Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Amerikë o vend i bekuar, prite, prite Skënderbenë!
E shtune, 18.09.2021, 07:35 PM
AMERIKË O VEND I BEKUAR - PRITE, PRITE GJERGJ KASTRIOTIN – SKENDERBE
Nga
Frank Shkreli
Të dielën që
kaloi, udhëheqsi i komunitetit katolik shqiptar në Nju Jork dhe famullitari i
Kishës Katolike, Zoja e Shkodrës në lagjën Scarsdale të Nju Jorkut, Dom Pjetër
Popaj bëri një njoftim aq të gëzueshëm për komunitetin katolik dhe për
shqiptaro-amerikanët në përgjithësi: vendosjen e shtatores së Heroit Kombëtar
të shqiptarëve, Gjergj Kastriotit – Skenderbe në truallin e kishës që ai
drejton.
Gjergj Kastrioti –
Skenderbeu po “vjen” në Amerikën e bekuar siç kemi ardhur qindëra mijëra prej
nesh nga të gjith trojet shqiptare – sikur edhe ai dëshiron të gjejë strehim e
paqë në një dhe të huaj, larg abuzimeve, shpërfytyrimeve, shtrembërimeve dhe
gënjeshtrave historike nga armiqtë e kombit shqiptar dhe vasalët e tyre modernë
të otomanizmit dhe sllavizmit -- në një kohë kur Heroi Kombëtar i shqiptarëve
është kritikuar dhe po kritikohet ndërsa identiteti i tij dhe i Kombit që ai
përfaqëson, po vihet në dyshim gjithnjë e më shumë nga shtrembërues, pseudo
historianë vendas dhe studiues të huaj të historisë shqiptare dhe të
personaliteteve historike të Kombit, si Gjergj Kastrioti – Skenderbe, përball
të cilave politika, institucionet zyrtare dhe akademia heshtin. Institucionet
shtetërore, detyra dhe përgjegjësia e të cilave është mbrojtja e identitetit
dhe e trashëgimisë kombëtare heshtin, madje edhe atëherë kur natën për terr në
qendër të Tiranës u ndërtohet monumenti “heronjëve” të Erdoganit dhe varreza
ushtarakëve pushtues të trojeve shqiptare, serbo-malazezë e grekë, në jug dhe
në veri të Shqipërisë. Një gjë është e
sigurt: të pakën këtu në Amerikë, Heroit Kombëtar të Shqiptarëve Gjergj
Kastriotit Skenderbe – i pranuar si i tillë nga të gjithë shqiptarët kudo dhe
pa dallim -- nuk do t’i mbulohet fytyra nga askush, as prej askujt.
Në njoftimin e
tij, të djelën që kaloi, për vendosjen së shpejti të monumentit të Gjergj
Kastriotit në oborrin e Kishës Katolike Shqiptare në Nju Jork që ai drejton dhe
administron, Dom Pjetër Popaj falënderoi Zotin për “kolosa” të tillë si Heroi
Kombëtar Gjergj Kastrioti, pa të cilin, tha ai, zor se sot ne shqiptarët mund
të ishim një popull me identitet tonin.
Ja njoftimi i plotë
i udhëheqsit të komunitetit katolik shqiptaro-amerikan, Dom Pjetrit para
besimtarëve, në fund të meshës:
“Të premten (10
shtator) është vendosur në piedestal ose në bazën e vet shtatorja e Gjergj Kastriotit-Skenderbeut.
Është një shpresë e madhe për ne shqiptarët se çdo herë që e këqyrim shtatoren
e tij, atëherë e falënderojmë Zotin edhe më tepër, se ai është edhe babai i
Kombit. Se mos të ishte ai -- unë e ti – nuk do mblidheshim sot në këtë kishë
ose në një kishë (tjetër). Ose populli i jonë s’do ta kishte as identitetin e
vet se jo më besime e gjëra të tilla.
Por duhet falënderuar të Madhin Zot që kemi pasur njerëz të tillë,
kolosa”, në historinë tonë, theksoi Dom Pjetër Popaj dhe vazhdoi.
“Javën që kaloi
kemi kremtuar festën e Shën Nenë Terezës e të premtën kemi vendosur shtatoren e
Gjergj Kastriotit – Skenderbeut, pothuaj dy shtylla të Kombit, në pikëpamje
kombëtare, por edhe fetare. Falënderojmë Zotin por falënderojmë edhe donatorin
e kësaj shtatoreje të cilën e kemi mbuluar tashti që mos të shihet deri sa të
kompletohet krejt puna. Por është e njëjta shtatore, replika e shtatores që
është në Krujë. Duke falënderuar pra, donatorin Zef (Zekë) Gjon Kalajn.
