Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Dr. Rifat Latifi - Me emërimin tënd, fiton Kosova!
E enjte, 18.11.2021, 07:52 PM
DOKTOR RIFAT LATIFI: ME EMËRIMIN TËND, FITON KOSOVA!
Një shënim personal
Nga
Frank Shkreli
Z.
Kryeministër Kurti, ke marrë më të mirin që kemi në këto anë, këndej oqeanit.
Zgjodhe dhe emërove një Ministër të Shëndetësisë për Republikën e Kosovës,
njërin prej më të mirëve -- jo vetëm të botës shqiptare – por edhe njërin ndër
më të mirët e Amerikës dhe të botës, Dr. Rifat Latifin.
Të
martën që kaloi, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Z. Albin Kurti njoftoi
se ka emëruar Prof. Dr. Rifat Latifin, Ministër të Shëndetësisë në Qeverinë e
Republikës së Kosovës. Emërimi i tij u
bë i ditur në një konferencë të përbashkët për shtyp të Kryeministrit Kurti dhe
Dr. Rifat Latifit. Zoti Kurti vlerësoi
përvojën profesionale dhe arritjet akademike të Doktor Latifit – i njohur mirë
për ekspertizën e tij në Shtetet e Bashkuara dhe në botë – përfshir Kosovën dhe
Shqipërinë. Dr. Latifi ka punuar gjatë
dekadave të kaluara në disa prej universiteteve dhe qendrave spitalore më të
dalluara dhe më me zë të Amerikës, përfshir atë të fundit, Westchester Medical
Center në Nju Jork.
Siç
theksoi edhe Kryeministri Kurti gjatë paraqitjes së tij, Doktor Latifi,
megjithse jetonte dhe punonte në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për dekada, ai
kurrë nuk u nda as nuk e harroi vendlindjen e tij – Kosovën. Gjatë gjithë kësaj kohe Dr. Latifi ka
promovuar zhvillimin e një mjedisi shëndetësor më të mirë e më të denjë për
Kosovën dhe për Shqipërinë, përfshir edhe themelimin e Telemedicinës atje dhe
në shumë vende të botës. Në të vërtetë
ishte rreth katër dekada më parë që e kam njohur për herë të parë Dr. Rifat
Latifin. Më kujtohet sikur të ishte dje, një mjek i ri, plot entuziazëm dhe
energji, pat ardur për të vizituar Zërin e Amerikës, për herë të parë. Por
kishte ardhur edhe për një qëllim tjetër: dëshironte një intervistë me Zërin e
Amerikës në gjuhën shqipe, për të folur për një ide të re që ai kishte në
mendje dhe të cilën donte t’ia njoftonte botës shqiptare dhe më gjërë:
TELEMEDICINA-- Telemjekësia. Ne shikuam
njëri tjetri, pasi ishte një term që nuk e kishim dëgjuar më parë, jo vetëm ne,
por besoj nuk përdorej as në qarqet mjekësore të kohës – dhe filluam të
qeshnim. Po, mirë i thamë, ti shpjegoje
se për çfarë e ke fjalën. Nejse, e gjithë kjo është histori tani, ne të Zërit
të Amerikës ishim gabim që dyshonim në atë kohë Dr. Latifin për idenë e tij të
telemedicinës dhe me kohë, ai ka provuar se kishte të drejtë. Si rrjedhim i asaj vizite të parë, për një
kohë, Dr. Latifi paraqitej rregullisht në programet e Zërit të Amerikës duke iu
përgjigjur pyetjeve të dëgjuesve mbi telemedicinën dhe shëndetin, në
përgjithësi. Sot, kontributi i Dr. Latifit në fushën e telemjekësisë njihet,
nderohet, çmohet dhe adhurohet këtu në Shtetet e Bashkuara dhe anë e mbanë
botës, siç vlerësohen edhe veprat shkencore të tija, të botuara gjatë viteve, e
që përdoren në universitetet më të mira të mjekësisë në Amerikë dhe më
gjërë. Është autor dhe bashkautor i mbi
350 punimeve shkencore apo kapitujve të librave shkencorë, ndërsa,
njëkohësisht, shërben edhe si anëtar i bordit editorial të disa revistave
shkencore.
