Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: At Gjergj Fishta dhe Akademia e Shkencave - një hap përpara, dy mbrapa
E marte, 28.09.2021, 08:05 PM
AT GJERGJ FISHTA DHE AKADEMIA E SHKENCAVE E SHQIPËRISË – NJË HAP PËRPARA, DY MBRAPA
Nga
Frank Shkreli
Ka disa vite që me
penën time të pavarur e tepër modeste – pa pasur nevojë t’i them kujt
tungjatjeta do të thoshte Fishta -- kam bërë thirrje dhe kam kërkuar
rivlersimin e veprës, jetës dhe të figurës së madhe të At Gjergj Fishtës nga
entet zyrtare të Republikës së Shqipërisë dhe të Republikës së Kosovës, me besimin
se pa vlerat e At Gjergj Fishtës, po varfërohet kultura dhe po
de-shqiptarizohen trojet shqiptare.
Fatkeqsisht, gjatë 30-viteve të tranzicionit të ashtuquajtur
“post-komunist” në Shqipëri – ndonëse librat e At Gjergj Fishtës botohen dhe
mund të blihen dhe të lexohen nga kushdo që dëshiron, një përmirsim nga
ç’ndodhte në regjimin komunist kur veprat e tija ishin rreptësisht të ndaluara
– këto tre dekadat e fundit, trajtimi zyrtar nga nivelet më të larta
qeveritaro-shtetërore dhe akademike, s’ishte gjë tjetër veçse një vazhdim i
trajtimit të egër anti-kombëtar ndaj Poetit të Madh të Kombit, nga ana e
ish-regjimit komunist të Enver Hoxhës, i dënuar, i dëbuar dhe i përjashtuar,
ç’prej vitit 1940 kur edhe ndërroi jetë Gjergj Fishta.
Por ja, thonë se
shpresa vdes e fundit dhe në këtë moment të fundit, pas 3 dekadave
“post-komunizëm”, më në fund, me kënaqësinë më të madhe mësova për mbajtjen e
një konference në Tiranë, të organizuar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë
(ASHSH), kushtuar 150-vjetorit të lindjes së At Gjergj Fishtës. A mund të jetë
ky fillimi i një rehabilitimi zyrtar i kësaj figure të madhe të Kombit, një hap
i parë i rivlerësimit të veprave dhe kontributit të tij -- të përjashtuar dhe
të harruar -- në shumë fusha të kulturës dhe historisë kombëtare. Mbetet për tu
parë, por me thënë të drejtën u emocionova prej gëzimit duke mos u besuar syve
ndërsa lexova çdo fjalë e fjali nga njoftimi dhe nga përmbledhjet e kumtesave
që u mbajtën me këtë rast, të botuara në faqën e internetit të (ASHSH), përfshir
fjalën e Kryetarit të Akademisë, Z. Skender Gjinushit dhe ekspertëve të tjerë
pjesëmarrës kushtuar Fishtës dhe veprave të tija, në këtë 150-vjetor të
lindjes.
Megjithë vonesën e
pajustifikuar prej tre dekadash “pluralizëm” (por më mirë vonë se kurrë, thotë
populli), për të bërë vlerësimin e nevojshëm të figurës dhe veprës së At Gjergj
Fishtës, unë e vlerësoj dhe e përshëndes nismën ose hapin e parë në këtë
drejtim nga një ent zyrtar prestigjoz i shtetit shqiptar, siç është Akademia e
Shkencave e Shqipërisë, megjithëse nuk jam i qartë se si do shkohet përpara.
Sipas njoftimit të
(ASHSH), Konferenca akademike “ad honorem”), me rastin e 150-vjetorit të
lindjes, (1 tetor, 1871) “Nderimi, mbijetesa dhe rikthimi i Fishtës në tri
kohët e letërsisë”, është hera e parë, ose “një hap” i parë, siç e cilësoi
Akademiku Gjinushi. Siç duket, Z.
Gjinushi i mati fjalët me kujdes – për të mos shkelur ndonjë vijë të kuqe në
lidhje me trajtimin e Gjergj Fishtës -- pasi ndoshta as ai nuk e di se si do të
shkohet përpara në vlerësimin e Fishtës.
Sepse, ashtu si këto 30-vjetë të kaluara të një tranzicioni të pafund
për një demokraci të vërtetë, zyrtarisht, ashtu si në kohën e regjimit të Enver
Hoxhës -- Fishta gjithnjë konsiderohet si “reaksionar”, “tradhëtar”,
“bashkpuntor i agjenturave të huaja”, e ku ta dijë unë se çfarë epitetesh të
tjera fyese janë përdorur kundër Gjergj Fishtës që nga periudha enveriste, e që
mbeten edhe sot pjesë e fjalorit të disave për të përshkruar Fishtën.
