Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Liria e Fjalës dhe 'trubaduri' sllav në Korçë
E enjte, 26.08.2021, 07:15 PM
LIRIA E FJALËS DHE “TRUBADURI” SLLAV NË KORÇË
Nga
Frank Shkreli
Ja edhe këngëtari
sllav Goran Bregoviq -- e cilësoj si “sllav” pasi nuk jam i sigurt se cilit
prej grupeve etnike sllave të ish-Jugosllavisë i përket ai -- shkoi në Korçë,
pa çka pau, këndoi dhe iku por nuk mund të thuhet se fitoi gjë ai as ata që e
ftuan dhe sponsorizuan praninë e tij në Korçë. Si në parantezë dua të them se,
megjithë zhurmën e madhe, pro dhe kundër rreth pranisë së tij në Korçë,
personalisht, isha krejt indiferent ndaj pjesëmarrjes së tij në “Festën e
Birrës”, duke menduar se nëqoftse pjesëmarrja e tij atje ndihmon që të shitet
ndonjë birrë më tepër, aq më mirë – ndihmon sadopak ekonominë shqiptare, thashë
me vete.
Por siç duket,
retë e pluhurit “radioaktiv” që la pas prania e këngëtarit sllav Bregoviq në
Korçë vazhdojnë të qëndrojnë mbi hapësirën politike dhe shoqërore
shqiptare. Megjithëse i kuptoj shumë
mirë shqetësimet e shqiptarëve të Kosovës për ftesën dhe pjesëmarrjen e
Bregoviqit në Festën e Birrës në Korcë – por edhe ata brenda Shqipërisë që
mbështetën pjesëmarrjen e tij në Korçë – megjithë kundërshtimet mes dy palëve,
unë e kam ndjekur debatin në lidhje me këtë çeshtje si diçka pozitive që është
me rëndësi për tu zhvilluar. E kam konsideruar këtë debat si pjesë e lirisë së
fjalës për të dy palët, për ata që kundërshtuan pjesëmarrjen e Goran Bregoviqit
në Festën e Birrës dhe atyre që e mbështën atë të shkonte e të këndonte në
Korçë. E shikova si një debat midis dy a
më shumë vëllëzërve e motrave që nuk janë dakort për një çështje me rëndësi për
ta dhe për derisa diskursi zhvillohej në një nivel e standard të qytetëruar –
s’ka gjë të keqe në këtë mes. Falë nderës
Zotit këtë ditë kemi pritur që shqiptarët, më në fund, mund të diskutojnë me
njëri tjetrin, por edhe me të tjerë -- nga afër dhe nga larg, si të barabartë
dhe të lirë -- derisa lexova reagimin e Kryeministrit të Shqipërisë Z. Edi Rama
në mbrojtje të pjesëmarrjes së Bregoviqit dhe mbështetësve të tij në Korçë dhe
duke sulmuar ashpër ata shqiotarë, sidomos, nga Kosova që kritikuan
pjesëmarrjen e tij në festën e Korcës .
Jo se Kryeministri shqiptar nuk ka të drejtë të shprehet, kështu ose
ashtu për Bregoviqin ose këdo tjetër, pasi liria e fjalës duhet të përfshij
edhe atë por reagimi i tij, më të thenë të drejtën, më la me gojë hapur.
Z. Rama i doli në
mbrojtje Bregoviqit, duke i cilësuar reagimet e kundërshtarëve dhe kritikëve të
pjesëmarrjes së tij në Festën e Birrës në Korçë si, “Një histeri fashiste, e
turpshme për qytetarinë europiane të shqiptarëve”. Z. Bregoviq është një figurë publike dhe si e
tillë ai, patjetër, do të tërheq kritika dhe kundërshtime për deklaratat e tija
ose heshtjen e tij kur duhej të fliste dhe nuk foli ose për këngët e tija nga
pozita e tij si njeri publik dhe e “një muzikanti nga më të jashtzakonshmit e
Ballkanit”, siç e cilësoi Z. Rama. Më
habiti gjithashtu shumë përdorimi i fjalëve “histeri fashiste” nga Z. Rama,
drejtuar kritikëve shqiptarë të Bregoviqit. Kisha shpresuar se fjalët, “fashist
e fashiste” nuk do i dëgjonim më në fjalorin shqip, sidomos, kur është fjala
për diskurset politike ndër-shqiptare të vëllait me vëlla e motëra shqiptare.
