Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Napoli nderon Donika Kastriotin
E hene, 02.08.2021, 08:04 PM
NAPOLI NDERON DONIKA KASTRIOTIN, BASHKSHORTEN E HEROIT KOMBËTAR – GJERGJ KASTRIOTI - SKENDERBEU
Nga Frank Shkreli
Një pllakë përkujtimore në Napoli
për nder të Mbretëreshës Shqiptare Donika Kastrioti, bashkëshorten e Heroit Kombëtar të shqiptarëve,
Gjergj Kastriotit Skënderbe! Një rrugë në Napoli merr emrin e bashkshortes së
Heroit Kombëtar të shqiptarëve. Ky është
lajmi i njoftuar javën që kaloi nga krye-bashkiaku i qytetit italian, Napoli,
Z. Luigi De Magistris, i cili, sipas
disa burimeve ka pranuar dhe miratuar rekomandimin e Komisionit Toponomastik të
qytetit për vendosjen e një pllake përkujtimore në Rrugën Shën Kiara, në kujtim
të Donika (Arianiti) Kastriotit. “Vendimi
për të vendosur këtë pllakë tregon jo vetëm të kaluarën e rëndësishme historike
të qytetit të Napolit, por dhe thirrjen për të qenë një vend i mikpritjes për
kultura dhe tradita të ndryshme. Kjo vendos një lidhje të thellë kulturore, që
ka rrënjë prej shekujsh mes këtij qyteti dhe popullit shqiptar”,
citohet të jetë shprehur me këtë rast kryebashkiaku i ketij qyteti të njohur
Italian, De Magistris. Thuhet
se ky gjest fisnik e bujar për vendosjen e pllakës u ndërmor, natyrisht, për të
nderuar Mbretëreshën e Shqiptarëve (Andronika Arianiti Komneni
Kastrioti) për lidhjet e
saja historike me atë qytet pas vdekjes së bashkshortit të saj, Gjergj
Kastriotit – Skenderbeut, largimit të saj nga Shqipëria si rrjedhim i kësaj
humbjeje dhe në kujtim të kohës që ajo ka jetuar në Napoli.
Por, kjo pllakë
kujton gjithashtu të gjithë ata shqiptarë të cilët janë larguar nga Atdheu i
tyre shekuj më parë për në Itali, pasi hordhitë turke pushtuan trojet Arbërore,
pas vdekjes së Kryeheroit shqiptar, i cili me dinjitet mbrojti trojet shqiptare
nga sulmet otomane dhe shpëtoi Evropën nga depërtimet e tyre në kontinentin e
vjetër. Mbretëria e Napolit u kishte
ofruar, në atë kohë, mbështetje dhe strehim shumë shqiptarëve që qenë detyruar
të largoheshin nga Atdheu, si rrjedhim i pushtimit turk të tokave shqiptare. Ata u
detyruan të largoheshin dhe të vendoseshin në Italinë jugore sepse nuk donin të
jetonin nën thundrën e skllavërisë otomane, nuk donin të ndërronin fe e gjuhë,
nuk dëshironin të braktisnin zakone e tradita, të cilat i
ruajtën me dashuri prekëse ndër shekuj e deri më sot, ndërsa sot ata
– të quajtur Arbëreshë të Italisë -- vijojnë të flasin me atë gjuhë që flisnin
gjyshërit e tyre në kohën e lavdishme të Skënderbeut.
Ajo pllakë sot
simbolizon gjithashtu – siç u shpreh edhe kryebashkiaku Italian de Magistris --
miqësinë dhe lidhjet aktuale të banorëve të këtij qyteti italian me shqiptarët
që jetojnë në trojet e veta, matanë Adriatikut, por edhe u kujton historinë e
lashtë të kombit të vet, qindëra mijëra shqiptarëve që janë vendosur në Itali
tri dekadat e fundit pas shembjes së komunizmit, shumë prej të cilëve jetojnë e
punojnë në Napoli me rrethe.