Por, megjithëse
është hera e parë që Akademia e Shkencave e Shqipërisë ndërmerr një veprim të
tillë, tre dekada pas shembjes së Murit të Berlinit, prapseprap, kjo është një ngjarje që duhet të mirëpritet dhe
të përshëndetet nga të gjithë ata që admirojnë veprat dhe kontributet e shumta
të At Gjergj Fishtës por edhe nga të gjithë ata që besojnë në liri, demokraci
dhe në lirinë e fjalës në veçanti -- që personaliteti i Gjergj Fishtës si
“poet, orator, estet, studiues, publicist, mendimtar dhe botues”, trajtohet, më
në fund, në një forum shkencor të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Akademiku Skënder Gjinushi u shpreh me rastin
e hapjes së konferencës se, “Akademia e Shkencave, me këtë konferencë, po hedh
një hap për të inkurajuar mirësekthimin e Fishtës”, duke shtuar se ky, “Nuk
është kthim i djalit plangprishës, por i poetit të dëbuar, i cili ka pritur
dekada të tëra të na thoshte, ashtu siç shkroi njëri prej pasuesve të tij,
Martin Camaj: Unë jam i jueji, ju jeni të mitë. Ose siç pati shkruar Naimi: Unë
jam në shpirtin tuaj / Mos më merrni për të huaj”, ka thënë në fjalën e hapjes
së konferencës, Kryetari i Akademisë së Shkencave, Akademik Skënder Gjinushi.
Kryetari i
Akademisë së Shkencave u shpreh gjithashtu se konferenca e javës që kaloi ishte
vetëm një hap, “për të inkurajuar mirësekëthimin e Fishtës”, duke lenë të
nënkuptohet se dikush tjetër mban frenat që pengojnë, për të mos thenë që
ndalojnë gjithnjë, rivlerësimin e plotë të At Gjergj Fishtës. Po kush mund të jenë këto forca të errëta, që
për 30-vjetë ndalojnë “mirësekëthimin e plotë të Fishtës? A janë këta politikanët aktualë hipokritë të
të gjitha ngjyrave që para botës euro-atlantike na paraqiten sot si
pro-perëndimorë të flakët -- a po janë nostalgjikët e Enverit, politikanë dhe
akademikë -- të cilët për 30-vjetë tani sillen si anadollakë dhe talebanë të
anti-vlerave kulturore dhe kombëtare ndaj figurave më të nderuara, monumente të
historisë dhe kulturës së Kombit shqiptar?
Figura, si At Gjergj Fishta, njëri prej personaliteteve shqiptare më
pro-perëndimore në historinë e Kombit, ç’prej kohës së Gjergj
Kastriotit-Skenderbe.
Kujt i pengon ende
sot, 30-vjet pas shembjes së komunizmit zyrtar në Shqipëri, figura dhe vepra e
At Gjergj Fishtës dhe pse? Pse u deshën
tri dekada që të mbahej një konferencë – “një hap i parë” për “mirësekëthimin e
Fishtës” – sipas vet Kryetarit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë? Kush i pengon hapat e tjerë që duhet të
merren në këtë drejtim dhe pse duhet të matet me hapa të tjerë rivlersimi i
Gjergj Fishtës? Kush e jep lejen dhe kush i përcakton “hapat” për një rivlersim
të tillë? A është Fishta një hajdut a
person i korruptuar që duhet të kalojë nepër “vetingun” politik të “drejtësisë”
së re të pushtetarëve të Tiranës? Si
është e mundur që 30-vjet pas shembjes së komunizmit, At Gjergj Fishta mbetet,
zyrtarisht, ende i padëshiruar dhe i përjashtuar, i etiketuar me damkën
“tradhëtar” dhe i lënë pas dore nga politika zyrtare si dhe nga kultura,
shkenca dhe akademia – si “armik” e “reaksionar”, ashtu siç konsiderohej edhe
nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, megjithëse Fishta nuk jetoi as nuk veproi
asnjë ditë nën atë regjim? Këto do ishin
ca pyetje që vet pjesëmarrësit duhej të bënin në konferencën e javës që kaloi,
kushtuar 150-vjetorit të lindjes së At Gjergj Fishtës.
Sot, këta
politikanët e sodit që gjithnjë refuzojnë Fishtën na paraqiten para audiencave
prestigjoze amerikane dhe ndërkombëtare si properendimorë ku e kur ua lypë
nevoja, por refuzojnë Fishtën, promovuesin e vërtetë të vlerave perëndimore dhe
arkitektin e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane. Nuk mund të pretendosh se je
properendimorë dhe kundër ose indiferent ndaj At Gjergj Fishtës. Këtë duhet ta dinë edhe diplomatët
perëndimorë në Tiranë!
