Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Ipeshkvi Gjon Nikollë Kazazi, zbuluesi i Mesharit
E hene, 09.08.2021, 08:32 PM
IPESHKVI GJON NIKOLLË KAZAZI, ZBULUESI I PARË I LIBRIT TË PARË SHQIP, “MESHARI” DHE “SHËNIMET E GJON NIKOLLË KAZAZIT” TË JUSUF BUXHOVIT
Nga
Frank Shkreli
Javën që kaloi,
Konferenca Ipeshkvnore e Shqipërisë dhe Radio Vatikani në gjuhën shqipe shënuan
269-vjetorin e të kaluarit në amshim të Ipeshkvit Gjon Nikollë Kazazi, i cili
ka ndërruar jetë më 5 gusht, 1752. Pak
shqiptarë mund ta dinë, por Ipeshkvi Kazazi konsiderohet si personi i parë që
zbuloi librin e parë shqip, “Mesharin” e Gjon Buzukut. Në një njoftim të Konferencës Ipeshkvnore të
Shqipërisë me rastin e këtij përvjetori thuhet se në vitin 1740, gjatë
kërkimeve të tij në Arkivin e Vatikanit, Kazazi zbuloi veprën monumentale të
kulturës shqiptare “Mesharin” e Gjon Buzukut, botuar në vitin 1555. Zbulimi tij do të mbetej në hije deri më
1909, kur studjuesi arbëresh Pal Skiroi do ta rigjente veprën e parë në gjuhën
shqipe, po në këto arkiva, nën shënimin “Katalogu: R.G. Liturgia III,194”.
Gjon
Nikollë Kazazi ka lindur më 2 janar 1702 në Gjakovë. Karriera e tij studimore
fillon me studimet teologjike në Kolegjin Ilirik të Shën Pjetrit dhe më pas në
Kolegjin e Shën Palit në Fermo dhe në Loreto të Italisë, ku edhe ka përfunduar
studimet. Në vitin 1727 Gjon Nikollë Kazazi mori titullin Doktor në Filozofi e
Teologji. Po atë vit, ai do të
shugurohej meshtar dhe në moshën 41 vjeçare do të shugurohej ipeshkëv i
Shkupit. Në vitin 1743 botoi veprën
“Përmbledhje e shkurtër e doktrinës kristiane”. Thuhet se Ipeshkvi Gjon Nikollë Kazazi ishte
studiuesi i parë shqiptar që metaforikisht çeli udhën për të gjithë studiuesit
e mëvonshëm drejt Arkivit të Vatikanit, kryesisht, arkivit të “Propaganda
Fide”.
Ndërkaq,
në këtë përvjetor, Jusuf Buxhovi, historiani, autori, gazetari,
intelektuali dhe aktivisti politik nga Kosova, është autor i romanit, “Shënimet
e Gjon Nikollë Kazazit”, (Botimi i Plotësuar nga Shtëpia Botuese Faik
Konica”. Pas disa botimeve e ribotimeve
të mëparshme, romani ribotuar i
plotësuar është përkthyer kohët e fundit në italisht nga Lilian Cuka dhe është
promovuar në Romë në fillim të qershorit që kaloi, nën moton “Historia e zhdukjes së një
populli”, para një audience përfaqësuese
kulturore dhe intelektuale italiane, ku morën pjesë edhe ambasadorët e
Republikës së Kosovës dhe Shqipërisë, përfaqësuesi i Ipeshkvisë së Kosovës dhe
të arbëreshëve të Italisë, ndër të tjerë.
Botimi në italisht i kësaj vepre të autorit
Buxhovi pason përkthime në disa gjuhë dhe disa tjera që thuhet se janë në fazën
përfundimtare të përkthimit në anglisht, frëngjisht, sllovenisht dhe spanjisht.
Sa i përket përkthimit në gjuhët e huaja të romanit të tij, “Shënimet e Nikollë
Kazazit”, historiani i shquar shqiptar Z. Buxhovi është cituar të ketë thenë se
“Kjo i ndihmon letërsisë
shqiptare që të afirmohet në përmasat ndërkombëtare, veçmas kur kjo bëhet me
një vepër që shpalos dramat e saj të brendshme në rrethanat ekzistenciale -- në
një hapësirë të ndeshjeve të perandorive dhe besimeve -- ku politika dhe
besimet luftojnë për hapësirë dhe dominim të përhershëm.”
Botimi
në italisht i këtij libri u promovua në Romë, ndërsa Ambasada e Republikës së
Kosovës në kryeqytetin Italian, me këtë rast, shprehej në faqen e saj të
internetit se, “Është nder të promovosh historinë e Kosovës përmes rrëfimeve të
fakteve historike, të cilat për shekuj me radhë na kanë bërë krenarë për
identitetin tonë. “Për ty Toka ime – Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”, e
shkrimtarit dhe historianit tonë të mirënjohur, Jusuf Buxhovi, tani
botuar edhe në italisht nga shtëpia e njohur botuese, Armando Editore, ka
kontribuar në forcimin e rrënjëve evropiane të popullit tonë”, thuhej në
njoftimin e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Romë me rastin e promovimit
të romanit, “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit të autorit Jusuf Buxhovi.