Shtatorja ka dalë një gjë e jashtzakonshme, e shkëlqyeshme! Kur të kompletohet
shtatorja (e Gjergj Kastriotit-Skenderbe) ka me kenë edhe më e shëndritshme”,
përfundoi njoftimin e madh për komunitetin shqiptaro-amerikan në Nju Jork dhe
anë e mbanë Amerikës, Dom Pjetër Popaj, famullitari i Kishës Katolike
Shqiptare, “Zoja e Shkodrës”, në lagjen Scarsdale të Nju Jorkut. Në fjalën e
tij, Dom Pjetri aludoi se Përmendorja mund të inaugurohet, zyrtarisht, në
fillim të muajit që vjen.
Njoftimi për
ngritjen e shtatores së Heroit Kombëtar Gjergj Kastriotit – Skenderbe si dhe i
emrit të donatorit për ngritjen e këtij monumenti, Z. Zek Gjon Kalajt, u prit
me entuziazëm dhe me duartrokitje të ngrohta nga pjesëmarrësit në meshën e
ditës së djelë.
Respekti dhe
kujtesa në radhët e diasporës shqiptare për Heroin e Kombit Gjergj
Kastrioti-Skenderbe kanë qenë dhe mbeten të përgjithmonshme, të gjithkund
ndodhur dhe shpresojmë, “Për derisa të rrojë Gjithësia”, siç ka thenë Kol
Tromara. Ende disa anëtarë të komunitetit shqiptaro-amerikan (megjithëse kanë
mbetur shumë pak) kujtojnë pjesëmarrjen e tyre në 500-vjetorin e Skenderbeut në
Romë e Vatikan në vitin 1968, ku ishin bashkuar shqiptarë nga të gjitha anët e
botës, përfshir Arbëreshët e Italisë, për të kujtuar dhe për të nderuar “të
përgjithmonshim” e fisit tonë -- para shtatores së tij Romë. “Të përgjithmonshëm” e pat cilësuar Gjergj
Kastriotin-Skenderbe, Papa i atëhershëm Pali i VI. Frank Shkreli: Gjergj Kastriot Skënderbeu, i përgjithmonshmi i fisit shqiptar | Gazeta Telegraf
– Duke iu drejtuar shqiptarëve të diasporës (përfaqsues të tri feve kryesore të
shqiptarëve dhe të gjitha krahinave shqiptare) në Vatikan, me rastin e
500-vjetorit të Gjergj Kastriotit – Skenderbe, para më shumë se një gjysëm
shekulli më parë, Papa Pali i VI u tha shqiptarëve që kishin shkuar atje për të
nderuar Heroin e tyre, se, “Ne ju shohim me
kënaqësi, pse e dimë se shpirti me të cilin ju e kujtoni këtë ditë është ai i
gjithmonshmi i fisit tuaj, i cili gjithëherë, mbi çdo interes ka vendosur vlerat
e trashëguara të Besës, të Nderit e të Burërnisë (fjalë këto që Papa Pali VI i
tha në gjuhën shqipe). Fatosi Skandërbeg
ka qenë personifikimi i gjallë i këtyre cilësive: ai ua ka lënë si trashëgim,
bashkë me miqësinë e miqve të vjetër të Atdheut tuaj, ndër të cilët kjo Seli
Apostolike gëzohet se bën pjesë, mbasi e numëron veten ndër ata që kurrë s’i
dolën fjale. Këto virtyte Gjergj
Kastrioti ua ka lënë në roje trashëgim të shenjtë shqiptarëve në Atdhe dhe në
mërgim.”