Frank Shkreli: At Gjergj Fishta, arkitekt i marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, vazhdon të jetë i padëshiruar në vendin e vet |
Gazeta Telegraf
Në mungesë të
pyetjeve më lartë dhe të përgjigjeve nga autoritetet shqipotare për një
vlerësim të vërtetë dhe më të gjithanshëm të kontributit të Gjergj Fishtës në
jetën kombëtare, sidomos kontributeve të tija në fushën politike dhe kombëtare,
konferenca e Tiranës, siç duket, për të mos dashur të turbullonte ujërat e zeza
të jetës aktuale politike dhe akademike shqiptare -- e kishte gjetë të
arsyeshme të përqëndrohej më shumë tek kontributet e Fishtës, jo në fushën
politike, por në fushën albanologjike, një fushë kjo e sigurt për ta trajtuar
Fishtën. Ndërkohë që sipas të gjitha
gjasave, nuk dihet se cili do të jetë “urdhëri zyrtar” për hapa të tjerë, sa i
përket “rikthimit” të At Gjergj Fishtës dhe nga kush do jepet leja:
Kryeministri, Kuvendi, Ministria e Arsimit dhe e Kulturës, Presidenti, nga
kush? Vendim shumë i vështirë ky për
Tiranën zyrtare!!! Edhe sot pas 80-vjetësh e kanë frikë Fishtën.
Po pse ky trajtim
për 80-vjet i Gjergj Fishtës nga Atdheu tij për të cilin jetoi e punoi gjithë
jetën dhe pse “Fishta u fshi nga defteri” nga regjimi komunist, siç pyeste dikur Profesori i ndjerë
shqiptaro-amerikan dhe ish i burgosur i regjimit enverist, Arshi Pipa në një artikull
(Fishta dhe Komunizmi) Frank Shkreli: Gjergj Fishta dhe komunizmi | Gazeta Telegraf,
të botuar në
gazetën Shqiptari i Lirë në Nju Jork me 31 Janar, 1961. Në atë artikull, Profesori i nderuar
shkruante se 2-3 vitet e para të sundimit komunist, Fishta ende nuk
konsiderohej si një subjekt “tabu”. Por,
megjithëkëtë, shkruan ai, qysh në fillim të regjimit, shihej se nga frynte
era. Nëpërmjet “qarkoresh, këshillash,
qortimesh e porosishë, mësuesve të gjuhës dhe letërsisë”, u ishte dhënë urdhëri
që të vinin në dukje anën “reaksionare”, jo vetëm të Gjergj Fishtës por edhe të
Faik Konicës. Kështu filloi dalngadalë
të “përgatitej terreni”, sipas Profesor Arshi Pipës, për eliminimin e Gjergj
Fishtës dhe të veprave të tij.
Kjo ndodhi, sipas
Profesor Arshi Pipës, “Në një kohë kur Shqipëria po rrëshqiste ndër krahët e
Jugosllavisë, për t’u bërë republikë e shtatë e saj dhe udhëheqja komuniste
shqiptare nën diktatin e Beogradit nuk mund t’ia falte Gjergj Fishtës shprehjet
e tij kundër Jugosllavisë.” Si
përfundim, thekson Pipa në artikullin e tij, botuar në gazetën e Nju Jorkut,
“Shqiptari i Lirë”, të vitit 1961, “Me eliminimin e fraksionit nacionalist
brenda partisë, të kryesuar nga Malëshova dhe Dishnica dhe më vonë nga
fraksioni autonomist Nako Spirua – të tre këta kundërshtarë të politikës
pro-jugosllave – triumfoi vija ekstremiste e çiftit Hoxha-Xoxe, të cilët për
arsyet e tyre personale dhe partizane ishin gati të sakrifikonin interesat dhe
vlerat kombëtare”, ka shkruar Arshi Pipa.
Se si kjo “vijë
ekstremiste” komuniste ndaj Fishtës ka mbijetuar sot e 80-vjetë më parë –
sidomos këto tre dekadat e fundit -- as dreqi nuk mund ta marrë me mend, as ta
kuptojë, se si dhe pse për pothuaj një shekull?
