Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Prishtina dhe Shkupi nderojnë Shën Terezën
E diele, 29.08.2021, 09:15 PM
PRISHTINA DHE SHKUPI NDEROJNË SHËN NËNË TEREZËN NË DITËLINDJEN E SAJ DHE NË 5-VJETORIN E SHËNJTËRIMIT
Nga Frank
Shkreli
Dioqeza Prizren-Prishtinë e Kishës Katolike Shqiptare në
Kosovë organizoi të ënjtën me 26 Gusht, 2021 një akademi solemne kushtuar Bijës
së Kombit shqiptar Shën Nënë Terezës me rastin e 111-vjetorit të lindjes dhe
5-vjetorit të shënjtërimit të saj nga Papa Françesku në Shtator, 2016. Akademia u mbajt në “Qendrën BogdaniPolis” të
Shën Nënë Tereza në kryeqytetin e Republikës së Kosovës, në Prishtinë, ku mori
pjesë edhe Presidentja e vendit, Dr. Vjosa Osmani.
Në praninë e Ipeshkvit të Kosovës, Shkëlqesisë së tij,
imzot Dodë Gjergjit, biografit të shquar të Nënë Terezës, Don Lush Gjergji,
studiuesve dhe pjesëmarrësve të tjerë – përveç folësve fetarë dhe njohësve të
tjerë të jetës dhe veprimtarisë së Nenë Terezës – me këtë rast foli edhe numri
një i Republikës së Kosovës, Dr. Vjosa Osmani duke e cilësuar Nënë Terezen si
një prej “personaliteteve më të rëndësishme të historisë sonë kombëtare”. Ja fjala e plotë e Presidentes së Kosovës në
Akademinë solemne kushtuar Nenën Terezës:
“Është nder i madh për mua që sot, në ditëlindjen e
111-të të nënës sonë, Shën Terezës, të ndaj me ju kujtimin për jetën e saj, si
dhe dashurinë për personalitetin e saj. Nënë Tereza, Anjeza jonë e dashur, e
pagëzuar Gonxhe, është simbol i dashurisë dhe i përkushtimit ndaj njerëzimit
(sidomos ndaj atyre që kishin më së shumti nevojë), por edhe ndaj Zotit. Ajo e
lidhi përkushtimin ndaj njeriut me përkushtimin ndaj hyjit, duke krijuar
simbiozën e dashurisë së përhershme, të cilën ia dhuroi njerëzimit.
“Për ne, si bashkëkombës të saj,
Nënë Tereza paraqet jo vetëm simbolin e dashurisë, të paqes e humanizmit, por
edhe një fat të madh historik, ngase në kohën e izolimit të madh e të
mosnjohjes së madhe të vlerave e të traditave shqiptare, për shkak të
vetizolimit komunist në Shqipëri, ose represionit etnik në Kosovë, ajo u
shndërrua në simbolin tonë përfaqësues. Duke e theksuar përkatësinë e saj
etnike, vlerat e familjes e traditën e popullit të saj, si dhe duke e nënvizuar
atdheun e saj, sikur e quante ajo, “të vogël, të quajtur Shqipni”, ajo e ktheu
vëmendjen e botës kah një popull i vogël, por zemërgjerë e paqedashës në
Ballkanin e përhumbur.”
Pra, Nënë Tereza paraqet njërin ndër personalitet më të
rëndësishme të historisë sonë kombëtare, të cilin populli ynë ia fali
njerëzimit. Ajo i shpalosi vlerat më të mira të popullit të saj: dashurinë për
njerëzit, përvujtëninë dhe përkushtimin ndaj vlerave njerëzore. Ne,
bashkëkombësit e saj, jemi krenarë që kjo bijë jona ia shpalosi botës vlerat e
kombit tonë dhe i shndërroi ato në vlera të njerëzimit.
Prandaj, në ditët sikur kjo, por edhe në secilën ditë të
jetës sonë, ne duhet të mos reshtim së theksuari emrin e saj, mësimet e saj,
personalitetin e saj të jashtëzakonshëm. Si institucione dhe si njerëz të
politikës por edhe si bashkëkombas të saj ne duhet ta përbrendësojmë dashurinë
e Nënë Terezës për njerëzit dhe t’i theksojmë pa pra porositë e saj peqedashëse
e humane, sikur bënte presidenti ynë historik, dr. Rugova, në vitet ’90, duke e
humanizuar të bërit politikë, sipas modelit human të Nënë Terezës.
