisë, pikërisht ato vlera për të cilat
ekziston NATO.Të nderuar përfaqësues perëndimorë në Shqipëri, ju lutem si një
shqiptaro-amerikan i thjesht dhe u bëj thirrje: mos u bëni palë e “turpit në
radhët e të paturpshëmve”! Flisni për dekomunistizimin e Shqipërisë, para se të
jetë vonë.
Edhe
kjo ka të bëjë me drejtësinë, sidomos në përvjetorin e revoltës antikomuniste
në burgun e Spaçit. Shikoni se sa poshtë ka renë politika shqiptare në 30-vjet
post-komunizëm. Fatkeqësisht, votuesit
shqiptarë kanë dy alternativa politike, asnjëra më e mire se tjetra: një,
Partinë Socialiste e cila me krenari mbron komunizmin si një sistem që “ishte
në anën e duhur të historisë”, sipas Kryeministrit Rama dhe Partinë
Demokratike, një kandidat i shpallur për kryetar i të cilës bën thirrje që kjo
parti të largohet nga “anti-komunizmi”, që nënkupton të bëhet më shumë ashtu si
partia si motër socialiste. Kjo është alternativa që Partia Demokratike ofron,
të pakën nepërmjet një kanddiati të saj për kryetar të ri? Po cili është ndryshimi midis jush? Më mirë bëhuni bashkë, të dy partitë kryesore,
se këtë po promovojnë edhe ndërkombëtarët aty në Tiranë -- një parti-shtet me
një udhëheqës të përjetëshëm – me kult personaliteti. Mblidhuni të gjithë rreth
tij dhe duartrokisni. Rroftë demokracia
alla-shqiptarçe!
E
buono per Albania!
Sido
që ta merrni, sido që të mendoni ju të nderuar përfaqsues diplomatikë dhe të
klasës politike shqiptare -- Shqipëria nuk mund dhe nuk do të bëhet një aleate
e denjë e NATO-s pa dekomunistizimin njëherë e mirë të shoqërisë shqiptare dhe
pa distancimin (por edhe pastrimin) e bindshëm të kësaj klase politike
shqiptare -- të sotëme dhe të nesërme – nga trashëgimia komuniste, ashtu siç
kanë bërë vendet e tjera ish-komuniste, që tani janë anëtare të denja të
NATO-s. Si një taksapagues amerikan, unë
do të dëshiroja që Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera perëndimore, të jenë
gjithmonë pranë Shqipërisë, jo vetëm për një çeshtje – megjithëse tepër e
rëndësishme – siç është vendosja e drejtësisë në vend – por të jenë pranë saj
edhe në mbrojtje të të gjitha vlerave të tjera perëndimore të përbashkëta
demokratike që mbron NATO-ja – përfshir edhe dekomunistizimin e shoqërisë dhe
distancimin nga gulagu komunist i Enver Hoxhës. Është e qartë se kuadrot e
nomenklaturës së Partisë në pushtet nuk besojnë në distancimin nga e kaluara
komuniste, por kjo është e vetmja mënyrë për ta bërë Shqipërinë pjesë të familjes
evropiane dhe euro-atlantike, si dhe një vend anëtar të denjë të NATO-s me të
cilin do të krenohemi të gjithë, kudo që jemi. Heshtja e përfaqësuesve
diplomatikë të vendeve anëtare të NATO-s në Tiranë në lidhje me këtë çeshtje
nuk u ben nder as vendeve që ata përfaqësojnë dhe as NATO-s që këto ditë po
zhvillon stërvitjen ushtarake “Defender Europe 21”. Në këtë 48-vjetor të Revoltës antikomuniste
në burgun e Spaçit, ndoshta kini nevojë për një rifreskim të kujtesës se çfarë
përfaqësonte regjimi i Enver Hoxhës. Për të parë nga afër dhe pjesërisht
Gulagun e Enver Hoxhës, do të sugjeroja që përfaqsuesit diplomatikë në Tiranë
dhe sidomos politikanët shqiptarë aktualë dhe ata që të pretendojnë të bëhen
udhëheqës të atij vendi nesër, të vizitojnë Spaçin, Tepelenën e të tjera vende
të persekutimit dhe të vrasjeve të viktimave të pafajshme të komunizmit –
tmerin e Spaçit të cilin ish-ambasadori amerikan, Donald Lu, gjatë një vizite
atje, e kishte cilësuar si “një dëshmi të brutalitetit njerëzor”.