Pllaka në kujtim të
Mbretëreshës shqiptare do vendoset pra në rrugën që tani mban emërin Santa
Kiara të Napolit, pasi thuhet se ishte pikërisht në atë rrugë ku ka jetuar për
një kohë Donika Kastrioti -- në shtëpinë e familjes fisnike Alessandro, por nën
mbrojtjen e Mbretërisë së atëhershme të Napolit, aleate e Skenderbeut, në
luftërat kundër turqëve otomanë. Sipas
disa të dhënave, ajo ka jetuar në atë rrugë që nga viti 1469 derisa është
detyruar – për arsye të luftërave që kishin përfshir mbarë Italinë midis viteve
1494-1498 – të vendosej më në fund në Valencia të Spanjës, ku thuhet se ajo ka
vdekur më 1506 dhe ku sipas një zbulimi të kohëve të fundit, në një kishë të
këtij qyteti të vjetër gjëndet edhe varri i Donika Kastriotit, bashkshortes së
Heroit Kombëtar të shqiptarëve.
Donika është martuar me Gjergj Kastriotin - Skënderbeun
më 23 prill 1451. Sipas gojëdhënave, dasma është bërë në Kaninë e sipas traditës
ka zgjatur tri ditë, 21-23 prill, siç ishte zakon edhe në vendet tona dikur.
Për këtë dasëm tregohen shumë gojëdhëna, ruhen këngë popullore, që arrijnë
deri në kohët tona, si dhe të dhëna historike. Sipas tyre, Skënderbeu shkoi t’a
merrte nusen i shoqëruar nga 500 kalorës, aq sa të dukej se po nisej për një
betejë të re dhe jo për darsëmen e tij.
Sipas gojëdhënave, thuhet se kënga dhe vallja buçitën dhe kalaja e
Kaninës llamburiti nga pishat dhe fenerët e shumtë. Aty u bë shkëmbimi i unazave. Kurora u bekua
në Kishën e Bardhë afër Kaninës. Ndërsa apër bukurinë e pashinë dhe bukurinë e
çiftit Donika Arianiti-Gjergj Kastrioti-Skenderbe, mjafton të kujtojmë vargjet
e Naim Frashërit, shkëputur nga “Historia e Skenderbeut:"...Dhëndëri
si dielli ndriste,/Edhe nuseja që prunë,/Porsi hëna vetëtinte,/Dritë në ditën e
shtunë..."
Mirënjohje Bashkisë së Napolit dhe kryebashkiakun të saj
Luigi de Magistris që me vendosjen e një pllake në rrugën e atij qyteti ku
jetoi shekuj më parë bashkshortja e Skenderbeut, Donika, na e kujton familjen e
Heroit Kombëtar të Gjergj Kastriotit -Skenderbe: kontributet e saj për por edhe
vuajtjet e asaj familjeje në mërgim, përfshir Donika Kastriotin. Ajo pllakë do t’u kujtojë shqiptarëve por edhe
të huajve që kalojnë pranë saj, fisnikërinë, trimërinë dhe burrërinë e
Kryetrimit të Kombit shqiptar, Gjergj Kastriotit -Skenderbe dhe familjes së tij
të ngushtë. Sepse ishin ata të cilët
mbrojtën nderin e Kombit dhe identitetin e shqiptarit, kudo dhe kurdoherë, nën
rrethana shumë të vështira. Madje edhe
sot pas më shumë se pesë shekujsh –nderi dhe dinjiteti Kombit shqiptar – po sulmohen e nepërkëmben,
jo nga të huajt si dikur otomanët, pot nga vet shqiptarët. Këto vlera kombëtare shekullore shqiptare sot
kanë renë pre e një klase politike të shqiptarëve të shekullit 21, viktima të
influencave të huaja politike, ekonomike dhe kulturore, për qëllime personale e
partiake, që fatkeqsisht, po ndihmon në zverdhjen e identitetit dhe dinjitetit
kombëtar të shqiptarëve. Vlera këto që
Skenderbeu dhe familja e tij, mbrojtën me aq trimëri, atdhedashuri dhe
devotshmëri. I përjetshëm qoftë kujtimi
i tyre në trojet shqiptare, në Evropë dhe në mbarë botën, ku ata kujtohen,
vlerësohen dhe nderohen për kontributin e tyre ndaj shtetformimit të Kombit
shqiptar dhe në mbrojtjen e qytetërimit perëndimor.