Shpresonim se këto fjalë do i takonin një periudhe tjetër të zezë të historisë
shqiptare lenë pas – periudhës së komunizmit.
Fashistët e vërtetë, Z. Rama i gjeni në Beograd, shumë prej të cilëve i
njihni mirë dhe me të cilët bashkpunoni ngusht -- dhe jo në Prishtinë, e besoj
as në Tiranë!
Por mbi të gjitha,
deklarata e Z. Rama kundër kritikëve të pjesëmarrjes së Bregoviqit në Korçë,
ishte një goditje mu në zemër të lirisë së fjalës. Është vështirë të thuhet se
pse ishte prekur aq personalisht, Z. Rama me kritikat ndaj Bregoviqit? Pa marrë
parasyshë se ç’mendon Z. Kryeministër për lirinë e fjalës dhe të shtypit, në
vendin e tij dhe gjetkë, për të gjithë dhe pa dallim, “Zjarrnxitësit
mendjefikur”, siç i cilësoi Kryeministri shqiptar kritikët e Goran Bregoviqit“,
me “histerinë mesjetare” dhe me “histerinë fashiste” të tyre, qofshin ata në
Tiranë ose në Prishtinë, në bazë të Deklaratës Universale të Drejtave të
Njeriut, nënshkruese e të cilës është edhe Shqipëria, gëzojnë si të gjithë
njerëzit anë e mbanë botës, të drejtën e lirisë së fjalës, mohuar atyre nga
fashistët e vërtetë sllavo-komunistë për një gjysëm shekulli në Tiranë dhe në
Prishtinë, fillimisht, në bashkpunim me njëri tjetrin.
Prandaj, komentet
e Z. Rama nuk janë vetëm një sulm ndaj kritikëve të një trubaduri sllav, por
mbi të gjitha një goditje e rëndë ndaj lirisë së fjalës, në përgjithësi. Siç
duket, edhe pas 30-vjetë “post-komunizëm”, udhëheqsit shqiptarë ende e kanë të
vështirë të kuptojnë se ç’është liria, veçmas liria e fjalës për të tjerët, si
e drejtë bazë e njeriut e sanksionuar me marrveshje ndërkombëtare dhe e
mbrojtur me ligje kombëtare, si një vlerë evropiane, por edhe shqiptare, në
radhë të parë. Përgjigjen se ç’është liria e fjalës për shqiptarë, na e ka
dhënë ndoshta para evropianëve të tjerë, i madhi Faik Konica, më shumë se një
shekull më parë. “Liria është të mundet
njeriu: të besojë ç’i do zemra; të thotë ç’i do zemra; të shkruanj
ç’i do zemra; të bëjë ç’i do zemra,”, ka shkruar Faik Konica në Gazeta
Albania, viti 1897, nr. 2, f. 32 /
Kjo është liria e
vërtetë sipas Faik Konicës që po të respektohej dhe po të zbatohej nga
shqiptarët dhe udhëheqsit e tyre sot – do të nderonte “qytetarinë evropiane të
shqiptarëve”, por edhe “historinë dhe traditën tonë poashtu”. Z. Kryeministër nuk e di nëse je adhurues ose
jo i Faik Konicës, por ai do të këshillonte sot se megjithëse je në krye të
qeverisë shqiptare, “Nuk ke të drejtë tu presësh lirinë e fjalës”, kritikëve të
këngëtarit trubador të Ballkanit, për pjesëmarrjen e tij në Festën e Birrës në
Korçë. Liria e fjalës është dhe mbetet e
shenjtë, si për ju Z. Kryeministër ashtu dhe për kritikët e këngëtarit
ballkanas në Korçë!
Në fund të fundit,
me këtë episod askush nuk doli fitues. Të gjithë humbës mbetën. Veçanërisht
humbi keq liria e fjalës dhe e vërteta, ashtu siç jemi mësuar të shohim
se ndodhë shpesh në trojet shqiptare këto 30-vite tranzicion
“post-komunist”. Z. Kryeministër, “Unë
nuk jam aspak dakort me ato që thua, por do të mbrojë deri në vdekje të drejtën
tënde (dhe të tjerëve) për të thenë atë që dëshiron të thuash”, (Voltaire) dhe
“çfarë të do zemra” (Faik Konica).