Gjatë
gjithë kësaj kohe ai ka promovuar zhvillimin e një mjedisi shëndetsor më të
mirë e më të denjë për Kosovën dhe për Shqipërinë, përfshir edhe themelimin e
telemedicinës atje, dhe në shumë vende të botës. Doktori ynë i mirë, përveç
gjithë këtij aktiviteti të madh në fushën e ekspertizës së tij, një pjesë të
madhe të karierës së tij, ai ia ka kushtuar gjithashtu edhe vullnetarizmit –
një dukuri kjo që fatkeqësisht nuk është aq e përhapur në shoqërinë shqiptare –
por Dr. Latifi edhe në këtë fushë ka dhënë ndihmesën e tij me shembëllin e tij
të ofrimit të shërbimeve mjekësore, pa pritur ndonjë përfitim financiar ose
ndonjë privilegj tjetër. Edhe për këtë fushë, Dr. Latifi është i njohur
ndërkombëtarisht. Dr. Latifi është
nderuar për kontributin në ngritjen e telemjekësisë në zonat rurale të SHBA-së dhe
në vendet e dala nga konfliktet apo fatkeqësitë natyrore në botë, përfshir
Kosovën dhe Shqipërinë.
Lista
e arritjeve të Dr. Latifit është tepër e gjatë për tu përfshir në një shkrim si
ky, por duhet përmendur se në kohën më kritike të pas luftës në Kosovë, Dr.
Latifi dhe ekipi i tij, ndër të tjera, ngriti atje një qendër telemjekësie që
përfshinte infrastrukturën teknike, një bibliotekë elektronike dhe programe të
edukimit virtual. Qendra të tjera, pastaj, ai krijoi në Shqipëri dhe Afrikë, që
tani quhen International Virtual E-Hospital (IVeH). Pastaj, i quajturi Sistemi
Spitalor, me seli në qytetin Hope të shtetit amerikan Idaho dhe një tjetër në
Brazil i është përkushtuar rindërtimit të sistemeve të kujdesit shëndetësor në
zonat e thella e të varfëra të atij vendi. Dr. Latifi, si president i
organizatës, ka punuar me kolegët për të zhvilluar një model të njohur si
Inicimi-Build-Operim (IBOT) për të siguruar qëndrueshmërinë e programit. Sipas
një njoftimi, nga www.facs.org, modeli përfshin ndërtimin dhe forcimin e
burimeve të sistemit, vendosjen e pajisjeve dhe zhvillimin e mundësive të
arsimit dhe trajnimit, nga të cilat kanë përfituar qindra universitete, qendra
mjekësore dhe organizata shëndetsore në dhjetëra vende kanë transmetuar qindra
aktivitete edukative dhe leksione përmes sistemit ndërkombëtar, IVeH. Veprimtaria e Dr. Latifit është vlerërsuar
mjaft edhe nga ente qveritare ndërkombëtare nga të cilat ka marrë edhe grante
për veprimtarinë e tij, siç janë Agjencia Evropiane për Rindërtim, Departamenti
Amerikan i Shtetit, Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar
(USAID), qeveria e Sllovenisë, dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë, ndër të
tjera.
Vitet
e fundit, Dr. Latifi ka punuar si profesor dhe Drejtues i Departmentit të
Kirurgjisë në Kolegjin e Mjekësisë së Nju Jorkut, drejtues i Departamentit të
Kirurgjisë në Qendrën Mjekësore të zonës Westchester, Spitalin për fëmijë të
“Maria Farerit” dhe spitalin rajonal të krahinës Mid-Hudson. Ishte pikërisht në këtë spital, ku unë u
shtrova, para disa muajsh, për një operacion shumë të rëndë – një operacion që
falë kujdesit të jashtzakonshëm të Dr. Rifat Latifit, kirurgut tim Dr. David
Spielvogel dhe ekpit më të gjërë të mjekëve dhe infermiereve që mbikqyrte miku
im Dr. Latifi – operacioni im, ndonëse tepër serioz për nga natyra – kaloi mirë
dhe tani disa muaj më vonë e ndjejë veten shumë mirë. Në këtë botë ka lloj-lloj
heronjsh. Për mua, ekipi i Dr. Latifit në Qendrën Mjekësore Westchester janë
heronjtë që bënë ndryshimin në rastin tim.