Si grua ndërkaq, jam krenare që edhe vajzat në Kosovë do
të mund ta shohin shembullin e gruas shqiptare të quajtur Anjeza Bojaxhiu –
Nënë Tereza, e qetë por e vendosur, e përkushtuar skajshmërisht ndaj njerëzve
dhe e dashur për të gjithë, e gatshme që çdo herë të sakrifirkojë për të
tjerët; njeri që e njeh dhimbjen dhe provon që t’ua shërojë atë të tjerëve, me
fjalë të ëmbla por edhe me vepra konkrete, sikur thoshte ajo, “të vogla, por me
dashuri të madhe”.
Prandaj, ne mund dhe duhet të mësojmë çdo ditë nga
dashuria e saj për njerëzit. T’u gjendemi pranë të vuajturve. T’u gjendemi
pranë atyre që kanë më së shumti nevojë. Nuk mund t’ua mbyllim derën të
varfërve, sikur nënë Dranja nuk ua mbyllte asnjëherë atë, teksa i ofronte në
sofrën e familjes së saj, sikur të ish e tyrja. Dhe ne nuk do ta mbyllim
asnjëherë derën për të gjithë miqtë tanë – sipas traditës – ajo është gjithnjë
e hapur. Sepse, siç thoshte Presidenti ynë historik, Shtëpia jonë është edhe e
mikut. Zoti e bekoftë Shën Terezën! Zoti
e bekoftë Kosovën!” -- përfundoi Dr. Vjosa Osmani përshëndetjen e saj me këtë
rast.
Ndërkaq, me rastin e 111-vjetorit të lindjes dhe në
vigjilje të 5-vjetorit të shenjtërimit të Nënës Terezë, Kryeministri i
Republikës së Kosovës, Z. Albin Kurti mbajti fjalim dhe vendosi lule te
shtatorja e saj në Prishtinë, në sheshin që mban edhe emrin e saj, në një
ceremoni të organizuar nga Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të
shqiptarëve në Shkup (ITSHKSH-së), nën drejtimin e Prof. Dr. Skënder Asani.
Para të pranishmëve, Kryeministri
Kurti tha se, “Nënë Tereza arriti që ta kapërcejë pragun e tokës shqiptare dhe
shkojë në botë të huaj, duke bartur me vete sistemin e vlerave të edukatës së
familjes shqiptare, vlera këto që dukshëm dallonin nga sistemi i vlerave të
tjerëve dhe që së shpejti u bënë si udhërrëfyes për të tjerët”. Ai shtoi se sot përkulemi pranë shenjtores
sonë Nënë Terezës, e cila “me veprat e saj nuk mbushi boshllëk, por e ngriti
kombin tonë, jo kur ai mungonte, por kur ai e meritonte”.
Çdo vit, Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore
të Shqiptarëve në Shkup që drejtohet nga Drejtori i këtij instituti Z. Skënder
Asani, organizon aktivitete të ndryshme me rastin e ditëlindjes dhe
shenjtërimit të Nënës Terezë. Njoftohet
se sivjet, ndryshe nga e kaluara -- nga 26 gushti deri 5 shtator -- në Shkup
dhe në Prishtinë do të mbahet manifestimi kulturor, “Drita e Gonxhës”, gjatë të
cilit do të zhvillohen aktivitete të ndryshme në nder të jetës dhe veprës së
Nënë Terezës. Pasi përshëndeti personalitetet e larta, përfshir ministra të
qeverisë dhe të pranishmit e ftuar, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Z.
Albin Kurti tha ndër të tjera:
“Nënë Tereza, ky është emri botëror i Gonxhe Bojaxhiut.
Po t’i rikthehemi historisë sonë, të hapërdarë nëpër fakte të historisë zyrtare
të kombeve të tjerë, ne do të shquajmë emra shqiptarësh, papë e vezirë,
perandorë e strategë, shkencëtarë e guvernatorë, poetë e kompozitorë. Duket pra
sikur shqiptarët individualisht kërkojnë kauza përtej territorit të caktuar nga
lindja për territore të caktuar nga ndonjë e vërtetë më e lartë.