Në
shenjë mirënjohjeje për trashëgiminë e virtyteve të Heroit Kombëtar që e bejnë
shqiptarin shqiptar dhe për porosinë e shenjtë të të parëve për të ruajtur atë
trashëgimi, madje edhe në diasporë, këtu në Amerikën e largët – bijtë e bijat,
nipat, stërnipat dhe mbesat e atyre shqiptarëve, nga të gjitha fetë dhe
krahinat shqiptare, që më shumë se 50-vjetë më parë shkuan në Romë dhe në
Vatikan për të nderuar Heroin e tyre Skenderbeun me rastin e 500-vjetorit të
kalimit të tij në amshim -- tani pasardhësit e tyre do ta kenë Gjergj
Kastriotin krejt afër dhe pjesë të këtij komuniteti, këtu në Amerikën e bekuar,
ku të gjithë ne kemi gjetur strehim dhe bekimet e Zotit për veten dhe për
familjet tona. Në oborrin e Kishës Katolike Shqiptare, Zoja e Shkodrës në
Scarsdale të Nju Jorkut, ata dhe të gjithë shqiptarët e kësaj zone, pa dallim –
siç u shpreh edhe Dom Pjetër Popaj – do të kenë mundësi që kur të shikojnë
shtatoren krenare të Gjergj Kastriotit-Skenderbe, do të falënderojnë Zotin se,
falë këtij Kryetrimi, shqiptarët sot kanë një identitet kombëtar të vetin, që e
ruajanë. Vërtetë, falënderës Zotit që Kombi shqiptar ka kolosa të tillë në
historinë e tij, me të cilët çdo shqiptar ka të drejtë të krenohet para botës
së qytetëruar -- kudo që gjëndemi në trojet shqiptare shekullore e deri në
Amerikën e largët – Gjergj Kastrioti- Skenderbeg edhe sot u tregon Shqiptarëve
rrugën që duhet ndjekur. Shpresoj që Shqiptarët kudo qofshin të ndjekin rrugën
e tij duke vendosur mbi çdo interes personal ose partiak vlerat e trashëguara
të Gjergj Kastriotit-Skenderbe: të Besës, të Nderit e të Burrërisë, duke na
kujtuar përgjithmonë flijimet dhe sakrificat e mëdha që Shqiptarët e kohës së
Gjergj Kastriotit pësuan rëndë për të siguruar lirinë dhe pavarësinë e vet, por
duke mbrojtur, njëkohësisht, edhe qytetërimin evropian.
Dom Pjetër Popaj,
famullitar i Kishës Katolike Shqiptare, “Zoja e Shkodrës” në Nju Jork duke berë
njoftimin e vendosjes së shtatores së Gjergj Kastriotit—Skenderbe në oborrin e
kishës, të dielën që kaloi.
Kisha Katolike
Shqiptare, “Zoja e Shkodrës” në Skarsdejl të Nju Jorkut
Shtatorja e Heroit
Kombëtar të Shqiptarëve Gjergj Kastriotit-Skenderbeut -- replika e të cilës do
të vendoset në truallin e Kishës “Zoja e Shkodrës”, në Nju Jork
Statujës së Shën
Nenë Terezës në oborrin e Kishës, “Zoja e Shkodrës” në Nju Jork, do i bashkohet
tashti edhe Përmendorja e Heroit Kombëtar të Shqiptarëve, Gjergj
Kastriotit-Skenderbe
---------------------
DIKUR TË GJITHË PA
DALLIM FEJE A KRAHINE TË BASHKUAR RRETH GJERGJ KASTRIOTIT-SKENDERBE – Një
perspektivë historike me disa fotografi, Vatikan-Romë 1968 – 500-vjetori i
vdekjes së Skenderbeut mblodhi në Romë – atje ku në atë kohë mund ishte
Përmendorja e vetme e Gjergj Kastriotit-Skenderbe. Morën pjesë -- të gjithë së
bashku -- shqiptarë nga diaspora të arratisur në Perendim, përfshir diasporën
shqiptare në Shtetet e Bashkuara, si dhe grupe përfaqësuese të komuniteteve
arbëreshe të Italisë. E sikur të ishte sot ashtu!?: Këta ishin disa prej atyre
burrave të dheut, përfaqsues të shqiptarisë së asaj kohe, që lakuriqat e
politikës së sotëme shqiptare do të bënin mirë të imitonin, në mos për asgjë
tjetër, atëherë për atdhedashurinë dhe për respektin që ata kishin për simbolin
e Kombit, Gjergj Kastriotitn -Skenderbe – shembull bashkimi e nderimi për
shqiptarët – por fatkeqësisht disave as emërat nuk ua dinë.
Përfaqësues të Federatës
Pan-Shqiptare Vatra dhe të komunitetit shqiptaro-amerikan në Romë, 1968
Profesor Ernest Koliqi,
organizatori i ceremonisë për 500-vjetorin e vdekjes së Gjergj
Kastriotit-Skenderbe (Romë, 1968) pranë Permendores së Heroit Kombëtar, në
kryeqytetin Italian.
*Fotot janë nga revista
Shëjzat 4-6, 1968