Respekti që ekipi i tij kishte për Dr. Latifin – si profesionist dhe si
drejtor dhe bashkpuntor – vihej në dukje në çdo bisedë që kisha me mjekët dhe
infermieret gjatë qëndrimit tim në Westechester Medical Center. Dola prej atij
spitali – ku Dr. Rifat Latifi nderohej dhe respektohej aq shumë prej të
gjithëve. Dola prej atij spitali, krenar për një shqiptar i arritjeve të
përmasave të tilla dhe aq i respektuar nga kolegët e tij. Dola
nga
spitali me ndjenjën se heronjtë i takon rëndom çdo ditë, heronjë që luftojnë
për të shpëtuar jetë, që luftojnë për kauza fisnike, heronjë që krejtë,
qetësisht, dhe pa zhurmë, pa rrahur gjoksin se bëra këtë e kështu – ndajnë
dashurinë e tyre për njerëzimin. Se për ta, dashuria për të tjerët është,
vërtetë, ajo që mjekët dhe infermierët ndajnë me botën dhe njerëzimin.
Në
fjalën e tij në konferencën e përbashkët me Kryeministrin e Republikës së
Kosovës, Z. Albin Kurti, Ministri i sapoemëruar i Shëndetësisë në qeverinë e
Kosovës,Dr. Latifi falënderoi kryeministrin Kurti për nderin e madh dhe besimin
për këtë detyrë me përgjegjësi të jashtëzakonshme. Dr. Latifi u zotua se,
bashkë me ekipin e tij, do të angazhohen që në mënyrë afatgjatë të ngrisin
standardet mjekësore në Kosovë. Unë nuk kam asnjë dyshim se Ministri i ri i
Shëndetësisë në Kosovë, Dr. Rifat Latifi, kur flet për standard ka në mend
standardet amerikane, dhe se do përpiqet me gjithë qenjen e tij njerëzore dhe
profesionale, të vendosë një kulturë dhe një përvojë amerikane në mjedisin
shëndetsor të Kosovës, në dobi dhe për dashuri që ai ka për njerëzimin dhe për
Kosovën-Dardaninë e tij të dashur, e kur të harruar, siç theksoi edhe
Kryeministri Kurti. Me emërimin e Dr. Latifit në detyrën e Ministrit të
Shëndetësisë në qeverinë e Kosovës, Kryeministri i Kosovës tregon seriozitetin
e qeverisë së tij për të emëruar në detyra kyçe të qeverisë së Republikës së
Kosovës, shqiptarë që kanë bërë karierë në vendet perëndimore – në këtë rast në
një mjedis, ku ka jetuar e punuar Dr. Latifi – një mjedis shumë konkurues, me
më të mirët e Amerikës dhe të botës.
Z.
Kryeministër na e more më të mirin e komunitetit shqiptaro-amerikan dhe një
ndër më të dalluarit e Amerikës – në fushën e tij profesionale të telemedicinës
dhe jo vetëm. T’a bëjmë hallall që e more, Dr. Latifin, se Kosova dhe Shqipëria
kanë nevojë për njerëz të tillë. Mikut
tim Dr. Latifit i uroj sukses në detyrën e tij të re. Urimet e mia edhe
Kryeministrit Kurti për një emërim të shkëlqyeshëm. Uroj që ky vendim të hapë
dyer të reja që Kosova dhe Shqipëria të fillojnë të konsiderojnë, më në fund
dhe pa paragjykime politiko-ideologjike, emërime të tilla të shqiptarëve të
dalluar në profesionet e tyre në diasporë. Shqipëria dhe Kosova, vetëm do të
përfitojnë nga individë të përgatitur siç është Dr. Rifat Latifi.
Natyrisht,
se për komunitetin tonë këtu në Amerikë dhe për disa shqiptaro-amerikanë si
unë, që e kemi njohur Dr. Latifin për një kohë të gjatë – vërtetë, do na
mungojë shumë prania e tij në takime, darka e dreka të komunitetit, ku ishte
shpesh i pranishëm. Në të vërtetë, para disa javësh kur komunikova me anë të
një mesazhi me Dr. Latifin, më premtoi se me të këthyer nga Kosova, do të
takoheshim së shpejti, “për një gotë verë, për të celebruar jetën”, sipas
fjalëve të tija, një referencë kjo siç duket ndaj përmirësimit të shëndetit tim
pas operacionit në spitalin Westchester Medical Center, ku ai ishte Drejtor i
Departmentit të Kirurgjisë. Ani, i
dashur Doktor Latifi, gota e verës së kuqe pret, besoj se do të kemi rast. Kosova ka më shumë nevojë për ty, sot. Me
emërimin tëndë, Kosova fiton!