Jam këtu para mbartësve të kësaj nisme, dhe organizata
juaj e ka në emrin e vet edhe shpirtëroren edhe kulturoren, pra edhe mistiken
edhe konkreten. Sot ky institut (Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e
Kulturore të Shqiptarëve në Shkup) si çdo vit, po nderon Nënë Terezën. Nënë
Tereza, ja një emër që zbulon në treva të largëta mjerimin që mund të gjendet
në trevat tona, ende sot. Me sytë e kthjellët të mëshirës, kjo grua, kjo zonjë
dalloi të njëjtën vulë të trishtimit mbi shtrirjet e globit. Aq sa e shtriu
mëshirën, për aq e meritoi çmimin botëror (Nobel) të paqës.
Nënë Tereza arriti që ta kapërcejë pragun e tokës
shqiptare dhe shkoi në botë të huaj, duke bartur me vete sistemin e vlerave të
edukatës së familjes shqiptare, vlera këto, që dukshëm dallonin nga sistemi i
vlerave të tjerëve. Pikërisht këto vlera të tjera, të tjerët i dalluan, si
vlera që ata nuk i kishin, e që së shpejti u bënë si udhërrëfyes për të tjerët.
Ajo ishte një nga nënat shqiptare, e cila me mirësi dhe
bujari, duke sakrifikuar edhe veten, u ndihmoi atyre që kishin nevojë: fëmijëve
që vuanin nga uria, të kërbulëve që u duhej përkujdesja, duke u shëruar plagët
e tyre në kushte të pamundura. Ajo
frymëzoi me qindra, pastaj me mijëra e mandej miliona njerëz dhe ua ktheu
dinjitetin e atyre që mbase mendonin që edhe Zoti i kishte harruar.
Shpesh herë kam menduar se sa nëna shqiptare nuk e kishin
atë fat, siç e kishte ajo kur kapërceu pragun e derës së atdheut, për të
shpaluar vlerat e veta dhe sa fatbardhë jemi ne si shqiptarë, pjesëtarë të
edukatës nënëtereziane që shkojmë rrugës së saj. Ajo me lutje na përcjellë edhe
sot, në rrugëtimin tonë si komb, aspak të lehtë, por një udhërrëfim ky, që jep
shpresë dhe dritë. Duket sikur ne i kemi
në gjirin tonë të gjitha format e besimit më të thellë dhe sikur presim t’i
shpallim universalisht prej trupave tanë individualë. Gonxhja lindi shqiptare.
Gonxhe Bojaxhiu lindi këtu, në këto treva, mes njerëzve
dhe kohëve tona. Me atë trup të thjeshtë e të brishtë, por me atë thellësi
shpirtërore ku ka vend aq shumë, sa njerëzorja të gjejë shprehjen e saj më të
thekshme të besimit. Gonxhe Bojaxhiu u bë Nënë Tereza. Kur shpirtërorja e kthen
një trup njeriu në bartësin e mirësisë pa kufij, atëherë e quajnë të shenjtë.
Ata që janë të autorizuar të shpërndajnë tituj të tillë, e emërtuan e shenjta
Nënë Terezë. Përmes kësaj zonje, përmes
kësaj Nëne, dëshmia na vjen për lartësinë e shpirtit që në mundësitë tona e
kemi të gjithë. Ajo është një shembull, ajo është e shenjta e mirësisë që
njeriu, cilado qoftë treva e thjeshtë e origjinës së tij, mund ta shpërndajë
nëpër rruzull. Diku para dhjetë vitesh, ndoshta pianisti më i madh në botë,
Çikolini, tek e ndjente se do ta linte këtë jetë, u shfaq në qytetin e lashtë
shqiptar të Shkodrës, në teatrin e famshëm të këtij qyteti shqiptar dhe dha një
koncert. Para se të hapte koncertin, çuditërisht pa kërkuar asnjë pagesë, iu
drejtua publikut më të vogël të jetës së tij: “Nuk mund të ndahesha nga kjo
botë pa luajtur në piano për një prej vatrave të Nënë Terezës”. Ai e ndjente se po luante për njerëzit e saj.