“Është një vepër e shkruar në një mënyrë të pabesueshme
intensive”, vlerëson botuesi italian dhe shton se titulli “Të përkas ty, o toka
ime”, mund të jetë slogani mbi të cilin autori ndërthurë një përmbajtje të
dendur, me bashkëbisedues me vlera, ku ndodhet një vend i tronditur, i
ndërlikuar, i dhunuar, në të cilin politika dhe feja janë në garë për të kapur
hapësirat e tyre dhe për të bërë prozelitizëm. Reflektimi me përmbajtje të
lartë, e drejton lexuesin në mendimet e rafinuara të autorit për të krijuar më
pas përshtypjet e veta personale.”
Ndërsa Radio
Vatikani ka transmetuar një intervistë, Majin që kaloi, me kuratorin e botimit,
publicistin Giovani Cederone, i cili veprën e Buxhovit të
përkthyer italisht e ka cilësuar si një monument të rëndësishëm
letrar që nxjerr në pah identitetin shpirtëror dhe kulturor të shqiptarëve
të lidhur me qytetërimin perëndimor, por njëherësh pasqyron edhe dramën e
një populli që vazhdimisht i nënshtrohet përpjekjeve të huajve për t’i dominuar
ata. Ndërkohë, Presidenti historik i
Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, në një shkrim vlersues të romanit, “Shënimet e
Gjon Nikollë Kazazit”, e ka cilësuar veprën e Jusuf Buxhovit, si “një prej
romaneve tona më të mira bashkohore”.
Vlerësimi i plotë i Dr. Rugovës mund të lexohet në këtë link, për ata që
janë të interesuar:
Ibrahim Rugova:
Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit, ndër romanet tona më të mira
Por le t’i
këthehemi figurës së Ipeshkvit Gjon Nikollë Kazazit në përvjetorin e vdekjes së
tij dhe protagonistit të romanit të shkrimtarit dhe historianit, Jusuf Buxhovi,
njëri ndër më të mirët historian të Kombit shqiptar. Ashtu siç ka ndodhur gjatë gjithë historisë
së shqiptarëve kur klerikët katolikë – përveç veprimtarisë së tyre fetare –
janë marrë edhe me mbrojtjen e kulturës dhe të gjuhës shqipe, ashtu edhe Gjon
Nikollë Kazazi, gjatë gjithë jetës së tij, krahas thirrjes së tij fetare në
shërbim të Zotit dhe besimtarëve, Imzot Gjon Nikollë Kazazi, sipas Radio
Vatikanit, “Kultivoi me pasion e urtësi edhe aspektin kulturor, posaçërisht
shkrimin në gjuhën shqipe. Këtu kishte si qëllim shkrimin e botimin në gjuhën e
popullit të tij, pra shqip, të librave me përmbajtje shpirtërore, biblike si
katekizmi, doracakët uratësh, librat liturgjike por edhe gjurmimin e rrënjëve
të lashta të kombit të tij shqiptar”.
Kështu, gjatë qëndrimit të tij në Romë, në vitin 1740, imzot Gjon
Nikollë Kazazi zbuloi në Bibliotekën e Propagandës Fide të Vatikanit, të vetmin
ekzemplar të ruajtur deri më sot të ‘Mesharit’, të dom Gjon
Buzukut, botuar në vitin 1555. Po atë vit, 1743, imzot Kazazi botoi edhe
katekizmin e tij, “Doktrina E Kërshten”.
Kryeipeshkvi Gjon
Kazazi shkoi disa herë në Romë për tu takuar me Papën si dhe me përfaqësues të
dikastereve të Selisë së Shenjtë në Vatikan. Radio Vatikani shqip i cilëson si
tepër të rëndësishme dhe me vlerë të madhe kishtare e historike raportet që
imzot Kazazi ka sjellur personalisht në Vatikan apo që i ka dërguar Vatikanit
në vitet 1743-1744 e gjatë viteve tjera më vonë, në cilat informon Papën mbi
situatën tejet të rëndë të krishterëve jo vetëm në në trojet shqiptare por edhe
në vende tjera ballkanike që ishin nën sundimin e perandorisë osmane, thuhej në
programin e radio Vatikanit kushtuar këtij kleriku të madh shqiptar. Kryeipeshkvi i Shkupit shqiptar, Gjon Nikollë
Kazazi ka vizituar Romën për herë të fundit më 1750 sepse ai ndërroi jetë me 5
gusht te vitit 1752, duke lënë gjurmë të pashlyera, jo vetëm në historinë e
Kishës shqiptare, si bari dhe edukator i klerit e i popullit, por edhe në
historinë e albanologjisë, si zbulues i parë i librit më të vjetër të shtypur
në gjuhën shqipe, që njihet deri me sot si “Meshari” i Dom Gjon Buzukut.