Profesor Arshi
Pipa: “Fishta u sakrifikua pikërisht si përfaqësuesi madhor i vlerave
kombëtare”. Profesor Pipa është shprehur, se ajo që e dallon patriotizmin e At
Gjergj Fishtës nga të tjerët është, “Karakteri militant, luftarak, i
patriotizmit” të tij. Të tjerët, sipas Arshi Pipës, më shumë kanë mbrojtur,
ndërsa Fishta ka mbrojtur dhe ka sulmuar. “Ai ka sulmuar të gjithë ata
persona ose shtete të vogla, ose fuqi të mëdha, të Lindjes e të Perëndimit, të
Krishtit ose të Muhametit, që kanë synuar robërimin, pushtimin, copëtimin e
Shqipërisë. Ata që kanë cenuar tagrin e popullit shqiptar, ata që kanë fyer
dinjitetin dhe krenarinë kombëtare”, ka shkruar Profesor Arshi Pipa për
patriotizmin e Fishtës.
Por një përgjigje
e pjesëshme ndaj kësaj pyetjeje mund të jetë se Fishta i përkiste urdhrit
françeskan, ka shkruar Prof. Pipa, një pjesë e madhe të cilëve janë vrarë nga
regjimi enverist, një pjesë kanë vdekur nëpër burgjet komuniste të Shqipërisë,
ka arsyetuar Profesor Arshi Pipa. Fishta, si përfaqësuesi më i njohur i
françeskanëve nuk mund të lihej pa prekur, sipas tij. Një arsye tjetër se pse At Gjergj Fishta dhe
vepra e tij ishte ndaluar nga regjimi komunist, kishte të bënte me “rendin
ideologjik botëror” të asaj kohe, shprehej Pipa në artikullin e tij. “Binomi i
famshëm i Fishtës ‘Atme e Fe”, ishte krejtësisht i papranueshëm për
komunistët”, është shprehur Arshi Pipa.
Ndërsa në fund të artikullit, me rastin e 20-vjetorit të vdekjes së
Poetit të Kombit, botuar në Nju Jork në Janar të vitit 1961, Profesori i
nderuar shqiptaro-amerikan Arshi Pipa bën pyetjen: “A do të mbetet Fishta
përgjithmonë armiku numër një?” Ai shprehej optimist, duke thënë: “jo
përgjithmonë” ka nënvijuar ai. Pipa shpresonte se ndryshimi zyrtar i regjimit
komunist ndaj At Gjergj Fishtës dhe veprës së tij, do të ndodhte, kur sipas
tij, “komunizmi të ndërroj qime”.
Profesor Arshi Pipa do të habitej shumë po të jetonte sot se, megjithëse
komunizmi në Shqipëri mund të ketë “ndërruar qime” Fishta ende mbetet i
përjashtuar, ose të pakën jo i mirëseardhur dhe i pa pranuar, zyrtarisht.
“Ujku qimën e
ndërron, por vesin jo”, thotë një fjalë popullore. Mbetet për tu parë nëse Konferenca
në150-vjetorin e lindjes së At Gjergj Fishtës, organizuar nga Akademia e
Shkencave e Shqipërisë, shënon vërtetë, hapin e parë zyrtar, “për të inkurajuar
mirësekthimin e Fishtës” – siç u shpreh Kryetari i kësaj Akademie, Z. Skënder
Gjinushi. Presim gjithashtu, për të parë
nëse ujku, vërtetë, ka ndërruar jo vetëm qimën por edhe vesin, përfshir
qendrimin armiqësor 80-vjeçar ndaj At Gjergj Fishtës, në këtë 150-vjetor të
lindjes së Poetit Kombëtar. Kombi
shqiptar sot, më shumë se kurrë, ka nevojë për paqë dhe pajtim të shqiptarit me
shqiptar. Siç tha edhe ditët e fundit, Kryeministri i Republikës së Kosovës,
Albin Kurti, “Ka ardhur koha të kujtojmë dhe të mendojmë për At Gjergj
Fishtën”.
Kështjella
shqiptare është e tronditur në themel. Sot, më shumë se kurrë, Kombi shqiptar
ka nevojë për mësuesin e madh të dashurisë për Kombin -- At Gjergj Fishtën! Mos
hezitoni, kemi pritur mjaft dhe me durim për 80-vjetë!
“Fishta ka qenë
gjithnjë aty ku po ndodhte historia me gjithë dritëhijet e veta; është një emër
që nuk mund të ndahet prej momenteve më të rëndësishme të saj.”, tha Kryetari i
Akademisë, Skender Gjinushi ndërsa e përqëndroi kumtesën e tij në tri meritat e
mëdha të Fishtës si krijues.
Njëri prej ligjëruesve në konferencë, Imzot Gjergj Meta, nënkryetar
i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë e vlerësoi atin françeskan Gjergj
Fishta (1871-1940), si figurën më të madhe dhe më të fuqishme e letërsisë
shqiptare të gjysmës së parë të shekullit të XX, i cili më shumë se cilido
shkrimtar tjetër i dha shprehje artistike shpirtit kërkues të Shtetit të ri
sovran shqiptar.