Në kohët që vijnë, le ta ndjejmë se ne do të shpërndajmë mirësi mes nesh, se do
të ndajmë besim mes nesh, se do të vendosim besim mes nesh. Vetëm kështu, kohët
që do të vijnë do të jenë të shenjtëruara.
Sot, po përkulem pranë shënjtores sonë Nënë Terezës, e
cila me veprat e saj nuk mbushi boshllëk, por e ngriti kombin tonë, jo kur ai
mungonte por kur ai e meritonte”, përfundoi Kryeministri i Kosovës fjalën e tij
në ceremoninë e organizuar në Sheshin nenë Tereza në Prishtinë nga Instituti i
Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup.
Per ata ëndërrtarë si unë, që shpesh
ëndërrojmë për një bashkpunim më të madh kombëtar në sipërfaqen e trekëndëshit
Prishtinë-Shkup-Tiranë, ndonëse kënaqemi me këtë rast dhe raste të tjera si ky
për bashkpunimin kulturor midis Shkupit të vjetër shqiptar dhe Prishtinës,
sidomos në nivelin politik, kulturor dhe fetar që pamë kësaj radhe në Prishtinë
dhe në Shkup – për fat të keq, baza trekëndëshe nuk ishte e plotë as e fortë
për të nderuar Nënë Terezën -- si zakonisht, as këtë herë -- pasi mungonte një
kulm i këtij trekëndëshi – ai i Tiranës zyrtare e kulturore – ku siç duket
përvjetori i lindjes dhe 5-vjetori i shenjëtërimit të Bijës së Kombit Shqiptar,
Nënë Terezës nuk kishte të njëjtën rëndësi ashtu siç ka në dy kulmet e tjera të
trekëndëshit shqiptar -- Prishtinë e Shkup!
Duket se, për hir të interesave të tjera jo-kombëtare, prioritare sot
për sot në Tiranë, edhe Shën Nënë Tereza po bie viktimë e politikës aktuale
konfliktuale ndër-shqiptare!
Presidentja e Republikës së Kosovës
Dr. Vjosa Osmani duke folur të ënjtën që kaloi në Akademinë solemne, kushtuar
Nenë Terezës, në Qendrën “BogdaniPolis”, pranë Katedralës në Prishtinë.
Nga pjesëmarrja në Akademinë
kushtuar Nënë Terezës në Katedralën me të njëjtin emër, në Prishtinë
Kryeministri i Republikës së
Kosovës, Z, Albin Kurti duke folur para Statujës së Nenë Terezës në Sheshin me
të njëjtin emër në Prishtinë, në ceremoninë e organizuar nga Instituti i
Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup.
Drejtori i Institutit të
Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, (ITSHKSH-së,) Z.
Skender Asani me Kryeministrin e Republikës së Kosovës në manifestimin e
zhvilluar në Prishtinë, në nder të Nenë Terezës me rastin e ditëlindjes dhe të
5-vjetorit të Shënjtërimit të saj nga Papa Françesku
Drejtori i ITSHKSH-së, Skender
Asani, bashkë me ministrin e Mbrojtjes të Republikës së Kosovës, Z. Armend
Mehaj, vendosën lule të freskëta mbi pllakën përkujtimore të Nënës Tereze në
Sheshin e Shkupit, më 25 Gusht.
“Falënderoj ministrin Mehaj për respektin dhe nderimin që
po i bën Shenjtores sonë me rastin e 111-vjetorit lindjes së të saj, duke ndarë
bashkë me ne si institucion këtë ceremoni nderimi, që është jo vetëm privilegj,
por edhe obligim që të jemi krah njëri tjetrit në punë e ide të mira”, ka
shkruar Z. Asani në profilin e tij në fejsbuk.
Edhe Presidenti historik i Kosovës,
Dr. Ibrahim Rugova ka admiruar Nënë Terezën, ndërsa ka deklaruar për Radio
Vatikanin se figurën botërore të solidaritetit, Nënë Terezën e ka pasur frymëzim
e shembull për t’u ndjekur edhe në punët e shtetit.