Duket se përkthimi
në italisht i romanit “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit” ka berë jehonë të madhe
në qarqet kulturore të Italisë dhe më gjerë.
Jusuf Buxhovi ka njoftuar më heret se së shpejti libri, “Shënimet e Gjon
Nikollë Kazazit”, do të shëndërrohet në film botëror në italisht, ndërsa zbuloi
se për këtë nismë tashmë ai
ka nënshkruar disa
kontrata paraprake me një ndër shtëpitë filmike më të njohura të Italisë për
realizimin e filmit bazuar në “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”, një ngjarje
kulturore që do të dëshmojë për lidhjet e identitetit shpirtëror dhe kulturor
të shqiptarëve me qytetërimin perëndimor.
Po e
mbylli këtë përkujtim në përvjetorin e vdekjes së Kryeipeshkvit të Shkupit
shqiptar Gjon Nikollë Kazazi me një fragment të shkurtër nga romani “Shënimet e
Gjon Nikollë Kazazit” të autorit Jusuf Buxhovi -- me një këshillë që vlen edhe
sot se, “Do të jetë mëkat i madh që dëshmitë tona për t’i bërë ball të ligës së
pashembullt, të mos shënoheshin...Në atë gjysëmterr që mezi përballohej nga
drita e dobët e qiririt, gjeta fletoren dhe gjithë drithërimë hudha fjalët e
para: ...unë Gjon Nikollë Kazazi, i biri i Pjetrit, i lindur në Gjakovë, në
ditën e dytë të motit të madh një mijë e shtatëqind e dy, me ndjenjën e
përulësisë më të thellë para të Madhit si dhe të përgjegjësisë së plotë që ka
njeriu për të vërtetën, duhet të dëshmoj rreth një mynxyre të madhe që na ka
rënë në kokë...Ne pra, i madh e i vogël, nga dita e sotit i jemi nënshtruar një
rrethimi të tmershëm, që vjen fare papritur me kërcënimin që të mbesim të
shkëputur përgjithmonë nga bota...Ky kërcnim lidhet me shfaqjen e murtajës për
të cilën thuhet se ndodhet midis nesh, sado që ajo ende nuk është dëshmuar. Sprovat e Zotit janë të mirëseardhura dhe të
mirëpritura, por shumëçka që këtu lidhet me sëmundjen, sikur len për të dyshuar
se ajo është pjellë e ligësisë së robit...Megjithqë me kohë çdo gjë do të
sqarohet, ne duhet t’i bëjmë ballë të ligës që vjen nga robi, nga që këtë e
kemi për detyrë pa marrë parasyshë rreziqet me të cilat ballafaqohemi...Në këtë
rrugë kemi për detyrë që të ushqejmë shpresën, por edhe të gjejmë rrugët që
çojnë të zgjimi i ndjenjës së kundërvenies së të ligës që na kërcënon deri në
asgjasim... Këtë nuk do ta kemi të lehtë, por nuk kemi shtegdalje
tjetër...Natën e mirë, trishtim, por edhe shpresë...”
Fragmenti nga romani i Jusuf Buxhovit, “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit” – është këshillë edhe për t’u ballafaquar me gjëndjen sot në trojet shqiptare: Ballafaqim me të keqën, sidomos me të keqen që vjen nga robi, nga njeriu vet, që të mos t’i nenshtrohemi asaj të keqeje dhe të mos dorëzohemi para saj! Të shënohet e kaluara me qëllim që të mos harrohet dhe të përballemi me të kaluarën e ligët, si pjesë e “përgjegjësisë së plotë që ka njeriu ndaj së vërtetës” dhe detyrimi që të gjithë kemi si individ dhe shoqëri për të dëshmuar dhe për të mbrojtur të vërtetën, sa u përket “sëmundjeve” që kanë kaplluar shoqërinë shqiptare edhe sot e e kësaj dite e që janë “pjellë e ligësisë së robit”, të -- pushtetarëve autoritarë modernë -- dhe nuk janë sprova të Zotit...”. Kjo është e Vërteta që duhet të dëshmojmë të gjithë, për të pasur sadopak shpresë për një të ardhme më të mirë për shqiptarët në trojet e veta!
Historiani
dhe Shkrimtari Jusuf Buxhovi, autor i romanit, “Shënimet e Gjon Nikollë
Kazazit”, përkëthyer kohët e fundit në italisht dhe gjuhë të tjera evropiane,
ndërkohë pritet që libri të shërbejë si bazë për një skenar filmi, muajin që
vjen, nga skenaristë të njohur italianë.
Fletë
të “Mesharit” (kopje digjitale) të Gjon Buzukut, sjellë dhuratë Bibliotekës
Kombëtare nga Papa Françesku, gjatë vizitës së tij në Shqipëri, Shtator, 2014
Autori Jusuf Buxhovi me mikun dhe bashkpuntorin e tij të ngusht gjatë viteve, Dr. Ibrahim Rugova – Ibrahim Rugova: Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit, ndër romanet tona më të mira