Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Ecja Drejt së Djathtës – Dëshmi Morale dhe Mençurie
E premte, 23.07.2021, 10:05 PM
ECJA DREJT SË DJATHTËS – DËSHMI MORALE DHE MENÇURIE
Nga
Frank Shkreli
Libri
më i fundit i autorit të njohur me banim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës,
Thanas L. Gjika, titullohet, “Ecja Drejtë së Djathtës – Dëshmi Morale dhe
Mençurie” Botimet Jozef 2021, 372 f. Në këtë libër, autori përmbledh shkrime
shkencore dhe publicistikë të viteve të fundit, që synojnë përballimin e
shtetit dhe të shoqërisë shqiptare me të kaluarën e saj komuniste, pothuaj
gjysëm shekullore të vendit, si dhe dënimin e krimeve të njërit prej regjimeve
më të egra të diktaturës komuniste të shekullit të kaluar, ndërsa nenvijon edhe
nevojën e ecjes drejt së djathtës së shëndoshë politike në Shqipëri.
Në
këtë libër, lexuesi gjen dhe vlerësime autorësh e veprash, portrete, kujtime
dhe shkëmbime letrash të autorit me disa personalitete të diasporës shqiptare –
kolegë e miq të tij -- si Profesor Sami Repishti, Visar Zhiti, Jozef Radi, Lekë
Përvizi, Luan Rama e disa të tjerë. Njohja e tij me Lasgush Poradecin e kujtime
të tjera interesante nga mosha e tij shkollore.
Edhe
ky libër, në vazhdën e punimeve të vyera të mëparshme të Thanas Gjikës,
përfshirë studimet historike mbi fillimet e Krishtërimit në trojet ilire,
analizat politike dhe shoqërore si dhe publistikën e tij të pasur, ndihmon
lexuesin e sotëm në trojet shqiptare dhe në diasporë që të kuptojë më mirë
shtrembërimet e të vërtetave historike gjatë periudhës fatzezë të komunizmit.
Këto shtrembërime, fatkeqsisht, mbrohen edhe sot nga një mori
pseudohistorianësh dhe nostalgjikësh enveristë në nivelet më të larta shtetërore
dhe akademike të Shqipërisë socialiste.
Në
këtë libër, ashtu si në krijimtarinë e mëparshme të Thanas Gjikës vihet re
dëshira e tij për të venë në dukje vlerat artistike dhe ideore të disa
shkrimtarëve dhe publicistëve që jetojnë në atdhe dhe në diasporën shqiptare,
të cilët fatkeqësisht, njihen pak ose aspak nga lexuesit shqiptarë dhe aq më
pak promovohen nga institucionet zyrtare në trojet shqiptare. Mund të jetë që
shumica e këtyre shkrimtarëve dhe publicistëve të diasporës – konsiderohen si
disi “ndryshe”, “të prekur” dhe “të përndjekur”, nga ish-regjimi komunist, por
edhe sepse shumë prej tyre kanë jetuar dhe vepruar jashtë Atdheut për një kohë
të gjatë dhe të cilët shpesh trajtohen si të huaj në vendin e vet. Por siç ve
në dukje studjuesi Gjika në librin e botuar kohët e fundit, edhe këta
kontribues, qofshin shqiptaro-amerikanë, shqiptaro-francezë, shqiptaro-belgë,
shqiptaro-italianë, shqiptaro-kanadezë, etj janë dhe duhej të ishin pjesë e
historisë, e shoqërisë dhe kulturës shqiptare, pa nënvlerësime, paragjykime,
akuza e shpifje, pasi për derisa kanë shkruar e vazhdojnë të shkruajnë shqip,
janë pjesë dhe kontribues të kësaj kulture. Por, deri tani, sipas Thanas Gjikës
këta krijues e studjues shqiptarë të diasporës, kryesisht vazhdojnë të jenë të
refuzuar dhe të nënvlerësuar prej kulturës dhe historisë kombëtare, pjesë e të
cilës këta shqiptarë me dy kombësi e ndjejnë veten se janë – pjesë e pandarë e
trupit kombëtar, të kulturës, gjuhës dhe historisë së shqiptarëve – e kësaj
kulture mijëra vjeçare.
Siç
ka shkruar Ernest Koliqi, “Kultura asht shpirti i kombësisë. Kush nuk njeh
historinë e vendit të vet, nuk njeh vetveten. Kush nuk ka dijeni për fytyrat e
jetës shqiptare që shfaqen në vjersha, në tregime, në përshkrime e përshtypje,
në syzime e studime të shkrimtarëve shqiptarë, nuk di me u dhanë zhvillim
shkaseve që ndien në gjak të vet. Kush nuk etshohet nga nevoja të dijë çka
bluajnë mendjet ma të ndritura të bashkgjakasve të vet, (edhe të atyre jashtë
atdheut-F.Sh) si e shohin dhe si e paraqesin në pëlhurnat e tyre botën piktorët
tonë, me çfarë tingujsh tregojnë valavitjet shpirtënore të veta muzikantët
shqiptarë, d.m.th., ai që kurrë s’kapë në dorë nji libër shqip nuk soditë me
andje nji piksim dalë nga nji dorë shqiptare, as nuk shuan mallet e veta në
melodi ku shfrejnë mullajt e zemrës së madhe të Kombit…”(Ernest Koliqi, revista
“Shejzat”).
Në
të parin çerek të shekullit XXI, Shqipëria, Kosova dhe autoritetet përkatëse në
këta dy shtete shqiptare duhet të promovojnë dhe të konsolidojnë një shoqëri gjithëpërfshirse,
pa dallime politike, ideologjike, krahinore e të tjera, duke përfshir edhe
forcimin tepër të nevojshëm të lidhjeve me diasporën e vjetër dhe të re
shqiptare.
Fatkeqësisht,
këto lidhje sot nuk ekzistojnë me shtetin amë, ashtu siç duhej të ekzistonin.
Ky është, në përgjithsi, edhe një prej mesazheve kryesore i librit më të ri të
autorit Thanas Gjika, titulluar: “Ecja Drejt së Djathtës – Dëshmi Morale dhe
Mençurie” -- një përmbledhje artikujsh studimorë dhe publistikë të autorit dhe
të disa kontribuesve të tjerë nga diaspora shqiptare, sidomos diaspora
shqiptaro-amerikane. Me pikësynimin për dënimin, më në fund, të krimeve të
komunizmit në Shqipëri, për përballimin me të kaluarën komuniste dhe për
nevojën e ecjes drejt së djathtës së shëndoshë.
Mjaft
më me ndarje e përçarje, në baza ideologjike, midis shqiptarëve, brenda dhe
jashtë atdheut! Shqiptarët, një grusht njerëz, brenda dhe jasht trojeve
shqiptare, kanë nevojë për unitet -- për një strategji mbarëkombëtare – duke
përfshirë edhe ata që megjithse larg vendlindjes, përpiqen të japin kontributin
e tyre ndaj historisë dhe kulturës së përbashkët mbarëkombëtare, pa marrë
parsysh se ku jetojnë aktualisht, por të cilët, me gjithë zemër e shpirt,
punojnë dhe shkruajnë për një letërsi të përbashkët kombëtare dhe veprojnë për
një atdhe të vetëm!